Tag Archive | "beograd"

Vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd


Në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës sot mund të preken tema që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

Sipas drejtuesit të ekipit serb Borislav Stefanovic çështja e lirisë së lëvizjes është shumë e vështirë dhe e komplikuar, sepse përfshin edhe çështjet e targave, të kartave të identitetit, pasaportave dhe të patentave të makinave.

Ai shtoi se në takimin vijues do të flitet për të gjitha temat, që janë diskutuar në dy raundet e mëparshme të bisedimeve dhe shprehur shpresën se disa çështje do të përfundojnë, tha Stefanoviç.

Bisedimet e ekipeve të Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequr nga Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Serbisë Stefanovic dhe zevëndëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri zhvillohen nën patronazhin e BE.

Deri tani janë mbajtur dy raunde bisedimesh me 8 mars dhe në fund të muajti me 28 mars.

Deri tani është biseduar për kadastrat, telekomunikacionin, presidencën e CEFTA-s, për vulat doganore, energjinë elektrike dhe regjistrat.

 

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd

Vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë


Për më se dy orë, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë diskutuar të martën në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Bisedimet e filluara mbrëmë, që do të vazhdojnë edhe sot, janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës tre vjet më parë, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura në zyrën e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, diplomatit britanik Robert Cooper, zyrtar i lartë në kabinetin e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian. Në takim ishte edhe Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman.

Në takimin e parë është biseduar për regjistrat civil dhe dokumentet kadastral, ndërsa sot pritet të diskutohen edhe çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA e cila gjatë këtij viti do të drejtohet nga Kosova.

Delegacionin e Prishtinës e kryeson zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kurse atë serb, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviç. Të dy zyrtarët thanë se do t’i qasen procesit të bisedimeve në mënyrë konstruktive në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Zyrtarët evropian thanë se qëllim i bisedimeve është nxitja e bashkëpunimit dhe afrimi i Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian.

Pritjet e palëve megjithatë janë të ndryshme. Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të bisedimeve për statusin politik dhe tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa Beogradi shpreson që në një periudhë të mëvonshme të hap edhe çështjet politike për të arritur, siç thuhet, një kompromis historik për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Delegacioni i Prishtinës, shkoi me disa orë vonesë në takimin e së martës, për shkak se Parlamenti i Kosovës nuk arriti një pajtim për një dokument rreth bisedimeve. Parlamenti ka caktuar të enjten seancën ku pritet të diskutohet për miratimin e një Rezolute në mbështetje të bisedimeve me Serbinë. Opozita kërkon përgatitjen e një platforme të qartë të bisedimeve, ndërsa një pjesë e saj kundërshton përfshirjen në to derisa Serbia nuk plotëson disa kushte, përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave të saj paralele.

Burimi: Voa

Posted in BotaComments Off on Vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë

Diplomatët e SHBA paralajmërojnë për Kosovën (Wikileaks)


Telegramet e ambasadave amerikane të publikuara nga Wikileaks demonstrojnë se zyrtarë të lartë serbë i kanë thënë privatisht Uashingtonit se BE dhe qeveria e Kosovës asnjëherë nuk do ta marrin plotësisht në dorë kontrollin mbi gjithë territorin dhe kanë shtyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës.

Zyrtarë të lartë amerikanë janë tërësisht kundër asaj që ata e konsiderojnë si fushatë të organizuar dhe të durimshme të presidentit Tadiç për ndarjen e Kosovës, e cila, po të ketë sukses, sipas tyre, do të çonte në dështimin e një dhjetëvjeçari të politikës së jashtme amerikane.

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftohet se më herët gjatë këtij viti e ka paralajmëruar Uashingtonin se intrasigjenca serbe dhe përpjekjet e përditshme të Beogradit për të forcuar kontrollin në pjesën veriore të Kosovës, rrezikojnë që të rindezin konfliktin etnik.

“Dështimi për të vepruar shpejt do të thotë humbje e veriut të Kosovës dhe do të çojë në hapjen e Kutisë së Pandorës së konfliktit etnik që definoi vitet 90-të,” ka shkruar atëherë ambasadori amerikan Christopher dell.

“Ka ardhur koha t’i jepet fund viteve me lëkundje për ta ndryshuar dinamikën e ndarjes mes veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës…Situata aktuale është e pajustifikueshme dhe po përkeqësohet”.

Dokumentat, sipas gazetës Guardian që po boton telegramet diplomatike nga Wikileaks, tregojnë se zyrtarë të lartë të Beogradit i kanë paralajmëruar amerikanët dhe evropianët se çdo përpjekje për të detyruar integrimin e veriut të Kosovës do të kërkonte ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe do të destabilizonte rajonin.

“Këta njerëz nuk kanë jetuar me shqiptarët, nuk e kanë ndjerë kurrë veten pjesë të Kosovës dhe nuk do ta pranojnë sundimin e Prishtinës,” njoftohet se i ka thënë ambasadores amerikane në Beograd, Mary Warlick në muajin shkurt, Jovan Ratkovic.

“Beogradi nuk po përpiqet që ta ndryshojë realitetin në terren për shqiptarët e Kosovës, por ndryshimi i realitetit për serbët e Kosovës po ashtu do të ishte destabilizues”.

Sipas dokumentave, Ratkoviç, një muja më herët i kishte paraqitur Robert Cooper, diplomatit britanik dhe këshilltarit politik të shefes së BE për politikë të Jashtme, Catherine Ashton, një skenar ekuivalent me ndarjen.

“Ratkoviç më saktësisht i tha Cooper se ndërsa Beogradi duhej që ta pranonte se nuk do ta qeveriste më kurrë Kosovën, Kosova duhet ta kuptonte se efektivisht, asnjëherë nuk do të ishte në gjendje që ta shtrinte qeverisjen e saj në veri të lumit Ibër,” shkruhet në një telegram tjetër.

Telegramet demonstrojnë dhe shqetësimin e diplomatëve amerikanë për politikën e ndjekur në lidhje me Kosovën nga presidenti Tadiç.

“Edhe pse qeveria pro-perëndimore e Tadiç-it është një përmirësim nga ajo e pararendësit të tij (Koshtunicës) në shumë aspekte, parametrat e përgjithshëm të politikës serbe ndaj kosovës mbeten të pandryshuar,” kjo është këshilla që ambasada amerikane në Prishtinë i ka dhënë zëvendëspresidnetit amerikan Joe Biden në prag të një vizite në Kosovë vitin e kaluar.

Këtë vit, amerikanët njoftuan se politika e Tadiç-it për veriun e Kosovës, ishte bërë “gjithmonë e më agresive”.

“Konflikti i ngrirë në veri të Kosovës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë e Kosovës në afat të shkurtër e të gjatë”.

Rajoni ishte “bazë për strukturat paralele të jashtëligjshme dhe një rajon ku dominojnë kontrabanda dhe krimi i organizuar. Institucionet e Kosovës kanë ushtruar shumë pak kontroll këtu që nga viti 1999. Rezultati është një zonë ku mbledhja e taksave në doganë bëhet në bazë të ‘sistemit të nderit’, gjykatat nuk funksionojnë, policët ndërkombëtarë kanë frikë që të vënë rregullin dhe organet lokale janë ato të zgjedhura nga Serbia”.

Telegrami thotë se kjo përbën “kërcënimin shumë real të ndarjes së Kosovës, kthimin pas të 10 vjetëve të politikës së jashtme amerikane.”

“Mund të presim konfrontime të rregullta etnike- me pësimet përkatëse edhe në mesin e paqëruajtësëve ndërkombëtarë”.

Dokumentat tregojnë se zyrtarët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd vazhdimisht e vënë në pikëpyetje vendosmërinë evropiane për të ruajtur integritetin territorial të Kosovës dhe për t’i rezistuar presionit të Serbisë.

Ish-ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, vitin e kaluar shkruan se evropianët “duket se kanë braktisur çdo përpjekje reale për të kërkuar koncensione. Ne mund të ndjejmë një shkallë të fuqishme të ‘lodhjes nga Kosova’ mes homologëve tanë evropianë, e cila, po ta bashkosh me ndjesinë e prekshme këtu në rajon se Evropa ka hequr dorë nga zgjerimi i mëtejshëm, mund të provojë të jetë një kombinim i keq”.

Zonja Kaidanow sipas dokumentave ka shprehur frikën se disa evropianë mund të heqin dorë nga angazhimet që kanë bërë dhe me kalimin e kohës, të mbështesin një rezultat të ngjashëm me ndarjen.

Burimi: Zeri i Amerikes

Posted in BotaComments Off on Diplomatët e SHBA paralajmërojnë për Kosovën (Wikileaks)

I jepet lamtumira e fundit Bekim Fehmiut


Në morgun e varrezave të reja të Beogradit, sot prej orës 15 deri 16, në praninë e familjes së ngushtë, shumë qytetarë të Beogradit të moshave të ndryshme, artistë, e përfaqësues të jetës politike u ndanë nga aktori i madh Bekim Fehmiu duke ia dhënë lamtumirën e fundit për në jetën e amshuar.

Në ceremoni morri pjesë dhe presidenti serb Boris Tadiç dhe zyrtarë të lartë serbë.

Ishin të pranishëm edhe shumë shqiptarë që jetojnë në Beograd, si dhe përfaqësuesit e ambasadës së Shqipërisë të cilët pranë arkivolit vendosen një kurorë me lule.

Familjes ia dorëzua telegrami i ngushëllimit të cilin e kishte dërguar kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Në këtë ceremonial nuk kishte fjalime nga politikanët e artistët.

Kremimi i trupit të aktorit të madh do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme, kurse pastaj urna me hirin trupit të tij do të niset për në Kosovë.
 
         
Burimi: BBC

Posted in Art - Kulture, Bota, ShqiperiaComments Off on I jepet lamtumira e fundit Bekim Fehmiut

Ndahet nga jeta Bekim Fehmiu, aktori që e kishin idhull miljona vetë


Njoftohet se aktori i njohur shqiptar i filmit dhe teatrit Bekim Fehmiu është gjetur pasdite të martën i vdekur në banesën vet, në lagjen Zvezdara të Beogradit.

Këtë lajm e ka konfirmuar ministri serb i Policisë Ivica Daçiq, i cili ka thënë se “supozohet se fjala është për vetëvrasje, sepse është shtënë nga pistoleta e regjistruar në emrin e Fehmiut.”

74-vjeçari Bekim Fehmiu ka qenë yll i madh i kinematografisë jugosllave e botërore.

Ka lindur në Sarajevë më 1 qershor të vitit 1936, nga i ati Ibrahim Fehmiu patriot dhe punëtor i shquar i arsimit shqip, kurse fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Prizren ku e ka mbaruar edhe gjimnazin.

Fakultetin e arteve dramatike e ka kryer në Beograd ku edhe e ka kaluar jetën me bashkëshorten Branka Petiq, po ashtu aktore, me të cilën ka djemtë Uliksin dhe Hedonin.

Bekimi u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966, kur në festivalin e Kanës mori Palmën e Artë.

Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.

Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i njohur për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Rolet e tij në filmat “Edukata speciale”, “Odiseja”, apo “Aventurieri”, përmenden si kryevepra të kinematografisë botërore.

Bekim Fehmiu ka bashkëpunuar me shumë aktorë të njohur botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, apo Claudia Cardinale.

Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Shkrimtari dhe producenti dhe italian, Françesko Skardamalja ka thënë se “Bekim Fehmiu është i vemti aktor ndërkombëtar nga vendet lindore, komuniste i cili ka filmuar në perëndim gati plot njëzetë vjet, duke shpërthyer perden e hekurt gjithnjë deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe rënies së Murit të Berlinit”.

Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj që kanë dalë prej këtyre anëve.

Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore.

Në vitin 2002 në Beograd u botua libri autobiografik i Bekim Fehmiut, “Shkëlqimi dhe trishtimi”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë e deri në regjistrimin në fakultetin e arteve dramatike në Beograd.

Mirëpo libri ende nuk është botuar në shqip. Këto ditë e ka përfunduar edhe pjesën e dytë të dorëshkrimit të librit në fjalë në serbisht, dhe kap periudhën prej vitit 1956 e deri më sot.

Burimi: BBC

Posted in Art - Kulture, Bota, ShqiperiaComments Off on Ndahet nga jeta Bekim Fehmiu, aktori që e kishin idhull miljona vetë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së për dialogun Prishtinë-Beograd


Anëtarët e Këshillit të Sigurimit në seancën e rregullt për Kosovën, kanë nxitur palën kosovare dhe atë serbe për zhvillimin e dialogut Prishtinë-Beograd, megjithëse kanë pasur mospajtime për çështjet që palët duhen diskutuar.

Përfaqësuesja amerikane në OKB, Brooke Anderson ka theksuar se statusi dhe kufijtë e Kosovës janë të caktuar dhe se pavarësia është proces i pakthyeshëm.

Ambasadori rus, Vitaly Churkin ndërkaq ka përsëritur kundërshtimin e Moskës ndaj pavarësisë, ndërsa ka kërkuar respektimin e rezolutës 1244 si bazë juridike për funksionimin e Kosovës.

Diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit për gjendjen në Kosovë kanë pasuar raportimet e ministrave të jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë si dhe shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier.

Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni në fjalimin e tij i ka bërë thirrje Serbisë që t’i bashkohet përpjekjeve të vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një ambient mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në rajon dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

“Qeveria ime është e gatshme të angazhohet në bisedime me Serbinë për çështje të shumta të interesit të përbashkët si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha zoti Hyseni.

Sipas tij, dialogu do të ndihmonte zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndërsa homologu i tij serb, Vuk Jeremiq ka thënë se Beogradi është i interesuar që të gjendet një zgjidhje për Kosovën që nuk do ta kënaqte vetëm njërën palë.

“Kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovën dhe do t’i raportojë Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së, do të krijohet një mundësi strategjike për arritjen e një kompromisi midis serbëve dhe shqiptarëve”, është shprehur zoti Jeremiq.

Përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier e ka cilësuar situatën në Kosovë të qëndrueshme, por të brishtë. Sipas tij, vështirësitë ekonomike dhe mospajtimi i komuniteteve paraqesin rrezik për trazira sociale.

Kreu i UNMIK-ut tha se ishte i gatshëm të ndihmonte në zgjidhjen e çështjeve praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shfaqi shpresën për hapjen e më shumë kanaleve të dialogut mes palëve.

Posted in BotaComments Off on Këshilli i Sigurimit i OKB-së për dialogun Prishtinë-Beograd

Presidenca e BE-së me porosi për politikën shqiptare


Kryesuesja e radhës e BE-së, Spanja, u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri që të kapërcejnë gjendjen aktuale dhe të shkojnë drejt një qëndrueshmërie politike dhe një marrëveshjeje politike.

Një zëdhënëse e presidencës së spanjolle, Cristina Gallach, i tha BBC-së se Shqipëria nuk mund të ecë përpara drejt integrimeve evropiane në një gjendje të paqëndrueshme politike.

Duke folur në Bruksel ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, po zhvillon takime me zyrtarë të lartë të BE-së, ajo tha se BE-ja i dërgon porosi të qarta qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që ta kuptojnë rëndësinë e momentit dhe të çështjeve që lidhen me përparimin e vendit drejt BE-së.

Duke folur për takimin e Sarajevës, zonja Gallach, tha se pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është e një rëndësie të posaçme dhe e domosdoshme.

Sipas saj, vetë ministri i jashtëm spanjoll, Angel Moratinos, ka shfaqur bindjen e tij se takimi në Sarajevë do të rezultojë me porosi pozitive për të gjitha vendet e Ballkanit në marrëdhëniet me BE-në.

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi një bisedë me zonjën Gallach dhe fillimisht e pyeti se cila ishte porosia e BE-së për udhëheqësit politikë në Shqipëri, pas 11 ditë të grevave atje.

Cristina Gallach: Ashtu siç e kemi thënë, të gjitha vendet e BE-së, presidenca e radhës dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në situatën e Shqipërisë ajo që na duhet është të lëvizim nga situata aktuale drejt një qëndrueshmërie politike dhe një marrëveshjeje politike. Dhe ajo që po ndodh është saktësisht e kundërta e kësaj.

Nga ne do të ketë një porosi e qartë që të lëvizet drejt një situate kur qeveria dhe opozita do të kuptojnë rëndësinë e momentit në të cilin jetojnë, të rëndësisë vendimtare të çështjeve që vendosen në tryezë që lidhen me përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Prandaj ta rimendojnë sërish dhe të garantojnë që aktorët politikë të mbajnë qëndrime konstruktive.

BBC: Por a do të ketë një ndikim kjo krizë aktuale politike në Shqipëri në rrugën e saj drejt integrimit evropian?

Cristina Gallach: Ajo që është e qartë është se nuk mund të ketë një ndikim pozitiv. Sepse nuk është e mundur të ecet përpara me gjendjen aktuale jo të qëndrueshme.

BBC: Çfarë mund të bëjë BE-ja që të ndihmojë këtë vend për të tejkaluar dallimet?

Cristina Gallach: Mendoj se kjo është një çështje që duhet t’i adresohet pikë së pari udhëheqësve në Shqipëri. Sepse ata e dijnë vullnetin e BE-së për të ecur përpara me Shqipërinë, por ne nuk mund të bëjmë asgjë deri sa nuk ka një situatë të qartë dhe më të qëndrueshme.

BBC: Zonja Gallach deri ku kanë arritur përgatitjet për takimin e Sarajevës që pritet të mbahet në qershor?

Cristina Gallach
: Atë që ne po bëjmë tani është puna me të gjitha vendet në rajon, me qëllim që konferenca të vazhdojë përgatitjet. Siç e ka thënë edhe ministri Moratinos, të hënën, ai është shumë i sigurt se do të jetë një takim shumë i mirë, dhe që do të rezultojë me porosi pozitive për vendet e rajonit në marrëdhëniet me BE-në.

BBC: Me sa e kuptoj ka një pajtueshmëri edhe të Prishtinës por edhe Beogradit për të marrë pjesë në takimin e Sarajevës?

Cristina Gallach: Ne gjithnjë e kemi thënë se pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit dhe të përfaqësuesve do të mund të ishte shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme. Një punë e madhe është bërë që të gjithë të jenë në tavolinë në Sarajevë me 2 qershor.

BBC: Por cila është formula e këtij takimi. Zyrtar apo jo zyrtar?

Cristina Gallach: Ajo që ka rëndësi është që takimi të rezultojë me një porosi të qartë për të gjitha vendet e rajonit, për qytetarët e rajonit, për rëndësinë e vazhdimit të zhvillimit të të gjitha përpjekjeve për t’u përafruar me BE-në. Në të njëjtën kohë për udhëheqësit dhe institucionet e BE-së që të përcaktojnë proceset që po zhvillohen. Ndoshta për ta cilësuar takimin si të tillë ka më pak rëndësi se sa substanca. Në çfarëdo rasti takimi me të gjitha vendet e rajonit, si një prej rajoneve kyçe të BE-së, është gjithnjë e rëndësishme dhe ne presim që konferenca në Sarajevë do të vlerësohet nga rezultati i saj. Përgatitjet po vazhdojnë dhe kemi ende kohë deri në fillimin e saj. Prandaj kjo është mënyra se si janë bërë gjërat.

BBC: Pra ju e përjashtoni mundësinë që njëra palë të mos jetë atje?

Cristina Gallach: Atë që gjithnjë e kemi thënë është se të gjithë partnerët në rajonin e Ballkanit janë të ndërlidhura me BE-në. Të gjitha ato kanë marrëdhënie në nivele të ndryshme që është në përputhje me një numër situatash. Ka vende që tashmë po negociojnë që të bëhen anëtare të BE-së, të tjerat që ende nuk i kanë filluar negociatat si dhe disa të tjera që po përgatiten për këtë gjë. Pra të gjitha ato janë në rrugë e sipër prandaj është edhe mirë që të ulen së bashku në të njëjtën kohë. Ne e kemi bërë këtë në raste të tjera prandaj mendojmë se është një moment i mirë.

BBC: Çka mendoni se do të arrini në këtë takim, marrë parasysh se Spanja e përfundon mandatin e saj të kryesimit me BE-në nga fundi i Qershorit?

Cristina Gallach: Saktësisht. Presidenca e radhës e BE-së përfundon çdo gjashtë muaj. Por ju e dini se marrëdhëniet me vendet e rajonit nuk varen nga një vend i posaçëm. Ato janë politikat më solide të BE-së si tërësi. Njëra presidencë jep një impuls të caktuar, tjetra jep një tjetër lloj impulsi. Por vendosja e rajonit të Ballkanit si një prej përparësive kyçe, nëse jo një prej fqinjëve më të rëndësishëm për BE-në, për shkak të perspektivës evropiane, nuk ndryshon nga njëra tek tjetra presidencë. Gjatë këtyre gjashtë muajve, Spanja ka punuar së bashku me ekipin e zonjës Ashton, ka patur një numër aktivitetesh dhe është një kohë e mirë për të ecur përpara ashtu siç do të bëjnë presidencat e tjera më vonë.

Burimi: BBC

    

Posted in Bota, ShqiperiaComments Off on Presidenca e BE-së me porosi për politikën shqiptare

Meta-Jeremiç: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe të rëndësishme për stabilitetin në rajon


Ministri i jashtëm i Shqipërisë po qëndron në Serbi. Ditën e enjte ai u takua me homologun e tij Vuk Jeremiç, me Presidentin serb Boris Tadiç dhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë serbe. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë cilësuar nga të dy ministrat shumë të rëndësishme për stabilitetin e tërë rajonit. Të dy ministrat në konferencën e përbashkët për shtyp theksuan se në mes të dy vendeve ka qëndrime krejtësisht të kundërta sa i përket Kosovës, por megjithatë ka shumë hapësirë për bashkëpunim në fusha të tjera. Jeremiç tha se për çështjen e Kosovës ekziston një hendek i madh mes dy vendeve dhe kanë  po ashtu qëndrime të ndryshme.

Shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta nënvizoi se qeveritë në Beograd dhe në Tiranë kanë rolin kryesor në stabilizimin e rajonit dhe shtoi se vizita e tij në Serbi paraqet një erë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Meta sot po qëndron në Preshevë.

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Meta-Jeremiç: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe të rëndësishme për stabilitetin në rajon

Ministri i Jashtëm shqiptar viziton Beogradin.


Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqiprisë, Ilir Meta fillon sot një vizitë dyditore në Serbi, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç.  Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, gjatë qëndrimit në Beograd veç bisedimeve zyrtare me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç, Meta do të zhvillojë takime të veçanta edhe me Presidentin e Republikës së Serbisë, Boris Tadiç, zëvendëskryeministrin per Integrimin Evropian, Bozhidar Gjeliç, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiç si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi. Në axhendën e vizitës do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, si edhe të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Burimi: DW   

Posted in Bota, SportComments Off on Ministri i Jashtëm shqiptar viziton Beogradin.

“BE s’do të presë përgjithmonë vendimin e GJND”


       Ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të marrin një vendim politik për rifillimin e bisedimeve për çështjet teknike.

Në një intervistë për BBC-në, ai tha se Beogradi zyrtar duhet të heqë dorë nga qëndrimi i dyfishtë: njëri për rrugën drejt BE-së dhe tjetri për marrëdhëniet me Kosovën.

Ministri francez tha se BE-ja nuk do të presë përgjithmonë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili sipas tij, nuk mund të ndikojë në qëndrimin e 27 vendeve anëtare të BE-së për procesin e zgjerimit.

Ai tha se BE-ja nuk do të lejojë krijimin e një konflikti të ngrirë në Ballkan. Zoti Kouchner vlerësoi se nuk do të ketë parakushte për hyrjen e Serbisë në BE-së por do të ketë sipas tij, domosdoshmëri për marrëdhënie të mira.

Sipas tij Kosova do të mund t’i bashkohet BE-së pas Serbisë, ose në rastin më të mirë njëkohësisht me të, dhe përçoi porosinë e vendit të tij se Franca do të mbështesë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi bisedën me zotin Kouchner, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, dhe fillimisht i kërkoi një vlerësim se cilat janë dallimet që ai ka parë në Beograd dhe Kosovë.

Kouchner: Natyrisht kam parë dallime në kuptimin material. Cdo gjë duket më e mirë përvec njerëzve. Ata janë të bllokuar. Jo ashtu siç kanë qenë, por ata nuk po e marrin parasysh aq sa duhet të ardhmen. Ky nuk është fundi i rrëfimit. Ai ishte një rrëfim i gjatë, para luftës dhe pas luftës. Para luftës, për shumë vjet, kishim një peshë të traditës, dhunës dhe korrupsionit si dhe invazione. Tani më shumë se dhjetë vjet pas, meqë kemi më shumë se dhjetë vjet pas vitit 1999, a është e domosdoshme të presim edhe për një kohë, a është e domosdoshme të jemi të kënaqur? Unë them JO.

Ne duhet të shikojmë kah e ardhmja dhe ta zbulojmë atë. Unë besoj se edhe në Beograd edhe në Prishtinë kemi një lloj hapje edhe me fjalë por edhe në shpirtin e njerëzve. Kjo është e tëra që mund të them. U takon atyre që ta zbulojnë drejtimin e tyre dhe jetën e përditshme. Kjo është politikë, meqë çdo gjë këtu është politike dhe ata duhet të marrin një vendim politik nëse duhet të flasin me njëri tjetrin në një kohë tjetër. Unë nuk u kërkova serbëve të pranojnë Kosovën, meqë kjo nuk është kohë e mirë për këtë. Por që të ecin përpara. Sepse unë u thash shumë qartë atyre: mos thoni se ka dy rrugë. Njëra që çon drejt BE-së dhe tjetra që flet për marrëdhëniet me Kosovën. JO! Të dyja rrugët janë paralele dhe do të bashkohen. Sepse 27 vendet anëtare të BE-së nuk duan që të krijojnë një tjetër Qipro, një shtet tjetër të ndarë dhe kjo është e pamundur që të besohet. Prandaj ishte politikisht e drejtë të thuhet se nuk ka parakushte. Nuk ka parakushte, por ka domosdoshmëri.

BBC: Domosdoshmëri për çka?

Kouchner: Mendoj se duhet të ketë një lloj nisme dhe unë nuk dua të kontrolloj ose ta urdhëroj askënd. Por, ata duhet të fillojnë të kenë marrëdhënie normale për njerëzit, për energjinë elektrike, për drejtësinë, për ujin. Por le të rifillojmë procesin e bisedimeve mes njëri-tjetrit. Kjo është shumë e mirë. Por ne që nga Gjeorgjia e diku tjetër, kemi marrë këtë mësim të konflikteve të ngrira dhe ky nuk është sistem i mirë.

BBC: A mund të presim që pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të dyja palët të ulen e të bisedojnë për çështjet e interesit të përbashkët?

Kouchner: Shpresoj, por eventualisht ta përgatisim këtë edhe më heret. Nuk e di për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, unë nuk e di. Por një gjë e di sa i përket kësaj këshille. Ajo nuk do të ndikojë mbi 27 vendet anëtare të BE-së sepse të gjitha këto vende janë plotësisht të lira që ta zgjerojnë sistemin ose jo. Dhe nuk i takon as Gjykatës dhe as Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të vendosin për BE-në. Ata do të vendosin për veten. Por pas qershorit mund të ndodh. Ne do të presim deri në qershor por jo përgjithmonë.

BBC: Kur është koha e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane?

Kouchner: Me siguri pas Serbisë, ose së bashku. Franca është shumë e qartë dhe presidenti Sarkozy ishte shumë i qartë kur e priti presidentin Tadiq. Ne jemi në favor që të gjitha vendet e Ballkanit t’i bashkohen BE-së. Ne e mbështetëm Serbinë dhe gjithashtu do ta mbështesim Kosovën.

Burimi:BBC

Posted in BotaComments Off on “BE s’do të presë përgjithmonë vendimin e GJND”

Advert

Archives