Feith i vendosur kundër ndarjes së Kosovës

|

BBC, Vjenë - Feith i vendosur kundër ndarjes së Kosovës

Bethany Bell


 

Grupi drejtues ndërkombëtar për Kosovën që përbëhet nga SHBA-ja dhe një numër vendesh evropiane zhvilloi të enjten takimin e tij të parë në Vjenë.

Grupi zgjodhi diplomatin holandez, Pieter Feith si përfaqësuesin e vet.

Zoti Feith, që është edhe i ngarkuari special për Kosovën do të jetë përgjegjës për zbatimin e planeve të hartuara nga i ngarkuari special Martti Ahtisaari, për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës.

Zotit Pieter Feith i është kërkuar ta verë në veprim planin Ahtisaari për Kosovën.

Në një intervistë për BBC-në, zoti Feith u pyet se si do të mund ta parandalojë komuniteti ndërkombëtar ndarjen e Kosovës.

Feith: Kjo është një sfidë për ne. Na duhet që të shpjegojmë tani tek komunitetet e ndryshme qëllimet tona. Duhet që t'i bëjmë ata të kuptojnë përfitimet nga plani Ahtisaari.

Këto përfitime janë të mëdha. Jo vetëm që ne kemi një numër burimesh të rëndësishme, por ka edhe plane për të ngritur komuna të reja, për të patur përfaqësim të mbrojtur, për veprim në fusha të tjera. Kjo duhet të kuptohet.

Së dyti, ne duhet të sigurohemi se mund të mbrojmë themelin. Kemi nevojë për liri lëvizjeje, jo dhunë dhe mundësi që misionet tona të vendosen në të gjithë territorin.

BBC: Si do të bëni që ta çoni mesazhin tek serbët, në veri të Kosovës, kur dihet që një pjesë e ofertave kanë qenë që në planin Ahtisaari?

Feith: Unë nuk mendoj se komuniteti serb apo Beogradi kanë shumë kundërshtime përsa i takon projekteve që janë në përfitim të komunitetit serb. Në fakt, ne dëgjojmë se janë të kënaqur me një numër projektesh që kanë të bëjnë me ta.

Pra, kjo ka të bëjë me çuarjen e mesazhit tek ata, me të shpjeguarit me qëllim që të sigurohemi që ta ndajmë çështjen e statusit nga projektet teknike, që janë parashikuar në planin Ahtisaari.

BBC: Ju thatë se kjo është çështje e çuarjes së mesazhit. Për momentin misioni i BE-së nuk mund të jetë i pranishëm në veri të Mitrovicës. Ju përballeni me një sfidë shumë serioze. Kur mendoni se mund të ktheheni në atë zyrë?

Feith: Është e vërtetë, unë po ju them të vërtetën që misioni i BE-së, apo zyra e BE-së nuk po përdoret. Në anën tjetër ne po lëvizim në këtë zonë. Ne kemi kontaktet tona të vazhdueshme me komunitetin serb.

Ne mund të vazhdojmë aktivitetet tona përfshirë edhe projektet prej të cilave përfiton direkt komuniteti serb.

Pra, megjithëse zyra jonë nuk është e hapur për momentin, aktivitetet vazhdojnë, prandaj nuk duhet të përqëndrohemi tek ndërtesa, zyra. Janë aktivitetet ato që kanë rëndësi.

BBC: Si do të siguroheni ju që nuk do të ketë dhunë? Kjo është një prej kërkesave tuaja kryesore.

Feith: Ne i kemi bërë thirrje Beogradit që të mos nxisë dhunën. Ne jemi shumë këmbëngulës kur është fjala për këtë çështje. Mendojmë se në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian, komunitetit ndërkombëtar dhe Serbisë do të ishte e vendit që t'i shmangemi nxitjes së dhunës.
Kjo është kërkesa minimale.

Në të njëjtën kohë, ne jemi duke u përpjekur që pjesën veriore ta qetësojmë dhe të sigurohemi se mund ta qetësojmë situatën.
Ne nuk mund të sigurojmë se nuk do të ketë dhunë.

Ne vetëm mund që të kërkojmë për ndihmën e nevojshme që mund të marrim prej KFOR-it dhe UNMIK-ut, me qëllim që të sigurohemi se dhuna nuk do të lëndojë stafin tonë dhe popullsinë vendase.

BBC: A ka ndonjë se misioni i BE-së duhet të strehohet brenda atij të UNMIK-ut me qëllim që të pranohet nga komuniteti serb?

Feith: Duhet të jetë e qartë që, siç është diskutuar edhe në Kombet e Bashkuara, ne do të shtohemi teksa UNMIK-u do të reduktohet.

Në një etapë të caktuar do të ketë transferim të autoritetit. Ne do të ruajmë komandën tonë, ne kemi misionin tonë të veçantë, ndaj edhe mendoj se nuk do të fshihemi pas UNMIK-ut.

Ne do të koordinohemi nga afër, dhe do të sigurohemi që lëvizjet tona në veri dhe udhëzimet që i japim stafit do të jenë në përputhje me atë që bën OKB-ja.

BBC: Ka tregues se anëtarë të komunitetit serbë janë duke punuar për të çuar në një ndarje të Kosovës. A është diçka, të cilën komuniteti ndërkombëtar do të duhet ta pranojë?

Feith : Së pari, nuk jam i sigurt dhe vë në dyshim nëse ndarja është vërtetë qëllimi i udhëheqjes së Beogradit, sepse ndarja mund të thoshte de facto njohje të shtetit të Kosovës.

E dyta, siç e thashë ne patëm një takim me grupin drejtues ndërkombëtar, grupi i Miqve të Kosovës, një koalicion i rëndësishëm ku bën pjesë SHBA-ja dhe një numër vendesh të rëndësishme ndërkombëtare. Ne që të gjithë e kundërshtojmë parimin e ndarjes. Ky është qëndrimi ynë tani dhe ne nuk do të zbrapsemi prej kësaj

 

About this Entry

This page contains a single entry by Administrator published on March 2, 2008 9:23 AM.

Kryezyrtari i zbulimit amerikan thotë se Beogradi i lejoi sulmet ndaj ambasadave was the previous entry in this blog.

Skiefer: Kosova një dhe e pandarë is the next entry in this blog.

Find recent content on the main index or look in the archives to find all content.

Powered by Movable Type 4.1b1a-en