Tag Archive | "fmn"

Çfarë pasojash do të kishte për grekët dalja nga eurozona


Ajo që pak javë më parë konsiderohej ende si skenar tmerri, po diskutohet ndërkohë hapur në Gjermani: Të shprehurit në lidhje me daljen e Greqisë nga euroja shkakton në Athinë trazim. Qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreou i mohon me forcë zërat dhe akuzat, se ajo ka hequr dorë prej synimeve të saj të kursimit, ose se ekspertët financiarë të BE-së, FMN-së dhe ECB-së nuk janë më të mirëseardhur në Athinë. Por shumë ekspertë financiarë e akuzojnë qeverinë se ajo është bashkëfajtore për gjendjen e keqe të sotme dhe për grindjen më të re me troikën gjithashtu. Me gjithë dyshimet ndaj përpjekjeve të kursimit të qeverisë Papandreou: lojërat e ideve mbi daljen nga euroja nuk shtrohen seriozisht për diskutim në Greqi. Të gjitha partitë politike e kanë shpallur mbetjen në eurozonë si detyrë kombëtare. Përjashtim përbëjnë komunistët, dikur besnikë të Moskës, të cilët do të donin të zhduknin krejt BE-në, si dhe populistët e djathtë, të udhëhequr prej ish-bodybuilder-it Jorgos Karadzaferis, i cili sjell në lojë një “dhrahmi evropiane” si monedhë paralele me euron.
“Rifutja e dhrahmisë do të ishte vetëvrasje ekonomike.”

Shumica e grekëve duan euron dhe dhrahminë
Shumica e ekspertëve financiarë në Athinë janë të një mendjeje: Rifutja e dhrahmisë do të ishte vetëvrasje ekonomike, aq më tepër që një zhvlerësim i fuqishëm i monedhës nuk do t’i zgjidhte aspak problemet strukturore të ekonomisë greke. Por e vërtetë është gjithashtu: Me një mbetje në eurozonë Greqia do të duhej të vazhdonte një zhvlerësim të brendshëm nëpërmjet uljes së pagave dhe të çmimeve. Fatkeqësisht politikanët e fshehin faktin, që edhe kjo udhë mund të jetë shumë e dhimbshme, ankohet eksperti monetar Kostas Melas: “Daç kështu daç ashtu Greqia duhet të zhvlerësojë me të paktën 40 për qind për të kompensuar humbjen e aftësisë konkurruese”, shpjegon Melas. “Që sot po shkurtohen pagat, të ardhurat dhe pensionet përmes zhvlerësimit të brendshëm dhe ky proces përshtatjeje mund të zgjasë shumë. Në sektorin publik shumë punëmarrësve u është dashur të heqin dorë nga 40 për qind e të ardhurave vjetore. Diçka e ngjashme pritet tani edhe në ekonominë private”, thotë ekonomisti athinas.
Venizelos mohon të ketë pasur ndonjëherë grindje me troikën

Ministri i Financave të Luksemburgut Jean-Claude Juncker me homologun e tij grek Evangelos Venizelos
Zërat për daljen e Greqisë nga euroja u dëgjuan, pasi e ashtuquajtura ‘troikë’ me ekspertë të BE-së, FMN-së dhe ECB-së u grind me ministrin grek të Financave Evangelos Venizelos dhe u largua para kohe nga Athina. Shumë grekë shohin këtu një lidhje: Gjoja Evropa ka përhapur zëra largimi të Greqisë nga euroja për të rritur trysninë mbi qeverinë greke, thuhet në Athinë. Venizelos mohon me forcë të ketë pasur ndonjëherë grindje me troikën, por ai duhet t’ia ngarkojë vetes fajin për grindjen dhe është kësisoj bashkëpërgjegjës për zërat, beson Stelios Katranidis, profesor ekonomie në Universitetin e Selanikut.
Arsyeja për gjendjen shpërthyese është përpjekja e jofatlume e ministrit të financave për të arritur doemos rinegociimin e masave të kursimit (me troikën), thotë Katranidis. Për këtë ai është paralajmëruar vazhdimisht. Negociata të reja mund të zhvillojë vetëm ai, që përmbush parakushte të caktuara, konkretisht besueshmëri, fuqi e madhe negociuese dhe ndjesia për momentin e duhur. Fatkeqësisht me dorë të zgjatur nuk je në gjendje të arrish rinegociim, ankohet Katranidis.
Kryeministri Papandreou u bën apel grekëve

Apeli i Papandreout synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politike
Me aftësi taktike ai po apelon me fjalë të bukura te bashkëatdhetarët e vet, që të nisin luftën kundër rrugës pa krye, të shmangin falimentimin dhe t’ua nxjerrin rrenat në shesh njerëzve brenda dhe jashtë vendit, të cilët bartin rezerva. Apeli i zakonshëm i kryeministrit në situata të tilla krize te krenaria e grekëve nuk synon të ndihmojë vetëm shmangien e më të keqes, po synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politike: „Disa zëra kërkojnë hapur daljen e Greqisë nga euroja; shumë në Evropë, por edhe këtu në vend, venë bast për dështimin tonë, për t’u shërbyer interesave të tyre politike, ose ekonomike, ose urojnë që të ndodhë falimentimi për të pasur një jetë të mirë në vendin e lirë Greqi me paratë, që kanë nxjerrë në kohën e duhur jashtë Greqisë,” paralajmëron Papandreou. “Qytetarët duhet të japin tani, sipas tij, përgjigjen e duhur. Ata duhet të livrojnë dëshminë, se Greqia mund t’ia dalë”, kërkon kryeministri.
Por për momentin qytetarët janë tepër të zënë me luftën e tyre për mbijetesë. Pas shkurtimeve të të ardhurave deri në 30 për qind në 2010-ën çdo familje greke duhet të heqë dorë sivjet edhe nga një pagë muaji. Masa të tjera kursimi deri në fund të 2011-ës nuk përjashtohen.

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Çfarë pasojash do të kishte për grekët dalja nga eurozona

Politika gjermane diskuton për falimentimin e Greqisë


Deklarata e zëvendëskancelarit gjerman, Philipp Rösler për falimentim të kontrolluar të Greqisë ndez debatin për përjashtimin e Greqisë nga eurozona. Kancelarja Merkel bën të qartë se pret vendimet e trojkës evropiane. Pas deklaratave të ministrit gjerman të Ekonomisë dhe zëvendëskancelarit, Philip Rösler (FDP) në fundjavë për një falimentim të kontrolluar të Greqisë si shansin e fundit me qëllim stabilizimin e eurozonës nga borxhet, reagon edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Merkel tha në Berlin se ajo nuk mendon se puna do të shkojë deri aty sa Greqia do të nxirret jashtë eurozonës. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tha në Berlin të hënën se qeveria gjermane, nuk llogarit me daljen e Greqisë nga eurozona. “Ne duam të stabilizojmë eurozonën me të gjithë shtetet anëtare” tha Seibert. Qeveria gjermane nuk do një debat për përjashtimin e Greqisë.

Sekretari i Përgjithsëm i CDU-së, Hermann Gröhe kritikoi debatin e ndezur pas deklaratave të Röslerit për falimentim të mundshëm, duke dalë kështu hapur kundër partnerit të koalicionit.

Steffen Seibert zëdhënësi i qeverisë
Por përjashtimi i Greqisë nga eurozona edhe sikur të dëshirohet nga qeveria gjermane nuk bëhet aq kollaj. Marrëveshjet evropiane nuk e parashohin një dalje vullnetare nga eurozona dhe as përjashtimin e një vendi nga unioni. “Madje edhe vetë kuadri ligjor e pengon këtë hap”, tha Seibert në Berlin.
Për kancelaren gjermane Merkel, rezultatet e trojkës evropiane për Greqinë kanë një rëndësi vendimtare. Kjo vlen për të gjithë koalicionin qeveritar, tha zëdhënësi i qeverisë.
Vendimet e trojkës janë fjala e fundit
Trojka e ekspertëve të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evopiane udhëton këtë të mërkurë në Athinë për të kontrolluar sukseset e Greqisë në drejtim të programit të kursimeve. Deri më tani Greqia nuk ia ka dalë të ristrukturojë shtetin dhe të luftojë evazionin fiskal në ato përmasa që pret BE.

Horst Seehofer (CSU) e sheh si zgjidhje të fundit përjashtimin nga eurozona
Trysni po i vjen qeverisë gjermane në çështjen greke edhe nga radhët e saj. Kryetari i partisë kristiansociale CSU që qeveris bashkë me CDU-, Horst Seehofer u shpreh se Bashkimi Evropian nuk duhet të kthehet në një union huash. Prandaj përjashtimi nga eurozona duhet parë “si zgjidhja e fundit po qe se se grekët nuk ia dalin të ulin borxhet.”
Autor: dpa/Lindita Arapi
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Politika gjermane diskuton për falimentimin e Greqisë

Parlamenti grek miraton zbatimin e paketës së kursimeve


Parlamenti grek aprovoi zbatimin e paketës së kursimeve, të miratuar një ditë më parë (29.6.). Partia socialdemokrate në pushtet PASOK arriti shumicën e nevojshme për miratimin e ligjit për zbatimin e paketës së kursimeve, e cila do të hapë rrugën për ndihma të tjera financiare nga BE dhe FMN. Ndërkohë në Athinë sërish janë zhvilluar protesta të dhunshme kundër programit të kursimeve të qeverisë greke. 150 vetë u plagosën në përleshjet me policinë në sheshin qendror Syntagma. Gjithashtu disa protestues u vunë zjarrin ndërtesave.

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Parlamenti grek miraton zbatimin e paketës së kursimeve

Samiti i BE-së: Mario Draghi, shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane. Kroacia në BE.


Presidenti i ri i bankës Qendrore Evropiane do të jetë italiani Mario Draghi. Për këtë ranë dakord kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin e tyre në Bruksel. Në këmbim italiani Lorenzo Bini Smaghi, në fund të vitit do të largohet nga drejtoria e Bankës. Për këtë kishte ngulur këmbë Franca, pasi ndryshe pas largimit të shefit aktual Jean-Claude Trichet, ajo nuk do të ishte më e përfaqësuar në organet drejtuese të institucionit.

Samiti i BE-së vendosi gjithashtu pranimin e Kroacisë si anëtarja e 28 e Unionit. Nëse kroatët votojnë pro anëtarësimit në referendumin popullor, vendi do të jetë anëtar i BE-së nga mesi i vitit 2013. Në kuadër të konferencës, ekspertë të Komisionit të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane ranë dakord me qeverinë greke për detajet e programit të kursimeve, për të cilat duhet të votojë parlamenti grek. Ai parashikon shkurtime në një volum prej 78 miliardë eurosh deri në vitin 2014.  Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një bilanc pozitiv të konsultimeve të Brukselit për Greqinë. Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së nënvizuan se do të bëhet gjithçka për stabilizimin e euros.

“Unë mendoj se do të bëhet gjithçka që vendimi të jetë pozitiv dhe për këtë arsye nuk dua të merrem me spekulime. Unë pres gjithashtu që ministrat e financave në takimin e tyre më 3 korrik të shohin të gjitha aspektet në mënyrë që të zgjidhet edhe çështja e solidaritetit me Greqinë.”

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Samiti i BE-së: Mario Draghi, shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane. Kroacia në BE.

Eurozona miraton planin e ndihmës për Greqinë


Kushtet e planit, që u përcaktuan mes seancave të një samiti të BE-së në Bruksel, synojnë ndalimin e krizës ekonomike në Greqi, një problem që e ka cënuar besimin tek Euroja. Sipas planit, financimi do të bëhet nga Europa, por me përfshirjen e Fondit Monetar Ndërkombëta, kusht për të cilin kishte këmbëngulur Gjermania.

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha se ishte marrë vendimi i duhur për zgjidhjen e një problemi krejt të veçantë.

“Ne e kemi zgjidhur këtë çështje brenda familjes europiane, në eurozonë, është një qasje e koordinuar europiane me pjesëmarrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Unë mendoj se ky është vendimi i duhur për kohën”, tha zoti Barroso.

“Ne po përballojmë një problem krejt të veçantë në një nga vendet anëtare, një pjesëtari të eurozonës, duke shqyrtuar edhe ndikimin që mund të ketë për stabilitetin e ekonomise dhe bashkimit tonë monetar. Sikurse kemi treguar, vënia në punë e mekanizmit dhe përmbushja e kushteve do të ndiqet nga institucionet europiane. Ky mekanizëm nuk zëvendëson disiplinën e tregjeve financiare, po i ofron Greqisë një plan dhe sjell stabilitet në eurozonë”, tha Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso.

Thelbi i Planit

Ky nuk është plan shpëtimi, por është krijuar një mekanizëm për shpëtim -dhe 16 vendet e eurozonës kanë rënë dakord ta mbështesin, tani mbetet vetëm një pohim, thjesht edhe me lëvizje koke, nga 27 vendet e BE-së.

Përfshirja e FMN-së në shpëtimet në të ardhmen është futur në marrëveshje megjithë kundërshtimet e francezëve, por ky ishte një kusht që gjermanët ta pranonin.

Sipas marrëveshjes, vendet që përdorin Euro-n do ta ofrojnë ndihmën – rreth 29 miliardë dollarë – së bashku me FMN-në, por Greqia do ta marrë huanë vetëm nëse nuk mundet të sigurojë më parë para nga tregjet financiare.

Qëndrimi politk

“Unë sugjeroj që të parashikojmë një kombinim të FMN-së dhe ndihmës bilaterale, nëse krijohet gjendja kur Greqia nuk mundet të sigurojë vetë para,” tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

” Mendoj se është e rëndësishme që ta përdorim këtë vetëm si gur të fundit, por ne nuk duam që të arrijmë deri atje,” tha zonja Merkel.

Qeveria greke beson se ky rrjet sigurie i eurozonës do ta ndihmojë të marrë hua mara me kosto më të ulët. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, thotë se marrëveshja ishte e rëndësishme për Greqinë dhe gjithë Evropën.

“Greqia dhe euro është e sigurt dhe Evropa ka ndërmarrë një hap të madh,” tha zoti Papandreu.

“Sot nuk marrim vendime vetëm për Greqinë – Evropa dhe BE-ja u gjendën para një sfide të madhe dhe u treguan të vendosur. Udhëheqësit evropianë po mbrojnë unitetin tonë, monedhën tonë të përbashkët. Evropa dhe Greqia do të dalin më të forta nga kjo krizë,” tha kryeministri i Greqisë.

Presidenti francez Nikolas Sarkozi tha se kjo ishte e nevojshme jo thjesht për të shmangur krizën, por për të parandaluar të tjera në të ardhmen.

“Eurozona po e mban fatin e saj në duart e veta, ne arritëm një marrëveshje për të krijuar një kuadër për të menaxhuar krizën në Eurozonë,” tha zoti Sarkozy.

“Është një hap i madh që na detyron që të rimendojmë mekanizmat e survejimit buxhetor dhe ekonomik që kriza të tilla të mos përsëriten,” vuri në dukje presidenti francez.

Në samit do të vendoset edhe krijimi i një grupi pune që deri nga fundi i vitit do të raportojë sanksione më të ashpra ndaj vendeve që shkelin rregullat e buxhetit.

Reagimi i tregut

Euro-ja ka shënuar një rritje të lehtë kundrejt dollarit, pas njoftimit të enjten të planit franko-gjerman të ndihmës për ekonominë greke.

Burimi: BBC

Posted in BotaComments Off on Eurozona miraton planin e ndihmës për Greqinë

Eskalojnë zënkat për planin e shpëtimit të Greqisë


Komisioni i BE-së kërkoi për herë të parë në formë të qartë nga Gjermania dhe vendet e tjera anëtare që me “kredi të koordinuara bilaterale” të ndihmojnë Greqinë e tronditur nga kriza . Një mekanizëm i tillë i ndihmës nuk bie në kundërshtim me Marrëveshjen e BE-së dhe sinjalizon gatishmërinë për mbrojtjen e Euros, tha  në Bruksel presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso. Kështu Barroso kalon në një kurs konfrontimi me qeverinë gjermane. Në Berlin u përsërit qëndrimi se ende nuk është nevoja për ndërhyrje dhe në rast se do të jetë e domosdoshme atëherë Greqia duhet të kërkojë ndihëm e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Javën e ardhshme zhvillohet samiti i radhës i BE-së.

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Eskalojnë zënkat për planin e shpëtimit të Greqisë

Miliardat e Kinës drejt Ballkanit


        Jo rrallë bëhet fjalë për partneritete strategjike. Keshtu kur presidenti serb, Boris Tadiç, gjatë gushtit të kaluar bëri vizitë njëjavore në Kinë. Po ashtu ishte, edhe kur ushtritë e të dy vendeve ranë dakord disa javë më vonë për bashkëpunim të ngushtë dhe Tadiçi deklaroi se bashkëpunimi me Kinën është pjesë përbërëse e “Politikës së jashtme mbi katër shtylla. Qëllimi kryesor i vendit mbetet hyrja në BE (për një kohë qëndrimi larg nga NATO), por Serbia do t’i rrumbullakosë marrëdhëniet me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën”, – tha Tadiç. Pyetjen e një gazetari, nëse është e çuditshme kur një gjigant dhe një xhuxh janë partnerë strategjikë, kryetari i shtetit nuk e gjeti me vend, sepse sa më të fortë t’i ketë “miqtë” një shtet, aq më i fortë është ai vetë.
         Për 170 milionë euro firmat kineze deri në vitin 2013 duan të ndërtojnë me partnerë të rinj serbë një urë të dytë urgjentisht të nevojshme në Beograd. Në fund të janarit, qeveria serbe u dha kinezëve porosinë për modernizimin e termocentraleve në Danub pranë Pozharevcit, të cilat rrjedhin nga koha jugosllave. Volumi i kontratës arrin në më shumë se 900 milionë euro. Por, arsyeja më e madhe për atraktivitetin e ofertave kineze ka të bëjë me faktin se kinezët i sjellin menjëherë paratë për projekte të mëdha. Ky model konstatohet kudo në rajon. Bankat kineze japin kredi të leverdishme. Ndryshe nga BE dhe FMN, kinezët i japin të hollat pa kushte për reforma strukturore, apo shkurtime të shpenzimeve publike. Guvernatori i Bankës Kombëtare serbe, Radovan Jelasiç e konfirmon këtë me fjalët: “Nëse Serbia nesër u drejtohet tregjeve financiare, nuk do të marrë para me më pak se gjashtë për qind interes dhe kjo për një periudhë më së shumti prej pesë vjetësh”. Shefi i Bankës Qendrore e sheh angazhimin e kinezëve në një kuadër më të gjerë. “Të gjitha qeveritë e rajonit kanë plane të mëdha, por s’kanë para.

        Kinezët kanë para dhe janë më të gatshëm se vendet e tjera për të investuar. Që prej dy vjetësh vërejmë një sjellje deri-diku agresive të kinezëve. Ata kërkojnë të kenë më shumë prezencë këtu”. Kështu është edhe në shtetet e tjera të rajonit: Nëse vitet e fundit Kina ka siguruar në Afrikë dhe Amerikën Latine lëndë të parë për industri, kështu Lindja e Evropës është një prej rajoneve për eksportin e teknologjisë kineze.
       Mali i Zi ka marrë një kredi prej 47 milionë dollarësh nga banka eksport-import për të financuar blerjen e anijeve kineze.
       Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vendi i të cilit ka qenë dikur bastion i Kinës në Europë në kohën e Enver Hoxhës, deklaroi pas takimit me presidentin kinez, Hu Jintao, krijimin e një zone të tregtisë së lirë për tregtarët kinezë.
       Hungaria shpreson të bëhet nyjë e tregtisë së Kinës me Evropën. Një shkollë dygjuhëshe hungarezo-kineze do të përgatisë ekspertët.
       Në Izmir dhe Talin investitorët kinezë kontrollojnë portet, ose negociojnë për t’u futur në to.
    
        “Ndërsa Moska dhe Uashingtoni diskutojnë për çarmatimin nuklear dhe hahen për zona influence, ne përjetojmë se si një Kinë e pasur dhe e sigurt po i dominon në një hapësirë fare të papritur”, komentonte amerikani Louis O’Neill, dikur ambasador i OSBE-së në Kisinau, në gazetën “Financial Times”.
  
         Kinezët synojnë edhe në shtetet e Evropës Juglindore, anëtare të BE-së. Greqia, e cila prej vitit 2006 ka një marrëveshje “partneriteti strategjik” me Kinën, shpreson që kinezët të bëhen blerës të bonuseve greke të thesarit, gjë për të cilën ministri i Financave, Papakonstantinu, do të shkojë në Pekin, Shangai dhe Hong Kong.

Burimi:Frankfurter Zeitung

Posted in BotaComments Off on Miliardat e Kinës drejt Ballkanit

Kosova feston 2 vjetorin e pavarësise


Prishtine 17 shkurt – Qytetarët e Kosovës festojnë sot dy vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në botë, i njohur deri më sot nga 65 vende anëtare të OKB-së dhe i pranuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar e në Bankën Botërore.

Drejtuesit më të lartë të Kosovës, në këtë mëngjes zhvilluan homazhe në nderim të Presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar Adem Jashari, me vizitat në memoralet dhe familjet e tyre në Prishtinë dhe në Prekaz.
  
Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot një seancë solemne për ditën e dyvjetorit të pavarësisë, e shpallur në seancën historike të 17 shkurtit 2008. 

Në kryeqytet, Prishtinë, dhe në qytete të tjera të Republikës së Kosovës gjatë gjithë ditës së sotme do të shfaqen koncerte të shumta dhe veprimtari të tjera festive.

Flamujt e festës së pavarësisë- flamuri i shtetit të Kosovës dhe flamuri kombëtar i Shqipërisë janë paralajmëruar të ngrihen sot në majën e Lypetenit, në jug të vendit, në lartësinë 2496 metra, nga një ekspeditë e bjeshkatarëve dhe alpinistëve.

Në kuadër të aktiviteteve festive do të zhvillohet dhe ndeshja e futbollit Kosovë- Shqipëri, në Prishtinë.

Në shkolla, universitete, në të gjitha institucionet sot është ditë pushimi. Të gjithë, nëpër familje dhe kudo, festojnë sot dy vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Posted in Bota, ShqiperiaComments Off on Kosova feston 2 vjetorin e pavarësise


Advert

Archives