Ministrja e Jashtme e Greqise Bakojanis shkon në Shqipëri

|

BBC - Bakojanis shkon në Shqipëri

nga Athina Robert Goro
 

dora_bakoyannis.jpg

Ministrja e jashtme e Greqisë Dora Bakojanis ka deklaruar se vendi i saj nuk do ta njohë tani pavarësinë e Kosovës, por do të vëzhgojë rrjedhën e ngjarjeve atje.

Deklarata e ministres është bërë vetëm dy ditë para se ajo të do të zhvillojë nesër një vizitë pune në Tiranë, dhe ky do të jetë qëndrimi i parë i një shefi të diplomacisë greke, pas më shumë se pesë vjetësh.

Vizita në Tiranë vjen pasi Greqia ishte një nga vendet e rajonit që tregoi solidaritet me tragjedinë që po kalon këto ditë Shqipëria për shkak të shpërthimit në Gërdec, pranë kryeqytetit Tiranë, ditën e shtunë.

Prandaj dhe programi i ngjeshur i ministres së jashtme greke, Dora Bakojanis, parashikon edhe një vizitë tek pacientët e plagosur, në një nga spitalet e Tiranës.

Zonja Bakojanis do të takohet me gjithë udhëheqjen e lartë të shtetit shqiptar, ndërsa kryetari i partisë socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i bashkisë së kryeqytetit, do t'i dhurojë mysafires greke çelësin e qytetit, në shkëmbim të dhuratës së njëjtë që i kishte bërë në nëntor 2004 zotit Rama, zonja Bakojanis, në atë kohë kryetare e bashkisë së Athinës.

Sipas njoftimit të ministrisë së jashtme greke, në takimin me homologun e saj Lulzim Basha, zonja Bakojanis do të diskutojë çështje të marrëdhënieve dypalëshe në planin politik dhe ekonomik.

Situata në rajon me theks në zhvillimet në Kosovë dhe mosmarrëveshjen greko-maqedonase për çështjen e emrit, si dhe perspektiva euroatlantike e Shqipërisë në prag të samitit të NATO- s, do të jenë disa nga pikat e tjera të rëndësishme të axhendës së takimit.

Zonja Bakojanis do të shkojë në Tiranë vetëm disa orë pas takimit që do të ketë zhvilluar në Athinë në mesditë, me homologun e saj serb, Vuk Jeremiç ku merret me mend se çështja e Kosovës do të jetë dominante.

Ndonëse axhenda e këtij takimi nuk është publikuar, vlerësohet se kryediplomati serb, ndër të tjera, do të synojë marrjen e premtimit se Athina nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Por ka pak gjasa që ky premtim t'i jepet.

Ministrja Bakojanis, në një intervistë për një gazetë gjermane, pyetjes nëse Greqia do ta njohë Kosovën, i është përgjigjur:
"Jo tani. Duhet të shohim si do të rrjedhin ngjarjet. Për ne është e rëndësishme që situata të mbetet e qëndrueshme, të ketë respekt për të drejtat e minoriteteve. Do të jemi veçanërisht të kujdesshëm para se të marrin çfarëdo vendimi".

Përgjigja e ministres së jashtme greke ishte në të njëjtën linjë me kryeministrin Kostas Karamanlis, i cili në fundjavë, kishte deklaruar se "në çështjen e njohjes së pavarësisë, Greqia nuk ka asnjë arsye të nxitojë në marrjen e vendimeve të veta".

About this Entry

This page contains a single entry by Administrator published on March 19, 2008 11:04 AM.

Pas Japonise dhe Kanadase edhe tri shtete pritet ta njohin sot Kosovën was the previous entry in this blog.

Betejë "për jetë e vdekje" në Tibet is the next entry in this blog.

Find recent content on the main index or look in the archives to find all content.

Powered by Movable Type 4.1b1a-en