BBC, Moske - Rusët votojnë për presidentin e ri
nga Albana Kasapi
Rusët po votojnë për të zgjedhur personin që do të pasojë
pas tetë vjetëve në pushtet, Vladimir Putinin.
Autoritetet thonë se pjesëmarrja në votime deri në mesditë
ka qenë më e lartë se zakonisht.
Por ka patur njoftime nga Rusia se punonjësit e sektorit
shtetëror janë vënë nën presion për të votuar dhe një korrespondent i BBC-së në
Në vendin që renditet i shtati në botë nga sipërfaqja dhe që
ka shtrirje gjeografike në 11 zona kohore, votimi ka nisur që të shtunën në
rajonet e largëta lindore.
Rreth 109 milionë rusë kanë të drejtë vote në Rusi dhe
jashtë saj.
Komisioni i Zgjedhjeve thotë se ata do të votojnë në 96 mijë
qendra votimi.
Në fjalimin e fundit para zgjedhjeve, zoti Putin iu drejtua
kombit me thirrje për të dalë në zgjedhje në mënyrë masive.
Pritet që këto zgjedhje të fitohen nga kandidati i propozuar
dy muaj më parë nga zoti Putin, Dmitri Medvedev.
Fjala e z. Putin ka peshë në elektorat, thonë analistët
sepse ai gëzon mbështetjen e rreth 80 përqind të rusëve.
Zoti Putin erdhi në pushtet në vitin 2000, pasi më parë
kishte kryer për disa muaj detyrën e presidentit me bekimin e pararendësit të
tij, Boris Jelcin. Ai u rizgjodh në post katër vjet më pas.
Putin shihet si njeriu që drejtoi rimëkëmbjen ekonomike të
vendit dhe rikthimin e Rusisë si aktore të rëndësishme në skenën ndërkombëtare
pas periudhës së vështirë të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Z. Medvedev është zv.kryeministri aktual i vendit dhe kreu i
kompanisë së madhe shtetërore ruse, Gazprom, prodhuesit dhe eksportuesit më të
madh të gazit në botë.
Ai është nga Shën Pjetërburgu, ashtu si dhe z Putin. Është
avokat me profesion dhe shihet si një nga ekonomistët liberale në administratën
e Kremlinit.
Z. Medvedev konkuron me tre kandidatë që shihen si
mbështetës të Kremlinit dhe që sipas kritikëve, janë futur në lojë për t'i
siguruar atij fitore.
Ata janë komunisti Genady Zuganov, ultranacionalisti
Vladimir Zhirinovski dhe Andrei Bogdanov, një personazh pothuaj fare i panjohur
në skenën politike ruse, prandaj njihet si "kandidati misterioz".
Kandidati i opozitës, Mikhail Kasianov u përjashtua nga gara
pasi prokurorët thanë se në listën e mbështetësve të tij, të nevojshme për t'u
regjistruar si kandidat për këto zgjedhje, kishte firma të falsifikuara.
Kritika
Organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë e ka
bojkotuar vëzhgimin e zgjedhjeve me arsyetimin se autoritetet ruse i penguan
vëzhguesit e saj që ta kryenin misionin sipas standarteve të tyre.
OSBE-ja vëzhgoi në Rusi zgjedhjet e fundit parlamentare ne
dhjetor që u fituan nga partia e z. Putin si as të lira, as të ndershme.
Megjithatë, zgjedhjet e së dielës, sipas Komisionit Qendror
të Zgjedhjeve në Rusi do të vëzhgohen nga 300 vëzhgues të huaj.
Kundërshtarët e z. Medvedev në garë, ndërkohë janë ankuar
për mbulimin e madh në televizione të fushatës së z. Medvedev.
Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve e pranoi për BBC-së të
premten në përfundim të fushatës se mbulimi nga media i fushatës elektorale
kishte qenë "i pabarabartë".
Vladimir Churov tha se edhe pse kandidatët në garë nuk
kishin patur kohë të barabartë në media, ai prapseprapë besonte se mbulimi i
zgjedhjeve kishte qenë i drejtë.
