Nis dialogu për liberalizimin e vizave BE-Tiranë

|

BBC - Nis dialogu për liberalizimin e vizave

nga Ilir Kadia

 

Komisioni Evropian nis  sot, të premten, në Tiranë dialogun me Shqipërinë për liberalizimin e regjimit të vizave.

Për këtë arsye ka mbërritur në kryeqytetin e Shqipërisë zëvendëspresidenti i Komisionit, Franco Frattini, Komisioner për Lirinë, Sigurinë dhe Drejtësinë.

Në prag të vizitës, z. Frattini tha se dialogu 'do të nxisë promovimin e lëvizjes së njerëzve mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor si një element kyç drejt një bashkëpunimi më të ngushtë me vendet e rajonit'.

"Vij personalisht në Tiranë për t'u sjellë qytetarëve shqiptarë një mesazh politik të fortë e pozitiv nga Bashkimi Evropian, duke nisur dialogun për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendit të tyre.

Ky proces, shtoi më tej komisioneri, synon të arrijë qëllimin e përbashkët të lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Dialogu do të hapet nga pala shqiptare nga kryeministri Sali Berisha.

Gjatë vizitës së tij të shkurtër, zëvendës-presidenti Frattini do të takohet gjithashtu me presidentin e republikës, Bamir Topi dhe kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli.

Qëllimi i dialogut është t'u japë sinjale të qarta autoriteteve shqiptare për masat që duhet marrë për të siguruar lëvizjen pa viza për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Kritika

Opozita, përmes Arta Dades, sekretare për marrëdhëniet me jashtë të Partisë Socialiste tha se vizita e Frattinit është e mirëpritur, por qeveria vazhdon të jetë e vonuar në përmbushjen e kushteve dhe masave për liberalizimin e vizave.

"Kjo qeveri vazhdon të vonohet me pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit dhe me aplikimin e mekanizmave për të eliminuar falsifikimin e dokumentave" thotë Arta Dade.

Që prej 1 janarit 2008, qytetarët shqiptarë tashmë po shijojnë përfitimet e një regjimi më të lehtësuar vizash për të udhëtuar në vednet e BE-së.

Në këtë regjim përfshihen aplikim dhe procedura të njësuara të lëshimit të vizave për një kategori të gjerë shtetasish shqiptarë, që nga studentëtm, deri tek operatorët ekonomikë që punojnë me kompanitë e Bashkimit Evropian.

About this Entry

This page contains a single entry by Administrator published on March 6, 2008 9:27 AM.

NATO diskuton zgjerimin was the previous entry in this blog.

Për zgjerimin - në samitin e Bukureshtit is the next entry in this blog.

Find recent content on the main index or look in the archives to find all content.

Powered by Movable Type 4.1b1a-en