VOA - Prishtina përshëndet zotimet për mbështetje ushtarake
amerikane
Udhëheqësit politikë në Kosovë e vlerësuan lartë vendimin e
presidentit amerikan George Bush për të autorizuar furnizimin e Kosovës me
armë, ndërsa udhëheqësit serbë e pritën me zemërim një vendim të tillë.
Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu duke e përshëndetur
veprimin e presidentit Bush, u zotua se Kosova do të jetë një partnere e
rëndësishme në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. "SHBA-të janë në
mbështetje të gjithmonshme si edhe vendet e tjera të BE-së dhe të botës
demokratike në ndihmë Kosovës. Ne jemi në një stazë të gjatë të bashkëpunimit
dhe nuk mund të them se tash ne kemi kryer një proces të ndërtimit apo të
shpalljes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur dhe t'i ndërkrejmë
bashkëpunimet. Ne do të bashkëpunojmë në të gjitha fushat e mundshme për të pas
një Kosovë moderne, në atë rrugë të përsosjes sikur vendet e tjera dhe një
Kosovë që do të jetë partnere e rëndësishme në të gjitha bashkëpunimet", tha
presidenti Sejdiu.
Kryeministri i vendit Hashim Thaçi i vlerësoi si
të posaçme marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. "Raportet e
Prishtinës me Uashingtonin janë specifike, speciale, të shkëlqyeshme dhe
natyrisht se prania e KFOR-it amerikan dhe e të gjitha trupave të NATO-s është
e mirëseardhur, e respektuar dhe më e përkrahur nga qytetarët në botë", tha
Thaçi.
Plani i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti
Ahtisaari parasheh që Kosova të ketë Forcën e saj të sigurisë me 2500 pjesëtarë
aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur lehtë. Udhëheqësit politikë të serbëve të
cilët kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës reaguan me zemërim ndaj vendimit të
presidentit Bush, i cili sipas analistëve në Kosovë do të ndihmojë edhe në përshpejtimin
e njohjes së mëtejme të shtetit të ri të Kosovës.
Tri vende fqinjë të Serbisë, Hungaria, Kroacia e Bullgaria
njohën Kosovë në 24 orët e fundit duke e çuar në 33 numrin e shteteve që e kanë
njohur pavarësinë e saj në mesin të cilave janë Shtetet e Bashkuara dhe vendet
më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.
Autoritetet në Prishtinë shfaqën sot bindjen se edhe
Maqedonia do ta njohë shumë shpejt pavarësinë e Kosovës. Pas takimeve me
udhëheqësit e partive politike shqiptare nga radhët e opozitës në Maqedoni,
kryeministri Thaçi shprehu bindjen se siç tha njohja e pavarësisë së Kosovë nga
ana e Shkupit zyrtar është çështje e kryer. "Maqedonia e ka njohur pavarësinë e
Kosovës, pavarësi kjo e cila është shpallë në përputhshmëri me dokumentin
gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, i cili dokument është përkrahur nga
ana e Shkupit", tha kryeministri Thaçi.
Propozimi i zotit Ahtisaari parasheh që vija kufitare
ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të vendoset nga një komision i përbashkët
dhe ky propozim është pranuar nga të dyja vendet. Por, "mollë sherri" është
bërë debati nëse kjo do të ndodhë para apo pas njohjes së pavarësisë së Kosovës
nga Maqedonia.
