DiKarlo: Pavarësia e Kosovës faktor stabiliteti, përparimi në rajon

|

VOA - DiKarlo: Pavarësia e Kosovës faktor stabiliteti, përparimi në rajon

Shtetet e Bashkuara njohën dje zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.  Në deklaratën e njohjes, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë. Zëvendësndihmës Sekretarja e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Rozmari DiKarlo foli me kolegen Isabela Çoçoli për këtë partneritet dhe për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë si elemente me rëndësi në Ballkan dhe më tej.

Zëri i Amerikës:  Zonja Sekretare, pas njohjen së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, çfarë duhet të presë ajo nga Shtetet e Bashkuara ?

Rozmeri DiKarlo: Mendoj se pozita jonë është shumë e qartë.  Para së gjithash ne kemi qënë  një mbështetës i fuqishëm i të gjitha vendeve në rajonin e Ballkanit.  Ne kemi qënë një kontribues i madh në Kosovë që nga viti 1999 me trupa në KFOR, ne i kemi dhënë ndihmë qeverisë provizore të Kosovës, ne do të vazhdojmë angazhimin tonë të fortë në rajon me Kosovën, me Serbinë, me vende të tjera në Ballkan për t'i ndihmuar këto vende të ecin me shpejtësi në rrugën e integrimit në Evropë dhe në familjen euroatlantike.

Zëri i Amerikës:   Në deklaratën e njohjes thuhet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë mik dhe partner i ngushtë i Kosovës.  Për çfarë partneriteti është fjala dhe çfarë miqësie do të ndërtohet me kalimin e viteve?

Rozmeri DiKarlo:  Siç e thashë edhe më parë, ne kemi qënë aktivisht të angazhuar në Kosovë, ne kemi një mision në terren, ne kemi mbështetur disa programe në fusha të ndryshme dhe do të vazhojmë ta ndihmojmë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik dhe demokratik.  Ne jemi shumë të kënaqur të shikojmë se në deklaratën e shpalljes së pavarësisë, Kosova angazhohet të vërë në jetë planin Ahtisari dhe ta përqendrojë vemendjen në mbrojtjen e minoriteteve dhe gjithë komuniteteve në Kosovë.  Ne mendojmë se ky është një tregues shumë i rëndësishëm. Ne patjetër që do të vazhdojmë të mbështesim udhëheqësit e Kosovës për vënin në zbatim të këtij plani.  

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, për sa i përket ndihmës ekonomike a do të ketë për Kosovën një strukturë të ngjashme me Planin Marshall për rimëkëmbjen e Gjermanisë, apo me ndihmën ekonomike që i është dhënë Izraelit?

Rozmeri DiKarlo:  Besoj se sot në Bruksel, komisioneri Oli Rehn  njoftoi se do të mbahet një konferencë e vendeve donatore në javët apo muajt e ardhëshëm për Kosovën.  Ne do të marrim pjesë në atë konferencë, ne do të kontribojmë, ne duam të kontribojmë në ato programe që  kemi mbështetur dhe në programe të tjera për Kosovën, ne do të vazhdojmë praninë tonë në KFOR, ne do të jemi gjithashtu të pranishëm në Zyrën Civile Ndërkombëtare që parashikohet në planin Ahtisari.  Kështu Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një kontribues i fuqishën në zhvillimet e Kosovës.

Zëri i Amerikës:  Në deklaratën e njohjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, u bëhet thirrje udhëheqësve serbë të punojnë sëbashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre për të realizuar qëllimet e përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave, segurisë, kulturës dhe jetesës së komunitetit serb në Kosovë.  A ka ndonjë shenjë që tregon se udhëheqja serbe ka prirje për të shkuar në këtë drejtim?

Rozmeri DiKarlo: Historikisht, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qënë miq.  Ne kemi qënë aleatë në dy luftra botërore,  ne punojmë sëbashku në shumë aktivitete, ne kemi një komunitet të madh serb në Shtetet e Bashkuara dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për t'i vazhduar dhe forcuar këto lidhje.

Zëri i Amerikës:  Ju personalisht keni qënë shumë e angazhuar në rajon, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, në mos gaboj.  Çfarë mendoni për zhvillimet e këtyre dy ditëve të fundit?

Rozmeri DiKarlo:  Për mua tani është koha për t'i lënë pas konfliktet e viteve 90-të.  Shpresoj  që të gjitha vendet e rajonit të përqafojnë të ardhmen që i pret, si anëtarë të Bashkimit Evropian eventualisht, si anëtarë të NATO-s.  Ky është qëllimi dhe objektivi ynë final për rajonin dhe mendoj se me zgjidhjen e kësaj çështjeje të madhe që kishte mbetur, e gjithë rajoni do t'i drejtojë sytë nga e ardhmja.  Do të doja të theksoja se Beogradi dhe Prishtina negociuan për më shumë se dy vjet. Ne dëshironim që palët të arrinin në marrëveshje, po kjo nuk u bë e mundurl.  Ne e kishim bërë të qartë qendrimin tonë që në fillim se në mungesë të një marrëveshjeje Plani Ahtisari rruga më mirë përpara për të nxitur paqen dhe stabilitetin në rajon. Tani qe një numër vendesh kanë vendosur ta njohin Kosovën ose kanë shprehur synimin për ta njohur atë, ne shpresojmë se që të gjithë mund të ecin përpara, veçanërisht Serbia dhe Kosova.

About this Entry

This page contains a single entry by Administrator published on February 19, 2008 12:28 PM.

Tirana dhe Shkupi heqin vizat was the previous entry in this blog.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin Kosovën si shtet të pavarur is the next entry in this blog.

Find recent content on the main index or look in the archives to find all content.

Powered by Movable Type 4.1b1a-en