nga Paula Wolfson
Kandidatja demokrate për president, Hillari Klinton, fitoi zgjedhjet paraprake në shtetin amerikan të Pensilvanisë, duke mbajtur kështu gjallë fushatën e saj. Ajo tha mbrëmë para një grumbulli përkrahësish të saj pas zgjedhjeve se amerikanët nuk epen prandaj edhe meritojnë një president që nuk epet.
Pas zgjedhjeve të djeshme, senatorja Klinton foli para përkrahësve të saj në Filadelfia, duke i falenderuar ata për mbështetjen e tyre. Ajo u zotua gjithashtu se do të vazhdojë fushatën megjithë thirrjet për tërheqjen e saj nga gara.
"Unë mund të pengohem, madje edhe të rrëzohem, por për sa kohë që kam mbështetjen tuaj, unë gjithnjë do të ngrihem. Sepse për mua, në fund të fundit, çështja nuk është nëse ne mund të mbajmë premtimin e Amerikës, por nëse me do ta mbajmë premtimin e Amerikës".
Senatorja e Nju Jorkut tha se falë mbështetjes së Pensilvanisë për të, gjërat po ndryshojnë. Megjithë fitoren e djeshme në Pensilvaninë e pasur me delegatë, zonja Klinton vazhdon të jetë mbrapa rivalit të saj, senatorit Barak Obama për sa i përket numrit të delegatëve, të cilët do të emërojnë kandidatin e partisë. Pensilvania ka 158 delegatë, të cilët do të ndahen mes dy kandidatëve demokratë në bazë të numrit të votave të fituara.
Duke folur në shtetin tjetër amerikane Indiana, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen më 6 maj, senatori Obama uroi zonjën Klinton për fitoren dhe u tha të pranishmëve se ajo zhvilloi një garë të shkëlqyer në Pensilvani.
Në këtë shtet, shumica e njerzve janë të një mendimi se nuk kanë parë kurrë më parë një gjë të tillë.
Tradicionalisht, Pensilvania i mban zgjedhjet paraprake vonë dhe për vite me radhë kandidati i secilës parti dihet deri në atë kohë.
Por zyrtarët e zgjedhjeve thanë se ky vit ndryshon. Dy kandidatët demokratë vazhdojnë betejën për të siguruar emërimin e partisë, numri i votuesve të rregjistruar është shumë i lartë dhe pjesëmarrja pritej të ishte e lartë.
Në një qendër votimi në periferi të qytetit të Pitsburgut, një zyrtar i zgjedhjeve i quajtur All përshkruan atmosferën.
"Nuk kam parë një antuziazëm të tillë që kur fillova të votoj për Xhek Kenedin".
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e njëjtë në të gjithë shtetin, me një rritje në orët e fundit para mbylljes së qendrave të votimit.
Situata ishte mjaft serioze dhe votuesit e dinin fare mirë se këtë vit vota e tyre ka shumë rëndësi.
Elizabeta, mësuese në një shkollë të mesme, thotë se votoi për Barak Obamën.
"Shumë njerëz flasin rreth elokuencës së tij, madje shumë të tjerë thonë se kur flet senatori Obama nuk ka substancë. Por kurdo herë që e kam dëgjuar të flasë, unë dëgjoj se ai flet rreth çështjeve me substancë dhe i diskuton ato në një mënyrë inteligjente dhe të thjeshtë".
Edhe republikanët po zhvillojnë zgjedhje paraprake në Pensilvani. Republikanët e kanë kandidatin për në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, senatorin Xhon Mekein. Por Gregu, anëtar i partisë republikane, tha se në fletën e tij të votimit shkruajti emrin e Barak Obamës, megjithëse kjo votë e tij nuk quhet.
"Desha që zëri im të dëgjohej. Unë desha të përfaqësoja sot senatorin Obama. Dhe kjo ishte arsyeja që erdha këtu".
Votues të rinj si Elizabeta dhe Gregu, përbëjnë bazën e mbështetjes për Barak Obamën në Pensilvani. Ata mbështesin mesazhin e tij për ndryshime. Por votues më të moshuar duket se ishin të interesuar në përvojën e kandidatit. Dhe të gjitha shenjat tregojnë se ata mbështesin senatoren Hillari Klinton.
Pasi votoi, një grua e moshuar e quajtur Xhoen shpjegoi arsye pse votoi për senatoren e Nju Jorkut.
"Ajo i bën të qarta pikpamjet e saj, të cilat mua më pëlqejnë".
Ajo tha se e hodhi votën e saj duke u bazuar jo vetëm në çështjet që prekin të moshuarit, por edhe fëmijët dhe brezat e ardhshëm.
Votuesit në Pensilvani e dinë se rezultati në shtetin e tyre është historik dhe për herë të parë një parti e madhe politike do të emërojë kandidat për president ose një grua ose një afrikano-amerikan.
