BBC - Ndërkombëtarët akuzojnë serbët për incidentet
Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, kanë akuzuar udhëheqësit
e serbëve vendas për incidentet në dy pikat kufitare me Serbinë, në veri të
Kosovës.
Ata i kanë bërë thirrje Beogradit zyrtar që të përmbahet nga
deklaratat që nxisin veprime të dhunshme.
Pjesëtarët e komunitetit serb kanë sulmuar të martën dy
poste kufitare duke i shkatërruar ato, në shenjë të mos pranimit të vendimit
për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Por forcat paqeruajtëse të NATO-s mbyllën dy vendkalimet
kufitare menjëherë pas incidentit, ndërkohë që ato u rihapën gjatë ditës së
djeshme.
Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan
Samarxhiq, deklaroi në Beograd, se megjithëse reagimi i serbëve mund të ishte i
keq, ai megjithatë ishte legjitim.
Por shefi i misionit të OKB-së, në Kosovë, Joackim Ruecker,
tha të mërkurën se veprimi i Beogradit është në kundërshtim edhe me zotimet e
tij për përmbajtje nga dhuna.
Nato merr kontrollin
Zyrtarë të SHPK-së thonë se vendkalimet me Serbinë janë vënë
nën kontroll të forcës së NATO-as dhe të policisë ndërkombëtare, ndërkohë që
policët vendas dhe shërbimi doganor i Kosovës do të rikthehen në pozitat e tyre
pasi të jetë qetësuar situata.
"Ne jemi të sigurt që të shkojmë në pjesën veriore të
Kosovës, por në ato dy pika kufitare janë tani njësitet e KFOR-it dhe ato do të
japin një vlerësim për shkallën e rrezikshmërisë për punën që pjesëtarët e
SHPK-së mund ta bëjnë aty si,"ka thënë zëdhënsi i SHPK-së, Veton Elshani.
"Për shkak të uljes së tensioneve SHPK-ja nuk është e
pranishme në këto dy pika, por ajo do të rikthehet aty shpejt," tha
zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani.
Sipas tij në pjesën veriore të Kosovës, SHPK-ja ka shumicën
e pjesëtarëve të saj nga radhët e komunitetit serb dhe tani për tani nuk ka
njoftime, ka thënë zëdhënësi Elshani, që pjesëtarët e këtij komuniteti ta kenë
lëshuar punën në SHPK.
Ndërkohë, serbët e Kosovës kanë vazhduar protestat kundër
pavarësimit të Kosovës dhe e kanë cilësuar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ata
kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët e ardhshme, dhe kanë
marrë përkrahjen e fuqishme nga autoritetet në Beograd.
