Tag Archive | "voa"

SHBA: Warren Buffet i bën thirrje qeverisë të ngrejë taksat për më të pasurit


Në Shtetet e Bashkuara, personi i dytë më i pasur, invesitori Warren Buffet, përsëriti thirrjen e tij që qeveria të ngrejë taksat ndaj super të pasurve, si një prej rrugëve për të shkurtuar deficitin buxhetor dhe borxhet. Në një artikull shkruar sot për të përditshme Nju Jork Times, zoti Buffet thotë se amerikanët më të pasur janë përkëdhelur për një kohë të gjatë nga një kongres miqësor me miliarderët. Warren Buffet ka një pasuri prej 45 miliardë dollarësh. Vitin e kaluar ai pagoi 7 milionë dollarë taksa, që përfaqëson 17.4 përqind të të ardhurave të tij të taksueshme, një përqindje kjo më e ulët se kushdo tjetër që punon në zyrën e tij me të adhura vjetore më të ulta se ai.

Burimi: VOA

Posted in BotaComments Off on SHBA: Warren Buffet i bën thirrje qeverisë të ngrejë taksat për më të pasurit

NASA shpall planet e reja për të çuar njerëz në orbitën e tokës dhe më tej


NASA bëri të ditura planet e saj për të ardhmen, për të çuar njerëz në orbitën e tokës dhe më tej, pas nxjerrjes nga funksionimi të anijeve të tanishme për vajtje-ardhje në hapësirë.  Kapsula e teknologjisë së fundit me katër astronautë, e quajtur Mjet Shumë-Funksional me Ekuipazh, ose MPCV, është ndërtuar sipas modeleve të mëparshme të kapsulës Orion. Anija e re pasqyron një përqasje të përmirësuar të sigurisë për ekuipazhin.

Administratori i NASA-s Douglas Cooke thotë se ishte e natyrshme që për këtë kapsulë të përdorej si bazë kapsula origjinale Orion, që i mbijetoi programit Constellation të anuluar së fundmi e që synonte të kthente astronautët në hënë.

“Kemi bërë shumë përparime me Orionin. Kemi një strukturë të plotë tani me shumë sisteme të instaluara në të për t’u testuar. Pra puna ka përparuar. Ajo i përgjigjet kërkesave dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në drejtimin e duhur”.

Administrata e presidentit Obama anuloi programin Constellation në vitin 2010 për shkak se ishte i vonuar dhe mbi buxhetin e planifikuar. Tariq Malik është redaktor i gazetës në internet Space.com. Ai thotë se ndërsa mund të përdoret si zëvendësim për flotën e anijeve të hapësirës, ky nuk është pikësynimi i NASA-s. Zoti Malik thotë se kapsula e rindërtuar është makineria e të gjitha synimeve të agjencisë për një llojshmëri misionesh përtej orbitës së tokës.

“Kapsula e re do të përdoret për të vizituar satelitët në se do të jetë e nevojshme. Ajo do të ketë kapacitetin për të bërë ecje në hapësirë, gjë që kapsula origjinale Orion nuk e kishte. Më pas ata do të jenë në gjendje ta përdorin atë si makinë transferuese për misione më të thella në hapësirë”.

Anija është ndërtuar për misione 21 ditore. Douglas Cooke thotë se ajo do të jetë në gjendje të bashkohet me anije të tjera më të mëdha për të vazhduar udhëtimin në hënë, mars e më tej.

“Kjo makinë do të mbahet në gjendje pasiviteti, ndërsa ekuipazhi do të jetë në një anije tjetër që do të ketë kapacitetin dhe furnizimet e nevojshme për t’i mbështetur”.

Kapsula do të jetë në gadishmëri për t’i kthyer astronautët përsëri në tokë.

Kjo anije është gjithashtu shumë herë më e sigurtë sesa anijet e hapësirës. Tarik Malik thotë se sistemi i lëshimit ka një mekanizëm i cili e shkëput kapsulën nga raketa hedhese, në rast të një difekti. Sistmei thotë ai u provua me sukses vitin e kaluar.

“Ishte perfekte. Ajo funksionoi dhe ata mund ta ndërtojnë atë në sistemin e tyre për çfarëdo nevoje përsa i përket raketës”.

Ndërsa mbetet ende shumë punë përpara për të ndërtuar një sistem të integruar, përfshi një raketë për lësshimin e kapsulës me ekuipazhin, zoti Malik është i inkurajuar se NASA dhe partnerët e saj të hapësirës janë në kursin e duhur, me synimin për të çuar përpara programin e Amerikës për dërgimin e njerëzve në hapësirë.

NASA shpreson të nisë anijen e parë të re në orbitën e Tokës brenda pesë vjetëve të ardhshëm.

Burimi: Voa

Posted in Bota, Shkence - TeknologjiComments Off on NASA shpall planet e reja për të çuar njerëz në orbitën e tokës dhe më tej

Bruksel, përfundojnë bisedimet e para Prishtinë-Beograd


Në Bruksel, përfunduan bisedimet e para të drejtpërdrejta ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për zgjidhen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Lëvizja e lirë, dokumentet kadastrale, çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjeve rajonale, ishin çështjet e diskutuara në këto bisedime. Diplomatë të Serbisë dhe Kosovës pritet të takohen shpesh në Bruksel gjatë muajve të ardhshëm dhe ndërmjetësit thonë se shppesojnë të shikojnë rezultate vitin e ardhshëm.

“Nuk ka një afat kohor për bisedimet, por mendoj se duhet të jemi të frytshëm në zgjidhjen e dallimeve për çështjet praktike që i shërbejnë përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dyja shtetet. Kjo po ashtu do të ndihmojë në çuarjen përpara të agjendës euroatlantike. Prandaj është me interes që të përparohet shpejt dhe jo të bëhen biseda të gjata siç dinë të bëjnë popujt e Ballkanit por duhet menduar si evropian”, ka deklaruar zonja Tahiri.

Ndërsa shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviç, tha se këto bisedime mund të ndihmojnë në zgjidhjen e një varg çështjesh që shkojnë përtej dallimeve të thella politike ndërmjet dy vendeve.

“Lajm i mirë është se ne kemi arritur te shkojmë përtej dallimeve dhe të punojmë për zgjidhjen e problemeve që janë në tryezë. Kjo është ajo që kemi bërë dje dhe po e bëjmë edhe sot, sepse ne shpresojmë të nxjerrim rezultatet konkrete sa më parë. Rezultate që do të ndihmojnë njerëzit në Kosovë”, tha Borko Stefanoviç.

Në Prishtinë ndërkaq, ende vazhdojnë debatet për dhe kundër bisedimeve. Parlamenti i Kosovës ka caktuar të enjten seancën ku pritet të diskutohet për miratimin e një Rezolute për këtë çështje. Opozita kërkon përgatitjen e një platforme të qartë të bisedimeve, ndërsa një pjesë e saj kundërshton përfshirjen në to derisa Serbia nuk plotëson disa kushte, përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave të saj paralele.

Zyrtarët  evropian shpresojnë në shpeshtim takimesh gjatë muajve në vazhdim duke nënvizuar se kjo do të ndihmojë edhe rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Një qëndrim të tillë përsëriti sot edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtarë Pieter Faith i cili tha se bisedimet me asgjë nuk e cenojnë statusin politik të Kosovës dhe se të dyja palët bisedojnë si shtete të pavarura e sovrane.

“Mendoj se është e qartë se këto nuk do të jenë për statusin dhe tërësia tokësore e Kosovës nuk është e hapur dhe nuk do të jetë e hapur për diskutime”.

Zoti Faith, tha se në një periudhë të mëvonshme mund të diskutohet për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, por vetëm në kuadër të planit të Martti Ahtisaarit në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Udhëheqësit politik të Kosovës i shohin bisedimet si të domosdoshme dhe presin që në fund të tyre Serbia të njohe pavarësinë e Kosovës dhe të dyja vendet të afrohen me strukturat euroatlantike. Por. Kundërshtarët thonë se këto bisedime do t’i mundësojnë Serbisë që të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por është e paqartë se cilat janë përfitimet e Kosovës.

Burimi: VOA

Posted in BotaComments Off on Bruksel, përfundojnë bisedimet e para Prishtinë-Beograd

Vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë


Për më se dy orë, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë diskutuar të martën në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Bisedimet e filluara mbrëmë, që do të vazhdojnë edhe sot, janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës tre vjet më parë, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura në zyrën e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, diplomatit britanik Robert Cooper, zyrtar i lartë në kabinetin e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian. Në takim ishte edhe Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman.

Në takimin e parë është biseduar për regjistrat civil dhe dokumentet kadastral, ndërsa sot pritet të diskutohen edhe çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA e cila gjatë këtij viti do të drejtohet nga Kosova.

Delegacionin e Prishtinës e kryeson zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kurse atë serb, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviç. Të dy zyrtarët thanë se do t’i qasen procesit të bisedimeve në mënyrë konstruktive në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Zyrtarët evropian thanë se qëllim i bisedimeve është nxitja e bashkëpunimit dhe afrimi i Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian.

Pritjet e palëve megjithatë janë të ndryshme. Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të bisedimeve për statusin politik dhe tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa Beogradi shpreson që në një periudhë të mëvonshme të hap edhe çështjet politike për të arritur, siç thuhet, një kompromis historik për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Delegacioni i Prishtinës, shkoi me disa orë vonesë në takimin e së martës, për shkak se Parlamenti i Kosovës nuk arriti një pajtim për një dokument rreth bisedimeve. Parlamenti ka caktuar të enjten seancën ku pritet të diskutohet për miratimin e një Rezolute në mbështetje të bisedimeve me Serbinë. Opozita kërkon përgatitjen e një platforme të qartë të bisedimeve, ndërsa një pjesë e saj kundërshton përfshirjen në to derisa Serbia nuk plotëson disa kushte, përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave të saj paralele.

Burimi: Voa

Posted in BotaComments Off on Vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë

Vret vehten Ali Reza Pahlavi, djali i vogël i Shahut të Iranit


Ali Reza Pahlavi, djali i vogël i shahut të ndjerë të Iranit, bëri vetëvrasje të martën në shtëpinë e tij në qytetin verilindor amerikan të Bostonit.

Zoti Pahlavi, i lindur më 1966, ishte 13 vjeç kur shahu dhe familja e tij u larguan nga Teherani gjatë revolucionit islamik që shpërtheu në vend më 1979. Një faqe interneti e botuar nga vëllai i tij i madh tha se Ali Rezai ishte përpjekur me vite të tëra të tejkalonte depresionin për shkak të fatit që pësoi vendi i tij dhe pas humbjes së të atit në moshë të re.

Pa konfirmuar indentitetit e zotit Pahlavi, policia e Bostonit tha se kishin gjetur të vdekur një burrë 44-vjeç, i cili kishte qëlluar të martën veten me armë zjarri në shtëpinë e tij në qytet.

Monarku i dëbuar i Iranit, Shahu Muhamed Reza Pahlavi, vdiq nga kanceri në Kajro më 1980, një vit pasi braktisi vendin e tij.

Ali Reza Pahlavi u shpërngul në Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së babait dhe më vonë u diplomua në universitetet Prinston dhe Kolumbia. Njëherësh, kreu edhe studime postdiplomike pranë Universitetit Harvard për iranistikë dhe filologji.

Burimi: voa

Posted in BotaComments Off on Vret vehten Ali Reza Pahlavi, djali i vogël i Shahut të Iranit

Katari njeh pavarësinë e Kosovës


Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi se Katari e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke e çuar në 73 numrin e vendeve që e kanë njohur shtetin e ri që nga shpallja e pavarësisë së tij më 17 shkurt të vitit 2008.
Njohja nga Katari ishte paralajmëruar që në shtator të vitit të kaluar gjatë një vizitë që kishte zhvilluar në atë vend të Gadishullit Arabik, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Katari vlerësohet si një nga shtetet me ndikim, ndërsa njohja e tij ndodhë në një periudhë të shtimit të shqetësimeve për rënien e njohjeve të Kosovës. Njohja e fundit, asaj i ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar kur njoh nga Tuvalu.

Pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë, ishte paralajmëruar një shtim njohjesh, që nuk ndodhi. Gjatë tërë vitit 2010 Kosova është njohur nga tetë vende.

Po ashtu, në Kosovë janë shfaqur shqetësime se edhe raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty do të mund të pasqyrohet në imazhin e shtetit të ri dhe të ndikojë negativisht edhe në shtimin e njohjeve.
Burimi: voa

Posted in ShqiperiaComments Off on Katari njeh pavarësinë e Kosovës

Diplomatët e SHBA paralajmërojnë për Kosovën (Wikileaks)


Telegramet e ambasadave amerikane të publikuara nga Wikileaks demonstrojnë se zyrtarë të lartë serbë i kanë thënë privatisht Uashingtonit se BE dhe qeveria e Kosovës asnjëherë nuk do ta marrin plotësisht në dorë kontrollin mbi gjithë territorin dhe kanë shtyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës.

Zyrtarë të lartë amerikanë janë tërësisht kundër asaj që ata e konsiderojnë si fushatë të organizuar dhe të durimshme të presidentit Tadiç për ndarjen e Kosovës, e cila, po të ketë sukses, sipas tyre, do të çonte në dështimin e një dhjetëvjeçari të politikës së jashtme amerikane.

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftohet se më herët gjatë këtij viti e ka paralajmëruar Uashingtonin se intrasigjenca serbe dhe përpjekjet e përditshme të Beogradit për të forcuar kontrollin në pjesën veriore të Kosovës, rrezikojnë që të rindezin konfliktin etnik.

“Dështimi për të vepruar shpejt do të thotë humbje e veriut të Kosovës dhe do të çojë në hapjen e Kutisë së Pandorës së konfliktit etnik që definoi vitet 90-të,” ka shkruar atëherë ambasadori amerikan Christopher dell.

“Ka ardhur koha t’i jepet fund viteve me lëkundje për ta ndryshuar dinamikën e ndarjes mes veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës…Situata aktuale është e pajustifikueshme dhe po përkeqësohet”.

Dokumentat, sipas gazetës Guardian që po boton telegramet diplomatike nga Wikileaks, tregojnë se zyrtarë të lartë të Beogradit i kanë paralajmëruar amerikanët dhe evropianët se çdo përpjekje për të detyruar integrimin e veriut të Kosovës do të kërkonte ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe do të destabilizonte rajonin.

“Këta njerëz nuk kanë jetuar me shqiptarët, nuk e kanë ndjerë kurrë veten pjesë të Kosovës dhe nuk do ta pranojnë sundimin e Prishtinës,” njoftohet se i ka thënë ambasadores amerikane në Beograd, Mary Warlick në muajin shkurt, Jovan Ratkovic.

“Beogradi nuk po përpiqet që ta ndryshojë realitetin në terren për shqiptarët e Kosovës, por ndryshimi i realitetit për serbët e Kosovës po ashtu do të ishte destabilizues”.

Sipas dokumentave, Ratkoviç, një muja më herët i kishte paraqitur Robert Cooper, diplomatit britanik dhe këshilltarit politik të shefes së BE për politikë të Jashtme, Catherine Ashton, një skenar ekuivalent me ndarjen.

“Ratkoviç më saktësisht i tha Cooper se ndërsa Beogradi duhej që ta pranonte se nuk do ta qeveriste më kurrë Kosovën, Kosova duhet ta kuptonte se efektivisht, asnjëherë nuk do të ishte në gjendje që ta shtrinte qeverisjen e saj në veri të lumit Ibër,” shkruhet në një telegram tjetër.

Telegramet demonstrojnë dhe shqetësimin e diplomatëve amerikanë për politikën e ndjekur në lidhje me Kosovën nga presidenti Tadiç.

“Edhe pse qeveria pro-perëndimore e Tadiç-it është një përmirësim nga ajo e pararendësit të tij (Koshtunicës) në shumë aspekte, parametrat e përgjithshëm të politikës serbe ndaj kosovës mbeten të pandryshuar,” kjo është këshilla që ambasada amerikane në Prishtinë i ka dhënë zëvendëspresidnetit amerikan Joe Biden në prag të një vizite në Kosovë vitin e kaluar.

Këtë vit, amerikanët njoftuan se politika e Tadiç-it për veriun e Kosovës, ishte bërë “gjithmonë e më agresive”.

“Konflikti i ngrirë në veri të Kosovës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë e Kosovës në afat të shkurtër e të gjatë”.

Rajoni ishte “bazë për strukturat paralele të jashtëligjshme dhe një rajon ku dominojnë kontrabanda dhe krimi i organizuar. Institucionet e Kosovës kanë ushtruar shumë pak kontroll këtu që nga viti 1999. Rezultati është një zonë ku mbledhja e taksave në doganë bëhet në bazë të ‘sistemit të nderit’, gjykatat nuk funksionojnë, policët ndërkombëtarë kanë frikë që të vënë rregullin dhe organet lokale janë ato të zgjedhura nga Serbia”.

Telegrami thotë se kjo përbën “kërcënimin shumë real të ndarjes së Kosovës, kthimin pas të 10 vjetëve të politikës së jashtme amerikane.”

“Mund të presim konfrontime të rregullta etnike- me pësimet përkatëse edhe në mesin e paqëruajtësëve ndërkombëtarë”.

Dokumentat tregojnë se zyrtarët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd vazhdimisht e vënë në pikëpyetje vendosmërinë evropiane për të ruajtur integritetin territorial të Kosovës dhe për t’i rezistuar presionit të Serbisë.

Ish-ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, vitin e kaluar shkruan se evropianët “duket se kanë braktisur çdo përpjekje reale për të kërkuar koncensione. Ne mund të ndjejmë një shkallë të fuqishme të ‘lodhjes nga Kosova’ mes homologëve tanë evropianë, e cila, po ta bashkosh me ndjesinë e prekshme këtu në rajon se Evropa ka hequr dorë nga zgjerimi i mëtejshëm, mund të provojë të jetë një kombinim i keq”.

Zonja Kaidanow sipas dokumentave ka shprehur frikën se disa evropianë mund të heqin dorë nga angazhimet që kanë bërë dhe me kalimin e kohës, të mbështesin një rezultat të ngjashëm me ndarjen.

Burimi: Zeri i Amerikes

Posted in BotaComments Off on Diplomatët e SHBA paralajmërojnë për Kosovën (Wikileaks)

Turqi: Erdohan kërcënon të ngrejë akt-padi pas publikimeve të Wikileaks


Kryeministri turk ka kërcënuar se do të ngrejë akt-padi, pas publikimit të fundit nga faqja Wikileaks të komunikimeve nga burime diplomatike.  Një vit para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, informatat që përmbajnë këto dokumente mund t’i dëmtojnë pozitat politike të zotit Erdohan. Dorian Jones njofton nga Stambolli:

Një mesazh i dërguar nga Eric Edelman, në atë kohë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Turqi, ku ngrihet pretendimi se kryeministri turk Reçep Tajip Erdohan ka 8 llogari bankare në Zvicër, duket se u bë molla e sherrit.
Në komentet para përkrahësve të tij, zoti Erdohan nuk u përpoq ta fshihte revoltimin:

“Ata që kam njollosur emrin tonë, do të shkatërrohen nga vetë pesha e këtyre pretendimeve, do të zhduken,” tha ai.

Kryeministri vazhdoi më tej me kërcënime të tjera:

“Miqtë e mi po punojnë kundër këtyre diplomatëve, në përputhje me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. I kemi diskutuar këto çështje me administratën amerikane. Ata kanë kërkuar falje, por nuk mjafton. Ata duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme kundër këtyre diplomatëve”.

Udhëheqësi i forcës kryesore opozitare, Kemal Kilicdaroglu ka bërë emër duke ekspozuar korrupsionin e pushtetarëve. Që nga koha kur mori në duar drejtimin e partisë së tij, ai është përqendruar tek zoti Ergohan dhe tani beson se ka ardhur momenti i së vërtetës.

Zoti Kilicdaroglu thotë se po pret që kryeministri të ngrejë akt-padi për njollosje të figurës publike kundër Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që këto pretendime të dalin në skenën ndërkombëtare.
Analistët thonë se zoti Kilicdaroglu beson se tani kryeministri dhe partia e tij gjenden në një pozitë të vështirë, pasi po demaskohet korrupsioni i tyre.
Komentatori politik Murat Yetkin thotë se qeveria mund të përballet së shpejti me probleme edhe më të thella:

“Nëse dalin në dritë akuza të reja për korrupsion nga Wikileaks, qeveria do të gjendet në pozitë të vështirë. Qeveria është tepër e ndjeshme ndaj këtyre akuzave dhe po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga akuzat për korrupsion tek politika e jashtme”.

Por disa zyrtarë qeveritarë i analizojnë ndryshe pretendimet e ngritura në dokumentet sekrete. Një zëdhënës i qeverisë ngre idenë se bëhet fjalë për një komplot nga qeveria izraelite kundër Turqisë. Këtë dyshim e përsëriti edhe Presidenti Abdullah Gyl, i cili tha se Izraeli po përfiton nga këto dokumenta të publikuara. Në rrugët e Stambollit, ka njerëz që shprehin dyshime për vërtetësinë e akuzave.

“Nuk kam parë me sy ndonjë llogari bankare apo dokumenta që vërtetojnë ekzistencën e tyre. Pra s’mund të them që pretendimet janë me bazë”.

“Erdohani është i pasur, por nuk mendoj se ka llogari bankare në Zvicër”.

Ndërkohë që mbetet më pak se një vit deri në zgjedhjet e përgjithshme, analistët thonë se dokumentet e publikuara i kanë tronditur pozitat e kryeministrit. Por ata paralajmërojnë gjithashtu se duhet të priten mijëra dokumente të tjera që mund të publikohen gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Të gjitha këto e kanë shndërruar këtë vit në një periudhë shqetësuese për qeverinë.

Burimi: VOA

Dorian Xhons | Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on Turqi: Erdohan kërcënon të ngrejë akt-padi pas publikimeve të Wikileaks

Kompanitë në garë për të sjellë teknologjinë 3D tek konsumatorët


Me rritjen e popullaritetit të filmave tre dimensionalë, një numër kompanish që prodhojnë mallra elektronike konsumi po investojnë fuqishëm për të sjellë këtë teknologji të re tek sa më shumë njerëz. Megjithëse ekspertët thonë se përhapja në shkallë të gjerë e kësaj teknologjie është ende 5 deri 10 vjet larg, kompanitë e ndryshme, nga Shtetet e Bashkuara e deri në Japoni parashikojnë se kërkesa e konsumatorëve do të sjellë së shpejti teknologjinë tre dimensionale në shtëpitë e njerëzve.

Në filmin e fundit tredimensional për ekranin e gjerë, peshku parahistorik vrasës praktikisht duket sikur e prek audiencën me dhëmbë.

Ka njerëz që janë gati të paguajnë 15 apo 20 dollarë për të parë filma tredimensionalë si Piranja dhe një numër kompanish parashikojnë se shikuesit do të kërkojnë të provojnë të njëjtën teknologji në shtëpitë e tyre.

Në Silicon Valley të Kalifornisë, kompania N-Vidia (envidia) po krijon një pajisje që sjell teknologjinë tredimensionale në kompjuterat personalë. Shefi i sektorit tredimensional Phil Eisler thotë se syzet e veçanta mund të arrijnë të prodhojnë një imazh ndryshe në secilin sy dhe madje me cilësi të lartë.

N-Vidia po zhvillon teknologjinë e syzeve të tilla, që i përcjellin fragmentet me një frekuencë 120 herc. Syzet hapen me frekuencë 60 herc për secilin sy. Në këtë kompjuter portativ ekrani prodhon të njëjtën frekuencë dhe jep një imazh vërtet tre dimensional me rezolucion të plotë dhe me ngjyrë të plotë për secilin sy.

N-vidia thotë se ky është një përmirësim i ndjeshëm nga syzet prej kartoni me ngjyra të kuqe dhe jeshile.

Megjithëse kompanitë po eksperimentojnë metoda të ndryshme për të gjeneruar pamje tredimensionale, eksperti i marketingut John Peddie thotë se avantazhi i sistemit N-vidia është se ai funksionon edhe me lojra që nuk janë bërë për teknologjinë tre dimensionale.

Prodhuesve të lojrave elektronike nuk u duhet të bëjnë asgjë. Ata thjesht mund të krijojnë lojën. Mund të luash në variantin dydimensional me një ekran të vjetër 60 herc ose, me ndihmën e një sistemi N-vidia, mund të luash me teknologjinë tredimensionale me syzet, sensorët dhe formulën e tyre magjike të programit kompjuterik.

Por disa kompani po shkojnë më tej.

Sony dhe Toshiba po krijojnë teknologji konkurruese për të eliminuar syzet.

Shefi i kompanisë Sony për Argëtimin Yoshihisa Ishida thotë se kompania shpreson të jetë e para por data e daljes në treg nuk është vendosur ende.

Kur të gjithë elementët teknikë të jenë gati, mendoj se televizorët tredimensionalë do të mund të shihen pa syze fare. Por para se të arrijmë atë fazë, duhet të zgjidhim disa çështje teknike si dhe të vendosim çmimin e duhur.

Por televizorët e tillë nuk do të jenë të lire. Përfshirja e sistemit N-vidia në kompjutera do të kushtojë rreth 600 dollarë plus syzet që kushtojnë edhe 200 dollarë të tjerë.

Televizorët tredimensionalë që shihen me syze po shiten në treg nga 3 deri në 5 mijë dollarë. Pa syze – bota fantastike që duket kaq e vërtetë sa gati mund ta prekësh – do të kushtojë patjetër më shumë.

Burimi: voa

Posted in Bota, Shkence - TeknologjiComments Off on Kompanitë në garë për të sjellë teknologjinë 3D tek konsumatorët

Petersen: Serbia jo në BE pa marrëveshje me Kosovën


Në një dëshmi para Komisionit amerikan të Helsinkit, ish shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jesen Petersen tha se zgjidhja e konflikteve ndëretnike në Ballkan do të arrihet përmes integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet  ta lejojë Serbinë të pranohet në organizatë pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet e saj me Kosovën.

Ish shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jesen Petersen e sheh zgjidhjen e konflikteve ndëretnike në Ballkan, mes tyre edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi, në integrimin evropian.

Por, ndonëse zyrtarë të ndryshëm evropianë kanë thënë se Serbia mund të anëtarësohet në BE edhe pa qënë nevoja të njohë Kosovën, ende nuk është e qartë se çfarë modaliteti do të ndiqet për Serbinë, e cila e sheh Kosovën ende si pjesë të territorit të saj.    Zoti Petersen tha se Bashkimi Evropian duhet të mos lejojë që Serbia të pranohet pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet me Kosovën.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të ndërmarrë hapa për pranimin e Serbisë përsa kohë që ekziston kjo çështje e pazgjidhur dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës pasi kjo do të cënonte unitetin e BE-së dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perendimor.Siç kemi parë nga gabimet e bëra në të kaluarën ftesa e vendeve të përfshira në mosmarrëveshje dypalëshe si Qiproja, apo emri i Maqedonisë apo mosmarrëveshja së fundmi mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Këto janë pengesa për synimin kryesor për integrimin e këtyre vendeve në BE dhe vonon procesin e associmit. Shpresoj që BE-ja të mos e bëj përsëri këtë gabim.

Zoti Petersen i tha Zërit të Amerikës se pret një strategji të qartë nga Bashkimi Evropian që do ta detyronte Serbinë të përcaktonte qëndrimin e saj ndaj Kosovës edhe pa e njohur pavarësinë e saj.

“Serbia ka të drejtën e saj të mos e njohë Kosovën, por besoj se mesazhi i Bashkimit Evropian për Serbinë duhet të jetë ky – keni të drejtë tuaj të mos e njihni Kosovën, por nuk mund të hyni në BE  dhe ta mbani Kosovën peng të pozitës suaj. Gjithashtu Serbia duhet të njohë rëndësinë që ka Kosova në bashkëpunimin rajonal pasi ne duam që shtetet në rajon të punojnë së bashku. Sa herë që ka bashkëpunim rajonal Serbia mundohet të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës.  Pra mendoj se mesazhi nga BE-ja është i qartë – ne duam Serbinë në BE por ajo nuk mund ta sjellë çështjen e Kosovës në BE dhe nuk mund të vazhdojë të bllokojë bashkëpunimin rajonal për shkak të mosmarrëveshjeve me të.  Shpresoj se kjo do të jetë politika e Bashkimit Evropian megjithëse nuk ka ende një të tillë”.

Lidhur me prespektivën e bisedimeve të afërta mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike, zoti Peterson është i rezervuar duke kujtuar eksperiencën e tij në negociatat e pasukseshme mes palëve.

“Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Nga eksperienca që kam unë si përfaqësues i posaçëm kishim katër grupe shumë të rëndësishme pune mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kishte gjithmonë mosmarrëveshje se cila çështje ishte politike dhe cila teknike. Kam dëgjuar politikanët kosovarë që janë të gatshëm të ulen dhe të diskutojnë çështje teknike pasi ata pranojnë se Kosova dhe Serbia janë vende fqinje por kam parë gjithashtu politikanët serbë që thonë se nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shihet si njohje defacto e pavarësisë së Kosovës. Pra ato që do të ishin me të vërtetë çështje teknike do të konsideroheshin patjetër çështje politike nga Serbia”.

Vendimin e gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, që pritet të jetë i jo i prerë qartë për çështjen e pavarësisë, zoti Petersen e sheh me optimizëm pasi ai mund të jetë fundi i përpjekjeve të Beogradit.

“Shumë presin të shohin një vendim të dykuptimtë nga Gjykata Ndërkombëtare dhe ndoshta kjo do të ishte mirë në mënyrë që Serbia të thotë gjykata mbajti anën tonë dhe Kosova të thotë të njëjtën gjë. Në se do të ishte e tillë do ta quaja pozitiv. Shpresoj megjithatë që vendimi do të lejojë Serbinë të thotë i kemi përdorur të gjitha mënyrat ligjore dhe politike – nuk do ta njohim Kosovën – ata ndoshta do të thonë nuk do ta njohim asnjëherë Kosovën por pas këtij vendimi pasi i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë le të ecim përpara”.

Ish administratori i UNMIK-ut në Kosovë vazhdon t’i ndjekë me kujdes zhvillimet e fundit në Kosovë, ku EULEX-i ka ndërmarrë një hetim lidhur me akuzat për korrupsion në punën e Ministrisë së Transportit. Megjithëse nuk pranoi të komentonte ndërsa hetime vazhdojnë, ai tha se ka ardhur koha që deklaratat e mirëpritura të qeverisë së Kosovës për luftuar korrpsionin duhet të ndiqen me veprime.

Burimi: VOA

Posted in BotaComments Off on Petersen: Serbia jo në BE pa marrëveshje me Kosovën

Advert

Archives