Tag Archive | "tirane"

Nderroi jete Drita Pelingu, Artiste e Merituar.


Është ndarë nga jeta sot 2 tetor në Tiranë, në banesën e saj, në moshën 87-vjeçare, një nga ikonat e teatrit shqiptar, Drita Pelingu “Artiste e Merituar”.

Prej gati një viti, aktorja Drita Pelingu, ka qenë e shtruar në spital, pasi u aksidentua.

 

Në plejadën e aktorëve që themeluan Teatrin Kombëtar, Drita Pelinku është një emër i pazëvendësueshëm. Drita Pelinku do të mbahet mend jo vetëm si aktore brilante, por edhe si grua e forte! Në karrierën e gjatë mbi gjashtë dekada krijimtaria e saj artistike është e larmishme dhe përfshin tri fusha: aktrimin, regjisurën dhe pedagogjinë.

Si aktore e teatrit dhe kinematografisë numëron mbi 100 role, ndër të cilët një pjesë e madhe janë kryerole femërore të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Që nga viti 1976 ajo ishte një nga pedagoget e artit skenik dhe nga më të dashurat për breza të tërë aktorësh e studentësh në dekada.

Drita Pelingu lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1926, filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1946. Disa nga komeditë dhe dramat e para ku ajo ka interpretuar në teatrin shqiptar. “Rëshqitja”,, “I çuditëshmi”, “Zonja e Bujtinës”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Artani”,”Arturo Ui” etj.

Në kinematografi ajo u shfaq fillimisht me një rol të vogël tek “Tana” (1958), e më pas tek “Njeriu me top”, “Kur hidheshin themelet”, ku interpreton rolin e Budës, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Radiostacioni”, “Përtej mureve të gurta”, “Fjalë pa fund”, “Shpresa”, etj.

 

Për kontributet e saj të veçanta Drita Pelinkut iu akordua nga Presidenti i Republikës titulli “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar”, çmimi “Ismail Qemali”, ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive ka ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si Qytetare Nderi të Vlorës dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë “Nder i Kombit”.

Drita Pelingu u largua duke lenë edhe një vend tjetër bosh në gjerdanin e krijuesve të artit tonë teatral shqiptar.

 

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off on Nderroi jete Drita Pelingu, Artiste e Merituar.

Shuhet, skenografi e piktori i njohur Hysen Devolli


Është ndarë nga jeta “Piktori i merituar”, themeluesi i skenografisë shqiptare, Hysen Devolli. Ai lindi në Tiranë, më 11 gusht 1924, studioi në Bukuresht, në Akademinë e Arteve të Bukura “Nikolae Grigoresku” të Rumanisë, ku u diplomohet për Pikturë. Në vitin 1952, emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe, më pas, drejton sektorin e skenografisë së Teatrit Popullor dhe të Teatrit të Operës e Baletit. Gjatë veprimtarisë së tij krijuese, ka realizuar me profesionalizëm të lartë rreth 300 punime në skenografi, ku përfshihen vepra të tilla si “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “Mbreti Lir”, “Borana” “Traviata”, “Berberi Seviljes”, “Bernarda Alba” etj. Një krijimtari të pasur realizoi Hysen Devolli edhe në pikture, shumë nga keto vepra jane në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai ka dhene ndihmesen e tij artistike edhe ne filateline shqiptare, veçanërisht me portrete figurash të shquara, si dhe seti me kartëmonedhat shqiptare, të emetuara në vitin 1964. Për veprimtarinë e tij të gjatë 60-vjeçare, Hysen Devollit i janë akorduar një sërë titujsh, dekoratash e medaljesh, ai është përfshirë në Enciklopedinë botërore të skenografisë, që u botua vitin e kaluar në SHBA.

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off on Shuhet, skenografi e piktori i njohur Hysen Devolli

Statistika te vjedhjeve ne Tirane


1346 vjedhje kanë ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2012

166 raste të vitit 2012 kanë qenë vjedhje me dhunë dhe armë

1180 raste gjatë vitit 2012 kanë qenë vjedhje banesash, biznesesh, automjetesh, kalimtarësh në rrugë etj.

3 grabitje me armë kanë përfunduar me vrasje. Rasti i arkëtares së bankës Leonora Kaloçi, i tregtarit Petrit Kurti dhe kalimtares Fatbardha Tafa

222 vjedhje kanë ndodhur në Tiranë që nga data 1 janar e deri më 10 shkurt 2013

52 raste të këtij viti janë banesa të vjedhura

42 vjedhje automjetesh

73 vjedhje biznesesh

38 vjedhje kalimtarësh në rrugë

17 vjedhje të kryera me dhunë dhe armë.

 

Marre  nga gazeta Panorama

Posted in ShqiperiaComments Off on Statistika te vjedhjeve ne Tirane

Shoqëria civile: Të anulohet Plani Urbanistik, zhduk trashëgiminë kulturore


Shoqëria civile ka dalë kundër Planit të Ri Rregullues të Tiranës. Gjatë një tryeze të organizuar ditën e djeshme, përfaqësues të shoqatave në mbrojtje të mjedisit janë shprehur se Plani i Ri Urbanistik ka 3 probleme kryesore; gënjen për numrin e popullsisë; zhduk zonat e gjelbra të kryeqytetit, dhe planifikon të ndërtojë pallate mbi lagjet karakteristike të Tiranës.
Shoqëria civile:
“Asnjë institucion ndërkombëtar nuk do të jap miratimin për një plan që dyfishon numrin e popullsisë së banorëve në kryeqytet, zhduk zonat e gjelbëruara dhe zhduk atë pak trashëgimi kulturore që i ka mbetur Tiranës pasi Plani i parasheh si zona ndërtimi pallatesh të gjitha lagjet karakteristike të kryeqytetit,” janë shprehur dje për median përfaqësues të shoqërisë civile. Po sipas tyre Tirana shquhet për një intensitet ndërtimesh, që mbytin hapësirat e gjelbra dhe parqet çlodhëse duke mos respektuar normat e BE-së. Fëmijët nuk kanë ku të luajnë dhe ku ti kalojnë orët e pushimit, pasi edhe oborret e shkollave janë reduktuar.
Arkitektët
“Gjithçka është betonizuar. Vetëm tarracat e pallateve kanë mbetur të lira. Plani i ri po i zhduk parqet, ose i transferon ato në Dajt apo në Paskuqan, në hapësira të cilat ndodhen me dhjetëra kilometra larg qytetit. Do të kërkojmë një oponencë ndërkombëtare nga institucione të specializuara ndërkombëtare sepse në Shqipëri institucionet janë shkatërruar, por Qeveria mjafton të gjejë një institucion të besueshëm ndërkombëtar, i cili do të bëjë oponencën e këtij plani. Besoj që do të venë duart në kokë edhe të huajt kur të marrin vesh se çfarë kemi rezervuar për publikun kryeqytetas”, tha arkitekti Artan Shkreli.
Anulimi
Sot Tirana konsiderohet një qytet i mbipopulluar me një dendësi prej 4 mijë banorë për kilometra katror. “Parashikohet me këtë plan që të shkojë rreth 25 mijë banorë për kilometër katrorë që është numër një në botë. Të ngjeshësh Tiranën më tej është vërtetë kriminale, prandaj ne mendojmë se Këshilli Kombëtar i Territorit do ta marrë në konsideratë edhe këtë reagim qytetar dhe do të anulojë çdo miratim të këtij plani, i cili duhet të rikthehet dhe të diskutohet mes ekspertëve, e para, por pa dyshim edhe me publikun, gjë që ka munguar”, thotë ambientalisti Lavdosh Ferrunaj.
Këshilli bashkiak
Plani Rregullues i Tiranës u miratua pak ditë më parë nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit pas një debati të ashpër mes anëtarëve. Opozita e kundërshtoi si shkelje flagrante të ligjit pasi nuk u zhvilluan dëgjesa publike me ekspertë dhe qytetarët u mbajtën jashtë aksesit në shqyrtimin e tij. Plani pritet të kalojë për shqyrtim dhe miratim edhe në Këshillin e Rregullimit të Territorit.

Marre nga Gazeta “Tirana Observer”

Posted in ShqiperiaComments Off on Shoqëria civile: Të anulohet Plani Urbanistik, zhduk trashëgiminë kulturore

Ne Tirane ndahen cmimet per Festivalin e 13-te te Filmit Shqiptar


ÇMIMET E FESTIVALIT TË 13-të TË FILMIT SHQIPTAR – 2012


Çmimet e dhëna nga Juritë e Filmit të Shkurtër, Dokumentar, Vizatimor dhe Artistik

Dokumentari më i mirë: ROJTARI I BJESHKËVE – regjia Antoneta KASTRATI
Filmi i Shkurtër më i mirë: DITA E FUNDIT E LORO SHESTANIT – regjia Sokol KERAJ
Filmi Vizatimor më i mirë: KAMIONI – regjia Ilir KASO
Filmi Artistik më i mirëLINDJE PERËNDIM LINDJE – regjia Gjergj Xhuvani
Regjia më e mirë e Filmit Artistik: BUJAR ALIMANI për filmin artistik “Amnistia
Aktori më i mirë: FADIL HASA – për rolin në filmin artistik “Mao Ce Dun
Aktorja më e mirë: LULI BITRI – për rolin në filmin artistik “Amnistia
Aktori më i mirë jo-protagonist: BESART KALLAKU – për rolin në filmin artistik “Gjallë
Aktorja më e mirë jo-protagoniste: MARGARITA XHEPA – për rolin në filmin artistik “Ne dhe Lenini
Çmimi Special i Jurisë: JONI SHANAJ për filmin artistik “PHARMAKON
YLL ÇITAKU për filmin artistik “PËRTEJ RRUGËS
 

Çmimet e dhëna nga Organizatorët e Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar

Çmimi i Karrierës: Regjisori MUHARREM FEJZO
Çmim për kontributin e veçantë në themelimin e kinemasë moderne shqiptare: ALBAN XHILLARI (Kinema Millenium)
Mik dhe Kontribues në kinematografinë shqiptare: SEBASTIANO (Nino) CELESTE
JACQUES BOUQUIN
Çmim Special: Filmi BESA: PREMTIMI – regjia Rachel Goslins, për shfaqjen e jashtëzakonshme, të këtij filmi gjatë Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar
Çmimi Jubilar për 100-Vjetorin e Pavarësisë: Filmi KRYEKËNGA (100 Vjet me Himnin e Flamurit) – regjia Petrit Ruka

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off on Ne Tirane ndahen cmimet per Festivalin e 13-te te Filmit Shqiptar

Ndahet nga jeta Sheri Mita, aktor dhe regjisor e shkrimtar


Aktori, shkrimtari dhe regjisori i mirënjohur Sheri Mita është ndarë sot (me 2-4-2012) nga jeta në moshën 69 vjeçare.

Sheri Mita, është lindur në Fterrë të Sarandës më 14-03-1943. Mbas shkollimit të mesëm, kreu Institutin e Lartë të Arteve dega Dramaturgji në vitin 1967. Fillimisht emërohet po aty pedagog i mjeshtërisë së aktorit, por hiqet për arsye biografike. Emërohet regjisor në Kinostudio, aktor në Teatrin Popullor etj., deri sa u dërgua si regjisor në Estradën e Beratit, nga ku kthehet në Tiranë në vitin 1989 fillimisht si regjisor në Cirkun e Tiranës.
Në vitin 1993 emërohet në Estradën e Tiranës si drejtor e vitet e fundit udhëheqës artistik. Në vitin 2004 doli në pension.

Ka dhënë kontribut të veçantë si aktor dramatik, por dhe komik. Ka luajtur role në 16 filma artistikë, si në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Yjet e netëve të gjata”, “Ballë për ballë”, “Gjeneral Gramafoni’, “Veterani”, “Në fillim të verës”, “Valixhja me një milion dollarë” etj. Ka interpretuar si aktor në teatër, si te pjesët “Shtëpia në bulevard”, “Fytyra e dytë”, ‘Arturo Ui”, ‘I pazëvendësueshmi” etj.

Si regjisor, përveç dhjetëra numrash estrade, ka vënë në skenë në Teatrin Popullor, në Fier, Berat, Korçë etj. disa drama e komedi.

Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” si dhe është nderuar me Titullin “Qytetar Nderi” i Krahinës së Lukovës dhe Sarandës.

Filmografia

Kronikë provinciale (2009) – Prifti
Oreksi i madh – (1995) (TV)
Familja ime – (1987) – Stavri
Të mos heshtësh – (1985)
Gjurmë në dëborë – (1984)
Nata e parë e lirisë – (1984)
Skëterrë 43 – (1980)
Gjeneral gramafoni – (1978)
Ngadhnjim mbi vdekjen – (1967) Villi Heller
Njerëz në rrymë. – Inxhinjeri
Yjet e netëve të gjata. – Xhelo
Operacioni “zjarri” – Gjin Martini
Ballë për ballë. –  Gazetari rus
Vetmi.  – Petraqi
Kronike e një nate. – Austriaku Jozef
Vitet e pritjes. – Qendro Bukhudhra
Përdhunuesit… – Shefi i sigurimit
I paharruari. – Ndjekësi
Gjoleka i biri i Abazit . – Daja
Rrugicat që kërkonin diell. – Kryetari i njësitit

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off on Ndahet nga jeta Sheri Mita, aktor dhe regjisor e shkrimtar

Aksidentohet koreografi Agron Aliaj


Aksidentohet në qendër të Tiranës koreografi i njohur, ish-udhëheqësi artistik i Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj. Artisti i njohur është përplasur nga një makinë që lëvizte me shpejtësi, në kohën që sapo kishte dalë nga Teatri i Operës. Ai po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është goditur nga automjeti. Sapo ka shkelur në vijat e bardha në asfalt, një automjet e ka përplasur duke e rrëzuar në tokë koreografin. Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës në Tiranë. Koreografi me një karrierë 50-vjeçare në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj, është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Por, sipas stafit mjekësor të Spitalit Ushtarak, aksidenti i ka dëmtuar palcën kurrizore, gjë që rrezikon paralizën e tij në pjesën e sipërme. Koreografi, që aktualisht është në pension, për shkak edhe të moshës e ka mjaft të vështirë që t’i përgjigjet pozitivisht terapisë mjekësore. Për shëndetin e tij është interesuar dje edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i cili e ka vizituar paraditen e djeshme në Spitalin Ushtarak, ku Aliaj ndodhet i shtruar duke marrë mjekimin. Ndërsa nga ana tjetër, familjarët e tij shprehin shqetësimin për shëndetin e të afërmit të tyre dhe i kërkojnë shtetit që t’i krijojë një mundësi trajtimi më të specializuar, qoftë në spitalet publike, apo private në vend dhe në rast se është e nevojshme, edhe jashtë shtetit.

Burimi:Gazeta Panorama

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off on Aksidentohet koreografi Agron Aliaj

Shuhet Leka Zogu i Pare


Leka Zogu, ndërroi jetë në spitalin neurokirurgjik në Tiranë, ku ishte prej më shumë se dy javësh dhe ditët e fundit mbahej me frymëmarrje artificiale.

Leka Zogu i I, lindi më 5 prill 1939, dy ditë para pushtimit të Shqipërise nga Italia, dhe u largua nga Atdheu vetëm dy ditësh. Leka Zogu në mërgim mësoi të komunikonte në anglisht dhe përvetësoi edhe gjuhët, hungarisht, frengjisht, italisht, arabisht dhe portugalisht. Kushtet e krijuara politike e detyruan familjen mbreterore të emigronte në vende të ndryshme. Në vitin 1941 Familja Mbretërore u vendos në Angli, së pari në Hotel Ritz në Londër, pastaj lëvizi për një periudhë shumë të shkurtër në vende të ndryshme në Angli. Leka, u arsimua fillimisht në Britani dhe më pas në shkollat angleze në Egjipt. Ai gjithashtu studioi ekonomi në Sorbonne duke u angazhuar më pas në ushtrine britanike si Lejtnant. Leka, u bë trashëgimtar i Fronit në mërgim më 5 prill 1957. Me vdekjen e Mbretit Zog më 1961, Leka u shpall Mbret i Shqiptarëve nga Asambleja Kombëtare Shqiptare në Mërgim. Në vitin 1975, Leka u martua me nënshtetasen Australiane dhe ish-mësuesen Susan. Leka ka kaluar gati gjithë jetën në mërgim, përfshi edhe  qëndrimin në Afrikën e Jugut, aty ku lindi dhe djali i tij. Ai u rikthye përfundimisht së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri, në Qershor të vitit 2002. Në vitin 1997, shqiptarët votuan kundër referendumit për monarkinë. Shtatë vjet më parë ndërroi jetë në Tiranë bashkëshortja e Leka Zogut, mbretëresha Suzanë.

Posted in ShqiperiaComments Off on Shuhet Leka Zogu i Pare

KQZ shpall Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli në mbrëmje kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, si fitues i zgjedhjeve për kryetar i bashkisë së Tiranës. Sipas rezultateve të KQZ, zoti Basha ka marrë 81 vota më shumë se kandidati tjetër, Edi Rama. Vendimi për të miratuar tabelat e rezultateve u miratua me 4 vota pro dhe 2 kundër të komisionerëve të pranishëm. Në zgjedhjet vendore për Tiranën morën pjesë 250 mijë e 880 qytetarë dhe secili kandidat mori afërsisht gjysmat e votave; përkatësisht Basha 124 786 vota, Rama 124 705 dhe kandidati Hysni Milloshi 1394 vota.

Tabelat u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, dhe sipas gjithë gjasave, ata pritet ta shfrytëzojnë të drejtën e ankimit në Kolegj Zgjedhor brenda tre ditësh. Juristët e Partisë Socialiste shpjeguan se tabelat e reja dolën nga një procedurë e kundërshtuar që mori në numërim edhe një numër votash të tjera që ishin lënë mënjanë si vota të pavlefshme, vetëm sepse ishin hedhur në kutitë e gabuara. Ata këmbëngulën se rezultati ishte një fitore për kandidatin Edi Rama me vota 10 vota para kandidatit Basha dhe se KQZ duhet të zyrtarizonte rezultatet paraprake që dolën nga numërimi në njësinë bashkiake numër 5.

Por demokratët këmbëngulën që në shumë kuti të kryeqytetit kishte shumë fletë votimi të rregullta që po mënjanoheshin si të pavlefshme vetëm pse ishin hedhur në kuti me ngjyra të tjera. Demokratët shpjeguan se ato janë vota të vlefshme që shprehin qartë vullnetin e qytetarëve. Votimi për Tiranën u krye me 4 fletë votimi me 4 ngjyra, dhe disa qindra njerëz hodhën fletët nëpër kuti me ngjyra të ndryshme nga ngjyra e fletës. Kjo solli edhe debatin se përse mospërputhja e ngjyrës së fletës me atë të kutisë e bënte të pavlefshme votën e rregullt me kryq.

Për KQZ tani ka mbaruar edhe debati edhe dokumentacioni; nga 10 vota plus për zotin Rama, fletët e votimit shtesë ndryshuan shifrat në 81 vota plus për zotin Basha. Avokatët socialistë pritet të drejtohen në Kolegjin Zgjedhor, për ta zhvendosur atje diskutimin mbi këtë rezultat të ngushtë, që mbi të gjitha nxori edhe një herë në dritë rëndësinë dhe peshën e secilës votë të qytetarit.

Analistët e jetës politike theksojnë se kjo është e para herë që rezultatet zgjedhore në Shqipëri dalin aq të ngushta sa ato bëhen një ushtrim i vështirë demokracie për institucionet dhe partitë. Të tilla rezultate të ngushta, sipas tyre, ngrejnë shumë pikëpyetje mbi mesazhet që ka dashur populli t’u japë politikanëve të vet dhe mënyrën se si do t’i lexojnë ata në mbledhjet e forumeve të tyre.

Burimi: Zëri i Amerikës
Ilirian Agolli

Posted in ShqiperiaComments Off on KQZ shpall Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës

Parlamenti Evropian: Votimi i rregullt dhe i qetë


Në një deklaratë të delegacionit të Parlamentit Evropian, të publikuar për mediat nga delegacion i BE-së në Tiranë, procesi i votimit më 8 maj vlerësohet “në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore”. Por delegacioni i PE-së konstaton në deklaratën e tij, mangësi të tilla si votimet familjare, vonesat në hapjen e qendrave të votimit, konfuzionin në kohën e mbylljes së një sërë qendrash votimi dhe vonesa në procedurat e numërimit.  Delegacioni i deputetëve të Parlamentit Evropian mendon që ndonëse votimi u krye në mënyrë të rregullt dhe të qetë, një sërë përmirësimesh do të rrisnin integritetin e procesit zgjedhor. Ai u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në procesin zgjedhor, të veprojnë me përgjegjësi dhe të mundësojnë pas zgjedhjeve rifillimin e reformave demokratike. Delegacion i deputetëve të PE-së zhvilloi takime me aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, kreun e Delegacionit të BE në Tiranë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias. Nga këto takime delegacioni krijoi përshtypjen se skena politike në Shqipëri mbetet tejet e polarizuar, thekson deklarata.

Burimi: DW

Posted in ShqiperiaComments Off on Parlamenti Evropian: Votimi i rregullt dhe i qetë

Advert

Archives