Shpirt i braktisur

FRAGMENT NGA ROMANI

Ajo mbrëmje do të kishte përfunduar si të gjitha të tjerat, me rutinën e përnatshme të ndonjë krikëlle birre dhe me këmbënguljet e zakonshme të grave për një shëtitje në bregun e detit, nëse krejt papritur nuk do të shfaqej një burrë rreth të dyzetave, me një palë sy lotues dhe me një fizarmonikë të hedhur në krah. Njeriu i panjohur qëndroi në heshtje për disa çaste përballë nesh dhe kur e kuptoi që flisnim të njëjtën gjuhë me të, iu drejtua gruas sime:
-Dëshironi të luaj diçka për ju zonjë?
Qe një gjuhë e pastër, e shoqëruar prej një mirësjelljeje gjestesh. Toni i tij, më shumë dëshpërues se sa lutës, si dhe e folura e saktë më larguan çdo dyzim. Qëndrova në vend, ndryshe nga ç’ bëja herët e tjera, kur muzikantë endacakë përsërisnin lutje të tilla. Gjatë asaj kohe të shurdhët, të cilën e mbushte vetëm përplasja e lehtë e dallgëve në breg, ime shoqe shihte herë nga unë dhe herë nga burri i panjohur, a thua se donte një lloj ndihme për pjesën që do të zgjidhte. E bëri atë veprim disa herë, pastaj si çeli një qeshje në fytyrë tha:
-Do të më pëlqente të dëgjoja një tango.
U deshën vetëm pak çaste që ”Comparsita” të çante ajrin e asaj mbrëmjeje vere. Ritmi i ngrohtë i tangos, në atë mjedis të hapur, aq pranë detit, më krijoi një ndjesi të çuditshme, turbulluese. Burri i panjohur e luajti pjesën të plotë, me të gjitha variacionet e saj dhe kur e mbaroi atë ngriti kokën. Mbi ballë i qenë shfaqur ca bulëza të mëdha djerse, që i merrnin rrugë në tëmthat gjysmë të thinjura e i përfundonin poshtë mjekrës së mbështetur tek instrumenti. Nuk tha asgjë, veç na vështroi të gjithëve me radhë. Shikimi i tij u duk sikur donte të thoshte se e kishte kryer më së miri detyrën. Pak më e mënjanuar, gati një metër larg këmbëve, kasa lypëse me ca të holla brenda vuloste përfundimisht dëshpërimin e tij. Ne po bëheshim gati të kryenim borxhin tonë, për të shtuar në kasë ca monedha, kur befas ndodhi edhe diçka tjetër. Ajo diçka u bë shkak që mbrëmja të mos shtrihej në shtratin e saj të zakonshëm. I panjohuri vuri përsëri gishtat në tastierë dhe filloi të luajë me një pasion të shfrenuar pjesë nga një koncert për piano, të cilin e njihja. Shoku im diçka donte të thoshte, por nuk mbërriti ta bënte atë. Vrulli i tendosur i njeriut me tastierë nuk e la as të hapte gojën. Rreth tij ca njerëz të tjerë ndiqnin me një lloj kërshërie lëvizjet e shpejta të gishtërinjve mbi tastierën bardhezi. Në një sfond të tillë ndjeva time shoqe të më shtrëngohej fort pas trupit dhe më pas pëshpërimën e saj diku mbas veshit:
-Ai po qan.
Ai po qante. Në atë tejzbehje fytyre muskujt i qenë shtendosur, ndërsa dy pika loti gjysmë të fshehura po i rrokulliseshin diku afër gojës. Kur ai mbaroi dikush futi dorën në xhep dhe nxori prej andej ca monedha, që t’i hidhte tek kutia lypëse e të panjohurit, por dora e tij e vogël e zuri atë. Ai bëri pastaj një gjest mohues me kokë dhe tha fjalët:
-Ju lutem zotëri, kjo nuk ishte për ju. Kjo pjesë ishte për të qetësuar shpirtin tim -dhe si fshiu me pëllëmbën e dorës faqet e tij të njomura shtoi:
-Shpirtin tim të braktisur.
Kaq u desh. Zhdukja e gjurmëve të lotëve si dhe epiteti që burri me fizarmonikë i kishte venë vetes e çuan në pikën e vlimit kureshtjen e dy grave. Ato shkëmbyen nga një vështrim të heshtur, pastaj dallova qartë në fytyrën e sime shoqeje dëshirën e papërmbajtur për të thënë diçka. Mu afrua sërish tek veshi dhe me zë të ulët më pëshpëriti se ç’ mendim kisha sikur ta ftonim të kalonte me ne një pjesë të mbrëmjes. Kur unë, me një lëvizje të lehtë të kokës aprovova idenë e saj të fshehtë, gruas i shkëlqyen sytë dhe në çast ajo e pyeti. Vura re se as në fytyrën e shokut tim dhe as tek ajo e gruas së tij nuk u pa ndonjë pakënaqësi. I panjohuri padashur na kishte magjepsur të gjithëve.
Në atë situatë të krijuar mua nuk më kishte mbetur gjë tjetër, përveç se të shihja se si do të reagonte. Të qenit i një kombësie me ne i qe shtuar edhe enigma e fjalëve, e shoqëruar prej lëvizjes së vrullshme të dorës tek arka lypëse. Ai ngriti kokën, harkoi vetullat dhe pa me ngulm nga ime shoqe. Shikimi i tij rraskapitës mu duk sikur donte të vërtetonte se fjalët e saj nuk qenë thënë ashtu kot, sa për të kaluar radhën, por se ajo qe një dëshirë e saj dhe e të gjithëve.
Mjaftoi aprovimi i tij që të merrnim rrugën për tek pista, ku çdo pasdite kryenim rutinën e zakonshme të krikllave të birrës. Ai nuk mori birrë. Porositi whiskey me akull. Kur kamerieri i vendosi gotën përpara, burri i huaj diçka mërmëriti me zë të ulët, përkëdheli me duar qelqin dhe si hodhi një vështrim nga ne të gjithë e çoi atë në gjysmë.
Ime shoqe kishte bërë një gabim të pandreqshëm kur kishte kujtuar se duke ftuar në tavolinë një të panjohur, do të mund të vriste përgjumjen e gjendjes, tek e cila qemë zhytur. Por femrat kanë instinkte kur flitet për një burrë. Ato e kuptuan se brenda asaj perlotjeje dhe atyre fjalëve të dhimbshme kishte diçka që shkonte më tej se kureshtja e tyre, prandaj edhe zonja Meri, në gotën e dytë, gjeti një çast delikat për ta pyetur se përse ishte vetëquajtur ashtu. Dhe ndërsa kurioziteti e tyre po brehej prej të panjohurës që mbartnin fjalët që ai kishte thënë, mua më qenë gozhduar sytë tek duart. Sa herë që preknin gotën ato dridheshin lehtë. Për një çast pashë se si ai e rrëmbeu atë, e vuri në buzë dhe deri atëherë, kur në qelqin e saj u dëgjua vetëm kërkëllima e copave të akullit, e mbajti aty, të pa lëvizur. Sytë filluan t’i skuqeshin, ndërsa e zbehura iu thellua akoma më shumë, sikur një ankth tronditës ta kishte bllokuar të tërin. Ky qe edhe momenti në të cilin zonja Meri, me vigjilencën e saj zhbiruese, bëri pyetjen përfundimtare, atë pyetje, që për dy pasdite me radhë do të na mbante të mbërthyer në grackën e rrëfimit të burrit me fizarmonikë.
-Nuk do të na thuash diçka për jetën tuaj?
Mbretëroi një heshtje e plotë. Një heshtje e pushtetshme, gati tinëzare, si ato që krijohen në situata të rënda kur kërkohet një fajtor. Se sa kishte të drejtë zonja Meri, apo ne të gjithë të ndërhynim në intimitetet e jetës së tij këtë nuk do të na i thoshte askush. Sidoqoftë një marrëveshje u nënshkrua prej syve të të gjithëve. Ai ishte i gatshëm të fliste, po aq sa ne ishim të gatshëm ta dëgjonim. Të dyja gratë mezi e mbajtën një gëzim të fshehur, kur i panjohuri pyeti nëse vërtetë donim të dinim diçka nga jeta e tij. Mbylli sytë e tij të shndritshëm, bëri një lëvizje të kokës majtas e djathtas, pastaj tha me zërin e një njeriu që është dorëzuar:
-Ju lutem porosisni edhe një gotë tjetër.
Atë punë e kreu zonja Meri. Kamerieri erdhi me diskun prej qelqi në dorë dhe si na uroi një mbrëmje të këndshme, u largua. Ne mbetëm sërish në pritje të rrëfimit të burrit të panjohur.
-Mirë, -tha ai, si bëri përsëri të njëjtën përkëdhelje të qelqit, -do të përpiqem t’ju bind se ajo që thashë është e vërtetë. E di se do të jetë një gjë që do të më shkaktojë jo pak dhimbje. Si t’ju them. Është hera e parë që më kërkohet. Dhe …
Tundi kokën me dëshpërim pastaj vazhdoi:
-Është hera e parë që do ta bëj. Për të shpresuar se nuk do të jetë edhe hera e fundit. Nuk e di, shpeshherë parandjenjat janë me të vërtetë të çuditshme…
Theksimi i fjalisë së fundit më dha me shpejtësinë e një vetëtime idenë e një fataliteti të zhytur brenda qenies misterioze të atij njeriu të panjohur. Ai nuk më la gjatë nën efektet e asaj përshtypjeje. Largoi sytë e lodhur prej pikës misterioze dhe si kërkoi ndjesë për ndonjë banalitet të mundshëm në rrëfimin e vet, filloi të flasë me zërin e tij rraskapitës.

Comments are closed.