Archive | Shqiperia

Gazetaria shqiptare humbi Marash Hajatin

Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare gazetari i njohur Marash Hajati. Marashi lindi në vitin 1934 në qytetin e Shkodrës. Shkollën e mesme e kreu më 1952-shin në qytetin e lindjes. Nga viti 1952 e deri në vitin 1957, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Petërburgut, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gazetari. Punoi si redaktor në gazetën “Puna” e më pas, sekretar kolegjiumi i saj dhe instruktor për shtypin. Nga viti 1974 deri në vitin 1988 ka qenë Drejtor i Televizionit e që nga fillimet e viteve ’80 Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit. Në vitet 1988-’90, Kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Për afro 14 vjet ka qenë Kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. Përveç artikujve të shumtë në organet e shtypit, si dhe në Radiotelevizion, ai ka shkruar edhe dokumentarët, “Tërmeti tundi malet, por jo zemrat tona”, “Fitimtarë mbi tërmetin” (nderuar me Çmim Republike), “Bijtë e tokës sime” (krijime publicistike, 1982), “Dera e prapme e shtypit” (ngjarje e kujtime nga puna në shtyp e media, 1998), “Shqipëria në kapërcimin e shekullit” (analiza e komente, 1999), “Çanta me kontratë” (Poezi), “Tish Daija, i veçanti” (monografi, 2005), “Vite befasish” (kujtime), “Histori dhe Vizion Stefani & Co” (monografi), “Dritëro, kohës i falemi për këtë ditar” (kujtime, 2012).

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off

Shuhet, skenografi e piktori i njohur Hysen Devolli

Është ndarë nga jeta “Piktori i merituar”, themeluesi i skenografisë shqiptare, Hysen Devolli. Ai lindi në Tiranë, më 11 gusht 1924, studioi në Bukuresht, në Akademinë e Arteve të Bukura “Nikolae Grigoresku” të Rumanisë, ku u diplomohet për Pikturë. Në vitin 1952, emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe, më pas, drejton sektorin e skenografisë së Teatrit Popullor dhe të Teatrit të Operës e Baletit. Gjatë veprimtarisë së tij krijuese, ka realizuar me profesionalizëm të lartë rreth 300 punime në skenografi, ku përfshihen vepra të tilla si “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “Mbreti Lir”, “Borana” “Traviata”, “Berberi Seviljes”, “Bernarda Alba” etj. Një krijimtari të pasur realizoi Hysen Devolli edhe në pikture, shumë nga keto vepra jane në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ai ka dhene ndihmesen e tij artistike edhe ne filateline shqiptare, veçanërisht me portrete figurash të shquara, si dhe seti me kartëmonedhat shqiptare, të emetuara në vitin 1964. Për veprimtarinë e tij të gjatë 60-vjeçare, Hysen Devollit i janë akorduar një sërë titujsh, dekoratash e medaljesh, ai është përfshirë në Enciklopedinë botërore të skenografisë, që u botua vitin e kaluar në SHBA.

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off

SOROS sondazh parazgjedhor ne Shqiperi

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë prezantoi Sondazhin Social Evropian, i kryer për herë të parë në Shqipëri per gjendjen parazgjedhore..

Rezultatet e ketij sondazhi me karakter politik jane:
47.8%  nuk jane me asnje parti
22.7 %  ndihen me afër me PD,
19,6 %  ndihen me afër me PS,
1.4 %  ndihen me afër me FRD,
1.2 %  ndihen me afër me AK,
1%  ndihen me afër me LSI
1%  ndihen me afër me PDIU.
1.4%  te tjere
4 %  refuzon te pergjigjet
Levizjet e elektoratit

PS ne 63.3%, ruan një elektorat të pandryshuar,
PD, nga 54.5% e atyre që kanë votuar te, 2.9% sot ndihen më afër me PS.
LSI. nga 33.3% që kanë votuar per te sot 6.7% e tyre ndjehen më afër me PS.
PDIU dhe PBDNJ, nuk kanë lëvizje në elektorat.
Të pyetur për aspekte të punësimit dhe ekonomisë,

Rreth 84% e qytetarëve shprehen se nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë pjesë në një sindikatë,
Rreth 48% shprehen se janë duke punuar pa kontratë.

Sondazhi ka prekur edhe ane te tjera te shoqerise shqiptare si feja, punesimi dhe papunesia, mendimet rreth geive e lesbikeve etj. si dhe ka bere krahasime me shtete te tjere. Gjetjet paraprake të Sondazhit Social Evropian japin pamjen e një shoqërie shqiptare mjaft mosbesuese ndaj institucioneve vendase,mjaft të pakënaqur me gjendjen e demokracisë, ekonomisë dhe performancën e qeverisë, per pabarazi para ligjit, për masa te pamjaftueshme që luftojnë varfërinë, për mediat që nuk ofrojne informacion të besueshëm etj.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Andi Dobrushi vuri në dukje se të dhënat e nxjerra sot janë paraprake dhe të pjesshme, pasi Ekipi Qendror Shkencor i Sondazhit Social Evropian i bën publike të gjitha të dhënat dhe bazën e plotë të tyre në përfundim të procesit të validimit, në vjeshtë 2013.

Posted in ShqiperiaComments Off

shqiptaret, 37 perqind e familjeve me pak se 10.000 leke ne muaj

Një sondazh i publikuar sot në Tiranë, pjesë e Vrojtimit Social Europian zbuloi një situatë tragjike sa i përket të ardhurave të familjeve shqiptare, të ardhura që qenë matur për herë të fundit nga Instituti i Statistikave pesë vjet më parë, pra para fillimit të krizës ekonomike botërore.

Sondazhi, cilësia e të cilit konsiderohet shumë e lartë, zbuloi se afro 37 për qind e familjeve shqiptare disponojnë të ardhura mujore prej më pak se 9,630 lekë, një shifër kjo poshtë minimumit jetik, duke sugjeruar se varfëria është rritur me hapa marramendës gjatë viteve të fundit. Sondazhi zbuloi gjithashtu se 20 për qind e Njësive Ekonomike Familjare kanë të ardhura mes 9,600 dhe 15,600 lekë në muaj, ndërkohë që vetëm 1.2 për qind e familjeve kanë të ardhura prej më shumë se 95 mijë lekë në muaj.

Afërsisht gjysma e popullatës shqiptare sipas vrojtimit rezulton e papunë në kërkim aktiv për punë ose e papunë që dëshiron të punojë por beson se nuk ka punë të disponueshme. Vrojtimi ka nxjerrë statistika shumë të ndryshme nga ato zyrtaret në Shqipëri  të cilat thonë se më pak se 13 për qind e shqiptarëve janë të papunë në kërkim të punës.

Posted in ShqiperiaComments Off

Nderron jete Roland Trebicka, aktori i njohur i komedise

Aktori i mirënjohur Roland Trebicka ka ndërruar jetë sot me 6 mars në moshën 66-vjeçare.

Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. 

Në kohën e shërbimit ushtarak shërbeu si aktor në Estraden e Ushtarit. Ai interpretoi me aktore te tjere te cilet me vone do te beheshin te famshem ne fushen e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koco Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari ( Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj. Ai filoi punë ne Teatrit Kombëtar më 1971 dhe punoi aty deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar, ku vazhdoi deri ne fund te jetes.

Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime TV dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e humorit e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm.

Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)…. tek “Një burrë me trandafil”. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kantidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Me sukses ka interpretuar edhe ne kinematografi.
Roland Trebicka, per punen me pasion e profesionalizem eshte nderuar me titullin Artist i Merituar.

Interpretime ne teater

2011 – Martesa e avokatit
2010 – Berberi i Seviljes
2009 – Te gjithë kanë huqe
2009 – Kohë për t‘u çmendur
1999 – Po vjen ai
1994 – 8 persona plus
1990 – Valsi i Titanikut
1985 – Pallati 176 (Jovan Bregu)

Interpretime në filma

2004 – Tifozët film TV
1984 – Endërr për një karrikë
1979 – Radiostacioni
1978 – Koncert në vitin 1936
1961 – Debatik

Posted in Art - Kulture, ShqiperiaComments Off

Interviste e Ismail Kadare per revisten LA REVUE

“Një sfinks në dimër” titullohet intervista ekskluzive e Kadaresë, dhënë revistës mujore La Revue, në numrin e shkurtit 2013.

intervistoi Frederic Ferney

Shkrimtari i rikthehet me një “sprovë letrare” historisë dhe mitologjisë së këtij vendi të vogël – antik, i trazuar, i harruar nga Europa – që është i tiji: Shqipëria. Për të thuhet se është krenar, i zymtë, lunatik, i humb durimi me budallenjtë. Nuk gënjejnë. Ismail Kadare di edhe të jetë i ngrohtë, i gëzuar, ironik e i këndshëm. Është shpifur rreth tij për një kohë të gjatë, jashtë dhe brenda vendit të tij, është akuzuar dikur (ndonjëherë nga të njëjtët!) për “modernizëm”, për “antisocializëm” dhe pastaj për “nacionalizëm”. Ai u ka ikur gjithmonë kategorive ku e vendosnin. As shkrimtar zyrtar, as disident, sot ai u ka mbyllur gojën të gjithë përndjekësve të tij. Në krah të Philip Roth ose Haruki Murakami në listën e shkrimtarëve kandidatë për ‘Nobel’, Ismail Kadare, 77 vjeç, mbetet një autor i paklasifikueshëm dhe enigmatik. Është një bir Homeri që ka shkruar Iliadën  me bojën e Orwell ose Huxley. Vepra e tij – madhështore, paralajmëruese, muzgore, flet për të. Më tepër se 100 libra, ndër të cilët rreth 40 të botuar në frëngjisht – një Komedi Hyjnore në erën e stalinizmit.

Thoni Shqipëri dhe mendja ju shkon menjëherë te “Kadare”; shohim të valëvitet shqiponja me dy koka, emblema kombëtare ndërmjet djallit (Enver Hoxha) dhe ikonës (Nënë Tereza). Kadare ka mishëruar, dhe kjo ndonjëherë kundër dëshirës së tij, ndjenjën e fajit të Shqipërisë, skllave dhe zonjë në të njëjtën kohë; Koha nuk i ndan të gjallët nga të vdekurit. Historia është populluar nga fantazma dhe nga krime që i rivizitojnë njerëzit: udhëtohet ndërmjet qiellit dhe tokës – madje dhe nën tokë, sikur Zhyl Verni të kishte njohur Plutonin.

Gjithçka fillon nën shi dhe në baltë, gjithçka përfundon me erën, në një vjeshtë të përjetshme, a thua autori u mohon heronjve të tij ëmbëlsinë e një vere. Libri i tij i ri (Mosmarrëveshja, La discorde në frëngjisht, botimet Fayard), është një ese njëherazi kritike dhe satirike, ku ai na rrëfen peripecitë e një kombi të përçmuar nga Europa: Shqipëria. Me këtë rast, ai na priti në shtëpinë e tij, në Quartier Latin, ku jeton që prej vitit 1990.

Frederic Ferney: Si mund të jesh shqiptar?

Ismail Kadare: Sa për këtë, edhe unë vras mendjen! E dini se çfarë shkruante në shekullin II një autor latin, në Nuits attiques: “Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën se ditën…”

 Frederic Ferney: Nuk është shumë e gëzueshme…

Ismail Kadare: Çfarë  t’i bësh fatit, atje u linda!

 Frederic Ferney: Ju vetë thoni për Shqipërinë: “Është një vend heroiko-absurd”

Ismail Kadare: Dhe përsëri jam treguar modest! Shqiptarët i janë nënshtruar zgjedhës turke dhe gjuha e tyre kombëtare ka qenë e ndaluar për 5 shekuj. Gjatë shekullit XX, ata përjetuan, njëra pas tjetrës, republikën, monarkinë, pushtimin hitlero-musolinian, komunizmin stalinist dhe maoist – një nga më të këqijtë që ka ekzistuar ndonjëherë. Shqipëria është një vend me histori të gjatë dhe tradita; qoftë brenda vendit, qoftë  me pushtuesit tanë apo me fqinjët që kanë dashur të sillen si të tillë, përballjet për pikëpamjet janë zgjidhur, për një kohë të gjatë, me armë dhe me kufoma të dergjura anëve të ndonjë lumi!

Frederic Ferney: Nga e ka origjinën urrejtja shekullore e serbëve dhe shqiptarëve?

Ismail Kadare: Ah, kjo… fillon që në shekullin VIII dhe IX, kur pushtuesit sllavë, të ardhur nga stepat e Uraleve, ushtruan mbi shqiptarët një trysni që tkurri territoret e tyre. Pati luftëra pa fund. Sllavët pushtuan përkohësisht Kosovën dhe një pjesë të Shqipërisë, pa arritur ta shkatërrojnë këtë vend të vogël që i ndan nga Adriatiku. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët çuditërisht donin të bënin për vete shqiptarët dhe, akoma më e çuditshme, i  klasifikuan ndër “racat superiore”. Ata donin që shqiptarët të kishin nën Rajhun e tretë, të njëjtin pozicion si nën Perandorinë Otomane. Ata bashkuan Kosovën me Shqipërinë. Nuk është nevoja t’ua them se nuk na leverdis t’ia dimë për nder Hitlerit këtë bashkim të përkohshëm. 

Historia e Shqipërisë është e mbrujtur me aleanca të tradhtuara, me pashallarë me koka të prera, me kalorës mizorë, me masakra, me mesha. Çfarë thesari për një autor romanesh!

Ndikimi i Perandorisë Otomane në Shqipëri është i pamatshëm, është një trashëgimi tragjike, groteske, burokratike, që at’herë totalitare, që ka rënduar mbi ndërgjegjet dhe ka ravijëzuar mentalitetet më fort se komunizmi. E dini, ka ende nostalgjikë për gjumin e thellë turk! Por, e vërtetë, është një rezervuar mitesh, heronjsh, tradhtarësh. Një thesar për letërsinë shqiptare që kumbon nga thirrjet dhe betimet për besnikëri ndaj Nënës Shqipëri, nga premtimet e ujitjes së saj me gjak, nga këngë të pasionuara ku ëndërrohet çlodhja mbi gjirin e saj. Por të gjitha këto himne të zjarrta, thjesht maskojnë realitetin: robërimin, diasporën, mërgimin.

Frederic Ferney: Kjo është e kaluara…

Ismail Kadare: Posi, vetëm me fjalë! Në shqip, numërojmë nga 2 në 5 në latinisht, më pas në turqisht, më pas në sllavisht, por shifra “1” thuhet njëlloj si para tre mijë vjetësh. Është një gjuhë më e vjetër se gjuha e Homerit. Si mund ta harrojmë të kaluarën? Ajo që europianët kanë harruar, është se Shqipëria është një zgjatim mitologjik i Romës dhe Greqisë.

Frederic Ferney: Sot Shqipëria është një republikë parlamentare demokratike dhe përfaqësuese që aspiron të pranohet në Bashkimin Europian, apo jo?

Ismail Kadare: Le të themi: një republikë e ngatërruar dhe e korruptuar, që ëndërron Europën, por që, për fat të keq, komuniteti europian nuk ka pikën e dëshirës për ta pritur krahë hapur.

Frederic Ferney: Përse ky rikthim i përjetshëm tek e kaluara, kur ajo është e dhimbshme, ky trazim i hirit, ky lëndim i plagëve të vjetra? Është mazokist shqiptari?

Ismail Kadare: Po.Popujt, nëse refuzojnë të gënjejnë veten, duhet të jenë të aftë për një ekzaminim të tillë. Ju mund të më thoni: është si të zbresësh në fund të një shpelle  të mbushur me skelete dhe flamuj të rreckosur, me armë të ndryshkura, me gazeta të vjetra të mbajtura nga spektrat. Po, objekte të panevojshme dhe që u përkasin legjendave, por që i duhen të vërtetës. Është pikërisht kjo që quajmë histori ose destin. Kësaj s’ke çfarë t’i bësh.

Frederic Ferney: Si do t’i përgjigjeshit ju atyre që mendojnë se kombi është vetëm një mbijetesë barbare?
Ismail Kadare: Ne kemi njohur shumë versione mitologjike dhe të njëpasnjëshme të kombit: feudal, republikan, perandorak, komunist. Është gjithmonë një ndërtim. Dhe një mister. Në Ballkan është thirrja e gjakut. Është Lufta e Trojës. Edhe te ju (në Francë), çështja e identitetit kombëtar ngjall akoma debate pasionante,  ngjall “mosmarrëveshje”. E pamë shumë mirë gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy, në një vend si Franca, që e mban veten demokratik, europian, universalist. Shmangia e këtyre pyetjeve është e rrezikshme, edhe nëse ato bëhen  nga njerëz idhnakë dhe antipatikë, të nisur nga prapamendime kobzeza.

Frederic Ferney: Kush  është ky Skënderbeu që e kërkojnë shumë vende si hero kombëtar dhe që ka ngjallur kaq shumë grindje?
Ismail Kadare: Është pak si Karli i Madh ose Rolandi për ju. Do të më duheshin orë të tëra për të shpjeguar arsyet e qarta ose të errëta të grindjes për këtë përkatësi të lashtë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Druaj se, për një francez do të jetë po aq e paqartë sa luftërat Pikrokroline te Rabelais, ose grindjet midis Gelfëve dhe Gibelinëve te Dante. Për shembull, në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, mbajta një ditar (i botuar me titullin Ra ky mort e u pamë, botimet Fayard). Gjithçka filloi nga një shkrim në Le Courrier International, që i dha shkas një polemike të egër në faqet e periodikut nju-jorkez Illyria. Titulli i tij ishte: “Nëna e Skënderbeut ishte sllave”. Ju vjen për të qeshur? Kaq mjaftoi për t’i çmendur njerëzit dhe për t’u trajtuar, reciprokisht, si tradhtarë dhe fashistë. Në atë kohë, ishte kulmi i fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Serbi. Natyrisht, faturën e paguan shqiptarët e Kosovës. Hakmarrja serbe është e papërfytyrueshme: foshnja të shkuara në thikë, gra të përdhunuara, shtëpi të djegura, dëbime masive. Një makth!

Frederic Ferney: Pse serbët treguan kaq tërbim kundër Kosovës?
Ismail Kadare: Pa dyshim, ata donin të hakmerreshin ndaj dënimit të Europës dhe Aleancës Atlantike. Argumenti më i vjetër  i propagandës së tyre është se Kosova qenka djepi historik i Serbisë dhe “serbizmit”.

Frederic Ferney: Po si qëndron puna?
Ismail Kadare: Është një përrallë që rrëfehet për të përkundur budallenjtë. Për ta, Kosova është shpirti i pavdekshëm  dhe origjina e Serbisë! Për ta, është lugthi ku filloi gjithçka dhe ku do të përfundojë gjithçka; është një kauzë e shenjtë, gjë që, sipas tyre, justifikon kryqëzatat dhe spastrimin etnik. Kosova qenka serbe jo vetëm prej varrezave, manastireve, fshatrave, por për më tepër, Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, qenka edhe ai serb!

Më kujtohet në atë kohë, shkrimtari dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Draskoviç, më akuzoi se u isha dorëzuar mirazheve të nacionalizmit shqiptar. Sipas tij, ishte e thjeshtë, unë isha në kampin e atyre që kishin vrarë Arkimedin, kishin djegur Xhordano Brunon dhe torturuar Tommaso Campanella, gjë që, edhe ju e kuptoni, është shumë e tepruar!

Frederic Ferney: Kur lexon librat tuaj, historia e Shqipërisë është e mbushur me fantazma, me të rikthyer prej botës tjetër, që në të vërtetë nuk janë larguar kurrë. Po ju, ku e vendosni veten? Cili është vendi juaj?
Ismail Kadare: Për një kohë të gjatë, për perëndimorët, fakti që kisha jetuar në Lindje, në epokën komuniste, më jepte menjëherë rolin e shkrimtarit zyrtar ose disident. Unë vendosem gjetkë. Do t’ju rrëfej një të fshehtë: unë jetoj në një planet tjetër… Kam njohur “shpirtrat e vdekur” para se të lexoja Gogolin. Nuk më është dashur të shpik në romanet e mi një konte imagjinare, Yoknapatawpha, si ka bërë Faulkner. Në një farë mënyre, unë nuk jam larguar kurrë nga Gjirokastra, qyteti im i lindjes. Në një farë mënyre dhe cilidoqoftë emri i saj, është gjithmonë “kryeqyteti i Perandorisë”, ka vetëm një lumë, Ullana, dhe vetëm një urë: ajo me tri harqe, e kuptoni besoj. Edhe kur jam në Kinë!

Frederic Ferney: Pikërisht, ju e keni lexuar Makbethin kur ishit ende fëmijë, tiranët, kështjellat, mjegullat, vrasjet, fantazmat. A thua gjithçka filloi prej këtej, dhe  me këto tema dhe me këto klima shekspiriane, ju keni shkruar njëqind libra!
Ismail Kadare: Madje e kopjova fjalë për fjalë në një fletore, pa e kuptuar se çfarë bëja. Isha 11 vjeç. Nuk e kisha idenë e Shekspirit, as të tragjedisë. Madje, as nuk dija se ç’ishte leximi ose shkrimi i një libri. E kisha gjetur atë gjë në bibliotekën e gjyshes sime – në shtëpinë e prindërve nuk kishim libra.

Ne banonim në një shtëpi të madhe, me gjithë të ardhurat modeste të prindërve. Kishte gjithë ato dhoma bosh, të braktisura, dhe që unë i mbushja me imagjinatën time. Nuk janë shtëpitë të pushtuara nga të përtejmit, por njerëzit.

Frederic Ferney: Në veprën tuaj, gjithçka është fabul dhe alegori. Ju jeni një rrëfenjatregues…
Ismail Kadare: Po, kështu thonë. Është deri diku një komoditet gazetarësh, një klishe. Gjithashtu, më pyesin shpesh për ndikimin e traditës gojore në romanet e mi. Por meqë jam nga Ballkani, duhet të jem medoemos një farë rapsodi, apo jo?

Ajo çka shkruaj është shumë larg realitetit, por, sigurisht gjithçka varet nga ajo se çfarë quajmë realitet. Krijimi letrar është një proces kompleks për të cilin thuhen broçkulla që unë nuk i pranoj. Ajo që ke përjetuar vetë është njëkohësisht një rrugë dhe një pengesë, elementet autobiografike i japin shtysë frymëzimit dhe në të njëjtën kohë e frenojnë.

Mekanizmat e fiksionit janë të çuditshëm. Dhe të pabesa. Kështu që nuk është për t’u çuditur që të duket gjurma e peizazheve të fëmijërisë sime, aty-këtu shpate të shkreta dhe malore, por kush e di nëse, në të vërtetë, nuk jam frymëzuar nga leximi i Servantesit? Më kanë vënë në dukje praninë e shpeshtë të disa motiveve në romanet e mi, shiu, i ftohti, bryma. E keni vënë re që nuk përkon plotësisht me klimën e Shqipërisë.

Frederic Ferney: Metaforë e stalinizmit?
Ismail Kadare: Jo, vetëm një kundërshti meteorologjike. Në kohën e komunizmit, shkrimtarët flisnin vetëm për diellin dhe qiellin blu, at’herë…

Frederic Ferney: Nuk keni dyshuar kurrë që jeni shkrimtar?
Ismail Kadare: Kur isha student në Institutin ‘Gorki’, në Moskë, aty nga mesi i viteve ’50, më vinte pak turp t’u thosha vajzave që u vija rrotull se isha shkrimtar. Shkrimtarët e njohur sovjetikë kishin pamje burokrati, me bark të dalë. Nuk ishte as erotike, as romantike!

Frederic Ferney: Ju keni njohur suksesin shumë herët me romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur botuar në vitin 1963. Jeni prej një kohe të gjatë në listën e shkrimtarëve të mëdhenj kandidatë për çmimin ‘Nobel’. Fama është e rëndë apo e lehtë par t’u mbajtur?
Ismail Kadare: Kjo më sjell ndërmend kalcunias të stërgjyshit…

Frederic Ferney: Më falni?
Ismail Kadare: Kalcunias ishin si punë çorape që vishnin burrat dikur. Kur botova vargjet e para, mikesha të gjyshes sime, thoshin: do të bëhet i famshëm, ky vocërrak, si Ismail Kadare – stërgjyshi të cilit i kam trashëguar emrin. Ky kishte fituar famë një Gjirokastër për elegancën e tij, aq sa një këngë e kohës i lavdëronte kalcunias të Ismailit, ndër gjërat që mund të bëjnë një njeri të lumtur, si sarajet e vezirit, kopshti i Cela Kaili, gratë e Dank Bakir, ose kënga e Bilbilit.

Frederic Ferney: Pasi pësuat censurën dhe terrorin komunist, a mendoni ju se demokracia, barazia e kushteve, reale ose imagjinare, është një kërcënim për letërsinë, siç besonin Alexis de Tocqueville ose Henry James ?
Ismail Kadare: Shoqëritë tona kanë prirjen të përçmojnë enigmën, misterin, të mohojnë kompleksitetin e gjërave. Mendohet se ka një shpjegim për gjithçka, ka një shkak, për shembull ekonomik ose sociologjik. Unë nuk besoj asgjë nga këto.

Nuk është liria ajo që bën të mundur letërsinë, por letërsia që mundëson lirinë. Në të gjitha rastet, shkrimtari është atje për të marrë goditjet, si boksier. Ai është i dobët dhe në të njëjtën kohë, i paprekshëm. Ndonjëherë, ai arrin pavdekësinë me anë të vdekjeve të njëpasnjëshme.

Frederic Ferney: A duhet besuar në veçantësinë e totalitarzimit, ashtu si e njohëm gjatë shekullit XX?
Ismail Kadare: Format e terrorit mund të ndryshojnë nga njëra epokë në tjetrën, por seç ka një diçka të pandryshueshme. Komplotet, proceset e sajuara, krimet politike, madhështia e Shtetit, nuk kanë qenë shpikje komuniste. Për aq sa di unë. Agamemnoni që flijoi të bijën nuk ishte komunist. As ideja e sakrifikimit në emër të Partisë, ose Atdheut ose të Perëndive nuk më duket shumë e re. Në të gjitha kohërat, shkrimtarët janë persekutuar. Egjipti i faraonëve ose Kina kanë njohur gjithashtu pushtete që shkatërronin trupat dhe sfilitnin shpirtrat me punë të detyruar.

Ajo çka unë besoj ose dua të besoj, është se frika që ndien tirani është gjithmonë më e fortë se ajo që ngjall.

Marre nga www.mapo.al
Përktheu: Blerta Hyska.

Posted in Art - Kulture, Bota, ShqiperiaComments Off

Statistika te vjedhjeve ne Tirane

1346 vjedhje kanë ndodhur në Tiranë gjatë vitit 2012

166 raste të vitit 2012 kanë qenë vjedhje me dhunë dhe armë

1180 raste gjatë vitit 2012 kanë qenë vjedhje banesash, biznesesh, automjetesh, kalimtarësh në rrugë etj.

3 grabitje me armë kanë përfunduar me vrasje. Rasti i arkëtares së bankës Leonora Kaloçi, i tregtarit Petrit Kurti dhe kalimtares Fatbardha Tafa

222 vjedhje kanë ndodhur në Tiranë që nga data 1 janar e deri më 10 shkurt 2013

52 raste të këtij viti janë banesa të vjedhura

42 vjedhje automjetesh

73 vjedhje biznesesh

38 vjedhje kalimtarësh në rrugë

17 vjedhje të kryera me dhunë dhe armë.

 

Marre  nga gazeta Panorama

Posted in ShqiperiaComments Off

Qeveria greke vazhdon “kerkimin e ushtareve te vrare” ne Shqiperi

Lapidari ne foto eshte i ndertuar ne fshatin Hormove te Tepelenes per nder te 217 burrave te vrare nga ushtria greke.

Pikerisht ne kete vend, Greqia kerkon te bej kerkime per ushtaret greke dhe te ndertoje varreze. Vec kesaj, Greqia do kerkoje edhe ne qender te qytetit te Korces per varre ushtaresh greke. Qeveria shqiptare i ka miratuar ne menyre te padeklaruar qeverise greke disa vendkerkime per varre.

Vendet jane :

Peshkëpi e Poshtme (Gjirokastër)
Korçë (qytet qendër)
Hormovë (Tepelenë)
Peshtan (Tepelenë)
Kalivac (Pogradec)

Marre nga: Fjala e Lire

Posted in ShqiperiaComments Off

Censusi: Shqipëria ka 8% më pak banorë se 10 vjet më parë

Instat jep të rezultatet përfundimtare të Censusit. Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë ka reduktuar në 2.821.977 persona popullsinë në Shqipëri. http://census.al/census2011/GeneralInfo.aspx?lang=sq

Shqipëria ka zyrtarisht 2 milionë e 821 mijë e 977 banorë. Kjo është shifra që jep sot INSTAT mbi censusin e zhvilluar në tetor  2011.

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT-it, rreth 83% e të anketuarve janë deklaruar me kombësi shqiptare, 14% nuk kanë preferuar të deklarohen, 0,87% kanë deklaruar kombësinë greke ndërsa  0,3% kanë deklaruar se janë romë, 0,2% janë deklaruar me kombësi maqedonase .

Bie në sy se krahasuar me shifrat e censusit të vitit 2001 ka një rënie të popullsisë banuese me 8%. Numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3.069.275. Madje popullisia është edhe 9 mijë e 764 më e ulët se shifra që INSTAT publikoi në dhjetor të 2011, 2 milionë e 831 mijë e 741 shqiptarë, bazuar në rezultatet paraprake.

Rënia e popullsisë me 8% në dhjetë vetë

Shkak i uljes se numrit të popullsisë janë rritje e emigracionit dhe ulja e lindshmërisë. “Nga rezultatet përfundimtare të censusit të popullsisë dhe banesave 2011 rezulton se popullsia rezidente është 2.821.977. Numri total i refuzimeve është 21.839 persona. Krahasuar me censusin e vitit 2001 vërehet një rënie e banorëve me 8%. Analizat pararake na dëshmojnë se emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen.” – ka deklaruar Ines Nurja, drejtoresha e Institutit të Statistikave.

Kombësia. 83% janë shqiptarë, 14% nuk shprehen për kombësinë, 0,87% grekët

Sipas INSTAT-it, 83% e të anketuarve janë deklaruar me kombësi shqiptare, ndërsa 14% nuk kanë dashur të shprehen për kombësinë e tyre. 0,87% kanë deklaruar kombësinë greke, 0,30% kanë deklaruar romë, ndërsa 0,2% janë deklaruar me kombësi maqedonase.

Rezultatet e censusit që lidhen me kombësinë, pritet të rindezin debate të forta veçanërisht mes shoqatave të minoritetit grek që janë shprehur kundër censusit.

Besimi fetar Vetëm 56,7% janë deklaruar myslimanë, katolikët më të shumtë se ortodoksit

Një rezultat që bie në sy janë shifrat mbi besimin fetar. Të dhënat e mbledhura nga Censusi tregojnë se 13,79% nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Për tri komunitetet më të mëdha fetare në Shqipëri, shifrat janë këto: 56,70% janë deklaruar myslimanë, 10,03% katolikë dhe 6,75% ortodoksë. Për herë të parë katolikët kapërcejnë në numër ortodoksit. Ateistë janë deklaruar 2,5%, bektashinj 2,09%, ndërsa evangjelistë 0,14%. Të krishterë të tjerë 0,1%, besimtarë të pa karakterizuar 5,53%, besime të ndryshme 0,2%.

Gjuha shqipe, gjuha amtare e 99% të popullsisë

Një risi e këtij censusi është përfshirja në formular e pyetjeve mbi gjuhën amtare. 99% e të pyeturve ka si gjuhë amtare shqipen, më pas vjen gjuha greke me 0,54%, gjuha maqedonase me 0,16, romë dhe arumunë me 0,14 %, egjiptianë 0,12%, malazezë 0,01%, të tjerë 0,1%.

Posted in Shkence - Teknologji, ShqiperiaComments Off

Liliana Kondakçi del nga burgu e dëbohet nga Italia

Këngëtarja Liliana Kondakçi, e arrestuar në Selanik më 3 prill të vitit 2010, ka përfunduar dënimin që i ishte dhënë nga drejtësia italiane për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe është riatdhesuar.

Me titullin ‘La Mina d’Albania è tornata in libertà’, e përditshmja italiane ‘Gazzetta  del Sud’ ka dhënë sot lajmin se këngëtarja Liliana Kondakçiu e dënuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike ka dalë nga burgu dhe është riatdhesuar.

Ajo ishte arrestuar fillimisht në maj të vitit 2006, në stacionin hekurudhor Sibari të provincës së Cosenza-s me tre kilogram kokainë në çantë. Asokohe ajo pati deklaruar se pakoja me drogë ishte dhuratë nga dikush dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj. Megjithatë u mbajt në burg e më pas në kushtet e arrestit të shtëpisë pranë një institut murgeshash. Duke përfituar nga arresti i shtëpisë, këngëtarja ishte larguar duke arritur të fshihet në  Greqi.

Në fund të muajit tetor të vitit 2008 Guardia di Finanza gjatë një operacioni të zgjeruar antidrogë me emrin “Shkodra” arriti të sekuestronte gati 500 kilogramë lëndë të ndryshme narkotike në krahinën e Kalabrisë. Gjatë operacionit u arrestuan 20 persona, mes tyre edhe shqiptarë. Sipas të dhënave të atëhershme, pjesë e trafikut të drogës për të cilët ishin bërë arrestimet ishte edhe këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, e njohur mes pjesëtarëve të grupit si “mamaja” apo “këngëtarja”. Asokohe u tha gjithashtu se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t’u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri e për të transportuar lirisht drogën. Kështu, erdhi vendimi i ri i gjykatës: tjetër urdhër për arrestimin e këngëtares me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, urdhër i cili mbeti i pazbatuar deri më 3 prill 2010, deri sa Liljana Kondakçi u kap në Selanik.

Me t’u ekstraduar në Itali, ajo iu nënshtrua sërish procesit gjyqësor dhe u mbyll në burg deri para pak ditësh kur është lënë e lirë dhe është dëbuar nga Italia siç parashikon ligji Bossi-Fini.

Marre nga gazeta: Shqiptari i Italise 17 janar 2013

Posted in ShqiperiaComments Off