Tag Archive | "zeri i amerikes"

Shqipëri, gjendja aktuale zgjon ndjenja përgjithësisht negative


Zeri i Amerikes

Armand Mero, 29.12.2012

Ky është përfundimi i një ankete të opinionit publik e zhvilluar nga Instituti Kombëtar Demokrat me 10 grupe të veçanta në Tiranë, Shkodër, Fier e Korçë.
Gjendja aktuale në Shqipëri zgjon ndjenja përgjithësisht negative tek shqiptarët. Ky është përfundimi i një ankete të opinionit publik të zhvilluar nga Instituti Kombëtar Demokrat, një organizatë amerikane joqeveritare e krijuar për të nxitur përhapjen e parimeve demokratike.

Instituti sapo ka botuar një analizë të anketave të zhvilluara, të titulluar “Putting People First” – Njerëzit në Radhë të Parë, ku rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar. Shumë nga të anketuarit veçojnë ndër problemet kryesore, ritmet e papunësisë, koston e lartë të jetesës dhe pagat e ulëta, si dhe mungesën e alternativave për brezin e ri.

Të anketuarit shprehen të shqetësuar për gjendjen në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, që i shohin edhe si faktorë vendimtarë për cilësinë e dobët të jetesës. Në këto sektorë, të anketuarit veçojnë probleme korrupsioni dhe mungesë profesionalizmi dhe kompetence.

Studimi vëren se pjesëmarrësit shprehen të shqetësuar për sigurinë e jetës, një reagim i amplifikuar në masë të madhe nga kronikat e zeza që mbushin buletinet e lajmeve dhe gazetat. Për problemet që përmendin, pjesëmarrësit fajësojnë kryesisht forcat politike në pushtet, por edhe krizën globale që ka përfshirë botën. Bashkimi Evropian mbetet për pjesëmarrësit një ndër objektivat madhore të vendit dhe rrugëdalja që ata shohin për shumë prej problemeve të vendit. Studimi nxori në pah sa shqetësues mbetet korrupsioni për shoqërinë shqiptare.

Thuajse në të gjitha grupet e organizuara për anketim, pati pjesëmarrës që sillnin shembuj nga përvoja vetjake, ku ishin detyruar të paguanin policë, infermierë, mjekë, mësues ose punonjës të sektorit shtetëror për të mundësuar shërbime bazë. Korrupsioni shihet si një fenomen i gjerë që ka prekur në formë të organizuar sistemin qeverisës. Pjesëmarrësit në anketim fajësojnë për problemin mungesën e vullnetit politik për ta luftuar këtë fenomen.

Shqiptarët vazhdojnë të ushqejnë një ndjenjë pesimizmi dhe dëshpërimi nga atmosfera e përgjithshme politike në vend. Gjatë anketimit, përfaqësues të të gjitha grupeve demografike shprehen të irrituar nga retorika politike dhe fryma antagoniste në skenën publike në vend. E gjithë kjo ka ndikuar negativisht në perceptimin e institucioneve demokratike. Megjithëse pjesëmarrësit shprehin interes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ata shfaqin mosbesim të hapur tek procesi dhe mundësia që zgjedhjet të sjellin ndryshime të mirëfillta.

Roli i gruas në jetën publike mbetet i kufizuar dhe dallimet gjinore shihen si një fenomen që ka ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e gruas në politikë. Në këtë atmosferë, ndjehet mungesa e një roli aktiv të shoqërisë civile. Studimi zbulon një mungesë angazhimi dhe besimi ndaj organizatave joqeveritare, të cilat pjesëmarrësit në anketë i shohin me dyshim si operacione pa funksion të qartë ose pa rol të dukshëm.

Studimi i Institutit Kombëtar Demokratik u bazua në anketimet e zhvilluara nga 10-18 tetor 2012 me 10 grupe të veçanta në katër rajone të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.
http://www.zeriamerikes.com/content/ndi-shqiperi-voa-ditari-shqip/1574418.html

Posted in ShqiperiaComments Off on Shqipëri, gjendja aktuale zgjon ndjenja përgjithësisht negative

Turqia pezullon plotësisht shkëmbimet tregëtare dhe ushtarake me Izraelin


Kryeministri turk Rexhep Taip Erdohan tha sot se Turqia po pezullon gjithë shkëmbimet tregëtare dhe ushtarake me Izraelin dhe ka shtuar vëzhgimin e ujrave të Mesdheut, në përgjigje të qëndrimit të Izraelit që nuk pranon të kërkojë ndjesë për një operacion ushtarak ndaj një anijeje turke vitin e kaluar, që përfundoi me viktima.Zoti Erdohan tha të martën se marrëdhëniet tregëtare, ushtarake dhe shkëmbimet e industrisë së mbrojtes me Izraelin do të pezullohen plotësisht. Zyra e tij më pas konfirmoi se zoti Erdohan e kishte fjalën për pezullimin e projekteve në fushën e mbrojtjes me firmat izraelite dhe jo gjithë tregëtinë me Izraelin, që sipas Ankarasë, gjatë vitit të kaluar ishte 3,5 miliardë dollarë.Kryeministri turk po ashtu tha se anijet luftarake turke do t’i shtojnë patrullimet në ujrat lindore të Mesdheut, ku, në maj të vitit të kaluar, anijet izraelite kryen sulmin ndaj anijes turke, e cila po shkonte me ndihma humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës.Trupat speciale izraelite e sulmuan anijen turke në kuadër të bllokadës që Izraeli kishte vendosur ndaj Gazës për të parandaluar futjen e armëve atje.Pas një përleshje në anije, 9 veprimtarë turq u vranë dhe disa ushtarë izraelitë u plagosën.Javën e kaluar Turqia dëboi ambasadorin izraelit nga Ankaraja pasi Izraeli nuk pranoi ultimatumin për të kërkuar ndjesë për operacionin. Izraeli ka shprehur keqardhje për vrasjen e veprimtarëve turq dhe tha se nuk dëshiron keqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Turqinë.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on Turqia pezullon plotësisht shkëmbimet tregëtare dhe ushtarake me Izraelin

Trupa besnike të Gadafit kalojnë në Nigeri


Një autokolonë me të paktën 200 makina të trupave besnike të Moamar Gadafit kaloi në shtetin fqinj të Nigerit, ndërsa luftëtarët kundërshtarë vazhdojnë të grumbullohen pranë një prej pikave të fundit të qëndresës së udhëheqësit të përmbysur libian. Njoftimet sot nga Nigeri bëjnë të ditur se makinat ushtarake ishin drejtuar për në kryeqytetin Niamey. Kryeqyteti ndodhet në pjesën jugperendimore të vendit, pranë Burkina Fasos, ku zyrtarët i ofruan azil Gadafit gati dy javë më parë. Vendndodhja e zotit Gadafi nuk dihet ende. Nuk është e qartë në se ndonjë nga të afërmit e tij apo zyrtarët e qeverisë së tij janë mes atyre që kanë hyrë në Niger.  Agjencia franceze e lajmeve njoftoi sot se ministria e jashtme e Nigerit i ka mohuar njoftimet se zoti Gadafi ndodhej në autokolonë.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on Trupa besnike të Gadafit kalojnë në Nigeri

Regjisori Francis Ford Koppola pritet të shkojë në Shqipëri


Regjisori, produecenti dhe shkrimtari i mirënjohur amerikan i Hollivudit, Francis Ford Coppola pritet të vijë pas disa ditësh në Shqipëri për të marrë pjesë si i ftuari i nderit në Festivalin e 4-t Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, krahas aktores së njohur të kinemasë italiane Klaudia Kardinale.Drejtoresha artistike e Festivalit, Anila Varfi, thotë se Francis Koppola do të qëndrojë dy ditë në Shqipëri, dhe do të komentojë filmat e tij dhe do të bisedojë me pyetje përgjigje me publikun artdashës.“Është një fat i madh që Coppola do të bisedojë me shikuesit, dhe për 15 minuta para shfaqjes së filmave “Rini pa rini” dhe “Tetro” do të japë komentet e tij se çfarë ka dashur të thotë me veprat e tij” – tha ajo.Zonja Varfi thotë se në bisedimet me zotin Koppola u deshën 3 vjet që të bindej dhe të ndryshonte axhendën për të ardhur në Shqipëri. As me Koppola-n dhe as me Kardinale-n bisedimet nuk kanë qenë të lehta, sepse ata kanë qindra angazhime artistike nëpër botë.“U deshën 3 vjet që ai të ndërrojë agjendën dhe të vijë në Shqipëri. Pas këmbënguljes dhe shpjegimit të projekteve tona, ai na tha; “Ju po më bëni që ta dua vendin tuaj”.- thotë ajo”Në fillim Kardinale refuzoi por sapo mësoi se Koppola do të vinte, edhe ajo njoftoi se do të vinte në Festival, për të parë konkurrentët dhe për të shëmbyer pikëpamje me regjisorin e madh amerikan” – tha zonja Zajmi.Festivali Ndërkombëtar i Durrësit ka një seksion me 8 filma europianë, një seksion me 6 filma ballkanikë, dokumentarë dhe filma të shkurtër; gjithsej 28 filma premierë absolute nga bota, Europa, Ballkani, dhe Shqipëria.Një tjetër risi për këtë festival është se sivjet ai do të ketë edhe një juri të shtypit. Për herë të parë territori shqiptar do të mbulohet zyrtarisht nga FIPRESCI (Federata Internacionale per kritiken Kinematografike).Në juritë e festivalit janë përfshirë emra të njohur të regjisurës dhe aktrimit europian dhe ballkanik si Jiri Menzel, Kryzystof Zanussi, Lech Majeëski, Nick Poëell, Jan Harlan, Rade Serbedzija.Aktori i njohur shqiptar Vangjush Furrxhi, do të nderohet me një cmim special të karrierës pas vdekjes, ndërsa dhjetëra artistë të rinj të shkollave të filmit nga Shqipëria Kosova dhe Maqedonia do të shfaqin jashtë konkurrimit filmat e tyre me metrazh të shkurtër.Festivali i 4-t Ndërkombëtar i Filmit në Durrës jep çdoherë 9 çmime të mëdha “Gladiatori i Artë” për elementë të filmave artistikë, dhe shihet nga shumë analistë të arteve si ngjarja më e madhe artistike e Shqipërisë për këtë vit.

 

Burimi : Zëri i Amerikës -Ilirian Agolli, Tiranë

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off on Regjisori Francis Ford Koppola pritet të shkojë në Shqipëri

Kryengritësit libianë futen në kryeqytetin Tripoli, turmat festojnë


Rebelët libianë janë futur në Sheshin e Gjelbër në qendër të Tripolit pasi kaluan mbrojtjen e jashtëme të qytetit dhe njoftuan se kanë ndaluar dy djemtë e udhëheqësit Moammar Gadhafi, përshi kandidatin për fronin Seif al-Islam. Trupat rebele që vinin nga perëndimi u ndeshën me rezistencë të vogël ndërkohë që morën pozicionet qeveritare jashtë kryeqytetit. Mijëra banorë të Tripolit festuan kur luftëtarët e opozitës hynë në qendrën simbolike që e riquajtën Sheshi i Martirëve. Libianët e ngazëllyer grisën parulla të zotit Gadhafi dhe i shkelën ato me kembë. Deri së fundmi, qeveria e kishte përdorur zonën për demostrata të mëdha në mbështetje të udhëheqësit libian.

Udhëheqësit rebelë pranuan se në Tripoli ende kishte vatra rezistence. Një zëdhënës tha se luftëtarët e opozitës kishin rrethuar  kompleksin  Bab al-Azizija ku besohet se gjendet zoti Gadhafi, por po ngurrojnë për të ndërmarrë një mësymje përfundimtare.

Zëdhënësi tha se kryengritësit kishin dërguar një grup luftëtarësh në kryeqytet përmes detit nga porti i Misratës. Ai po ashtu thaa se roja elite presidenciale që mbron zotin Gadhafi ishte dorëzuar, duke i dhënë mundësi opozitës që të verë nën kontroll pjesë të mëdha të qytetit.

Më herët, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve konfirmoi se Seif al-Islam ndodhej i ndaluar. Ndaj tij dhe babait të tij dhe shefit të zbulimit janë ngritur padi se kanë planifikuar dhe dhënë urdhër për sulme ilegale ndaj civilëve në ditët e para të shtypjes së dhunëshme të protestave kundër qeverisë.

Prokurori i Gjykatës së Hagës Luis Morena-Ocampo tha të dielën se Seif al-Islam duhet ti dorëzohet sa më shpejt Hagës. Ndërkohë, udhëheqësit e opozitës u thanë gazetarëve se djali i madh i zotit Gadhafi, Mohammerd, u ishte dorëzuar forcave rebele.

Televizioni shtetëror libian transmetoi të dielën një seri mesazhes audiofonike nga zoti Gadhafi. Në të fundit, ai pranoi se forcat opozitate po futeshin në Tripoli dhe paralajmëroi se qyteti do të kthehej në një Bagdat tjetër. Udhëheqësi libian tha se do të qendronte në kryeqytet “deri në fund” për të mbrojtur qytetin dhe u bëri thirrje mbështetësve që të ndihmojnë në çlirimin e tij.

Trupat rebelë që lëvizën nga perëndimi i qytetit gjetë pak rezistencë të dielën ndërkohë që kaluan pozicionet qeveritare jashtë kryeqytetit. Gazetarët që udhëtonin me rebelët njoftuan se u futën në periferitë perëndimore të Tripolit të dielën mbrëma, vetëm pak orë pasi pushtuan një bazë ushtarake 27 kilometra në perëndim të kryeqytetit.

Luftëtarët rebelë rrëmbyen ngarkesa të mëdha me armë dhe municione nga baza e pushtuar. Forcat e opozitës po ashtu liruan qindra të burgosur nga një burg shtetëror ndërkohë që marshuan drejt kryeqytetit.

Brenda Tripolit, mijëra civilë festojnë duke brohoritur karvanet e gjata të automjeteve të mbushura me luftëtarë rebelë që qëllonin në ajër.

Dëshmitarët në Tripoli njoftuan përleshje të shumta për të dytën ditë rrjesht mes celulave të fshehta rebele dhe besnikëve të Gadhafit. Po ashtu ka patur njoftime për demostrata të mëdha në katër qarqe që mbështesin opozitën.

Rebelët thonë se ishin në gjendje të fusnin disa luftëtarë në Tripoli përmes detit nga porti Misrata, në lindje të kryeqytetit. Të dielën, televizioni shtetëror libian transmetoi zërin e zotit Gadhafi që thoshte se ishte në Tripoli dhe do ta mbronte atë. Ai tha se kurr nuk do të dorëzohet. Në një mesazh të mëparshëm të shtunën mbrëma, zoti Gadhafi u bëri thirrje mbështetësve të tij që të “marshojnë me miliona” dhe të shtypin kryengritjen.

Një zëdhënës qeveritar tha të dielën mbrëma se 1,300 njerëz janë vrarë në Tripoli që nga mesdita. Pohimi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Më herë ai tha se Tripoli është i mbrojtur mirë nga mijëra ushtarë profesionistë dhe i quajti rebelët “gangsterë të armatosur” suksesi i të cilëve mund t’i atribuohet vetëm NATO-s.

Rebelët perëndimore u futën me shpejtësi drejt Tripolit të dielën, duke pushtuar barakat e brigadës elitë Khamis, të udhëhequra nga djali i zotit Gadhafi. Banorët e kryeqytetit thanë se të shtënat e armëve vazhduan gjatë ditës dhe shpërthimet mund të dëgjoheshin në mbarë qytetin. Më herët gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i qeverisë Moussa Ibrahim tha se qyteti është i përgatitur për një sulm rebel.

“Tripoli do të mbrohet dhe ne kemi mijëra e mijëra ushtarë profesional që janë të gatëshëm të mbrojnë këtë qytet.”

Avancimi i rebelëve përbën sfidën më të madhe për zotin Gadhafi në gjashtë muaj të kryengritjes. Është e paqartë se çfarë mbështetje ka udhëheqësi libian në kryeqytetin e vendit. Gazetarët e huaj që udhëtojnë drejt Tripolit thonë se forcat rebele janë përshendetur nga civilët me brohoritje dhe flamujë rebelë.

Një zyrtar me Këshillin Kombëtar Tranzicional në opozitë në Benghazi tha se ka informacione se trupat besnike të Moammar Gadhafi kanë braktisuar armët dhe postet në dalje të kryeqytetit. Ai po ashtu foli edhe për grupet rebele brenda në Tripoli.

Gjashtë muaj pas fillimit të trazirave dhe pas shumë dështimeve, rebelët duket se po ekzekutojnë një përpjekje të kordinuar për të rrethuar kryeqytetin. Ata kanë ndërprerë rrugët kryesore të furnizimit, megjithëse forcat qeveritare ende mbajnë disa rajone më tutje në lindje dhe në jug. Zëdhënës i qeverisë Moussa Ibrahim i quajti rebelët “gangsterë të armatosur”.

“NATO i ka furnizuar me armë këta rebelë. Kjo nuk është sekret. Janë armët me të cilat ata po vrasin popullin libian.”

Në bazë të një mandati nga Kombet e Bashkuara, NATO ka zhvilluar një fushatë ajrore pesë mujore kundër forcave të qeverisë libiane, pasi besnikët e regjimit u munduan të shtypin një kryengritje në mbarë vendin.

Analistët kanë paralajmëruar se NATO mund të përballet me vështirësi ndërkohë që beteja zhvendoset në kryeqytet, ku aleanca ka zhvilluar sulmet ajrore ndaj pozicioneve ushtarake. Forcat qeveritare në qytetet tjera kanë zënë pozicione në zonat e banuara dhe pritet që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Tripoli që ka një të katërtën e popullsisë së Libisë.

 

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on Kryengritësit libianë futen në kryeqytetin Tripoli, turmat festojnë

Anija Atlantis kthehet nga misioni i saj i fundit në hapësirë


Anija e Hapësirës Atlantis realizoi një zbritje të përsosur  sot duke i dhënë fund programit 30-vjeçar të misioneve të vatje-ardhjes në hapësirë. Anija që kishte në bord një ekuipazh me katër astronautë zbriti sot në Qendrën Kenedi të Hapësirës në Florida në orën 10 sipas Grinuiçit në kushte moti të mirë, e pritur me brohoritjet e qindra vetëve që kishin ardhur për të ndjekur mbylljen e një epoke në historinë e fluturimeve hapsinore:

Misioni 13-ditor i anijës së hapësirës Atlantis ishte fluturimi i saj i 33 dhe fundit, pas 26 vitesh në shërbim.
Një arritje e madhe gjatë tre dekadave të epokës së anijes është ndërtimi i stacionit të hapësirës, një objekt orbital shkencor për ndërtimin e të cilit u deshën 12 vjet dhe 37 fluturime të anijeve të hapësirës.
180 satelitë dhe objekte fluturuese të tjera janë dislokuar në hapësirë nga ana e gjithë flotës së anijeve të hapësirës.
Anija Atlantis do të vendoset  në Qendrën e Hapësirës Kenedi.
“Atlantis është e vetmja anije e hapësirës që NASA do ta mbajë  këtu në Qendrën e Hapësirës Kenedi dhe jemi me fat që ajo do të vendoset në këtë qendër”.
Atlantis u nis më 8 korrik drejt stacionit ndërkombëtar të hapësirës, dhe pas 13 ditësh në hapësirë dhe pas rifurnizimit të stacionit me artikuj të nevojshëm për një periudhë një vjeçare, të martën ajo filloi udhëtimin drejt Tokës.
Ulja e fundit e anijes ishte një ditë emocionale për shumë persona të cilët kanë punuar në këtë program.
“Ne e kemi ditur që nga viti 2004 se ky program do të mbyllej, por kjo me të vërtetë do të jetë dita e fundit e punës  për ne dhe përkon me ditën e uljes, kështu që unë mendoj se kjo do të jetë ditë një shumë emocionale”.

NASA tani do të mbështetet tek sektori privat për dërgimin e njerëzve dhe furnizimeve në stacionin ndërkombëtar të hapësirës.

 

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in Bota, Shkence - TeknologjiComments Off on Anija Atlantis kthehet nga misioni i saj i fundit në hapësirë

Mbyllet rinumërimi në Tiranë, Basha në avantazh me 95 vota


Në Shqipëri komisioni qëndror i zgjedhjeve mbylli sot rinumërimin e fletëve të votimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës të gjetura në kutitë e gabuara. Në përfundim të procesit kandidati demokrat Lulzim Basha rezultoi me 95 vota më shumë se rivali i tij kryetari socialist Edi Rama. Socialistët përsëritën sot se sipas tyre procesi ka patur parregullsi të theksuara, akuzë e hedhur poshtë nga zëdhënësi i Komisionit. Të majtët megjithatë kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen sërish kolegjit zgjedhor me shpresën që në kryeqytet të përsëritet gara për kreun e bashkisë.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in Bota, ShqiperiaComments Off on Mbyllet rinumërimi në Tiranë, Basha në avantazh me 95 vota

BE: Kroacia përfundon me sukses negociatat


Bashkimi Evropian thotë se Kroacia i përfundoi me sukses negociatat për t’u bërë vendi i 28 anëtar i BE. Presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviç u takua këtë javë me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel për të përfunduar marrëveshjen. Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Shtefan Fyle tha sot se BE-ja është e përgatitur për të mirëpritur Kroacinë në radhët e tij pas përfundimit të susksesshëm të bisedimeve mbi reforimin e sistemit të drejtësisë.

“Unë jam i kënaqur të njoftoj sot se Komisioni ka përfunduar negociatat me Kroacinë. Kjo do të thotë që sa i takon Komisionit, puna ka përfunduar. Tani u takon vendeve anëtare të bëjnë vlerësimin përfundimtar dhe të vendosin në se negociatat do të përfundojnë zyrtarisht dhe të nënshkruhet marrëveshja e anëtarësimit. Ne kemi besim se kjo do të ndodhë pasi negociatat kanë qënë të thella dhe përmbajtësore”.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barozo tha sot se ai pret që Kroacia të anëtarësohet në mes të vitit 2013.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on BE: Kroacia përfundon me sukses negociatat

Rimëkëmbja ekonomike në Shba po has vështirësi


Rimëkëmbja ekonomike në Shtetet e Bashkuara po has vështirësi në fitimin e një inercie, ndërkohë që raportet e reja tregojnë rritje më të ngadaltë në krijimin e vendeve të punës dhe në sektorin e prodhimit industrial.

Procesuesi i pagave ADP tha sot se kompanitë private kishin shtuar 38 mijë vende pune në muajin maj. Kjo kompani tha se në prill ishin krijuar më pak vende pune seç mendohej më parë.

Një anketë e një kompanie tjetër thoshte se punëdhënësit thanë se kishin hequr nga puna më shumë se 37 mijë punonjës.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on Rimëkëmbja ekonomike në Shba po has vështirësi

Hapen portat e Misisipit për të parandaluar dëmet në Baton Ruzh dhe New Orleans


Korpusi i inxhinierëve të ushtrisë amerikane hapi një shkarkues kryesor në Lumin e fryrë të Misisipit, duke shkaktuar përmbytjen e disa mijëra shtëpive dhe sipërfaqëve të mëdha me të mbjella. Ky veprim pritet të rezultojë në dëme shumë të mëdha, duke përmbytur 8 mijë kilometra katrore këneta dhe toka bujqësore. Por hapja e portës pakëson rrezikun e dëmeve edhe më të mëdha për një popullatë më të madhe që jeton në bigjet e Misisipit.

72 kilometra në veri të kryeqytetit të Luizianës, ekspertët thonë se shkulmet e ujit  nga porta e Morganxës do të sjellë ngritje e nivelit të ujrave deri në 6 metra, duke përmbytur ferma dhe biznese në një zonë që deri në shtunën ishte e banuar nga më shumë se 25 mijë njerëz. Kolonel Ed fleming i Korpusit të Inxhinierëve e quajti këtë veprim historik

“Jo vetëm që është historik për shtetin e Luizianës dhe qytetin Morganxa, por është edhe një ditë historike për vendin tonë. E sotmja është dita e parë në historinë e vendit tonë që ne kemi hapur tri porta shkarkimi”.

I fryrë nga shkrirja e dëborës dhe shirat e pranverës, Lumi Misisipi ka përmbytur tashmë qidra shtëpi dhe biznese, ka shkatërruar mijëra hektarë  të mbjella me misër dhe sojë, dhe tani rrezikon të përmbytë qytete, ferma dhe rafineri në zonën nga Memfisi  në Gjirin e Meksikës. Sipas përllogaritjeve paraprake, dëmet kapin shumën e një miliardë dollarëve.

Nëse protat do të ishin mbajtur të mbylluara, inxhinierët e ushtrisë thonë se dëmet në qytetet më të mëdha në jug do të kishin qënë më katastrofike. Banorët e larguar nga zona kanë thënë se shteti kishte pak zgjedhje.

“Ata thonë se 30 deri në 60 mijë njerëz ndoshta do të përmbyten, por varianti tjetër do të ishte përmbytja e  Baton Ruzhit dhe Nju Orlinsit, që do të afektonte mbi një milionë njerëz dhe do t’i shkaktonte industrisë miliarda dollarë dëme”.

Por ky arsyetim nuk është i mjaftueshëm për të qetësuar ata që kanë humbur ose do të humbasin shtëpitë, veçanërisht ata që nuk kanë sigurime në rast përmbytjesh.

“Për fat të keq ne nuk kemi sigurime për përmbytjet. Kjo ka qënë pakujdesi nga ana jonë. Zakonisht ne paguajmë për sigurime të tilla, por meqë nuk ndodhi gjë vitin e kaluar, ne e lamë jashtë këtë lloj sigurimi. Ne kemi patur probleme financiare dhe tani na duhet të vuajmë pasojat”.

Ekspertët thonë se banorëve do t’u duhet të paguajnë më shumë për shkak të përmbytjeve të këtij viti. Në Shtetet e Bashkuara këtë vitë është raportuar për 5 miliardë dollarë  dëme nga fatkeqësitë natyrore dhe me këtë ritëm, sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave Klimatike, do të tejkalohet rekordi i vendosur në 2008-n që kapi shumën e 9 miliardë dollarëve.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on Hapen portat e Misisipit për të parandaluar dëmet në Baton Ruzh dhe New Orleans

Advert

Archives