VOA - Serbët vënë nën kontroll hekurudhat në veriun e Kosovë
Punonjësit serbë në veriun e Kosovës morën nën kontroll
hekurudhën në atë zonë, me urdhër nga Beogradi. Branislav Ristivojevic,
udhëheqës i hekurudhave të Serbisë dhe këshilltar i lartë i
kryeministrit serb Vojislav Koshtuncia, u tha mjeteve serbe të informimit se
Beogradi ka rivendosur kontrollin mbi 50 kilometra hekurudhë në veriun e
Kosovës për t'u ofruar qytetarëve shërbime më të mira.
"Ndërmarrja e deritashme e hekurudhave të UNMIK-ut që u
është dorëzuar të ashtuquajturave hekurudhave të Kosovës, nuk ka qenë në
gjendje që në tersi dhe sipas standardeve që ne i përmbushim të kryejnë punët
në të këtë pjesë të hekurudhës", ka deklaruar Branislav Ristivojević
Më herët në mëngjes punonjësit serbë ndaluan lëvizjen e
trenit që udhëton nga veriu deri në Fushë Kosovë afër Prishtinës.
Drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, thotë se një vendim I tillë
dëmton në radhë të parë vetë qytetarët e komunitetit serb.
"Ky tren së pari është në interesin e lëvizjes së qytetarëve
serbë që lëvizin nga Hani i Elezit në veri dhe anasjelltas dhe unë besoj së mos
qarkullimi i këtij treni do të jetë në dëm të qytetarëve serbë", thotë zoti
Ramosaj
Bllokimi i sotëm i lëvizjes së trenave është
veprimi më i ri në kuadër të reagimeve të ashpra të deritashme të
Beogradit dhe serbëve lokal kundër pavarësisë së Kosovës. Krahas protestave të
përditshme në rrugë, gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar edhe disa
incidente të dhunshme. Protestuesit serbë dogjën ditë më parë dy posta kufitare
dhe bllokuan punën e një Gjykate në veriun e Kosovës.
Rreth 260 pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës nga
radhët e komunitetit serb janë pezulluar nga puna meqë refuzuan të zbatojnë
urdhrat e udhëheqësve shqiptarë të këtij Shërbimi.
Veprimet e tilla shihen si pjesë e udhëzimeve të qeverisë së
Serbisë dhënë pjesëtarëve të komunitetit serb që t'u japin fund kontakteve dhe
bashkëpunimit me qeverinë e Kosovës. Ata janë udhëzuar nga Beogradi që të
bojkotojnë edhe Misionin e Bashkimit Evropian i cili gjatë 120 ditëve të
ardhshme duhet të marrë përsipër një pjesë të përgjegjësive nga Misioni i
Kombeve të Bashkuara, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, por edhe të
mbikëqyrë zbatimin e propozimit të krye negociatorit ndërkombëtarë Martti
Ahtisaari mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.
