BBC - NATO diskuton zgjerimin
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, pritet që të vendosin të enjten fatin e kandidimit për anëtarësimin e Shqipërisë, Kroacise dhe Maqedonisë në Aleancë.
Këshilli i NATO-s pritet të diskutojë nëse do t'i ftojë tre vendet ballkanike për anëtarësim në samitin e Bukureshtit në fillim të prillit.
Korrespondentët e BBC-së thonë se ministrat e jashtëm të enjten priten t'i përgjigjen pozitivisht kërkesës së tre vendeve, por ftesa zyrtarisht do të bëhet në samitin e Bukureshtit.
Korrespodentja e BBC-së në Bruksel thotë se kjo është pjesë e përpjekjeve të NATO-s për ta mbajtur rajonin të qëndrueshëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
NATO pritet që t'i ofrojë mundësi për bashkëpunim më të ngushtë edhe vendeve të tjera në Ballkan, duke përfshirë edhe Serbinë, pavarësisht nga incidentet anti-perëndimore që ndodhën atje pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Mbështetje
Kur kanë mbetur dhe pothuajse katër javë nga samiti i Bukureshtit, në gjirin e aleancës ka mbështetje të gjerë për të ftuar për anëtarësim Kroacinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Të tre vendet kanë mbështetjen e Uashingtonit dhe dhe diplomatët e NATO-s thonë se ata i kanë përshpejtuar reformat politike dhe ushtarake.
Por Greqia po kërcënon të vërë veton kundër Maqedonisë për shkak të përlasjes së gjatë mes dy vendeve rreth emrit të kësaj të fundit.
Të 26 vendet duhen të bihen dakord para se vendimi zyrtar të merret në Bukuresht.
