Recently in Lajme nga Shqiperia Category

Logoreci - Romela Begaj Nenkampione Evrope

 Peshengritesja shqiptare Romela Begaj u shpall Kampione e Evropes per stilin e shkeputjes, ku arriti te ngreje 101 kilograme.  Ajo mori Titullin Nenkampione Evrope ne dy garesh, ne
romelabegaj.jpg
Europianin qe po zhvillohet ne Itali. Ajo nuk arriti te marre titullin Kampione e Kontinentit ne dy garesh vetem per 29 grame peshe trupore me te madhe.

 

Gati kënga shqiptare për Eurovizion

olta_boka.jpg

Më 20 maj nis në Beograd Festivali Evropian i 53-ti ku marrin pjesë 43 vende. Shqipëria do te konkuroje me këngën fituese në Festivalin e Këngës në Radio Televizionr "Zemrën e lamë peng", e kënduar nga Olta Boka, me muzikë të Adrian Hilës dhe poezi të Pandi Laços. Kënga shqiptare do te paraqitet natën e dytë, më 22 maj, e gjashta. Është përfaqësimi ynë i pestë në Eurosong, por për here të parë kënga nuk do të këndohet në anglisht për shkak se e perkthyer nuk shkonte me muziken, kështu është ruajtur varianti ne shqip. Keshtu çdo gje është gati,o rkestracioni i bërë në Itali dhe videoklipi po ashtu edhe instrumentistet, por eshte pasiguria se si do te pritet kenga ne Serbi dhe nese do te votohet. Por e rëndësishme ështe që te paraqitemi denjësisht.

VOA - Shqipëri: Shpërthimi në Gërdec po provokon polemika të shumta

nga Armand Mero

 

Në Shqipëri shpërthimi i së shtunës në fshatin Gërdec të Vorës, pak kilometra larg Tiranës, i cili shkatoi të paktën 16 viktima dhe 5 të tjerë që konsiderohen ende të humbur, po provokon tashmë polemika të shumta që pritet të ndezin edhe më tej atmosferën politike. Në dritë po dalin fakte të ndryshme që nga angazhimi në depon e armëve të fëmijëve, punësimin në të zezë të të gjithë punëtorëve apo dhe dyshimet gjithnjë e më të mëdha lidhur me marrëdhëniet kontraktore me shoqërinë amerikane dhe shqiptare që u angazhuan në këtë proces.

Ndërsa në terren vazhdon të kërkohet për të gjetur edhe personat e tjerë që mendohet të jenë ende nën rrënojat e asaj që tashmë cilësohet si "fabrika e vdekjes", kërkimet e tjera mbi këtë ngjarje po nxjerrin dita ditës në dritë fakte gjithnjë e më shqetësuese.

Pamjet e transmetuara mbrëmë nga televizioni Top Chanel të fëmijëve të angazhuar në punë gjatë procesit të çmontimit të municioneve ishin akoma më tronditëse. Për ditë me radhë autoritetet e mohuan një fakt të tillë duke këmbëngulur se në atë depo municionesh punonin njerëz të kualifikuar, përkundër edhe dëshmive gojore të të mbijetuarve.

Pamjet e mbrëmshme dëshmuan edhe një fakt tjetër: se vetëm për elementë sigurie në atë depo nuk mund të bëhej fjalë. Të gjtha punimet kryheshin në qiell të hapur, nga banorë të zonës aty pranë që punonin me normë dhe që për të siguruar sa më shumë të ardhura, merrnin me vete edhe fëmijët e tyre. Dhe e gjitha kjo në të zezë. Në zyrën e sigurimeve shoqërore figuron vetëm një i siguruar. Askush tjetër.

Nga qëndra e regjistrimit të bizneseve zbulohet se presidenti i firmës amerikane që ishte kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes ishte njëkohësisht edhe ortak i kompanisë shqiptare që kryente në të vërtetë punimet. Shoqëria ishte ngritur në janar të vitit 2006, 6 muaj para se të firmosej kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes. Por fakti më i çuditshëm është se selia e saj ishte pikërisht në fshatin Gërdec ku do të vendosej të bëhej edhe shkatërrimi i armëve. Hetimet e prokurorisë rrezikojnë kështu të zhvillohen në shumë fronte.

Për momentin tre drejtues të përfshirë janë ndaluar dhe sot hetuesit do t'i kërkojnë gjykatës masën e arrestit. Bëhet fjalë për drejtorin e ndërmarrjes shetërore të import-exportit të armëve, administratorin e firmës shqiptare AlbDemil, Mihal Delijorgji, i arrestuar kater vite më parë për kontrabandë dhe evazion fiskal, si dhe drejtorin teknik.

Akuza e parë është ajo e mosrespektimit të rregullave të trajtimit të materialeve plasëse, por mendohet se akuza të tjera mund t'u shtohen sikundër pritet që të zgjerohet edhe lista e personave të përfshirë në këtë tragjedi. Gjurmët e saj do të duan kohë të fshihen. Ende 5 trupa nuk janë gjetur.

Një zonë të paktën në një rreze prej tre kilometrash nga epiqendra e shpërthimit është e ndotur nga predhat. Është një operacion që do të kërkojë kohë pasi objektivi kryesor është të mos lëndohen persona të tjerë, shpjegon një ekspert italian i ardhur në ndihmë të forcave shqiptare. Fillimisht po pastrohen zonat afër shtëpive në mënyrë që të bëhet i mundur rikthimi popullatës. Të paktën në ato banesa që janë ende në këmbë.

Nga llogaritjet e para vlerësohet se qeveria do të duhet të shpenzojë afër 70 milion dollarë për rindërtimin e gjithshkaje. Dëme të shumta kanë pësuar edhe bizneset afër zonës së shpërthimit, duke përcjellë pasojat në kompanitë e sigurimeve që do të detyrohen të paguajnë disa miliona euro.


BBC - Bakojanis shkon në Shqipëri

nga Athina Robert Goro
 

dora_bakoyannis.jpg

Ministrja e jashtme e Greqisë Dora Bakojanis ka deklaruar se vendi i saj nuk do ta njohë tani pavarësinë e Kosovës, por do të vëzhgojë rrjedhën e ngjarjeve atje.

Deklarata e ministres është bërë vetëm dy ditë para se ajo të do të zhvillojë nesër një vizitë pune në Tiranë, dhe ky do të jetë qëndrimi i parë i një shefi të diplomacisë greke, pas më shumë se pesë vjetësh.

Vizita në Tiranë vjen pasi Greqia ishte një nga vendet e rajonit që tregoi solidaritet me tragjedinë që po kalon këto ditë Shqipëria për shkak të shpërthimit në Gërdec, pranë kryeqytetit Tiranë, ditën e shtunë.

Prandaj dhe programi i ngjeshur i ministres së jashtme greke, Dora Bakojanis, parashikon edhe një vizitë tek pacientët e plagosur, në një nga spitalet e Tiranës.

Zonja Bakojanis do të takohet me gjithë udhëheqjen e lartë të shtetit shqiptar, ndërsa kryetari i partisë socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i bashkisë së kryeqytetit, do t'i dhurojë mysafires greke çelësin e qytetit, në shkëmbim të dhuratës së njëjtë që i kishte bërë në nëntor 2004 zotit Rama, zonja Bakojanis, në atë kohë kryetare e bashkisë së Athinës.

Sipas njoftimit të ministrisë së jashtme greke, në takimin me homologun e saj Lulzim Basha, zonja Bakojanis do të diskutojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe në planin politik dhe ekonomik.

Situata në rajon me theks në zhvillimet në Kosovë dhe mosmarrëveshjen greko-maqedonase për çështjen e emrit, si dhe perspektiva euroatlantike e Shqipërisë në prag të samitit të NATO- s, do të jenë disa nga pikat e tjera të rëndësishme të axhendës së takimit.

Zonja Bakojanis do të shkojë në Tiranë vetëm disa orë pas takimit që do të ketë zhvilluar në Athinë në mesditë, me homologun e saj serb, Vuk Jeremiç ku merret me mend se çështja e Kosovës do të jetë dominante.

Ndonëse axhenda e këtij takimi nuk është publikuar, vlerësohet se kryediplomati serb, ndër të tjera, do të synojë marrjen e premtimit se Athina nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Por ka pak gjasa që ky premtim t'i jepet.

Ministrja Bakojanis, në një intervistë për një gazetë gjermane, pyetjes nëse Greqia do ta njohë Kosovën, i është përgjigjur:
"Jo tani. Duhet të shohim si do të rrjedhin ngjarjet. Për ne është e rëndësishme që situata të mbetet e qëndrueshme, të ketë respekt për të drejtat e minoriteteve. Do të jemi veçanërisht të kujdesshëm para se të marrin çfarëdo vendimi".

Përgjigja e ministres së jashtme greke ishte në të njëjtën linjë me kryeministrin Kostas Karamanlis, i cili në fundjavë, kishte deklaruar se "në çështjen e njohjes së pavarësisë, Greqia nuk ka asnjë arsye të nxitojë në marrjen e vendimeve të veta".

Reuters - Pas Japonise dhe Kanadase edhe tri shtete pritet ta njohin sot Kosovën

Pas Japonise e Kanadase qe eshte vendi I 31-te edhe Bullgaria, Hungaria dhe Kroacia pritet ta njohin sot shtetin e Kosovës, duke u bërë kështu vendet e para fqinje të Serbisë që e njohin Kosovën. Në deklaratat që pritet të bëhet publike më vonë gjatë ditës, të tria vendet do të nënvizojnë rëndësinë e mbrojtjes së pakicës serbe në Kosovë.

VOA - Southern Ammunition mohon se ka gisht në çështjen Gërdec

 

Përfaqësuesit e firmës amerikane "Southern Ammunition Company", thanë sot se ata nuk kanë qenë të përfshirë në operacionin e fundit në fshatin Gërdec për çmontimin e municioneve.

Të kontaktuar nga Zëri i Amerikës, përfaqësues të kësaj kompanie me qendër në Karolinën e Jugut, shpjeguan se kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë ishte lidhur në prill të vitit 2007, për të çmontuar municione të kalibrit të vogël dhe kishte përfunduar në dhjetor të 2007. 

Kontrata, sipas tyre, përfshinte vetëm dhënien e pajisjeve dhe jo transport, ose personel, dhe vetëm për çaktivizimin e municionit të kalibrit të vogël.

Zyrtarët e firmës thonë se aktiviteti i tyre është zhvilluar në fshatin Gërdec, aty ku ndodhi shpërthimi i së shtunës.

Sipas zyrtarëve të kësaj firme, një operacion i dytë, që filloi në janar të vitit 2008, për çmontimin e municioneve me kalibër të madh, nuk përfshinte kompaninë Southern Ammunition.

Ndërkohë sipas burimeve nga Shqipëri ekziston një kontratë  e dytë me kompaninë Southern Ammunition të nënshkruar nga pronari i saj Patrick Henry në dhjetor të vitit 2007, që përfshin edhe çmontimin e municionit me kalibër të madh.

E kontaktuar sërish me këtë informacion, përfaqësuesi i firmës Southern Ammunition, pohon se në të njejtën ditë kjo firmë ia ka kaluar kontratën firmës shqiptare Alb Demil. Përfaqësuesi nuk pranoi të bënte komente të mëtejshme.

BBC - Shpallet Ditë Zie-rritet numri i viktimave

 

Kryeministri shqiptar Sali Berisha e shpalli 18 marsin ditë zie kombëtare, ndërsa arriti në 17 numri i të vdekurve nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, pranë Tiranës.

Trupi i viktimës së fundit është gjetur të martën në mëngjes, por ende i paidentifikuar për shkak se trupi i tij është gati i karbonizuar.

Ndërkaq, nëntë persona konsiderohen të zhdukur, megjithëse sipas qeverisë pesë persona janë të zhdukur.

Njoftohet se janë arrestuar tre persona që po konsiderohen si përgjegjes të drejtpërdrejtë.

Në mesin e tyre është edhe presidenti i firmës që merrej me çmonitimin e predhave.

Banorët e zonës së Vorës e Gërdecit e kthyen në protestë të hënën funeralin e një prej viktimave të tragjedisë.

Të veshur në të zeza ata i vunë flakën një gome makine në rrugë dhe bllokuan autostradën Tiranë- Durrës.

Ata kërkuan që qeveria të normalizojë urgjentisht situatën në Gërdec, të largojë nga zona disa cisterna gazi dhe të verifikojë pa humbur kohë dëmet e shkaktuara.

Një protestë tjetër pritet të mbahet sot.

Kryeministri Sali Berisha i quajti si të drejta kërkesat e tyre dhe tha se qeveria u ofron të dëmtuarve dëmshpërblim të plotë dhe rindërtimin e fshatit atje ku është, apo ndërtimin e një fshati larg Gërdecit, nga e para.

Të hënën, kryeministri Sali Berisha pranoi dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mehdiu, por opozita e quajti skemë të Berishës dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes.

Presidenti i Republikës Bamir Topi tha se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare që të shqyrtojë Gërdecin dhe do të heqë rrezikun e municioneve për banorët në Shqipëri.

VOA - Ndalohen disa persona lidhur me shpërthimin në Gërdec

 

Në Shqiperi, Prokuroria ndaloi të hënën pasdite administratorin e firmës shqiptare, e cila kryente operacionet e ç'aktivizimit te çarmatimit të eksplozivëve në Gërdec, Mihal Delijorgji; po ashtu është ndaluar edhe drejtori i ndërmarrjes shtetërore "Meiko", Ylli Pinari, i cili kishte nënshkruar për llogari të Ministrisë se Mbrojtjes kontratat me kompaninë amerikane. Ndërmarrja "Meiko" kryen import-eksportin e armeve për llogari të shtetit shqiptar. Bashkë me ata jane ndaluar edhe dy persona të tjerë.  

VOA - Shqipëri: Jep dorëheqjen Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu

 

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen të hënën nga ky post, duke deklaruar se do të japë cdo mbështetje për hetimin e aksidentit në fshatin Gërdec pranë Tiranës, ku nga shpërthimi i materialeve ushtarake humbën jetën të paktën 14 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Në një deklaratë për shtypin në mesditë, ai tha se ligjet në ministri janë zbatuar me përpikmëri, megjithatë do të mbështesë hetimet për zbardhjen e aksidentit. "Dorëheqja ime është një reflektim politik dhe moral i përgjegjshëm, edhe pse është marrë në kushtet e një mungese të plotë përgjegjësie ligjore dhe institucionale si ministër" - tha zoti Mediu.

"Me këtë ndjenjë përgjegjësie dhe në respekt të detyrimeve të mia institucionale dhe morale, deklaroj se do të mbështes fort hetimet e filluara nga organet kompetente për zbardhjen e aksidentit tragjik".

Zoti Mediu theksoi se veprimtaria e ministrisë së mbrojtjes ka qenë dhe është transparente edhe ndaj NATO-s, për shkak të bashkëpunimit për antarësimin e Shqipërisë. Ai tha se deklarata për bashkëpunim me drejtësinë nënkuptonte edhe gadishmërinë për të lëshuar imunitetin parlamentar, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e prapsimit të kësaj dorëheqje nga kryeministri Sali Berisha.

Nga ana tjetër, opozita socialiste kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha si përgjegjës për aksidentin e repartit ushtarak. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pohuan se dorëheqja e zotit Berisha duhet të ishte e menjëhershme, se qeveria ka përgjegjësi të dukshme për aksidentin, dhe në këtë mënyrë i hapet rruga prokurorisë që të zbatojë ligjin dhe të ndricojë ngjarjen.

BBC - Kryeministri Berisha për shpërthimin

Citime nga konferenca për shtyp e kryeministrit Sali Berisha të shtunën në mbrëmje:

"Në fshatin Gërdec të bashkisë Vorë, prej më shumë se një viti, një kompani e profilizuar në çmontimin e municioneve, ka ngritur një fabrikë për çmontimin e predhave të artilerisë, të kalibrave nga 60 deri në 152.

Sot, më 15 mars, rreth orës 12:00, në këtë fabrikë ka ndodhur një shpërthim i fortë, tronditës. Në drejtim të fabrikës është nisur menjëherë njësia e policisë së Vorës, me në krye komisarin e kësaj policie. "

Operacioni i shpëtimit

"Është ndërmarrë një operacion i fuqishëm i evakuimit të banorëve në Gërdec, Marqinet, Lutaj, Marikaj. Në këtë mënyrë, janë evakuuar rreth 4000 banorë, ndër të cilët 243, së bashku me një pjesë të punonjësve të fabrikës, kanë pasur plagë të shkallëve të ndryshme."

"Disa prej tyre kanë qenë banorë fshatrash, të tjerë punonjës të fabrikës dhe disa të tjerë kanë qenë pasagjerë të automjeteve që udhëtonin në autostradë, ndër të cilët autobusë të linjës Tiranë-Durrës, autovetura."

"Vala goditëse ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme. Shtabi i emergjencës, forcat më të përzgjedhura të ushtrisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të gjitha përpjekjet që t'i afrohen zonës në afërsinë më të madhe dhe faktikisht kanë arritur të penetrojnë gjer në 10 metra nga qëndra e kraterit."

"Në këtë operacion, të realizuar kryesisht me autoblinda, janë evakuuar një numër i madh fshatarësh të Gërdecit dhe punonjës të fabrikës që ishin larguar në intervalin midis shpërthimit të parë dhe shpërthimit të dytë. Janë tërhequr nga brenda zonës së zjarrit dhe të shpërthimeve dhe katër kufoma të punonjësve të kësaj fabrike që mbetën viktima të shpërthimit."

"Ministria e Shëndetësisë ka organizuar me shpejtësi dhe ka mobilizuar të gjithë potencialin e urgjencave të Tiranës, Spitalit Ushtarak, Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", spitalit të Durrësit, sikundër kanë ardhur në vendin e ngjarjes të gjitha zjarrfikëset e Qarkut të Tiranës dhe qarqeve të tjera, autoambulancat dhe mjetet e tjera të transportit, shtuar këtu edhe 10 helikopterë, kryesisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Bilanci deri tani është një bilanc i hidhur."

Zonë fatkeqësie

"Kam vendosur që me vendim të Këshillit të Ministrave ta shpallim zonën, "Zonë të fatkeqësisë", të ngremë një komision ndërministror, të kryesuar nga kryeministri, për të ndjekur çdo minutë ngjarjen, për të bërë të gjitha vlerësimet, për të marrë të gjitha masat së pari, për mjekimin e të plagosurve dhe për të bërë çdo gjë për shpëtimin e jetës së tyre dhe së dyti, për të riparuar në një kohë sa më të shkurtër dëmet e mëdha dhe serioze të krijuara në zonën e fatkeqësisë nga eksplozioni jashtëzakonisht i fuqishëm, vala goditëse e të cilit tejkaloi dhe Tiranën dhe është dëgjuar pothuajse në të gjithë vendin si një ushtimë."

Kompania dhe masat për çmontimin e armatimeve

"Lidhur me kompaninë , kjo është "Southern Ammunition Company", me bazë në Karolinën e Jugut, e liçencuar për zbërthim të municioneve , pra është një kompani e këtij profili, e çertifikuar sipas rregullave të çertifikimit të tyre dhe nuk ka patur asnjë të huaj në këtë fabrikë."

"Një nga problemet më madhore të këtij vendi është municioni. Nuk është sekret që ne disponojmë mbi 100 mijë ton municione. Këtu bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes, katër muaj më parë, një kompani konsulence jashtëzakonisht kompetente, e cila na ka asistuar në të gjithë reformën e forcave të armatosura, i kemi kërkuar të na bëjë master-planin e dislokimit të ushtrisë shqiptare, e cila kaloi nga një ushtri me 360 mijë anëtarë të saj, dikur para 15 vitesh, në një ushtri prej 14 mijë ushtarë dhe oficerë tërësisht profesioniste."

"Kjo kompani si problemin më shqetësues ngre problemin e municioneve, i cili është i shtrirë në dhjetëra depo në të gjithë vendin. Një nga rekomandimet është zbërthimi i tyre, rekomandim tjetër është eksplodimi i tyre, apo dhe djegia e tyre. Ne do të marrim vendimet. Në se demolomi i tyre është një praktikë e zakonshme, me këto që ndodhën sot ne do të përpiqemi të gjejmë metodë tjetër, por nuk është thjeshtë, sepse po kaq i rrezikshëm, është transporti i tyre, janë municione 40 apo 50 vjecare, të cilat absolutisht, në asnjë rrethanë nuk të garantojnë një transport të sigurt."

"Ne morëm dokumentin, do ta shqyrtonim, duke përcaktuar dhe rrugën më pak të rrezikshme, sepse të parrezikshme nuk ka po të kemi parasysh këtë sasi prej 100 mijë tonësh, të cilat po u transportuan duhet të transportohen me kamion. Është jashtëzakonisht e vështirë , për të mos thënë e pamundur për të lëvizur në zona të pabanuara, sepse mund të kalojnë në zona të banuara. Pra përbën një problem të cilin ne do ta konsultojmë edhe me miqtë tanë dhe aleatët, për ti dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme."

"Çdo kompani e huaj, pa asnjë përjashtim, përgjithësisht punon me kompani vendase, pasi u japin të gjithë kualifikimin e nevojshëm. Ata kanë çmontuar rreth 6 mijë apo 8 mijë ton municion. Nuk mund të them se kemi të bëjmë me gabim njerëzor, sigurisht që nuk mund ta përjashtoj një gabim të tillë, gjithashtu, nuk përjashtoj një aksident në momentin e çmontimit në heqjen e djegores, apo ndonjë gjë tjetër, si dhe nuk përjashtohet mundësia që djegoret e predhave të vjetra të vetëeksplodojnë, sipas vlerësimit që kanë bërë ekspertët e shqiptarë dhe të huaj, jo për këtë rast, por në përgjithësi për municionin shqiptar."

Zonat me municione

"Nuk ka asgjë sekrete për këto zona. Harta e tyre fillon nga Mjeda dhe përfundon në Skrapar ose Gjirokastër. Ka disa programe për këtë. Ka një program në kuadrin e NATO-s që ecën në djegie me zbërthim."

"Ka një program tjetër, i cili u mbyll me ndihmën e qeverisë amerikane, në të cilin janë investuar jo më pak se 1 milion dollarë për procesin e shkatërrimit të municionit. Ka qenë ky program, mbi baza kompanie private për demolim që e përdorin dhe vende të tjera. Ne na janë sugjeruar disa praktika, njëra prej të cilave është demolimi, tjera është eksplodimi i tyre, futja a tyre në ndonjë tunel dhe eksplodimi, djegia në një vend të mbrojtur."

Anëtarësimi NATO

"Një gjë është e sigurt që Shqipëria duhet të çlirohet prej tyre. Rekomandimi ka qenë që të çlirohet brenda viti 2010 sepse sasia është kolosale. Do të bëjmë çdo përpjekje, sigurisht që kërkohet një shumë jo e vogël. Me 30 milion është demoluar një sasi që nuk është as një e dhjeta. Natyrisht ne me miqtë tanë do të studiojmë se cilën rrugë të ndjekim, duke zgjedhur atë më pak të rrezikshme dhe më të shpejtë, të çlirimit të vendit nga këto stoqe të rrezikshme."

"Jam dakord që kjo ngjarje dëshmon për një pasiguri në municionet e vjetruara dhe dëshmon gjithashtu që Shqipëria ka një problem me municionet, por më duhet të them se ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në vendet anëtare të NATO-s, kështu që ky është një aksident i rëndë, në një proces të një kompanie të demolimit dhe në një proces që përdoret rëndom për të shkarkuar municionet."

"Një gjë është e sigurt që eksplozioni ka ndodhur në fabrikë dhe jo jashtë saj. Nuk besoj se kjo do të n dikojë ( në anëtarësimin në NATO), pasi aksidente të tilla u kanë ndodhur dhe vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve shumë më të modernizuar me sisteme kontrolli shumë herë më të fuqishme se sa Shqipëria. Ky aksident i rëndë shumë për mendimin tim bën që Shqipëria të kërkojë një rrugë alternative dhe jo zbërthimin për likuidimin e sasive kolosale të municioneve që disponon."

"Kjo ngjarje ashtu si çdo ngjarje tjetër do t'i nënshtrohet një hetimi të plotë dhe unë mendoj se i duhet lënë hetimit për të përcaktuar të gjitha përgjegjësitë."

About this Archive

This page is a archive of recent entries in the Lajme nga Shqiperia category.

Lajme nga Bota is the previous category.

Politikë is the next category.

Find recent content on the main index or look in the archives to find all content.

Lajme nga Shqiperia: Monthly Archives

Powered by Movable Type 4.1b1a-en