Biografia

Leon Lekaj u lind në vitin 1955 në qytetin e Shkodrës në një familje intelektualësh. Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, shfaq një interes të konsiderueshëm për muzikën dhe letërsinë. Duke ndjerë aftësitë e tija në ato fusha, i ati i tij Zef Lekaj e regjistron në shkollën e Muzikës të qytetit të lindjes. Detyrohet ta ndërpresë atë, për shkak të largimit të atit të tij nga qyteti i Shkodrës.

Në Kuçovë (ish qyteti Stalin) ku familja e tij u vendos, Leoni i nënshtrohet një disipline muzikore, dhe më pas regjistrohet në Liceun Artistik, në Tiranë, shkollë të cilën e kryen në vitin 1974. Diplomohet Mësues Muzike, profesion të cilit nuk arrin t’i gëzohet gjatë. I ati i tij, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej themelimit të saj, arrestohet dhe dënohet politikisht.

Deri në vitin 1991 detyrohet të bëjë punë të rënda fizike. Punon në guroren e qytezës së Urës Vajgurore, e më pas si mekanik në Uzinën Mekanike të Naftës. Pas rënies së barrierave komuniste, rikthehet në vendlindje, ku ve në jetë njërën prej ëndrrave të tij: kryen fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në universitetin “L. Gurakuqi“. Me diplomimin e tij lë atdheun për të emigruar në kryeqytetin helen, ku familjarisht vazhdon të jetojë edhe sot.

Është autori i romanit “SHPIRT I BRAKTISUR”-Shtëpia Botuese Dituria-2006, si dhe monografisë “NJË ARTIST NËN PENTAGRAME TË KRYQËZUARA”, Shtëpia botuese “Camaj-Pipa” botuar në vitin 2008. 

BiografiaPermalink

Comments are closed.