Kryeministri Berisha për shpërthimin

|

BBC - Kryeministri Berisha për shpërthimin

Citime nga konferenca për shtyp e kryeministrit Sali Berisha të shtunën në mbrëmje:

"Në fshatin Gërdec të bashkisë Vorë, prej më shumë se një viti, një kompani e profilizuar në çmontimin e municioneve, ka ngritur një fabrikë për çmontimin e predhave të artilerisë, të kalibrave nga 60 deri në 152.

Sot, më 15 mars, rreth orës 12:00, në këtë fabrikë ka ndodhur një shpërthim i fortë, tronditës. Në drejtim të fabrikës është nisur menjëherë njësia e policisë së Vorës, me në krye komisarin e kësaj policie. "

Operacioni i shpëtimit

"Është ndërmarrë një operacion i fuqishëm i evakuimit të banorëve në Gërdec, Marqinet, Lutaj, Marikaj. Në këtë mënyrë, janë evakuuar rreth 4000 banorë, ndër të cilët 243, së bashku me një pjesë të punonjësve të fabrikës, kanë pasur plagë të shkallëve të ndryshme."

"Disa prej tyre kanë qenë banorë fshatrash, të tjerë punonjës të fabrikës dhe disa të tjerë kanë qenë pasagjerë të automjeteve që udhëtonin në autostradë, ndër të cilët autobusë të linjës Tiranë-Durrës, autovetura."

"Vala goditëse ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme. Shtabi i emergjencës, forcat më të përzgjedhura të ushtrisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të gjitha përpjekjet që t'i afrohen zonës në afërsinë më të madhe dhe faktikisht kanë arritur të penetrojnë gjer në 10 metra nga qëndra e kraterit."

"Në këtë operacion, të realizuar kryesisht me autoblinda, janë evakuuar një numër i madh fshatarësh të Gërdecit dhe punonjës të fabrikës që ishin larguar në intervalin midis shpërthimit të parë dhe shpërthimit të dytë. Janë tërhequr nga brenda zonës së zjarrit dhe të shpërthimeve dhe katër kufoma të punonjësve të kësaj fabrike që mbetën viktima të shpërthimit."

"Ministria e Shëndetësisë ka organizuar me shpejtësi dhe ka mobilizuar të gjithë potencialin e urgjencave të Tiranës, Spitalit Ushtarak, Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", spitalit të Durrësit, sikundër kanë ardhur në vendin e ngjarjes të gjitha zjarrfikëset e Qarkut të Tiranës dhe qarqeve të tjera, autoambulancat dhe mjetet e tjera të transportit, shtuar këtu edhe 10 helikopterë, kryesisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Bilanci deri tani është një bilanc i hidhur."

Zonë fatkeqësie

"Kam vendosur që me vendim të Këshillit të Ministrave ta shpallim zonën, "Zonë të fatkeqësisë", të ngremë një komision ndërministror, të kryesuar nga kryeministri, për të ndjekur çdo minutë ngjarjen, për të bërë të gjitha vlerësimet, për të marrë të gjitha masat së pari, për mjekimin e të plagosurve dhe për të bërë çdo gjë për shpëtimin e jetës së tyre dhe së dyti, për të riparuar në një kohë sa më të shkurtër dëmet e mëdha dhe serioze të krijuara në zonën e fatkeqësisë nga eksplozioni jashtëzakonisht i fuqishëm, vala goditëse e të cilit tejkaloi dhe Tiranën dhe është dëgjuar pothuajse në të gjithë vendin si një ushtimë."

Kompania dhe masat për çmontimin e armatimeve

"Lidhur me kompaninë , kjo është "Southern Ammunition Company", me bazë në Karolinën e Jugut, e liçencuar për zbërthim të municioneve , pra është një kompani e këtij profili, e çertifikuar sipas rregullave të çertifikimit të tyre dhe nuk ka patur asnjë të huaj në këtë fabrikë."

"Një nga problemet më madhore të këtij vendi është municioni. Nuk është sekret që ne disponojmë mbi 100 mijë ton municione. Këtu bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes, katër muaj më parë, një kompani konsulence jashtëzakonisht kompetente, e cila na ka asistuar në të gjithë reformën e forcave të armatosura, i kemi kërkuar të na bëjë master-planin e dislokimit të ushtrisë shqiptare, e cila kaloi nga një ushtri me 360 mijë anëtarë të saj, dikur para 15 vitesh, në një ushtri prej 14 mijë ushtarë dhe oficerë tërësisht profesioniste."

"Kjo kompani si problemin më shqetësues ngre problemin e municioneve, i cili është i shtrirë në dhjetëra depo në të gjithë vendin. Një nga rekomandimet është zbërthimi i tyre, rekomandim tjetër është eksplodimi i tyre, apo dhe djegia e tyre. Ne do të marrim vendimet. Në se demolomi i tyre është një praktikë e zakonshme, me këto që ndodhën sot ne do të përpiqemi të gjejmë metodë tjetër, por nuk është thjeshtë, sepse po kaq i rrezikshëm, është transporti i tyre, janë municione 40 apo 50 vjecare, të cilat absolutisht, në asnjë rrethanë nuk të garantojnë një transport të sigurt."

"Ne morëm dokumentin, do ta shqyrtonim, duke përcaktuar dhe rrugën më pak të rrezikshme, sepse të parrezikshme nuk ka po të kemi parasysh këtë sasi prej 100 mijë tonësh, të cilat po u transportuan duhet të transportohen me kamion. Është jashtëzakonisht e vështirë , për të mos thënë e pamundur për të lëvizur në zona të pabanuara, sepse mund të kalojnë në zona të banuara. Pra përbën një problem të cilin ne do ta konsultojmë edhe me miqtë tanë dhe aleatët, për ti dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme."

"Çdo kompani e huaj, pa asnjë përjashtim, përgjithësisht punon me kompani vendase, pasi u japin të gjithë kualifikimin e nevojshëm. Ata kanë çmontuar rreth 6 mijë apo 8 mijë ton municion. Nuk mund të them se kemi të bëjmë me gabim njerëzor, sigurisht që nuk mund ta përjashtoj një gabim të tillë, gjithashtu, nuk përjashtoj një aksident në momentin e çmontimit në heqjen e djegores, apo ndonjë gjë tjetër, si dhe nuk përjashtohet mundësia që djegoret e predhave të vjetra të vetëeksplodojnë, sipas vlerësimit që kanë bërë ekspertët e shqiptarë dhe të huaj, jo për këtë rast, por në përgjithësi për municionin shqiptar."

Zonat me municione

"Nuk ka asgjë sekrete për këto zona. Harta e tyre fillon nga Mjeda dhe përfundon në Skrapar ose Gjirokastër. Ka disa programe për këtë. Ka një program në kuadrin e NATO-s që ecën në djegie me zbërthim."

"Ka një program tjetër, i cili u mbyll me ndihmën e qeverisë amerikane, në të cilin janë investuar jo më pak se 1 milion dollarë për procesin e shkatërrimit të municionit. Ka qenë ky program, mbi baza kompanie private për demolim që e përdorin dhe vende të tjera. Ne na janë sugjeruar disa praktika, njëra prej të cilave është demolimi, tjera është eksplodimi i tyre, futja a tyre në ndonjë tunel dhe eksplodimi, djegia në një vend të mbrojtur."

Anëtarësimi NATO

"Një gjë është e sigurt që Shqipëria duhet të çlirohet prej tyre. Rekomandimi ka qenë që të çlirohet brenda viti 2010 sepse sasia është kolosale. Do të bëjmë çdo përpjekje, sigurisht që kërkohet një shumë jo e vogël. Me 30 milion është demoluar një sasi që nuk është as një e dhjeta. Natyrisht ne me miqtë tanë do të studiojmë se cilën rrugë të ndjekim, duke zgjedhur atë më pak të rrezikshme dhe më të shpejtë, të çlirimit të vendit nga këto stoqe të rrezikshme."

"Jam dakord që kjo ngjarje dëshmon për një pasiguri në municionet e vjetruara dhe dëshmon gjithashtu që Shqipëria ka një problem me municionet, por më duhet të them se ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në vendet anëtare të NATO-s, kështu që ky është një aksident i rëndë, në një proces të një kompanie të demolimit dhe në një proces që përdoret rëndom për të shkarkuar municionet."

"Një gjë është e sigurt që eksplozioni ka ndodhur në fabrikë dhe jo jashtë saj. Nuk besoj se kjo do të n dikojë ( në anëtarësimin në NATO), pasi aksidente të tilla u kanë ndodhur dhe vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve shumë më të modernizuar me sisteme kontrolli shumë herë më të fuqishme se sa Shqipëria. Ky aksident i rëndë shumë për mendimin tim bën që Shqipëria të kërkojë një rrugë alternative dhe jo zbërthimin për likuidimin e sasive kolosale të municioneve që disponon."

"Kjo ngjarje ashtu si çdo ngjarje tjetër do t'i nënshtrohet një hetimi të plotë dhe unë mendoj se i duhet lënë hetimit për të përcaktuar të gjitha përgjegjësitë."

About this Entry

This page contains a single entry by Administrator published on March 17, 2008 10:31 AM.

Situata ne Gerdec pas shperthimeve was the previous entry in this blog.

Shqipëri: Jep dorëheqjen Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu is the next entry in this blog.

Find recent content on the main index or look in the archives to find all content.

Powered by Movable Type 4.1b1a-en