Prishtine, - Kosovapress - Në pikat kufitare mes Kosovës dhe
Serbisë ndalohet hyrja për personat që nuk janë shtetas të Kosovës
Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Leposaviq,
Merdare, Zubin Potok dhe Dheu i Bardhe, Polica e Kosovës ka ndaluar hyrjen në
Kosovë për personat që nuk janë banorë të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elashni, tha të
premten për Kosovapress se një vendim i tillë është marrë pas ngjarjeve të
djeshme që kanë ndodhur në Beograd.
"Vendkalimet në Leposaviq, Merdare, Zubin Potok dhe
Dheu i Bardh, të gjithë personave që hynë në këto pika kufitare e që nuk janë
banorë të Kosovës, nuk do t'u lejohet hyrja në Kosovë," konfirmoi Elshani.
Ai nder tjerash ka shtuar se gjendja e sigurisë në këto pika
kufitare deri e tani është e qetë dhe nuk ka protestues.
Ndryshe, mbrëmë në Beograd ekstremistë serbë kanë sulmuar
ambasadat e vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe zyrat e bizneseve të
këtyre shteteve, ndërsa gjatë ditës së djeshme një grup i rezervistëve të
ushtrisë serbe tentoi të kalojë kufirin në Merdare, por u ndaluan nga njësitë
speciale të Policisë së Kosovës.
