VOA - SHBA: Sistemi me delegatë në zgjedhjet paraprake
presidenciale
nga Jeffrey Young
Rruga për në Shtëpinë e Bardhë kalon nëpër të gjitha shtetet
amerikane përmes zgjedhjeve partiake. Për të arritur deri në zyrën më të lartë
ekzekutive të Amerikës, kandidatët duhet të fitojnë fillimisht emërimin e
partisë së tyre. Ky vendim merret nga delegatët që dërgojnë degët e partisë nga
secili shtet.
Fletëvotimet që marrin në dorë zgjedhësit në votimet
partiake kanë emrat e kandidatëve presidencialë. Por kur votuesit zgjedhin, ata
faktikisht e hedhin votën për delegatët për kuvendet partiake, të cilët votojnë
për një kandidat të caktuar. Konkurenti për Shtëpinë e Bardhë, i cili ka
siguruar më shumë delegatë merr emërimin e partisë.
Kur të mblidhet kuvendi kombëtar i demokratëve në Denver të
Kolorados më 25 gusht, pritet të marrin pjesë gjithësej 4 mijë e 49 delegatë.
Një kandidati i duhen 2 mijë e 25 delegatë, pra gjysma e numrit të përgjithshëm
plus një më shumë, për të siguruar emërimin e partisë si konkurent në zgjedhjet
e përgjithshme.
Partia Republikane dërgon 2 mijë e 381 delegatë në kuvendin
e saj në
Për të dyja partitë kryesore, delegacioni i secilit shtet
përbëhet nga një numër komponentësh. Zyrtarja e Komitetit Kombëtar Demokrat,
Stacie Paxton, shpjegon përbërjen e kontigjentit të Partisë Demokrate:
"Për shembull, shteti i Kalifornisë dërgon 441 delegatë. Nga
këta, 370 delegatë janë të përcaktuar, pra ata i përkasin një kandidati ose një
tjetri. Ka 71 delegatë të tjerë, disa prej të cilëve janë anëtarë të Komitetit
Kombëtar Demokrat, të tjerët janë anëtarë Kongresi. Ata nuk i përkasin asnjërit
kandidat por edhe ata votojnë në kuvendet partiake".
Republikanët e Kalifornisë do të dërgojnë 173 delegatë në
kuvend. 159 prej tyre u përkasin njërit apo tjetrit kandidat, ndërsa 14 të
tjerë janë zyrtarë të Degës së Partisë në Kaliforni ose zyrtarë të zgjedhur. 14
delegatë të tjerë nuk i përkasin asnjë kandidati.
Dy partitë kanë sisteme të ndryshme për të caktuar delegatët
në kampin e njërit apo tjetrit kandidat. Demokratët funksionojnë në bazë të sistemit
proporcional, pra nëse një kandidat siguron një përqindje të caktuar votash, ai
merr atë përqindje të delegatëve të atij shteti. Ndërsa republikanët në disa
shtete i ndajnë delegatët në mënyrë proporcionale me votat e siguruara nga
kandidatët, në disa të tjerë, kandidati që mori shumicën e votave merr të
gjithë delegatët.
Në kuvende hidhen në votë emrat e kandidatëve. Si për
Partinë Demokrate, ashtu edhe për atë Republikane, delegatët që i përkasin një
kandidati do të votojnë për atë kandidat në raundin e parë. Nëse asnjë delegat
nuk merr 50 për qind të votave plus një delegat më shumë, zhvillohen raunde të
tjera votimesh. Delegatët në këto raunde mund të votojnë për kandidatë të
tjerë, dhe jo me doemos për kandidatin të cilit i përkiste fillimisht vota e
tyre. Por prej dekadash, asnjëra prej partive kryesore nuk ka pasur nevojë të
zhvillojë një raund të dytë votimesh për zgjedhjen e kandidatit fitues.
E gjithë vëmendja është tek kandidatët. Por procesi që u
siguron atyre konkurimin në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit është në dorën
e të tjerëve, dhe përbën një hallkë të rëndësishme në procesin zgjedhor të
Shteteve të Bashkuara.
