Tag Archive | "shqiperi"

Shqipëria ka 55 miliarderë


Një raport i publikuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar paraqiti të dhëna interesante, por që çuditërisht u harruan shpejt. Në studimin që doli për të dytin vit radhazi nga “World Ultra Wealth Report 2012–2013”, vendi ynë ka individë super të pasur, më shumë se Maqedonia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Organizata e kërkimeve dhe e konsultimeve për biznesin nëpërmjet 200 ekspertëve identifikoi miliarderët në të gjithë botën, ku në Europë u analizuan 45 vende, mes tyre edhe Shqipëria, e cila renditej e 37-a për nga numri i pasanikëve.

Sipas organizatës në fjalë, Shqipëria ka 55 individë, që kanë secili një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh. Në total, pasuria e këtyre 55 individëve në Shqipëri arrin në 7 miliardë dollarë, ose gati sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas raportit, pasuria e miliarderëve shqiptarë u rrit me 4.1 për qind, pavarësisht recensionit në shumë vende të botës.

Debati mbi pasurinë dhe varfërinë në vend ka përplasur jo pak herë qeverinë dhe opozitën. Kjo e fundit pretendon se në Shqipëri pasuria është përqendruar në pak duar dhe se të varfrit po shtohen, ndërsa ministri i Financave thotë se mirëqenia e shqiptarëve është rritur me 13 për qind.

Marre nga :Gazeta Shqip 13 Janar 2013

Posted in ShqiperiaComments Off on Shqipëria ka 55 miliarderë

Shqipëri, gjendja aktuale zgjon ndjenja përgjithësisht negative


Zeri i Amerikes

Armand Mero, 29.12.2012

Ky është përfundimi i një ankete të opinionit publik e zhvilluar nga Instituti Kombëtar Demokrat me 10 grupe të veçanta në Tiranë, Shkodër, Fier e Korçë.
Gjendja aktuale në Shqipëri zgjon ndjenja përgjithësisht negative tek shqiptarët. Ky është përfundimi i një ankete të opinionit publik të zhvilluar nga Instituti Kombëtar Demokrat, një organizatë amerikane joqeveritare e krijuar për të nxitur përhapjen e parimeve demokratike.

Instituti sapo ka botuar një analizë të anketave të zhvilluara, të titulluar “Putting People First” – Njerëzit në Radhë të Parë, ku rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar. Shumë nga të anketuarit veçojnë ndër problemet kryesore, ritmet e papunësisë, koston e lartë të jetesës dhe pagat e ulëta, si dhe mungesën e alternativave për brezin e ri.

Të anketuarit shprehen të shqetësuar për gjendjen në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, që i shohin edhe si faktorë vendimtarë për cilësinë e dobët të jetesës. Në këto sektorë, të anketuarit veçojnë probleme korrupsioni dhe mungesë profesionalizmi dhe kompetence.

Studimi vëren se pjesëmarrësit shprehen të shqetësuar për sigurinë e jetës, një reagim i amplifikuar në masë të madhe nga kronikat e zeza që mbushin buletinet e lajmeve dhe gazetat. Për problemet që përmendin, pjesëmarrësit fajësojnë kryesisht forcat politike në pushtet, por edhe krizën globale që ka përfshirë botën. Bashkimi Evropian mbetet për pjesëmarrësit një ndër objektivat madhore të vendit dhe rrugëdalja që ata shohin për shumë prej problemeve të vendit. Studimi nxori në pah sa shqetësues mbetet korrupsioni për shoqërinë shqiptare.

Thuajse në të gjitha grupet e organizuara për anketim, pati pjesëmarrës që sillnin shembuj nga përvoja vetjake, ku ishin detyruar të paguanin policë, infermierë, mjekë, mësues ose punonjës të sektorit shtetëror për të mundësuar shërbime bazë. Korrupsioni shihet si një fenomen i gjerë që ka prekur në formë të organizuar sistemin qeverisës. Pjesëmarrësit në anketim fajësojnë për problemin mungesën e vullnetit politik për ta luftuar këtë fenomen.

Shqiptarët vazhdojnë të ushqejnë një ndjenjë pesimizmi dhe dëshpërimi nga atmosfera e përgjithshme politike në vend. Gjatë anketimit, përfaqësues të të gjitha grupeve demografike shprehen të irrituar nga retorika politike dhe fryma antagoniste në skenën publike në vend. E gjithë kjo ka ndikuar negativisht në perceptimin e institucioneve demokratike. Megjithëse pjesëmarrësit shprehin interes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ata shfaqin mosbesim të hapur tek procesi dhe mundësia që zgjedhjet të sjellin ndryshime të mirëfillta.

Roli i gruas në jetën publike mbetet i kufizuar dhe dallimet gjinore shihen si një fenomen që ka ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e gruas në politikë. Në këtë atmosferë, ndjehet mungesa e një roli aktiv të shoqërisë civile. Studimi zbulon një mungesë angazhimi dhe besimi ndaj organizatave joqeveritare, të cilat pjesëmarrësit në anketë i shohin me dyshim si operacione pa funksion të qartë ose pa rol të dukshëm.

Studimi i Institutit Kombëtar Demokratik u bazua në anketimet e zhvilluara nga 10-18 tetor 2012 me 10 grupe të veçanta në katër rajone të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.
http://www.zeriamerikes.com/content/ndi-shqiperi-voa-ditari-shqip/1574418.html

Posted in ShqiperiaComments Off on Shqipëri, gjendja aktuale zgjon ndjenja përgjithësisht negative

Prova e ADN krijon hartën gjenetike të popullatave të Ballkanit.


U prezantua në simpoziumin “Imunologjia në erën e re gjeonomike”, në Shërbimin Universitar të Imunologjisë, QSUT “Nënë Tereza”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Ministria e Shëndetësisë,  studimi krahasues që përfshin të gjitha popullatat e rajonit. Studimi i polimorfizmit imunogjenetik në popullatat shqiptare u realizua me metodat e fundit të biologjisë molekulare, ndërsa studimi i distancave dhe hartave gjenetike u krye me metodologjitë më bashkëkohore antropologjike, si dhe me programe kompjuterike të specializuara. Rezultatet e studimit bënë të mundur ndërtimin e hartës aktuale gjenetike të popullatave që jetojnë në rajonin ballkanik, duke paraqitur me anë të “provës së ADN-së” raportet e këtyre popullatave në këtë rajon. Studimi përfshiu, përveç popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, edhe 10 popullata të tjera ballkanike, 12 popullata europiane dhe 2 aziatike. Përfundimet e këtij studimi vënë qartë në dukje afërsinë gjenetike midis popullsive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës dhe popullatave te tjera. Shefit të shërbimit të imunologjisë, Genc Sulçebe thote “Ajo që bie në sy në studimin tonë, është fakti se në rajonin ballkanik përvijohen dy grupe kryesore popullatash. Në një grup mund të futen popullatat shqiptare, maqedonase, greke dhe bullgare (distancat gjenetike në rritje nga 0.03 në 0.06), ndërsa në një grup të dytë ato kroate, boshnjake dhe serbe (distancat gjenetike nga 0.07 deri 0.08)”, ndërsa popullatat italiane, rumune dhe turke, me distancë gjenetike respektivisht 0.12, 0.13 dhe 0.15, janë të vendosura më larg në lidhje me popullsinë shqiptare.

Posted in Shkence - Teknologji, ShqiperiaComments Off on Prova e ADN krijon hartën gjenetike të popullatave të Ballkanit.

KQZ shpall Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli në mbrëmje kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, si fitues i zgjedhjeve për kryetar i bashkisë së Tiranës. Sipas rezultateve të KQZ, zoti Basha ka marrë 81 vota më shumë se kandidati tjetër, Edi Rama. Vendimi për të miratuar tabelat e rezultateve u miratua me 4 vota pro dhe 2 kundër të komisionerëve të pranishëm. Në zgjedhjet vendore për Tiranën morën pjesë 250 mijë e 880 qytetarë dhe secili kandidat mori afërsisht gjysmat e votave; përkatësisht Basha 124 786 vota, Rama 124 705 dhe kandidati Hysni Milloshi 1394 vota.

Tabelat u kundërshtuan nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, dhe sipas gjithë gjasave, ata pritet ta shfrytëzojnë të drejtën e ankimit në Kolegj Zgjedhor brenda tre ditësh. Juristët e Partisë Socialiste shpjeguan se tabelat e reja dolën nga një procedurë e kundërshtuar që mori në numërim edhe një numër votash të tjera që ishin lënë mënjanë si vota të pavlefshme, vetëm sepse ishin hedhur në kutitë e gabuara. Ata këmbëngulën se rezultati ishte një fitore për kandidatin Edi Rama me vota 10 vota para kandidatit Basha dhe se KQZ duhet të zyrtarizonte rezultatet paraprake që dolën nga numërimi në njësinë bashkiake numër 5.

Por demokratët këmbëngulën që në shumë kuti të kryeqytetit kishte shumë fletë votimi të rregullta që po mënjanoheshin si të pavlefshme vetëm pse ishin hedhur në kuti me ngjyra të tjera. Demokratët shpjeguan se ato janë vota të vlefshme që shprehin qartë vullnetin e qytetarëve. Votimi për Tiranën u krye me 4 fletë votimi me 4 ngjyra, dhe disa qindra njerëz hodhën fletët nëpër kuti me ngjyra të ndryshme nga ngjyra e fletës. Kjo solli edhe debatin se përse mospërputhja e ngjyrës së fletës me atë të kutisë e bënte të pavlefshme votën e rregullt me kryq.

Për KQZ tani ka mbaruar edhe debati edhe dokumentacioni; nga 10 vota plus për zotin Rama, fletët e votimit shtesë ndryshuan shifrat në 81 vota plus për zotin Basha. Avokatët socialistë pritet të drejtohen në Kolegjin Zgjedhor, për ta zhvendosur atje diskutimin mbi këtë rezultat të ngushtë, që mbi të gjitha nxori edhe një herë në dritë rëndësinë dhe peshën e secilës votë të qytetarit.

Analistët e jetës politike theksojnë se kjo është e para herë që rezultatet zgjedhore në Shqipëri dalin aq të ngushta sa ato bëhen një ushtrim i vështirë demokracie për institucionet dhe partitë. Të tilla rezultate të ngushta, sipas tyre, ngrejnë shumë pikëpyetje mbi mesazhet që ka dashur populli t’u japë politikanëve të vet dhe mënyrën se si do t’i lexojnë ata në mbledhjet e forumeve të tyre.

Burimi: Zëri i Amerikës
Ilirian Agolli

Posted in ShqiperiaComments Off on KQZ shpall Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës

OSBE/ODHIR: Zgjedhjet të qeta, procesi i numërimit ka vonesa


Sot në mesditë (10 maj) misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR bëri të ditur  raportin paraprak për zgjedhjet vendore 2011 në Shqipëri.

Në përgjithësi OSBE/ODIHR e konsideroi të qetë ditën e zgjedhjeve, por nuk munguan kritikat për procesin e numërimit të votave: “Numërimi po ecën në mënyrë të ngadaltë, dhe ka pasur dhe ndërprerje në disa raste. Për këtë proces ne do të nxjerrim një deklaratë përfundimtare pas rreth 6 javësh”, u shpreh kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet.

 

Burimi: DW

Posted in ShqiperiaComments Off on OSBE/ODHIR: Zgjedhjet të qeta, procesi i numërimit ka vonesa

Evakuohen nga Libia shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë


Ministria e Jashtme e Kosovës tha se sot nga Libia  janë evakuuar për në Stamboll 13 shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Shqipërisë.

Kjo është pjesë e operacionit për evakuimin e shtetasve të Kosovës që ndodheshin në Libinë e përfshirë nga dhuna.

Ministria e Jashtme njofton se nga 61 shtetasit e Kosovës që dihej se qëndronin për punë apo studime në Libi, 24 prej tyre janë evakuuar, ndërkohë që pjesa tjetër pritet të evakuohen.

Procesi i evakuimit u vështirësua edhe për faktin se Libia është një nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, prandaj operacionet janë ndërmarrë nëpërmjet vendeve që e njohin Kosovën, siç është Turqia.

Burimi: voa

Posted in BotaComments Off on Evakuohen nga Libia shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë

Vatra: Faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni mbi opozitën


Në një deklaratë, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, thotë se “dënon ashpër protestën e dhunshme të opozitës para Kryeministrisë në Tiranë”.

Në deklaratën e Vatrës thuhet: “Nxitja për dhunë nga udhëheqësit e opozitës dhe egërsia e kërcënimeve për të rrëzuar qeverinë që i paraprinë ditës së protestës, ishin një paralajmërim se ajo nuk do të ishte paqësore. Dhe ajo u bë protestë e përgjakshme… Ne vatranët ndjejmë dhimbje për viktimat e dhunës dhe u shprehim ngushëllime familjeve të tyre. Urojmë shërimin e të plagosurve, sidomos policëve të cilët u sulmuan nga turma e shfrenuar dhe e nxitur për të rrëzuar pushtetin ligjor”.

Vatra thotë se faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni mbi opozitën, që të heqë dorë nga përpjekjet për të marrë pushtetin me forcë dhe t’i kthehet rrugës parlamentare.

Në deklaratën e saj, Vatra i bën thirrje qeverisë të mbrojë me çdo kusht institucionet dhe shtetin ligjor. Ajo kërkon të zhvillohen hetime dhe autorët e dhunës të sillen para drejtësisë. Shoqata Vatra u bën gjithashtu thirrje forcave politike të venë interesat kombëtare mbi ato partiake.

Burimi: voa

Zëri i Amerikës | Uashington  E dielë, 23 Janar 2011

Posted in Bota, ShqiperiaComments Off on Vatra: Faktori ndërkombëtar duhet të bëjë trysni mbi opozitën

Gjendja në Shqipëri, Intervistë me eurodeputeten Doris Pack


Situata në Shqipëri është shumë e tensionuar. Pas dorëheqjes së zevëndëskryeministrit Ilir Meta, opozita ka bërë thirrje për një protestë të madhe për rrëzimin e qeverisë Berisha, që sipas tyre është e korruptuar.

Pyetje: Zonja Pack, situata politike në Shqipëri ka arritur kulmin pas publikimit të video-s për korrupsion të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Kjo ka thelluar më tej hendekun mes dy kampeve politike. Cili është mendimi juaj për këtë gjendje?

Doris Pack: Situata është e trishtueshme, situata tani po eskalon. Ështe në rregull që Ilir Meta dha dorëheqjen. Por në Shqipëri ka vazhdimisht të akuzuar për korrupsion, vazhdimisht njëra palë fajëson tjetrën. Natyrisht që opozita e shfrytëzon këtë sa të mundet, por kjo e tëra mund të rezultojë në bumerang. Por e trishtueshme është që situata politike në Shqipëri e bën të vështirë punën. Shumë ligje nuk kanë mundur të miratohen në parlament për shkak se kërkohet një shumicë votash, më e madhe se sa fraksionet qeveritare. E tëra klima politike është helmuar. Kur lexon gazetat e përditshme, pyet kur do të marrë fund kjo dhe kur qytetarët e Shqipërisë do ta humbasin durimin. Protestat e vazhdueshme të opozitës dhe kërcënimet janë tërësisht kontraproduktive. Unë mund të them se situata tani në Shqipëri është për të ardhur keq.

Pyetje: A janë vënë në pikëpyetje institucionet e Shqipërisë? Kam parasysh këtu debatet mjaft të ashpra në parlament. Kultura e një parlamenti të mirëfilltë demokratik duket se është larg kritereve që kërkon BE, zonja Pack.

Doris Pack: Jo. Unë mendoj se institucionet janë aty. Qeveria punon, tani një ministër u tërhoq dhe ai është zevëndësuar, gjë që ndodh shpesh në Shqipëri. Pra qeveria punon, parlamenti është i zgjedhur dhe po punon. Nuk ka arsye që opozita të thotë se ky parlament nuk është legjitim. Ka vetëm sulme të vazhdueshme nga opozita por që nuk ka shkuar asnjëherë në gjykatën kushtetuese, gjë që bën që opozita të mos marrë pjesë rregullisht në parlament. Institucionet mund të funksionojnë, edhe parlamenti funksionon, por kur atij i duhet një shumicë e madhe, nuk funksionon. Kjo vjen nga mosbashkëpunimi me opozitën.

Pyetje: Më 21 janar opozita do të organizojë një protestë të madhe për largimin e qeverisë Berisha. BE bën thirrje për dialog politik. Si mund të arrihet deri aty?

Doris Pack: Kam kohë që dëgjoj për organizimin e demonstratave të mëdha ose më pak të mëdha, apo grevë urie. Kjo nuk është politikë. Kjo është një lojë e paparë në kurriz të popullit. Njerëzit presin që deputetët që ata i kanë votuar të bëjnë politikë, të flasin në parlament për problemet e tyre. Kur je në opozitë nuk mund të arrish të gjitha ato kur je në qeveri. Por kjo është normale në çdo system demokratik. Dhe këto protesta nuk ndihmojnë askënd dhe veç kësaj dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Dialogu politik do të ishte i domosdoshëm. Por politikanët duhet të jenë të gatshëm të punojnë për këtë. Ata duhet të jenë të hapur po ashtu për një dialog. Që të jesh i hapur do të thotë që të bësh kompromis dhe jo vetëm të protestosh.

Pyetje: A do të ishte zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme një zgjidhje përfundimtare e krizës politike që po zgjat prej gati 20 muajsh në Shqipëri, zonja Pack?

Doris Pack: Kjo do të varej nga përfundimi i tyre. Nese ato përfundojne me rezultatin e fitores së socialistëve, atëherë ata do të kenë arritur atë çka duan, por në këtë moment situata do të ishet e tillë ku opozita e përbërë nga partia demokratike dhe parti të tjera do të ngrinin pyetjen a mund te njihet kjo qeveri. Pra loja politike është shumë e keqe. Në demokraci duhet të pranosh që ke një shumicë apo që je në një pakicë. Kështu është për të gjithë në të gjithë vendet. Por kjo nuk i përshtatet politikanëve në Shqipëri që nuk kanë sens demokratik. Kush e ka pushtetin do ta ushtrojë atë dhe të tjerë dëshirojnë që ai të mos e ushtrojë pushtetin. Kjo është një lojë e tmerrshme dhe në qoftë se të dyja palët nuk i japin fund sa më shpejt kësaj, do të jetë shumë e errët e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne presim që politikanët në këtë vend të flasin me njëri-tjetrin, që të zgjidhin me njëri-tjetrin problemet dhe jo vetëm me kokëfortësi dëshirojnë vetëm të protestojnë dhe me protesta duan të rrëzojnë qeverinë, një qeveri që është legjitime në punë dhe duhet të vazhdojë punën. Protestat mund të bëhen kundër projektligjeve të veçanta, por jo kundër një qeverie që është në detyrë për të cilën nuk mund të thuash që e ka këtë detyrë në mënyrë të paligjshme.

Burimi: DW

Posted in ShqiperiaComments Off on Gjendja në Shqipëri, Intervistë me eurodeputeten Doris Pack

Rama letër Berishës


Opozita socialiste ka ndërmarrë një hap të ri drejt asaj që ajo e konsideron kompormis të domodoshëm për t’i dhë në fund krizës politike në Shqipëri.

Kreu i saj Edi Rama i ka drejtuar kreut të maxhorancës Sali Berisha një letër me anë të se cilësi kërkon hetimin të materialeve zgjedhore në votimet e përgjithshme të 28 qershorit 2009.

Përmbajtja e letrës ende nuk është bërë e ditur në mënyre integrale, por fragmente të saj janë botuar nga media të ndryshme.

Sipas letrës zoti Rama ka përsëritur deklaratën tashmë të njohur se opozita nuk kërkon hetimin e fletëve të votimit dhe me tej se nuk e kushtëzon marrëdhënien e mëtejshme të parlamentit me fatin e fleteve të votimit.

Lideri socialist ka shprehur gadishmërinë për të nisur dialogun për reformën zgjedhore, sapo të nisi procesi i hetimit.

Tashmë pritet përgjigjia e kreut të maxhorancës Sali Berisha.

Ai ka premtuar se oferta e opozitës do të shihet me seriozitet dhe përgjegjësi.

Por më parë zoti Berisha ka cilësuar si të papranueshme një nga propozimet e opozitës, e cila kërkonte një hetim të pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumentave apo provave që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përvec rasteve, sipas saj, kur këto dokumenta janë në administrim të gjykatave apo organeve të ndjekjes penale.

Letrën e tij kreu i opozitës socialiste Edi Rama ja ka drejtuar njëherësh edhe presidentit të komisionit europian Hose Manuel Barozo, komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle si dhe dhe drejtuesve të grupimeve të së majtës dhe te djathtës në Parlamentin Europian.

Burimi: BBC

Posted in ShqiperiaComments Off on Rama letër Berishës

100 vjet të lindjes së Nënë Terezës


Kujtohet 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës.
100-vjetori i murgeshës me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, është përkujtuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por edhe në Kalkuta të Indisë ku ajo u kushtoi përpjekjet e saj bamirëse të varfërve dhe të pafuqishmëve.

Qindra murgesha katolike dhe mjaft qytetarë të Kalkutës kanë shënuar 100-vjetorin e lindjes së saj me një meshë speciale në selinë e misionit të bamirësisë të cilin ajo themeloi 60 vjet më parë.

Në këtë meshë u lexua edhe një mesazh nga Papa Benedict XVI.

Në Shqipëri e Kosovë autoritetet kanë shpallur 2010-n si Vitin e Nënës Terezë.

Nëna Tereze është letërnjoftimi ynë, është identiteti ynë burimor shqiptar dhe nëse ne shkojmë gjurmëve të saj të gjitha dyert do t’i kemi të hapura.

Në Shqipëri viti 2010 është shënuar nga mjaft veprimtari në respekt dhe për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës gruaja e famshme që në trevat shqiptare njihet me krenari edhe me emrin e saj shqiptar Gonxhe Bojaxhi.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi prezantoi në Tiranë projektin “Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen” – një shëtitore në parkun e kryeqytetit – në nderim të kujtimit të Nënë Terezës.

Projekti vjen si një nismë e Kryetarit të Shtetit në bashkëpunim me Unionin për Paqen dhe Bashkinë e Tiranës.

Sipas Presidentit Topi, do të vendosen shumë gurë, që do të mbajnë firmën e presidentëve të mbarë botës, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën.

Kisha katolike në Shqipëri e përkujtoi me nderim të veçantë këtë përvjetor. Në katedralen e Vaut të Dejës, në veri të Shqipërisë, u mbajt një meshë e posaçme.

Përfaqësues të kishës katolike në Shqipëri thonë se katedralja e Vaut të Dejës është e vetmja në botë që mban emrin Katedralja Nëna Terezë.

Në Maqedoni, Parlamenti mbajti një seancë solemne në nder të përvjetorit të lindjes së Nënës Terezë.

Një spital në vendlindjen e saj, në Shkup, ka marrë emrin ‘Nënë Tereza’.

Në Kosovë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, duke filluar nga një seminar shkencor e deri te liturgjitë kishtare.

Në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës Letersisë dhe Kulturës shqiptare, është mbajtur një tryezë shkencore për figurën e saj.

Manifestimet për shënimin e 100 vjetorit të Nënë Terezës kanë filluar muaj më parë, meqenëse viti i sivjetmë me vendimin e presidentit të Kosovës është shpallur “Viti i Nënë Terezës”, por manifestimi qendror do të mbahet me 5 shtator, kur do të përurohet edhe katedralja që mban emrin e saj.

Dom Lush Gjergji është njëri prej biografëve më të spikatur të Nënë Terezës.

Ai thotë në një intervistë për BBC-në se vlerat e mirëfillta të Nënë Terezës do të njihen tek me vonë, sepse dimensionet e figurës së saj “janë shumë më të mëdha se sa që njihen sot”.

Ai thotë se Prishtina dhe Tirana nuk i kanë dhënë asaj respektin e merituar.

“Megjithë aktivitet që ka pasur dhe ka në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, nuk mund të themi se kemi bërë mjaft.

“Unë shpresoj që ta kemi mishëruar në mendjet dhe në zemrat tona, dhe mbi të gjitha të mos jetë vetëm një festim i lavdërimit të emrit të saj, por mbi të gjitha nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës të mësojmë atë që është thelbësore që është mirësia, dashuria, bujaria, dialogu ndëretnik, dialogu ndërfetar që janë cilësi absolute për historinë e njerëzimit”.

Ai po ashtu thotë se shqiptarët nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë sa duhet emrin dhe vlerat e saj.

“Nënë Tereza e bëri një sintezë të mrekullueshme të botës së të varfërve dhe të pasurve dhe u bë Nëna e gjithë njerëzimit, e pse të mos jetë edhe nëna e popullit shqiptar.

Nëna Tereze është letërnjoftimi ynë, është identiteti ynë burimor shqiptar dhe nëse ne shkojmë gjurmëve të saj të gjitha dyert do t’i kemi të hapura,” thotë Dom Lush Gjergji për BBC-në.

Burimi: BBC

Posted in ShqiperiaComments Off on 100 vjet të lindjes së Nënë Terezës

Advert

Archives