Zef LEKAJ

Nga monografia “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”

DILEMAT E PËRZGJEDHJES

Im atë, Zef Lekaj (Hoti), të cilin për arsye profesionale, prej këtu e deri në fund do ta shënjoj thjesht me emrin e tij të pagëzimit, do të jetë objektivi im për një kohë të papërcaktuar, deri që të bindem plotësisht se nëpërmjet kësaj monografie, figura e tij do të qëndrojë hijshëm në sfondin e kohës ku ai punoi dhe jetoi. Duke u nisur prej qëllimit të mirë që ta shoh jo si një djalë sheh të atin, por thjesht si një arkeolog që bën çmos të zbulojë ato mistere të thesarit të tij, mendoj se njëkohësisht do të mund t’iu largohem aq sa duhet emocioneve që shkaktojnë marrëdhëniet e hershme dhe të shkëlqyera në raportin babë-bir.

Kush ishte ZEF LEKAJ?
Me origjinë malësor, por i lindur në qendrën më zhvilluar të vendit, në Shkodër, në 7-korrik të vitit 1924, pikërisht atë vit të revolucionit demokratiko-borgjez, ku idetë noliste do të bëheshin për pak muaj ide qeverisëse, krijesa e porsaardhur në jetë, Zef Lekaj do të përballej shumë shpejt me gravitete të fuqishme. Ato gravitete, të cilat do të shfaqen në jetën e tij shpesh herë si elementë interferues, mëdyshas e brengosës do ta drejtonin atë në udhëkryqin e dilemave selektive. Duke perceptuar në sfond të atij kryqëzimi etapat lëvizëse historike, dhe mjaft elementë të tjerë përcaktues të shekullit të shkuar, jeta e tij krijon një mozaik shumëngjyrësh, i cili, i parë në ditët tona, të shtyn më tej për të ndriçuar edhe format më të shkujdesura të tij.
Që në fëmijërinë e tij të hershme, kur koshienca do të jepte sinjalet e para se krijesa e ardhur në jetë kishte filluar të kuptonte, Zef Lekaj do të përballej me traditën, me tërësinë e pjesëve të saj, ku fiset qenë ende nën “tutelën” e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Në këtë tërheqje drejt tij, hera-herës do të dilnin në pah edhe ato më ekstremet, më të ashprat, të cilat kërkonin ta mbanin të ngërthyer tek ato ligje, ku mashkulli duhej patjetër të reflektonte se qe zot i pushkës dhe se bashkudhëtimi i tij permanent me vdekjen, duhej me çdo kusht të qe një ide krejt normale për psikologjinë e tij, e pranueshme dhe njëkohësisht e pagjykueshme.
Këtij presioni të ardhur thellë nga tradita shekullore e ligjeve të ashpra të vendeve, ku madhështia e maleve të imponohet frikshëm me honet dhe shpellat shekullore, apo me bardhësinë vrasëse të majave të tyre, iu ishte shtuar edhe armiqësia e hershme me fqinjët verior, sërbomalazezët, si dhe luftërat e të parëve të tij për liri e pavarësi, të cilat kulmojnë me ngritjen e flamurit në Deçiq në vitin 1911. Në atë atmosferë të ndezur, ku dallga e luftës kishte prekur gjithë vendin, paraardhësit e Zef Lekës nuk mund ta vështronin atë çka ndodhte si prej një amfiteatri gjigand. Ata bëhen ingredient të saj, luftojnë me pushkë në dorë, madje në apelin e pasluftës së Deçiqit mungonte Ujk Gjeloshi, xhaxhai i tij, i cili në këngët e atyre anëve që këndohen me lahutë është përjetësuar me këto vargje:

Ujk Gjeloshi djalë azgan
Bè në zotin shokve u ban
Bini djem me dekë të tanë,
E mbet dekun vet’ i nandë..!

(Marrë nga “Historia e familjes sonë Lekaj nga Hoti” dorëshkrim i Gjon Lekës-1966)

Në vitin 1920, në luftën e Koplikut, vargut të dëshmorëve të rënë do t’i rreshtohet edhe Kol Nika, kushëriri i parë i Zef Lekës. Në kujtesën e popullit, që vjen tek ky libër mbas dy dëshmive të ruajtura me fanatizëm prej plakut Martin Ujk Çeku, e më pas prej vëllait të Zef Lekës, Gjonit, trimi njëzet vjeçar, trupi i të cilit u gjend mbas njëzet ditë luftimesh si një matrazov mbi grykën e mitralozit do të kujtohej me vargjet:

Luc Gjeloshi po viket
Zot Kol Nikën ç’ ka ma gjet
Mitrolozi e muer e mbet
Bab’ e nan’ i ka lan shkret.

Comments are closed.