BBC - Zona Schenghen zgjerohet
Mijëra vetë nga e gjithë Evropa lindore po festojnë heqjen e
kufijve në zgjerimin më të madh ndonjëherë të zonës evropiane të udhëtimit pa
pasaporta - që do të lejojë rreth 400 milion njerëz të udhëtojnë pa pengesa në
të gjithë kontinentin.
Këto festime pasojnë hapin e BE-së për të hequr kontrolet
kufitare me nëntë vende të reja anëtare - Republika Çeke, Estonia, Hungaria,
Letonia, Lituania, Polonia, Slovenia, Slovakia dhe Malta.
Pikat kufitare po prishen - nga Goerlitzi, një qytet i ndarë
në dysh nga kufiri gjermano-polak në kufirin e Slovenisë me Italinë në detin
Adriatik.
Për miliona vetë që nën regjimet komuniste në përgjithësi
ndaloheshin që të udhëtonin jashtë, kjo është ulja e fundit e Perdes së Hekurt.
Kancelari i Austrisë dhe kryeministri slovak i filluan
festimet duke sharruar një barrierë kufitare dhe në 48 orët e ardhshme
udhëheqësit e BE-së do t'i bien kryq e tërthor Evropës lindore duke hapur në
mënyrë simbolike kufij tokësorë e detarë.
Kontrollet e pasaportave nëpër aeroporte do të hiqen duke
filluar nga marsi i vitit të ardhshëm.
Masat e sigurisë janë përforcuar në kufijtë e rinj të BE-së
me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ish-Jugosllavinë, por shumë vetë kanë frikë se emigrantët
ilegalë dhe krimi i organizuar do të kenë tani dorë të lirë nga vendet Balltike
në kanalin e La Manshit.
Rajoni pa kufij i Shengenit, që u krijua mbi 20 vjet më parë
në fshatin e Luksemburgut me të njëjtin emër, tani përfshin 24 vende, 400 milion
banorë dhe një rajon prej 3,6 milion kilometrash katrorë.
Britania dhe Irlanda i ruajnë ende kontrollet e tyre
kufitare, por Islanda dhe Norvegjia janë tashmë pjesë e marrëveshjes së
Shengenit, ndërsa Qiproja, Zvicra, Rumania dhe Bullgaria përgatiten të futen në
pak vitet e arshshme.
