Tag Archive | "be"

Çfarë pasojash do të kishte për grekët dalja nga eurozona


Ajo që pak javë më parë konsiderohej ende si skenar tmerri, po diskutohet ndërkohë hapur në Gjermani: Të shprehurit në lidhje me daljen e Greqisë nga euroja shkakton në Athinë trazim. Qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreou i mohon me forcë zërat dhe akuzat, se ajo ka hequr dorë prej synimeve të saj të kursimit, ose se ekspertët financiarë të BE-së, FMN-së dhe ECB-së nuk janë më të mirëseardhur në Athinë. Por shumë ekspertë financiarë e akuzojnë qeverinë se ajo është bashkëfajtore për gjendjen e keqe të sotme dhe për grindjen më të re me troikën gjithashtu. Me gjithë dyshimet ndaj përpjekjeve të kursimit të qeverisë Papandreou: lojërat e ideve mbi daljen nga euroja nuk shtrohen seriozisht për diskutim në Greqi. Të gjitha partitë politike e kanë shpallur mbetjen në eurozonë si detyrë kombëtare. Përjashtim përbëjnë komunistët, dikur besnikë të Moskës, të cilët do të donin të zhduknin krejt BE-në, si dhe populistët e djathtë, të udhëhequr prej ish-bodybuilder-it Jorgos Karadzaferis, i cili sjell në lojë një “dhrahmi evropiane” si monedhë paralele me euron.
“Rifutja e dhrahmisë do të ishte vetëvrasje ekonomike.”

Shumica e grekëve duan euron dhe dhrahminë
Shumica e ekspertëve financiarë në Athinë janë të një mendjeje: Rifutja e dhrahmisë do të ishte vetëvrasje ekonomike, aq më tepër që një zhvlerësim i fuqishëm i monedhës nuk do t’i zgjidhte aspak problemet strukturore të ekonomisë greke. Por e vërtetë është gjithashtu: Me një mbetje në eurozonë Greqia do të duhej të vazhdonte një zhvlerësim të brendshëm nëpërmjet uljes së pagave dhe të çmimeve. Fatkeqësisht politikanët e fshehin faktin, që edhe kjo udhë mund të jetë shumë e dhimbshme, ankohet eksperti monetar Kostas Melas: “Daç kështu daç ashtu Greqia duhet të zhvlerësojë me të paktën 40 për qind për të kompensuar humbjen e aftësisë konkurruese”, shpjegon Melas. “Që sot po shkurtohen pagat, të ardhurat dhe pensionet përmes zhvlerësimit të brendshëm dhe ky proces përshtatjeje mund të zgjasë shumë. Në sektorin publik shumë punëmarrësve u është dashur të heqin dorë nga 40 për qind e të ardhurave vjetore. Diçka e ngjashme pritet tani edhe në ekonominë private”, thotë ekonomisti athinas.
Venizelos mohon të ketë pasur ndonjëherë grindje me troikën

Ministri i Financave të Luksemburgut Jean-Claude Juncker me homologun e tij grek Evangelos Venizelos
Zërat për daljen e Greqisë nga euroja u dëgjuan, pasi e ashtuquajtura ‘troikë’ me ekspertë të BE-së, FMN-së dhe ECB-së u grind me ministrin grek të Financave Evangelos Venizelos dhe u largua para kohe nga Athina. Shumë grekë shohin këtu një lidhje: Gjoja Evropa ka përhapur zëra largimi të Greqisë nga euroja për të rritur trysninë mbi qeverinë greke, thuhet në Athinë. Venizelos mohon me forcë të ketë pasur ndonjëherë grindje me troikën, por ai duhet t’ia ngarkojë vetes fajin për grindjen dhe është kësisoj bashkëpërgjegjës për zërat, beson Stelios Katranidis, profesor ekonomie në Universitetin e Selanikut.
Arsyeja për gjendjen shpërthyese është përpjekja e jofatlume e ministrit të financave për të arritur doemos rinegociimin e masave të kursimit (me troikën), thotë Katranidis. Për këtë ai është paralajmëruar vazhdimisht. Negociata të reja mund të zhvillojë vetëm ai, që përmbush parakushte të caktuara, konkretisht besueshmëri, fuqi e madhe negociuese dhe ndjesia për momentin e duhur. Fatkeqësisht me dorë të zgjatur nuk je në gjendje të arrish rinegociim, ankohet Katranidis.
Kryeministri Papandreou u bën apel grekëve

Apeli i Papandreout synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politike
Me aftësi taktike ai po apelon me fjalë të bukura te bashkëatdhetarët e vet, që të nisin luftën kundër rrugës pa krye, të shmangin falimentimin dhe t’ua nxjerrin rrenat në shesh njerëzve brenda dhe jashtë vendit, të cilët bartin rezerva. Apeli i zakonshëm i kryeministrit në situata të tilla krize te krenaria e grekëve nuk synon të ndihmojë vetëm shmangien e më të keqes, po synon të sigurojë edhe mbijetesën e tij politike: „Disa zëra kërkojnë hapur daljen e Greqisë nga euroja; shumë në Evropë, por edhe këtu në vend, venë bast për dështimin tonë, për t’u shërbyer interesave të tyre politike, ose ekonomike, ose urojnë që të ndodhë falimentimi për të pasur një jetë të mirë në vendin e lirë Greqi me paratë, që kanë nxjerrë në kohën e duhur jashtë Greqisë,” paralajmëron Papandreou. “Qytetarët duhet të japin tani, sipas tij, përgjigjen e duhur. Ata duhet të livrojnë dëshminë, se Greqia mund t’ia dalë”, kërkon kryeministri.
Por për momentin qytetarët janë tepër të zënë me luftën e tyre për mbijetesë. Pas shkurtimeve të të ardhurave deri në 30 për qind në 2010-ën çdo familje greke duhet të heqë dorë sivjet edhe nga një pagë muaji. Masa të tjera kursimi deri në fund të 2011-ës nuk përjashtohen.

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Çfarë pasojash do të kishte për grekët dalja nga eurozona

Sarkozy, Merkel dhe Zapatero konsultohen për krizën më të re


Për shkak të krizës më të re në zonën e euros, kancelarja gjermane Angela Merkel do të konsultohet sot me telefon me presidentin francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrin e Spanjës José Luis Rodriguez Zapatero. Këto të dhëna i bëri të ditura kabineti i presidentit Sarkozy në Paris, pa dhënë detaje të tjera. Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso ka deklaruar se për shkak të problemeve financiare në Spanjë dhe Itali ka nevojë për debate të reja lidhur me paketën e shpëtimit të euros. Në një letër dërguar presidentëve dhe kryeministrave të zonës së euros Barroso ka kërkuar në mënyrë indirekte rritjen e fondit të krizave i cili aktualisht kap shumën prej 440 miliardë euro. Qeveria gjermane ka hedhur poshtë këtë propozim.

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Sarkozy, Merkel dhe Zapatero konsultohen për krizën më të re

Parlamenti grek miraton zbatimin e paketës së kursimeve


Parlamenti grek aprovoi zbatimin e paketës së kursimeve, të miratuar një ditë më parë (29.6.). Partia socialdemokrate në pushtet PASOK arriti shumicën e nevojshme për miratimin e ligjit për zbatimin e paketës së kursimeve, e cila do të hapë rrugën për ndihma të tjera financiare nga BE dhe FMN. Ndërkohë në Athinë sërish janë zhvilluar protesta të dhunshme kundër programit të kursimeve të qeverisë greke. 150 vetë u plagosën në përleshjet me policinë në sheshin qendror Syntagma. Gjithashtu disa protestues u vunë zjarrin ndërtesave.

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Parlamenti grek miraton zbatimin e paketës së kursimeve

Samiti i BE-së: Mario Draghi, shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane. Kroacia në BE.


Presidenti i ri i bankës Qendrore Evropiane do të jetë italiani Mario Draghi. Për këtë ranë dakord kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së në samitin e tyre në Bruksel. Në këmbim italiani Lorenzo Bini Smaghi, në fund të vitit do të largohet nga drejtoria e Bankës. Për këtë kishte ngulur këmbë Franca, pasi ndryshe pas largimit të shefit aktual Jean-Claude Trichet, ajo nuk do të ishte më e përfaqësuar në organet drejtuese të institucionit.

Samiti i BE-së vendosi gjithashtu pranimin e Kroacisë si anëtarja e 28 e Unionit. Nëse kroatët votojnë pro anëtarësimit në referendumin popullor, vendi do të jetë anëtar i BE-së nga mesi i vitit 2013. Në kuadër të konferencës, ekspertë të Komisionit të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane ranë dakord me qeverinë greke për detajet e programit të kursimeve, për të cilat duhet të votojë parlamenti grek. Ai parashikon shkurtime në një volum prej 78 miliardë eurosh deri në vitin 2014.  Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një bilanc pozitiv të konsultimeve të Brukselit për Greqinë. Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së nënvizuan se do të bëhet gjithçka për stabilizimin e euros.

“Unë mendoj se do të bëhet gjithçka që vendimi të jetë pozitiv dhe për këtë arsye nuk dua të merrem me spekulime. Unë pres gjithashtu që ministrat e financave në takimin e tyre më 3 korrik të shohin të gjitha aspektet në mënyrë që të zgjidhet edhe çështja e solidaritetit me Greqinë.”

Burimi:DW

Posted in BotaComments Off on Samiti i BE-së: Mario Draghi, shefi i ri i Bankës Qendrore Evropiane. Kroacia në BE.

BE: Kroacia përfundon me sukses negociatat


Bashkimi Evropian thotë se Kroacia i përfundoi me sukses negociatat për t’u bërë vendi i 28 anëtar i BE. Presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviç u takua këtë javë me zyrtarët e Bashkimit Evropian në Bruksel për të përfunduar marrëveshjen. Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Shtefan Fyle tha sot se BE-ja është e përgatitur për të mirëpritur Kroacinë në radhët e tij pas përfundimit të susksesshëm të bisedimeve mbi reforimin e sistemit të drejtësisë.

“Unë jam i kënaqur të njoftoj sot se Komisioni ka përfunduar negociatat me Kroacinë. Kjo do të thotë që sa i takon Komisionit, puna ka përfunduar. Tani u takon vendeve anëtare të bëjnë vlerësimin përfundimtar dhe të vendosin në se negociatat do të përfundojnë zyrtarisht dhe të nënshkruhet marrëveshja e anëtarësimit. Ne kemi besim se kjo do të ndodhë pasi negociatat kanë qënë të thella dhe përmbajtësore”.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barozo tha sot se ai pret që Kroacia të anëtarësohet në mes të vitit 2013.

Burimi: Zëri i Amerikës

Posted in BotaComments Off on BE: Kroacia përfundon me sukses negociatat

Moody’s ul aftësinë e pagesës së shtetit grek me tri shkallë


Agjencia për vlerësimin e bonitetit “Moody’s” e ka ulur me tri shkallë aftësinë e pagesës së shtetit grek.  “Moody’s” e shpjegoi këtë hap me shtimin e rrezikut që Greqia të mos sigurojë kredi të reja financiare për stabilizimin e vendit. Në vlerësimet e fundit Greqia bie në një nivel jashtëzakonisht të ulët spekulativ dhe do ta ketë edhe më vështirë të gjejë kreditorë. Agjencia “Moody’s” është pesimiste edhe sa i përket së ardhmes së afërt të Greqisë, ku rrezikohet që boniteti të bjerë edhe më shumë. Ndërkohë Greqia ka komunikuar, se ulja e vlerësimit mbi aftësitë e saj të pagesës nuk do ta stepë qeverinë në Athinë në përpjekjet për përshpejtimin e reformave dhe daljen nga kriza. Ekspertët e BE-së janë duke vlerësuar aktualisht në Athinë nëse Greqia po përparon në procesin e uljes së borxhit prej rreth 350 miliardë eurosh. Nga këto vlerësime varet nëse do të paguhet kësti i pestë i kredive të emergjencës në vlerën prej 12 miliardë eurosh.

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Moody’s ul aftësinë e pagesës së shtetit grek me tri shkallë

Në pikëpyetje kreditimi i mëtejshëm i Greqisë – Dështon përpjekja për konsensus ndërpartiak


Greqia rrezikohet të mos marrë muajin e ardhshëm transhin e pestë prej 12 miliardë eurosh të kredisë së troikës. Kryeministri Papandreu nuk mundi të sigurojë konsensusin e nevojshëm politik ndërpartiak, kërkuar si kusht nga trojka për livrimin e parave por edhe akordimin e një kredie të re prej 60 miliardë eurosh për evitimin e falimentimit të vendit dhe vazhdimin e reformave. Mbledhja 3-orëshe e krerëve partiakë, nën kryesinë e presidentit të republikës Karolos Papulias, përfundoi pa rezultat. “Do të vazhdojmë përpjekjen e konsensusit kombëtar për të mirën e vendit me një synim: të shpëtojmë atdheun por dhe ta ndryshojmë rrënjësisht”, deklaroi mbrëmë Papandreu, i cili u shpreh i gatshëm edhe për qeveri koalicioni por përjashtoi zgjedhjet e parakohshme. Opozita e djathtë vë si kusht “rishikimin e memorandumit”. Komisioneri evropian Oli Ren shprehu keqardhjen e Komisionit Evropian dhe “kërkoi të arrihet së shpejti marrëveshja, se koha po mbaron”. Ndërkohë vazhduan mbrëmë me pjesëmarrje akoma më të madhe, pavarësisht motit të keq, për të tretën ditë me radhë protestat paqësore antiqeveritare të “qytetarëve të revoltuar” në Athinë dhe Selanik.

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Në pikëpyetje kreditimi i mëtejshëm i Greqisë – Dështon përpjekja për konsensus ndërpartiak

Ashton dhe Fyle: Shqipëria të kërkojë këshillim nga jashtë për vendimet e KQZ-së


Dy drejtues të lartë të Bashkimit Europian, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme, Katherin Ashton, dhe komisioneri për zgjerimin, Shtefan Fyle, u bënë thirrje partive shqiptare ta zgjidhin me dialog çështjen e votave të hedhura gabimisht. Ata propozuan që Shqipëria mund të kërkojë këshillim të pavarur nga jashtë për vendimet e debatuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesja e lartë, Ashton, dhe komisioneri Fyle, u kërkuan forcave politike shqiptare të nisin dialogun për të diskutuar çështjen e votave të hedhura gabim.

Zyrtarët e lartë të BE-së publikuan në mbrëmje një deklaratë të përbashkët ku theksuan se presin që “procedurat e apelimit të jenë të ndershme, transparente dhe të mbahen në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues”. Zonja Ashton dhe komisioneri Fyle deklaruan se “logjika ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota ‘të hedhura gabimisht’, është një çështje që përbën shqetësim”. Ata pohuan se “procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende. Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR”.

Zyrtarët e lartë të BE-së theksojnë në deklaratën e tyre se “zgjidhje konsensuale dhe të qëndrueshme mund të gjenden për ato çështje të cilat nuk janë mbuluar në mënyrë eksplicite nga ligji dhe që kërkojnë interpretim. Për këtë qëllim, partitë duhet të nisin menjëherë dialogun në mënyrë që të bien dakort se si ta trajtojnë çështjen e votave “të hedhura gabimisht”. Një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë i pavarur për vendimet e debatuara të KQZ-së”. Zonja Ashton dhe zoti Fyle theksuan se “interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit evropian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave evropiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”.

Deklarata e përbashkët e politikanëve të lartë europianë u publikua ndërkohë që Partia Socialiste bëri të ditur se nuk do të njohë rezultatet e shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku Lulzim Basha njihet si fitues zyrtarisht. Ndonëse kandidati Basha u shpreh se do të priste me durim edhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi vendimet e nxjerra nga KQZ, kandidati tjetër Edi Rama i tha shtypit se nuk do të njohë asnjë rezultat që nuk pasqyron fitoren e tij me 10 vota, të publikuar në rezultatet paraprake. Zoti Rama tha se PS do të vazhdojë tubimet e protestës dhe se KQZ shkeli ligjin me numërimin e votave të hedhura gabimisht në kuti me ngjyra të tjera.

KQZ shpalli fitues me 81 vota kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, pasi numëroi disa qindra vota hedhura gabimisht në kuti me ngjyra të tjera. Ndërsa socialistët i kërkuan Kolegjit Zgjedhor të shpallë si të paligjshme këtë procedurë të paparashikuar dhe të njihte fitoren e kandidatit Edi Rama. Në pritje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, debatet vazhdojnë po aq të ashpra sa edhe shifrat e ngushta të kësaj gare që nga fillimi u vlerësua prej socialistët si zgjedhje politike, ndonëse për demokratët ishin zgjedhjet vendore të radhës.

Burimi: Zëri i Amerikës
Ilirian Agolli | Tiranë  E martë, 24 Maj 2011

Posted in Bota, ShqiperiaComments Off on Ashton dhe Fyle: Shqipëria të kërkojë këshillim nga jashtë për vendimet e KQZ-së

Parlamenti Evropian: Votimi i rregullt dhe i qetë


Në një deklaratë të delegacionit të Parlamentit Evropian, të publikuar për mediat nga delegacion i BE-së në Tiranë, procesi i votimit më 8 maj vlerësohet “në përgjithësi i rregullt dhe i administruar në mënyrë paqësore”. Por delegacioni i PE-së konstaton në deklaratën e tij, mangësi të tilla si votimet familjare, vonesat në hapjen e qendrave të votimit, konfuzionin në kohën e mbylljes së një sërë qendrash votimi dhe vonesa në procedurat e numërimit.  Delegacioni i deputetëve të Parlamentit Evropian mendon që ndonëse votimi u krye në mënyrë të rregullt dhe të qetë, një sërë përmirësimesh do të rrisnin integritetin e procesit zgjedhor. Ai u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në procesin zgjedhor, të veprojnë me përgjegjësi dhe të mundësojnë pas zgjedhjeve rifillimin e reformave demokratike. Delegacion i deputetëve të PE-së zhvilloi takime me aktorët e përfshirë në procesin zgjedhor, kreun e Delegacionit të BE në Tiranë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias. Nga këto takime delegacioni krijoi përshtypjen se skena politike në Shqipëri mbetet tejet e polarizuar, thekson deklarata.

Burimi: DW

Posted in ShqiperiaComments Off on Parlamenti Evropian: Votimi i rregullt dhe i qetë

Vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd


Në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës sot mund të preken tema që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

Sipas drejtuesit të ekipit serb Borislav Stefanovic çështja e lirisë së lëvizjes është shumë e vështirë dhe e komplikuar, sepse përfshin edhe çështjet e targave, të kartave të identitetit, pasaportave dhe të patentave të makinave.

Ai shtoi se në takimin vijues do të flitet për të gjitha temat, që janë diskutuar në dy raundet e mëparshme të bisedimeve dhe shprehur shpresën se disa çështje do të përfundojnë, tha Stefanoviç.

Bisedimet e ekipeve të Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequr nga Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Serbisë Stefanovic dhe zevëndëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri zhvillohen nën patronazhin e BE.

Deri tani janë mbajtur dy raunde bisedimesh me 8 mars dhe në fund të muajti me 28 mars.

Deri tani është biseduar për kadastrat, telekomunikacionin, presidencën e CEFTA-s, për vulat doganore, energjinë elektrike dhe regjistrat.

 

Burimi: DW

Posted in BotaComments Off on Vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd

Advert

Archives