February 2008 Archives

 VOA - Kryezyrtari i zbulimit amerikan thotë se Beogradi i lejoi sulmet ndaj ambasadave

 

Zyrtari më i lartë amerikan për zbulimin thotë se qeveria serbe e urdhëroi policinë që të mos ndërhynte për të ndaluar protestuesit që sulmuan ambasadat e vendeve perëndimore në Beograd, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara pasi ata njohën pavarësinë e Kosovës.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar McConnell tha dje para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se qeveria e Serbisë e udhëzoi policinë të mos ndërhynte në demonstratat e dhunshme në Beograd javën e kaluar.

"Ne kemi informacion të mjaftueshëm se kur Ambasada amerikane, ajo britanike dhe të tjerat u sulmuan, qeveria e Serbisë mori vendimin për ta tërhequr policinë dhe për të lejuar që ato të sulmoheshin, të digjej ambasada dhe të ndërmerreshin aktet e dhunshme".

Ambasada amerikane në Beograd u rihap dje, afro një javë pasi demonstruesit i vunë zjarrin seksionit të zyrës konsullore, për të protestuar ndaj mbështetjen amerikane kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, në një deklaratë të ambasadës thuhej se seksioni konsullor do të mbetet i mbyllur për një periudhë të pacaktuar.

Zoti McConnell tha se ai parashikon që dhuna të vazhdojë në Serbi në një farë niveli dhe vuri në dyshim vullnetin e qeverisë në Beograd për të kontrolluar trazirat në të ardhmen.

"Forcat që janë aktualisht atje mund të frenojnë një shkallë të ulët dhune. Nëse ajo merr përmasa, ndoshta do të dilte jashtë kontrollit të tyre. Pyetja që shtrohet është se sa e vendosur është udhëheqja e Serbisë dhe a do të nxisë dhunë në një shkallë shumë më të lartë nga ajo që kemi parë deri tani".

Në të njëjtën seancë, Drejtori i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes, Gjeneral Lejtnant Michael Maples shprehu shqetësimin për dhunën e mundshme në veri të Mitrovicës, megjithëse ai tha se paqeruajtësit e NATO-s atje kanë qenë në gjendje të garantojnë një ambjent të sigurt deri tani.

I pyetur për rolin e Rusisë në situatën e krijuar, Drejtori i Zbulimit Kombëtar, McConnell tha se Moska po përpiqet ta tërheqë Serbinë në orbitën e saj dhe përmendi mosmarrëveshjet mes Kryeministrit Vojislav Kostunica dhe Presidentit Boris Tadic për drejtimin e ardhshëm të vendit.

Në raportimin para Komisionit të Senatit, teksti i të cilit ishte publikuar në faqen e internetit të zyrës së zotit McConnell, ai bën një ekspoze të rreziqeve ndaj sigurisë në botë, ku shprehet se gjendja në Ballkan, mendohet të mbetet e paqëndrueshme pas pavarësisë së Kosovës dhe me keqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Bosnje. Shpallja e pavarësisë në Kosovë, thotë zoti McConnell mund të sjellë si rezultat përplasje me serbët që jetojnë në Veri dhe disa masa hakmarrëse nga Beogradi.

Ai shton se ekziston mundësia për dhunë ndëretnike, që do të kërkonte ndërhyrjen e forcave të NATO-s, veçanërisht nëse serbët ndërmarrin hapa provokues për të bllokuar autoritetin e Prishtinës dhe nëse ka dhunë, ajo mund të përhapet në shtetet fqinjë.

Zoti McConnell thotë paralajmëron se pakicat shqiptare në Maqedoni dhe Serbinë Jugore mund të vazhdojnë të kërkojnë më shumë autonomi dhe ekstremistët mund të përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë e publikut dhe të përdorin dhunë në shkallë të ulët për të siguruar mbështetje për bashkimin me Kosovën.

VOA - Dy batalione rezervë të NATO-s gati për të shkuar në Kosovë në rast dhune

 

NATO-ja njoftohet se ka vendosur të vërë dy batalione rezervë në gjendje gadishmërie për të ndërhyrë në Kosovë në rast dhune, pas shpalljes së pavarësisë javën e kaluar.

Kjo lëvizje është një nga disa hapat e ndërmarra nga aleanca ditët e fundit për t'u përgatitur për tensionet në rritje, veçanërisht në veriun e Kosovës, ku mbizotëron popullsia serbe.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se kufijtë e Kosovës janë më të sigurtit dhe më të mbrojturit në rajon.

Duke folur dje në Prishtinë ai tha se paqeruajtësit ndërkombëtarë, me mbështetjen e policisë së Kosovës, e kanë zonën nën kontroll.

Në qytetin e ndarë të Mitrovicës, serbët vazhduan protestat dhe demonstruesit kërkuan që gjykatat lokale që i kishin punësuar ata të ktheheshin nën juridiksionin serb. Edhe studentët serbë vazhduan protestën e tyre një javore kundër pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri serb Vojislav Kostunica u dërgoi një mesazh mbështetjeje studentëve duke thënë se ata po përcaktojnë drejtimin që duhet të marrë Serbia.

Vazhdon njohja e Kosoves

|

QIK - Vazhdon njohja e Kosoves.

 

Austria njohu Kosovën

Vjenë, 28 shkurt - Austria njohu të mërkurën pavarësinë e Kosovës, duke qenë kështu shteti më i fundit në rradhën e atyre që e kanë pranuar Republikën e Kosovës. Presidenti Hajnc Fisher autorizoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Vjena zyrtare rekomandoi javën e kaluar se Austria do ta njihte Kosovën.

 

Zvicra njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës

Prishtinë, 28 shkurt - Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Paskal Shushpen (Chouchepin), u ka dërguar një letër Presidentit të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiut, dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, me anë të së cilës i njoftoi se Zvicra e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe vendos marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

 

Bullgaria pritet që brenda dy javësh ta njohë pavarësinë e Kosovës

Prishtinë, 28 shkurt Bullgaria pritet që brenda dy javësh ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë lajm e ka konfirmuar gjatë vizitës së djeshme në Kosovë, Kryetari i Partisë bullgare VMRO, Kasmir Karakaçinov. Ai ka saktësuar se partia e tij ka inicuar një debat urgjent në parlamentin bullgar me qëllim të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e pavarësisë së Kosovës për të cilën ai tha se gjithmonë e ka përkrahur. "Shpallja e Kosovës shtet do të krijojë stabilitet në Ballkan", është shprehur Karakaçinov. Ai shfaqi bindjen se nuk ka diç që do ta pengojë Bullgarinë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

 

Qeveria sllovene mbështet njohjen e pavarësisë së Kosovës, por vendimin e merr Parlamenti

Lubjanë, 28 shkurt - Presidenti i Sllovenisë, Danillo Turk ka deklarura se Qeveria sllovene mbështet njohjen e pavarësisë së Kosovës, por për këtë vendimin defintiv do ta marrë Parlamenti slloven. Nuk hezitojmë sepse me seriozitet të plotë e kuptojmë nevojën e koncensusit, ka deklaruar Turk para vizitës së djeshme në Hungari.

QIK - Maqedonia do ta njohë pavarësinë e Kosovës me shënimin e vijës kufitare

 

Shkup, 28 shkurt - Qeveria e Maqedonisë ka miratuar një kërkesë për fillimin e menjëhershëm të procesit të shënimit të vijës kufitare me Kosovës.Kërkesa është miratuar nga kabineti qeveritar dhe ajo së shpejti do t'i dërgohet Qeverisë së Kosovës. Qeveria maqedonase do t'u drejtohet autoriteteve në Kosovë me qëllim që sa më shpejt të fillohet me procesin e formimit të një komisioni të përbashkët për shënimin e vijës kufitare sipasa marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2001 dhe në bazë të afateve të përcaktuara në planin e Ahtisarit, theksohet në deklaratën e Qeverisë maqedonase. Paraprakisht shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshovski ka lënë për të kuptuar se Maqedonia do ta njeh pavarësinë e Kosovës me shënimin e vijës kufitare

BBC - Microsoft gjobitet me 1.3 miliardë dollarë

 

Komisioni Europian e ka gjobitur gjigandin amerikan të programeve kompjuterike, Microsoft, me 1.3 miliardë dollarë për moszbatim të një vendimi të mëparshëm anti-trust.

Kjo është gjoba më e rëndë e vendosur nga Komisioni, i cili njofton se gjatë 50 vjetëve të fundit, Microsoft-i është kompania e parë që e injoron një vendim anti-trust.

Në mars të vitit 2004, Komisioni e shpalli fajtor Microsoft-in se u kishte dhënë rivalëve të vet çmime shumë të larta për shitjen e programeve kompjuterike të nevojshme për përshtatjen e pajisjeve me sistemet operacionale Windows.

Komisionerja për Çështjet e Konkurencës, Neelie Kroes, tha se Microsoft-i kishte vazhduar ta bënte një gjë të tillë edhe pas kësaj date, duke "asfiksuar novatorizmin".

"Microsoft-i vazhdoi të abuzojë me pozitën e vet të fuqishme në treg edhe pas vendimit të marsit të vitit 2004 që i kërkonte t'i jepej fund një praktike të tillë", tha Komisionerja Europiane për Çështjet e Konkurencës, Neelie Kroes.

QIK - Ivanoviq kërkon kthimin e policisë dhe ushtarëve serbë dhe të ushtarëve rus në Kosovë

Mitrovicë, 28 shkurt Kryetari i të ashtuaquajturit "Këshill nacional serb" në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq ka thënë se në përputhje me Rezolutën 1244 Serbia të kthejë një pjesë të policisë dhe ushtarëve serbë në Kosovë. "Po ashtu ftojmë kontigjentin rus të KFOR it që të kthehet në Kosovë para se gjithash në ato mjedise dhe në mesin e atyre njerëzve që kanë besim në misionin rus", ka thënë Ivanoviq. Ai ka kritikuar një pjesë të udhëheqësve politikë të Beogradit që bëjnë thirrje për veprime paqësore dhe diplomatike, që sipas tij janë të pamundura në këtë periudhë.

BBC - Serbë nuk bashkëpunojnë me institucionet shqiptare ne Kosove 

 

Pjesëtarët serbë të policisë në disa pjesë të Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë dhe po punojnë vetëm nën urdhërat e UNMIK-ut.

Kjo bëhet në shenjë reagimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Stacion policie i improvizuar

Të mërkurën, rreth 130 pjesëtarë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës, në mënyrë të organizuar dhe të veshur me uniformën e policisë kosovare, u mblodhën në një fshat dhe vazhduan punën në një stacion policie të improvizuar.

Njëri nga zyrtarët serbë të policisë së Gjilanit, Stojadin Norkoviq, ka deklaruar se nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë më tutje me institucionet e Kosovës dhe se ata do të punojnë vetëm nën urdhërat e Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Policët serbë të rajonit të Gjilanit po ndjekin rrugën e kolegëve të tyre në veri të Kosovës, të cilët që prej 17 shkurtit kur Kosova shpalli pavarësinë, kanë ndërprerë bashkëpunimin me kolegët e tyre shqiptarë.

Udhëheqësit e Shërbimit Policor të Kosovës thonë se SHPK-ja do të funksionojë si një institucion i vetëm.

Zëvendëskomisari i policisë, Gjeneral-Major Reshat Maliqi i tha BBC-së se kjo sjellje e pjesëtarëve serbë të Shërbimit Policor të Kosovës është e papranueshme.

"Ne kemi një organizatë policore dhe insistojmë që në Kosovë të kemi vetëm një institucion për zbatimin e ligjit e

dhe ky është Shërbimi Policor i Kosovës", tha z.Maliqi.

Ai tha se SHPK-ja do të përpiqet t'i bindë pjesëtarët serbë që t'i nënshtrohen urdhërave të eprorëve të tyre dhe të respektojnë hierarkinë komanduese.

Zoti Maliqi thotë se ende nuk është marrë vendim se a do t'i humbin policët serbë vendet e tyre të punës në SHPK, nëse vazhdojnë këtë mënyrë të sjelljes.

Ministrat serbë mungojnë në punë

Dy ministrat serbë në qeverinë e Kosovës nuk kanë dalë në punë që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka hedhur poshtë pohimet se ai dhe Ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Boban Stankoviq, i kanë ngrirë funksionet e tyre në qeveri.

Ai thotë për BBC-së se për momentin ata kanë vendosur të mungojnë në punë, deri në një vendim tjetër të partisë së tyre.

"Ministritë që i drejtojmë ne janë ende funksionale. Të gjitha punët po kryhen dhe ne nuk kemi i ngrirë funksionet. Ne prej fillimit e kemi lidhur pjesëmarrjen tonë në instutucione me gjendjen e serbëve. Përderisa nuk ka shpërthim të dhunës, që do të mund të rrezikonte jetën e serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në territorin e Kosovës, do të vazhdojë funksionimi i Ministrive që ne drejtojmë", tha ministri Rashiq.

Ai nuk ishte në gjendje të thoshte nëse do të vazhdonte të ishte pjesë e institucioneve të shtetit të ri të Kosovës.

"Ne marrim vendim në nivel të partisë, kështu që brenda një kohe të shkurtër do të vendosim si të veprojmë më tutje. Çdo vendim i yni do të jetë drejtpërdrejtë në interesin e komunitetit serb dhe i pakicave joshqiptare", tha Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Ndërkaq, ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Boban Stankoviq, nuk ka pranuar të flasë lidhur me pjesëmarrjen e tij në institucionet e Republikës së Kosovës.

Të dy ministrat serbë nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë të mërkurën.

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuqi, ka shprehur mirëkuptimin e qeverisë për abstenimin e punës nga ana e ministrave serbë.

"Mendojmë që ata nuk e kanë ndërprerë aktivitetin, që do të kthehen shumë shpejt, dhe kemi pasur mirëkuptim për situatën e përgjithshme në të cilën ata mund të ekspozohen", tha z.Kuqi.

Boban Stankoviq dhe Nenad Rashiq u emëruan në ministrië përkatëse pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, në të cilat dolën një numër i vogël i votuesve serbë.

Të dy ministrat vijnë nga Partia e Pavarur Liberale Serbe, e cila është treguar më bashkëpunuese me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës.

Përfaqësuesit serbë kanë qenë në vazhdimësi nën presionin e Beogradit zyrtar dhe të disa udhëheqësve lokalë që të bojkotojnë punën e institucioneve vendore, me arsyetim se këto të fundit po punojnë për pavarësinë Kosovës.

Edhe deputetët serbë të Kuvendit nuk po marrin pjesë në punimet e Parlamentit.

 

QIK - EULEX do të fillojë të vendoset në Kosovë javën tjetër

 

Bruksel, 27 shkurt - Një zyrtar i Bashkimit Europian thotë se misioni i BE së në Kosovë do të fillojë të vendoset javën tjetër dhe do të funksionojë në të gjithë territorin, duke përfshirë veriun e tensionuar. Zyrtari i misionit, gjenerali francez, Iv dë Kermabon, tha dje në Bruksel se misioni policor dhe i drejtësisë i përbërë nga 1,800 vetë do të jetë dislokuar plotësisht brenda 4 muajsh. Ai tha gjithashtu se përmasat dhe shtrirja e misionit mund të ndryshojnë nëse do të jetë e nevojshme. Serbët e kanë quajtur misionin e Bashkimit Europian një forcë të paligjshme dhe kanë protestuar kundër ardhjes së tij në Kosovë. Javën e kaluar, shefi i misionit, Pieter Feith vendosi të tërheqë përkohësisht gjithë personelin e tij nga Mitrovica e Kosovës veriore pas protestave të dhunshme të pakicës serbe atje.

VOA - Nikolas Bërns: Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën

nga Ilir Ikonomi

 

 Nënsekretari amerikan i shtetit, Nikolas Bërns tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë ndarjen e Kosovës. Ai tha se këtë nuk do ta pranojë as Europa dhe as NATO-ja. Numri tre i Departamentit amerikan të Shtetit i bëri komentet mbrëmë në një forum të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington.

Zoti Burns tha se Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën dhe e humbi atë në periudhën mars-qershor të vitit 1999, kur ajo u përpoq të dëbojë 1 milion njerëz nga ai vend. "Kur u miratua rezoluta 12-44 në qershor 1999, ajo në fakt bëri që Kombet e Bashkuara t'ja merrnin Kosovën Serbisë. Serbia nuk do ta marrë kurrë Kosovën. Që nga qershori 1999 e deri kohët e fundit, pyetja e vetme që është shtruar ka qenë: cili do të ishte statusi përfundimtar i Kosovës, do të ishte ajo e pavarur apo autonome dhe kur do të ndodhte kjo. U deshën 9 vjet që kjo pyetje të merrte përgjigje dhe rreth një vit më parë Shtetet e Bashkuara erdhën në përfundimin thelbësor se nëse e vononim ende pavarësinë e Kosovës, atëhere mundësia më e madhe do të ishte që kjo të provokonte dhunë dhe mungesë qendrueshmërie në Ballkan."

Zoti Burns tha se pavarësia ka qenë alternativa e qartë.

 

 

Vazhdon njohja e Kosoves

|

Vazhdon njohja e Kosoves

 

KosovaLive - Beglinger: Zvicra do ta njohë Republikën e Kosovës

Shefi i Zyrës së Zvicrës në Prishtinë, Lukas Beglinger, konfirmoi të hënën se vendi i tij do ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës, ndërsa do të dërgojë edhe përfaqësuesit e saj në misionin EULEX

 

KosovaLive - Karakaçanov: VMRO do të kërkojë njohjen e Kosovës

Kryetari i partisë bullgare VMRO, Krasimir Karakaçanov, tha të mërkurën se kjo parti do të marrë iniciativën në parlamentin bullgar, në mënyrë që Sofja zyrtare të njohë sa më shpejt shtetin e Kosovës.

 

INA - Dinosha:Mali i Zi sivjet ta njoh pavarësinë e Kosovës

 Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, deputet i kësaj partie në Kuvendin e Malit të Zi ka thënë të mërkurë se pret që Mali i Zi sivjet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë se ky akt do të jetë menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale malazeze që do të mbahen më 6 prillit të këtij viti".
Mali i Zi zyrtar menjëherë pas 17 shkurtit ka thënë se nuk do të ngutet e as do të vonohet me vendimin rreth çështjes së Kosovës.
"(Mali i Zi)...do të ndjek qëndrimin e Bashkimit Evropian ,si dhe do të vlerësojë raportet e brendshme politike, sidomos do të ruajmë marrëdheniet shumë të mira të serbëve me shqiptarët në Mal të Zi", u ka thënë personaliteteve më të larta të Brukselit, Javier Solana dhe Olli Rehn, një ditë më parë kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanovic. Sipas ti, rrezikimi i këtyre raporteve do të rrezikonte edhe qëndrueshmërinë e brendshme të Malit të Zi.

 

Malkolm:Kosova nuk është Serbi

|

INA - Malkolm:Kosova nuk është Serbi

 

Historiani britanik Noel Malkolm.jpgHistoriani britanik Noel Malkolm pohon se sllogani që përsëritet në protestat nëpër qytetet serbe për atë se "Kosova është Serbi", thjesht nuk është e vërtetë.

Sipas këtij profesori të Universitetit në Oksford, është krejtsisht  i pavërtetë pohimi i Qeverisë në Beograd se Kosova është "djep i Serbisë", duke shpjeguar se e ka fituar Kosovën.

 "Poqese do të mund ta ndanin shtetin e atëhershëm dhe të sotëm serb, mund të krahasohet ashtu, nuk mund te kete kontinuitet eshte njelloj si kur do të kërkohej kontinuitet midis Bizantit të dikurshëm mesjetar dhe Greqisë së sotme", thotë profesori Malkolm në tekstin e tij autorial në gazetën londineze "Gardian".

 Noel Malkolm shkruan se ndarja e Kosovës nga Serbia është faza e fundit nga shkatërrimi i Jugosllavisë së dikurshme, për shkak se në ish-shtetin federal Kosova ka pasur "status të dyfishtë", si krahinë autonome, por edhe si pjesë konstituive e ish-RSFJ-së. Ky historian pohon se çlirimi i Kosovës në vitin 1912 nga Pushteti Otoman, më shumë i përngjan okupimit të ri, se sa lirisë së vërtetë, për shkak se edhe atëherë shumica e popullatës ka qenë shqiptare dhe me disponim antiserb.

VOA - Rusia përsërit qëndrimin e saj në mbështetje të Serbisë lidhur me pavarësinë e Kosovës

Zëvëndës-kryeministri i Rusisë, Dimitri Medvedev, u tha udhëheqësve serbe se nuk do të ketë ndryshim në mbështetjen e vendit të tij për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.

Zoti Medvedev dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndodhen në Beograd për bisedime me presidentin serb Boris Tadiç, dhe me kryeministrin Vojisllav Koshtunica.

Zoti Medvedev tha se qëndrimi i Moskës është që Serbia si një shtet i vetëm gëzon juridiksion mbi të gjithë territorin e saj. Ai tha gjithashtu se deklarata e pavarësisë së Kosovës është një veprim që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe minon sovranitetin.

Zoti Medvedev pritet të fitojë zgjedhjet presidenciale të dielën e ardhshme, duke zëvëndësuar kështu presidentin e tanishëm, Vladimir Putin.

Rusia dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje gazi prej 1 presje 5 miliardë dollarësh, sipas së cilës gazi i Rusisë shkon në Evropën Perëndimore nëpër një tubacion të ri, që kalon nga Deti i Zi nëpër Serbi.

Zëvëndës-kryeministri rus dhe ministri i jashtëm Lavrov janë zyrtarët më të lartë të huaj që vizitojnë Serbinë që kur protestuesit në Beograd dogjën një pjesë të ambasadës amerikane javën e kaluar. 

 

Shtetet vazhdojne te njohin Kosoven

|

Shtetet vazhdojne te njohin Kosoven

 

Kosovapress - Shtetet vazhdojne te njohin Kosoven

Bruksel, Mbreti i Belgjikës Alberti II ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së Kosovës sipas propozimit të qeverisë së këtij vendi javën e kaluar, njoftojnë mediat belge.

 

Varshavë, Tusk: Do ta pranojmë Kosovën

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka konfirmuar se nesër do t'i rekomandojë qeverisë së tij që Polonia të pranojë Kosovën.

Ndahen Çmimet Oscar në Hollivud

|

VOA - Ndahen Çmimet Oscar në Hollivud

 

Është zhvilluar dje në mbrëmje ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar që solli në sallën e Teatrit Kodak në Hollywood, emrat më të njohur të kinemasë botërore.

Si aktorja më e mirë në ceremoninë e mbrëmshme Oscar, u vlerësua Marion Cotillard për portretizimin e këngëtares së famshme franceze Edith Piaf me filmin "La Vie en Rose".

Aktori më i mirë u përzgjodh Daniel Day Luis me rrolin e tij në filim "There Will be blood".

Joel Cohen dhe Ethan Cohen u vlerësuan me çmimin Oscar për regjinë më të mirë me filmin, "No country for old men", i cili u vlerësua dhe si filmi më i mirë për vitin 2007.

Si aktori më i mirë jo protagonist u vlerësua Javier Bardem për interpretimin e tij në filmin "No country for old men".

Tilda Swinton mori çmimin Oscar për aktoren më të mirë jo protagoniste në filmin  "Michael Clayton".

Me çmimin më të mirë për filmin dokumentar u vlerësua filmi "Taxi to the dark side", ndërsa si filmi më i mirë i huaj, u vlerësua filmi austriak "The counterfires".

Rrugët rreth teatrit Kodak në Hollywood ishin mbushur me adhuruesit e yjeve të kinemasë që në orët e pasdites së djeshme.

Ceremonia e mbrëmshme, që përkonte me përvjetorin e  80-të të  çmimeve Oscar, riktheu në punë skenaristët hollivudianë, mbas një greve 3 mujore. 

Gjatë minutave të kësaj mbrëmje të madhe, u kujtuan dhe yjet e kinemasë botërore nëpër vite, regjizorët më në zë të saj, skenaristët formuluesit e muzikës, dhe të gjithë ata që ndërtuan gjatë këtyre 80 viteve, historinë e kinemasë botërore, e që vlerësohet çdo vit me statujën e artë OSCAR.

BBC - Rice rikonfirmon mbështetjen amerikane

 

sec_state_rice.jpg

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice, tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës.

Duke folur në Uashington, zonja Rice tha se SHBA e sheh pavarësinë e Kosovës si një mundësi të ecjes përpara të rajonit.

"Kjo është një mundësi që Serbia të ecë përpara, që Kosova të ecë përpara, që gjithë Ballkani të ecë përpara," tha zonja Rice.

Duke shpjeguar arsyet e mbështetjes së pavarësisë së Kosovës, Sekretarja Amerikane e Shtetit tha se "shpresa jonë e madhe është që po vjen dita kur Kosovarët dhe serbët të jetojnë krah-për-krah, që Ballkani të jetë i stabilizuar e në fakt pa forca ndërkombëtare."

Zonja Rice tha se SHBA do t'i ushtrojë detyrimet ndaj forcave të K-FOR-it, dhe aleatëve të vet në NATO, deri ditën kur ndihma amerikane nuk do të jetë më e nevojshme

Kosova ne histori

|

 Logoreci - Kosova ne histori

 

Dardania - Mbretëria Ilire

Provinca Dardania - perandoria Romake

1455-1878  Sanxhaku i Kosovës  Brenda Perandorise Osmane

1878-1912  Vilajeti i Kosovës  Brenda Perandorise Osmane (perbehej nga Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Prizrenit, Sanxhaku i Pejës, Sanxhaku i Prishtinës, Sanxhaku i Pazarit të Ri)

1912-1945  Territor jo kompakt nën administrimin Serb, Shqiptar, Italian dhe Gjerman

1945-1963  Territori Autonom i Kosovës dhe Metohisë  brenda shtetit Jugosllav (RSFJ)

1963-1968  Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë RSF e Jugosllavisë

1968-1989  Krahina Socialiste Autonome e Kosovës ne RSF e Jugosllavisë

Republika e Kosovës (për Shqiptarët) banorë autokton të territorit

10 Qershor 1999, Rezoluta 1242 e Keshillit te Sigurimit të OKB deri më sot 2005  sipas Kosovo - Kosova (UNMIK) Organizata e Kombeve të Bashkuara

17 shkurt 2008 Republika e Kosoves, shtet i pavarur

 

hartaserbis1871.jpgPavarësia e Kosovës dhe arroganca serbo-ruse shikoni ne foto ku ka qene Serbia

Ne foto: Harta e Serbisë në Enciklopedinë Ruse e vitit 1917, foto nga (kosovapress)

Kliko mbi foto per ta zmadhuar

 

VOA - Hollbruk: Pavarësia e Kosovës, ishte e pashmangshme dhe e nevojshme

 

ricard_holbruk.jpgKryearkitekti i Marrëveshjes së Dejtonit, Richard Holbrooke tha dje se vendimi i Kosovës për shpalljen e pavarësisë ishte i pashmangshëm dhe i nevojshëm. Sipas ish-ambasadori amerikan në OKB,  kundërshtimi i Rusisë ndaj pavarësisë e ka ndërlikuar gjendjen në mënyrë të panevojshëm, pasi e bëri të pamundur konsensusin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por pretendimi se pavarësia e Kosovës, përbën precedent, tha ai në një intervistë ekskluzive për televizionin APTN, nuk është absolutisht i vërtetë:

"Kosova nuk përbën precedent për pjesë të tjera dhe rusët, kinezët dhe vendet e tjera e dinë mirë këtë. Kosova ishte një rast unik. Ajo që ndodhi në Kosovë ishte plotësisht e autorizuar në vitin 1999 me rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 që krijonte një situatë unike. Gjithkush, përfshirë Rusinë tha në atë kohë se kjo nuk përbënte precedent për vende të tjera", tha ish-ndihmës sekretari i Shtetit në administratën e Presidentit Clinton.

Duke folur për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Beograd, ai tha se përgjegjësia për parandalimin e tij binte mbi qeverinë. Ai e quajti atë serioz, megjithatë shtoi se nuk mendonte se do të kishte përshkallëzim në diçka më të rëndë. Më shumë shqetësim, sipas ambasadorit Holbrooke, paraqiste gjendja në veri të Kosovës, pjesët e populluara nga serbët në veri të lumit të Ibrit. Megjithatë zoti Holbrooke nuk e sheh me alarm gjendjen:

"Serbët nuk do të fillojnë luftë për Kosovën. Nëse do ta bënin një gjë të tillë, do të thoshte të hynin në luftë me NATO-n. Ata nuk kanë mani vetëvrasëse, por ata nuk shkëputen dot nga mitet e historisë, sipas së cilave ata, janë gjithmonë viktimat", tha zoti Holbrooke.

 

Uashington - kosovapress - Bërns: SHBA do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara

 

SHBA-të vlerësojnë se Kosova duhet të jetë vend anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesë këtë synim, ka thënë të premten nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns.

Bërns tha se ndoshta për pranimin e Kosovës në organizatën botërore do të nevojitet edhe një kohë, pasi që disa vende përkohësisht do të bllokojnë Kosovën, por Kosova në fund do të bëhet anëtare me të drejta të plota të komunitetit ndërkombëtar.

"Në fund, ajo do të trajtohet si anëtare me të drejta të plota në komunitetin ndërkombëtar", tha Bërns në një bisedë me gazetarë përmes internetit në ueb-faqen e Departamentit të Shtetit.

I pyetur nëse SHBA-të planifikojnë të lejojnë hyrjen e Kosovës në NATO për shkak të Rusisë dhe Serbisë, madje edhe nëse Kosova nuk bëhet anëtare  e KB-ve, diplomati amerikane tha se Kosova do të jetë partner i NATO-s.

"Nëse Kosova dëshiron anëtarësimin dhe i plotëson kushtet e Aleancës, jam i bindur se kjo do të shqyrtohet", tha Bërns.

Ai e ka vlerësuar gabim vendimin e Serbisë për të tërhequr ambasadorin e saj nga Uashingtoni, ndërsa ka shtuar se ambasadori amerikan Kameron Manter do të qëndrojë në Beograd.

Bërns tha se nuk arsyetim për sulmet e mbrëmshme ndaj ambasadës amerikane në Beograd nga protestuesit serbë, me ç'rast ndërtesës i është vënë flaka.

Diplomati amerikan ka përsëritur se Kosova nuk është rast precedent dhe shpallja e pavarësisë nuk do të reflektojë në integritetin territorial të Maqedonisë.

Bërns tha se SHBA-të do të vazhdojnë ndihmën e fuqishme politike dhe ekonomike për Kosovën. Sipas tij, Kosovës i nevojitet një ndihmë e konsiderueshme si shtet i pavarur dhe shtoi se vlerësohet që në tre deri katër vjetët e ardhshme do t'i nevojiten dy miliardë dollarë.
Ai ka shtuar se SHBA-të në vitin e kaluar fiskal kanë ndarë 77,7
milionë dollarë ndihmë për Kosovën, ndërsa në këtë vit fiskal do të ndahen 335 milionë.

Dënohen sulmet kundër ambasadave

|

BBC - Dënohen sulmet kundër ambasadave

 

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar qeverinë e Serbisë se ka nxitur pakënaqësitë e qytetarëve të saj.

Të enjten qindra protestues hynë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Beograd, duke i vënë zjarrin një pjese të saj.

Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried, i tha BBC-së se zëdhënësit e qeverisë së Beogradit i kishin justifikuar sulmet e mëparshme.

"Në disa nga deklaratat e qeverisë serbe ka patur një frymë nxitëse dhe kjo duhet te marre fund", tha zoti Fried.

"Qeveria serbe, sigurisht, që e dinte që do të kishte turma të mëdha dhe shumica e zëdhënësve të tyre kanë bërë të pamundurën për të justifikuar disa nga aktet e dhunës", tha ndihmës-sekretari amerikan i shtetit.

Zoti Fried tha se qeveria serbe duhej të kishte bërë më shumë për të parandaluar dhunën:

Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë të garantonte sigurinë e ambasadave të huaja, duke e paralajmëruar Beogradin se, përndryshe, kjo do të dëmtonte përpjekjet për përmirësimin e marrdhënieve.

Késhilli i sigurimit të OKB-së i dënoi me forcë këto sulme -- pikëpamje kjo e përkrahur nga ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç.

Ambasada ishte e mbyllur dhe e pambrojtur kur ndodhi sulmi.

SHBA-ja thotë se po evakuon një pjesë të stafit jo të rëndësishëm nga ambasada pas incidenteve të ditës së enjte.

SHBA-ja, Britania, Gjermania dhe Italia janë mes vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Pas mitingut të protestës kundër pavarësisë së Kosovës, kryeqyteti serb për disa orë ishte arenë e sulmeve të qindra vetëve, të cilët i vunë zjarr ambasadës amerikane, kurse dëmtime iu janë shkaktuar edhe ambasadës së Kroacisë, Turqisë, Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar.

Turmat më pas kanë thyer edhe shumë dyqane duke plaçkitur mallra të ndryshëm.

Administrata amerikane ka kërkuar mbrojtjen e përfaqësisë së saj diplomatike, duke paralajmëruar se për këtë do të kërkojë edhe prononcimin e Këshillit të Sigurimit.

Korrespondenti i BBC-së në Beograd, njofton se megjithëse priteshin sulme të tilla, në momentin e fillimit të tyre nuk ishin vënë re forca policore për t'i parandaluar ato.

Si rezultat i ndërhyrjes së forcave policore në orët e vona të së enjtes, situata pak a shumë është vënë nën kontroll.

Të lënduar

Burime spitalore në Beograd thanë se ndihmë mjekësore kishin kërkuar rreth 90 persona.

Prej tyre 21 janë policë.

Ndër të lënduarit është edhe një fotoreporter holandez.

Ndërkohë, presidenti serb Boris Tadiq, dhe zyrtarë të tjerë kanë bërë thirrje për qetësim të situatës.

Në një apel të transmetuar disa herë nga televizionet e Beogradit, ai tha se kjo që po ndodh, krijon imazh të keq për serbët dhe Serbinë.

"Kjo vetëm sa mban Kosovën larg Serbisë," tha presidenti i Serbisë.

Dhuna erdhi pas një proteste paqësore nga të paktën 150,000 vetë jashtë ndërtesës kryesore të parlamentit kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Reagime serbe

Korrespondenti i BBC-së thotë se gjatë protestës, kryeministri Vojisllav Koshtunica iu drejtua protestuesve duke thënë se Kosova do të mbetet gjithnjë serbe.

"Kosova- ky është emër i vërtetë i Serbisë", tha Koshtunica.

"Kosova është e Serbisë, i takon popullit serb. Kështu është nga brezi në brez dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Nuk ka forcë, nuk ka kërcënim, nuk ka dënim aq të madh dhe të tmerrshëm që cilido serb të thotë ndonjëherë ndryshe - përveç një dhe vetëm një - Kosova është Serbi,"- tha kryeministri Koshtunica.

Ai akuzoi ata që ai i quajti "të fuqishmit e botës" për përpjekje për përçmim të serbëve që ata të bien darkord për tregti pa dinjitet.

"Derisa ekziston shteti i Serbisë nuk do ta pranojmë atë që është krijuar me shkeljen e parimeve mbi të cilat mbështetet bota e civilizuar", tha kryeministri serb.

"Në atë luftë nuk jemi të vetmuar. Populli serb nuk do ta harrojë miqësinë dhe mbështetjen parimore që ia ka ofruar Serbisë, presidenti Putin në krye të Rusisë" deklaroi ai para protesuesve në Beograd.

Me ton të njëjtë foli edhe udhëheqësi i radikalëve Tomislav Nikoliq. Ai u zotua se, sikurse u shpreh, nuk do të qetësohet përderisa Kosova të mos jetë nën kontrollin e Serbisë.

"Nuk ka mund Hitleri ta marrë e nuk do të mund ta marrin edhe këta të sotmit. Dhe, ne këtë ia kemi borxh vetes, që dhe ne të jetojmë, që dhe fëmijët tanë të jetojnë që të kenë arsye të kenë fëmijët e vet,"- tha Tomislav Nikoliq.

Ai akuzoi SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

"Nuk ka Serbi, pa Kosovën", u shpreh udhëheqësi i radikalëve serbë.

Në tubimin e zhvilluar me moton "Kosova është Serbi" nuk morën pjesë partia e presidentit Tadiq, e aleatit të tij G-17, partia Liberaldemokrate, Socialdemokrate e Vojvodinës dhe partitë e pakicave.

Presidenti Tadiq në vend se të marrë pjesë në këtë protestë, zgjodhi Rumaninë për t'i shprehur mirënjohje homolugut të tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më herët ai ishte angazhuar që në këtë miting të mos flasin udhëheqësit partiakë dhe ata

shtetërorë, personalitete të shquara nga jeta shkencore, sportive, gjë që nuk ndodhi.

INA - Uashingtoni reagon ashpër kundër sulmit në ambasadën amerikane në Beograd

Uashington, 22 shkurt - Shtetet e Bashkuara kanë protestuar zyrtarisht kundër qeverisë së Serbisë mbi masat e pamjaftueshme të sigurimit në ambasadën amerikane në Beograd, e cila u sulmua dje dhe u dogj pjesërisht nga demonstruesit. Departamenti i Shtetit tha se nervozizmi i serbëve mbi pavarësinë e Kosovës nuk është i justifikueshëm për sulme dhe nxitje antiamerikane në Serbi. Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thanë se ata janë ende duke u përpjekur të krijojnë një tabllo të qartë të rrethanave të sakta të sulmeve. Por ata shtuan se është e qartë se forcat serbe të policisë pranë ambasadës ishin të pamjaftueshme, kur mijëra demonstrues të nervozuar mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara ishin pranë saj. Në një konferencë shtypi dje vonë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mëkormak, tha se zyrtarët dërguan trupa të mjaftueshme policore për të zmbrapsur turmën vetëm pasi ishte shkelur territori i ambasadës dhe pasi nënsekretari i Shtetit për Marrëdhëniet Politike, Nikolas Bërns, paralajmëroi kryeministrin serb, Vojisllav Koshtunica dhe ministrin e jashtëm, Vuk Jeremiç, se ata do të ishin përgjegjës direkt në qoftëse sulmet do të vazhdonin.Serbia tërhoqi ambasadorin e saj nga Uashingtoni në fillim të javës. Zoti Mëkormak tha se ambasada do të jetë e mbyllur për disa ditë, por Ambasadori Manter do të qëndrojë në Beograd dhe se nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk ka qëllime për uljen e nivelit të marrëdhënieve pas ngjarjeve të djeshme.

Beograd, - Kosovapress - Ekstremistë serbë sulmuan ambasadat e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Kroacisë dhe Turqisë

 

Ekstremistë serbë kanë hyrë me dhunë në ambasadën e SHBA-ve në Beograd dhe i kanë dhënë zjarrin, ndërsa një person është gjetur

ambasadaameikane_beograd.jpg

i djegur, identiteti i të cilit nuk dihet.

Persona të maskuar kanë hyr në dhunë në ndërtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, në të cilën nuk gjendej personeli i ambasadës.

Ata dogjën një zyre derisa flaka po dilte nga një anë e ndërtesës.

Policisë serbe iu desh 45 minuta për të arritur në skenë dhe përleshjet zgjatën disa minuta para se protestuesit të iknin.

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA-ve tha se një kufomë e karbonizuar është gjetur në ambasadë pas sulmit. Kufoma akoma nuk është identifikuat, por autoritetet amerikane thanë se viktima nuk është shtetas amerikan.

Ambasada e Kroacisë, poashtu ka qenë në shënjestër nga i njëjti grup i protestuesve dhe grupe tjera më të vogla kanë sulmuar postblloqet policore në afërsi të ambasadave të Turqisë dhe Britanisë së Madhe në pjesën tjetër të qytetit, por ata janë zmbrapsur.

Gjithsej 75 njerëz janë lënduar në protestat në rrugë të drejtuara kundër pavarësisë së Kosovës në Beograd, duke përfshirë edhe 15 policë.

Stamboll - Logoreci - Trupat ushtarake turke sulmuan sot Irakun.

 

Rreth 3000-10,000 trupa kane ndermarre nje operacion ne thellesi te tokes irakiane pergjate kufirit per te spastruar guerrilasit kurde qe bejne sulme te vazhdueshme terroriste ne teritorin turk. Krueministri i Turqise, Recep Tayyip Erdogan, tha se ai kishte biseduar para sulmit me kryeministrin Iraken Nouri al-Maliki dhe me presidentin Bush.

"Forcat e Armatosura Turka, tha Erdogan do te kthehen kur te mbarojne detyren e tyre"

 

BBC - Ndërkombëtarët akuzojnë serbët për incidentet

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, kanë akuzuar udhëheqësit e serbëve vendas për incidentet në dy pikat kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës.

Ata i kanë bërë thirrje Beogradit zyrtar që të përmbahet nga deklaratat që nxisin veprime të dhunshme.

Pjesëtarët e komunitetit serb kanë sulmuar të martën dy poste kufitare duke i shkatërruar ato, në shenjë të mos pranimit të vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Por forcat paqeruajtëse të NATO-s mbyllën dy vendkalimet kufitare menjëherë pas incidentit, ndërkohë që ato u rihapën gjatë ditës së djeshme.

Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, deklaroi në Beograd, se megjithëse reagimi i serbëve mund të ishte i keq, ai megjithatë ishte legjitim.

Por shefi i misionit të OKB-së, në Kosovë, Joackim Ruecker, tha të mërkurën se veprimi i Beogradit është në kundërshtim edhe me zotimet e tij për përmbajtje nga dhuna.

Nato merr kontrollin

Zyrtarë të SHPK-së thonë se vendkalimet me Serbinë janë vënë nën kontroll të forcës së NATO-as dhe të policisë ndërkombëtare, ndërkohë që policët vendas dhe shërbimi doganor i Kosovës do të rikthehen në pozitat e tyre pasi të jetë qetësuar situata.

"Ne jemi të sigurt që të shkojmë në pjesën veriore të Kosovës, por në ato dy pika kufitare janë tani njësitet e KFOR-it dhe ato do të japin një vlerësim për shkallën e rrezikshmërisë për punën që pjesëtarët e SHPK-së mund ta bëjnë aty si,"ka thënë zëdhënsi i SHPK-së, Veton Elshani.

"Për shkak të uljes së tensioneve SHPK-ja nuk është e pranishme në këto dy pika, por ajo do të rikthehet aty shpejt," tha zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani.

Sipas tij në pjesën veriore të Kosovës, SHPK-ja ka shumicën e pjesëtarëve të saj nga radhët e komunitetit serb dhe tani për tani nuk ka njoftime, ka thënë zëdhënësi Elshani, që pjesëtarët e këtij komuniteti ta kenë lëshuar punën në SHPK.

Ndërkohë, serbët e Kosovës kanë vazhduar protestat kundër pavarësimit të Kosovës dhe e kanë cilësuar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ata kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët e ardhshme, dhe kanë marrë përkrahjen e fuqishme nga autoritetet në Beograd.

 

INA - Beograd:Valë incidentesh, zjarrë në ambasadat amerikane, turke dhe kroate

proteste ne Beograd.jpg

Në Beograd turma dhe grupe të organizuara protestuesish kanë sulmuar në mbrëmje ambasadat e SHBA-ve, Turqisë, Kroacisë si dhe kanë demoluar disa lokale evropiane.

19:20-Në fund të mitingut, një grup protestuesish është ngjitur mbi kulmin e ambasadës amerikane dhe kanë djegur flamurin amerikan, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe disa pjesë të godinës së ambasadës. Qindra protestues kanë tentuar të thyejnë portën e ambasadës amerikane, ndërsa grupe tjera vazhdimisht kanë hedhur gurë dhe sende të tjera në drejtim të godinës.
Demostruesit kanë demoluar dhe shkatërruar edhe ambasadën e Bosnjë -Hercegovinës, ndërsa korrespodentët e agjencive botërore të lajmeve bëjnë të ditur për një kaos dhe anarki të pakontrolluar rrugëve të Beogradit. "Dyqane të thyera, zjarrë, kontejner të përmbysur të bërllokut dhe makina të thyera", janë disa nga pamjet që kanë regjistruar korrespodentët e agjencive botërore menjëherë pas përfundimit të mitingut të sotëm.
Një grup demostruesisht kanë djegur flamurin e ambasadës turke, kanë demoluar një pjesë të objektit dhe mbi godinë të ambasadës kanë vënë flamurin serb. Më vonë janë vërejtur forca të mëdha policore dhe të xhandarmerisë për të qetësuar situatën në këtë zonë. Po
ashtu në shënjestër të demostruesve ka qenë edhe ambasada kroate. Ajo vazhdon të sulmohet nga turmat e protestuesve në rrugën Knjaz Milosh. Para fillimit të mitingu, një grup të rinjsh siç bëhet e ditur ka sulmuar me gurë restorantin "MekDonalds".

18:15-Në Beograd ka përfunduar mitingu me moton "Kosova është Serbi" që u organizua para Parlamentit në Beograd, ndërsa turmat kanë vazhduar në drejtim të tempullit të Shën Savës.
Kryeministri serb, Vojislav Koshtunica ka mbajtur një fjalim nacionalist duke u shprehur se Serbia dhe serbët asnjëherë nuk do të heqin dorë nga Kosova.
Ai ka shtuar se fuqitë po synojnë që të heqim dorë nga origjina, serbizmi i Kosovës dhe historia.
Kryeministri Koshtunica është shprehur se shteti serb ka prishur dhe do të prish çdo akt ilegal për krijimin e një shteti të rrejshëm në territorin e Serbisë. Ai tha se populli serb asnjëherë nuk do të harrojë përkrahjen e Rusisë dhe presidentit të saj Putin. Edhe zëvendëskryetari i Partisë Radikale serbe, Tomislav Nikoliç deklaroi se Serbia do të mbrojë çdo fëmijë të saj në Kosovë, çdo pëllëmbë të tokës së saj dhe se sipas tij, nëse nuk do ekzistojë Kosova nuk do të ekzistojë edhe Serbia.  Nikoliç ka tërhequr vërejtjen se nuk do të jetë qetë dhe mirë në asnjë rast derisa Kosova nuk do të jetë nën kontrollin e Serbisë.
Partia Liberal-Demokrate dhe G-17 kanë mohuar të marrin pjesë në protestë dhe ato kanë reaguar ndaj deklarimit të radikalit Nikoliç se ai në miting përfaqëson të gjitha partitë parlamentare në Serbi. Sipas këtyre dy partive, Partia Radikale nuk ka të drejtë morale të përfaqësojë interesat e serbëve në Kosovë. Sipas agjencive botërore të lajmeve, në sheshin e Beogradit ishin tubuar mbi 100 mijë veta me flamuj dhe pankarta kundër Kosovës. Në miting nuk ka marrë pjesë Partia Demokratike dhe lideri i saj Boris Tadic, që është edhe president i vendit.

VOA - Një raketë amerikane godet me sukses satelitin spiun në rënie

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se një raketë e lëshuar nga një anije e marinës goditi me sukses një satelit spiun amerikan që ishte në rënie.

Zyrtarët thonë se arritën të konfirmojnë se sateliti u godit dje në mbrëmje, por nuk u mor vesh menjëherë nëse u shkatërrua serbatori i karburantit në satelitin me përmasat e një autobusi.

Objektivi ishte që karburanti të digjej në hapësirë për të shmangur rrezikun shëndetësor që do të ishte i pranishëm nëse arrin në tokë.

Në një deklaratë të Pentagonit thuhet se pothuajse të gjitha copat do të digjen gjatë rënies.

Anijet amerikane të marinës ishin vendosur në pozicione në Oqeanin Paqësor, në perëndim të Havait, në përpjekje për të goditur satelitin.

Zëdhënësi i Pentagonit, Bryan Whitman i ka kundërshtuar akuzat se goditja e satelitit ishte njëkohësisht edhe për të provuar një armë të re amerikane anti-satelit. Zyrtarët thonë se tre raketat e përgatitura për operacionin ishin modifikuar nga konfiguracioni i tyre i zakonshëm, që përdoret për raketat balistike.

 

Kosovapress - Vazhdojne njohjet e shtetit te Kosoves

Njohjen zyrtare te shtetit te ri te Kosoves e konfirmuan edhe shtetet:  Sllovenia, Danimarka, Estonia, dhe Luksenburgu.

Kosovapress - Dobins: Misioni evropian qëndron deri në anëtarësimin e Kosovës në BE

Pragë, (Kosovapress) Misioni i BE-së do jetë në Kosovë gjatë gjithë kohës së tranzicionit deri në anëtarësimin në BE. Kjo do të kërkojë më shumë se një dekadë, ka thënë Xhejms Dobins, ish i dërguar i SHBA-ve për Ballkanin.

Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, Dobins ka thënë se Kosova tani duhet të demonstrojë se e meriton mbështetjen që mori nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë, andaj Kosova duhet të sillet në mënyrë të moderuar me pakicat dhe të përgatitet për anëtarësim në BE dhe NATO.

"Kosova duhet të fillojë të përgatitet për rrugëtimin e saj për anëtarësim të plotë në institucionet perëndimore", ka thënë ai, duke shtuar se anëtarësimi në Kombet e Bashkuara nuk do të ndodhë shpejt, por megjithatë do të ndodhë.

INA - Rusia kërcënon me forcë rreth Kosovës

Bruksel, 22 shkurt - Rusia mund të përdorë forcën nëse NATO ja ose Bashkimi Evropian sfidon Kombet e Bashkuara rreth Kosovës, deklaroi i dërguari rus në NATO. "Nëse BE ja punon jashtë qëndrimit të përbashkët, apo nëse NATO ja thyen mandatin e vet në Kosovë, këto organizata do jenë në konflikt me Kombet e Bashkuara", tha Dimitri Rogozin nga Brukseli. "Ne gjithashtu do të na duhet të veprojmë në mënyrë që rregulli të respektohet do përdorim dhe forcën e armatosur", tha Rogozin.

Prishtine, - Kosovapress - Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë ndalohet hyrja për personat që nuk janë shtetas të Kosovës

 

Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Leposaviq, Merdare, Zubin Potok dhe Dheu i Bardhe, Polica e Kosovës ka ndaluar hyrjen në Kosovë për personat që nuk janë banorë të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elashni, tha të premten për Kosovapress se një vendim i tillë është marrë pas ngjarjeve të djeshme që kanë ndodhur në Beograd.

 "Vendkalimet në Leposaviq, Merdare, Zubin Potok dhe Dheu i Bardh, të gjithë personave që hynë në këto pika kufitare e që nuk janë banorë të Kosovës, nuk do t'u lejohet hyrja në Kosovë," konfirmoi Elshani.

Ai nder tjerash ka shtuar se gjendja e sigurisë në këto pika kufitare deri e tani është e qetë dhe nuk ka protestues.

Ndryshe, mbrëmë në Beograd ekstremistë serbë kanë sulmuar ambasadat e vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe zyrat e bizneseve të këtyre shteteve, ndërsa gjatë ditës së djeshme një grup i rezervistëve të ushtrisë serbe tentoi të kalojë kufirin në Merdare, por u ndaluan nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Zgjerohet zona Shengen

|
schengen_416map.gif

BBC - Zona Schenghen zgjerohet

Mijëra vetë nga e gjithë Evropa lindore po festojnë heqjen e kufijve në zgjerimin më të madh ndonjëherë të zonës evropiane të udhëtimit pa pasaporta - që do të lejojë rreth 400 milion njerëz të udhëtojnë pa pengesa në të gjithë kontinentin.

Këto festime pasojnë hapin e BE-së për të hequr kontrolet kufitare me nëntë vende të reja anëtare - Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Slovenia, Slovakia dhe Malta.

Pikat kufitare po prishen - nga Goerlitzi, një qytet i ndarë në dysh nga kufiri gjermano-polak në kufirin e Slovenisë me Italinë në detin Adriatik.

Për miliona vetë që nën regjimet komuniste në përgjithësi ndaloheshin që të udhëtonin jashtë, kjo është ulja e fundit e Perdes së Hekurt.

Kancelari i Austrisë dhe kryeministri slovak i filluan festimet duke sharruar një barrierë kufitare dhe në 48 orët e ardhshme udhëheqësit e BE-së do t'i bien kryq e tërthor Evropës lindore duke hapur në mënyrë simbolike kufij tokësorë e detarë.

Kontrollet e pasaportave nëpër aeroporte do të hiqen duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm.

Masat e sigurisë janë përforcuar në kufijtë e rinj të BE-së me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ish-Jugosllavinë, por shumë vetë kanë frikë se emigrantët ilegalë dhe krimi i organizuar do të kenë tani dorë të lirë nga vendet Balltike në kanalin e La Manshit.

Rajoni pa kufij i Shengenit, që u krijua mbi 20 vjet më parë në fshatin e Luksemburgut me të njëjtin emër, tani përfshin 24 vende, 400 milion banorë dhe një rajon prej 3,6 milion kilometrash katrorë.

Britania dhe Irlanda i ruajnë ende kontrollet e tyre kufitare, por Islanda dhe Norvegjia janë tashmë pjesë e marrëveshjes së Shengenit, ndërsa Qiproja, Zvicra, Rumania dhe Bullgaria përgatiten të futen në pak vitet e arshshme.

INA - TMRO:Maqedonia do të ndahet mes Serbisë dhe Kosovës

 

Partia nacionaliste maqedonase TMRO deklaroi sot se shqiptarët dhe serbët do të gjejnë kompromis për ndarjen e Maqedonisë.

"Një marrëveshje serbo-shqiptare për ndarjen e Maqedonisë, që parasheh që Kosovës t`i bashkangjitet pjesa e territorit nga Likova deri në Strugë, duke pëfshirë gjysmën e Shkupit, ndërsa pjesa tjetër do të jetë kompensim për Serbinë.Marrëveshje të tillë antimaqedonase ndërmjet akademisë serbe dhe shqiptare ekziston që nga viti 1988 dhe i njejti do të funksionojë", theksoi kryetari i TMRO-së, Vanço Shehtanski.
Ai apeloi që Qeveria e Maqedonisë të jetë e vetëdijshme për rrezikun e përsëritjes së vitit 1913 të fatit të popullit maqedonas.

Oprah Winfrey.jpg 1. Oprah Winfrey, 52 vjec, 1,500 milion $, TV





2. J.K. Rowling, 40 vjec, 1,000 milion $, shkrimtare

3. Martha Stewart, 64 vjec, 638 milion $, interior desing
4. Madonna, 48 vjec, 325 milion $, muzike
5. Celine Dion, 38 vjec, 250 milion $, muzike
6. Mariah Carey, 36 vjec, 225 milion $, muzike
7. Janet Jackson, 40 vjec, 150 milion $, muzike
8. Julia Roberts, 40 vjec, 140 milion $, film

9. Jennifer Lopez, 38 vjec, 110 milion $, film/muzike

10 Jennifer Aniston, 37 vjec, 110 milion $, TV

11. Mary Kate & Ashley Olsen, 20 vjec, 100 milion $, film
12. Britney Spears, 25 vjec, 100 milion $, muzike

13. Judith "Judge Judy" Sheindlin, 64 vjec, 95 milion $, TV
14. Sandra Bullock, 42 vjec, 85 milion $, film
15. Cameron Diaz, 34 vjec, 75 milion $, film
16. Gisele Bundchen, 26 vjec, 70 milion $, modele

17. Ellen DeGeneres, 48 vjec, 65 milion $, TV
18. Nicole Kidman, 39 vjec, 60 milion $, film/reklame
19. Christina Aguilera, 26 vjec, 60 milion $, muzike
20. Renee Zellweger, 37 vjec, 45 milion $, film