Logoreci > Mati Logoreci > Hyrje

 

MATI LOGORECI
 

 

MENU:
» Hyrje
» "Koha e mësuesve" në plan të parë
» Pak fjalë për jetën
» Lufta për shkollën shqipe në Prizren
» Veprimtaria arsimore në Shkodër
» "Ndollina historijet t’motshme"
» Logoreci për Shkodrën
» Veprimtar i shquar për çështjen kombëtare
» Për pasurimin, pastrimin dhe njësimin e gjuhës shqipe
» Mati Logoreci në kongreset arsimore
» Drejtues i arsimit, didakt i shquar
» Mati Logoreci si autor i teksteve shkollore
» Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi
» Publicisti
» Shqetësimi për problemet shoqërore
» Pas viteve tridhjetë
» Vazhdimësi
» Burimet kryesore të shfrytëzuara
 

 

Hyrje

 

 

Mati Logoreci njihet si shkodran, por njihet edhe si kosovar. E vërteta qëndron në faktin se ai punoi gjatë për Kosovën, duke mbetur në Historinë e Arsimit si veprimtar i shquar i Kosovës. Por puna e tij e çmuar më pas e bëri të njohur e të nderuar edhe në vendlindje, në Shkodër, në kryeqytetin e vendit Tiranë, e në mbarë hapësirën shqiptare. Nuk mund të bëhet fjalë për zhvillimin historik të arsimit e të shkollës në Veri e Kosovë, pa u ndalur në mënyrë të veçantë te Mati Logoreci, një nga zbatuesit më të parë të synimeve arsimore të Rilindjes sonë Kombëtare për një shkollë kombëtare, laike, si Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887. Mbi këtë model, Matia themeloi shkollën shqipe të Prizrenit, hartoi tekste mësimore për shkollën fillore e më vonë edhe për të mesmet, manuale në ndihmë të mësuesve, ku shkriu natyrshëm edhe rezultatet e studimeve të tij në fushat e gjuhës shqipe.

Ai ka një veprimtari të gjerë si drejtues arsimi në Shkodër e në shkallë vendi, si punonjës i Ministrisë së Arsimit, si dhe në publicistikën shqiptare si drejtues i organeve "Dashamiri" e "Drita".

Njëzet vjet më parë përfundova monografinë për Mati Logorecin.

Burimet kryesore i nxora nga Arkivi Qendror i Shtetit, ku ndodheshin shumë materiale direkte, por edhe indirekte, përmes dosjeve mbi Ndre Mjedën, Gjergj Fishtën, Gjeçovin, Komisinë letrare, Drejtorinë arsimore etj., etj. Gjithashtu bëra edhe kërkime arkivore e bibliotekare të mëtejshme në Institutin e Gjuhësisë, në Bibliotekën Kombëtare, në familje, prandaj në mbyllje të kësaj pune, u shpreh mirënjohjen time të thellë drejtuesve dhe punonjësve të atëhershëm të këtyre institucioneve të rëndësishme.

Ma lehtësonte punën fakti që Logoreci, si mjeshtër i të shkruarit kishte botuar dhjetra e dhjetra artikuj, shumë libra, kishte nxjerrë organe shtypi, gazeta, kishte marrë pjesë në diskutime e debate, madje, duke u shquar si polemist për probleme shkencore të gjuhës, të cilën e njihte aq mirë në planin teorik dhe aplikues.

Shumë ide për gjuhën letrare, drejtshkrimin, drejtshqiptimin, i kanë qëndruar kohës edhe pas reformave gjuhësore dhe evoliumit të saj të ndryshëm.

Punimi mbi Matinë qëndroi gjatë në Shtëpinë Botuese "8 Nëntori" në Tiranë, afër 7 vjet. Pengesat mbi botimin nuk ekspozoheshin, por edhe vërejtje teknike nuk bëheshin. Recensentët ishin personalitete të larta shkencore, pedagogjike, sociale, por as ky fakt nuk pinte ujë. Një personalitet i letrave shqipe, më tha, ashtu në konfidencë, të kisha kujdes, sepse Matia kishte të birin folës në Radio-Londra. I sqarova se nuk ishte i biri, por i nipi, se nuk po shkruaja për të, duke i sjellë si shembull Frashërlijtë dhe Bajram Currin, nipat e të cilëve qenë dënuar politikisht.

Duke përfituar nga detyra ime shtetërore e atëherëshme e përgjegjësit të arsimit në kryeqytet, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm për kryeqytetin, Jashar Mazenxhiu më bëri dy miratime:

Së pari, pasi dëgjoi argumentat dhe faktin që Matia kishte punuar mbi njëzet vjet në Tiranë, miratoi dhe mbështeti në Komitetin Ekzekutiv propozimin që do të dërgohej në Presidiumin e Kuvendit Popullor për dekorimin e Mati Logorecit me titullin e lartë "Mësues i Popullit". Propozimet bëheshin në kuadër të 100 vjetori të Mësonjëtores shqipe të Korçës. Një rreth tjetër kishte propozuar dekorimin e Matisë me Urdhërin "Naim Frashëri" të Klasit III. U miratua propozimi i Tiranës, duke e dekoruar dhe shpallur publikisht këtë titull me 7 mars 1987, në kohën kur u dekoruan me titullin "Mësues i Popullit" edhe Naim Frashëri, Sami Frashëri e disa personalitete të tjerë të shkollës shqipe.

Së dyti, më miratoi platformën e plotë të Muzeut të Arsimit të Tiranës, ku kishte vendin e tij Matia dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, personalitet i shkollës dhe i publicistikës shqiptare, figurë shumë e nderuar dhe e dashur në Tiranë, i cili kishte vuajtur dy vjet burg. (Më pas, me ngritjen e Muzeut të Arsimit, një sharlatan i kishte dërguar letër Komitetit të Partisë shumë "i shqetësuar" pse kishin vendosur në muze fotografinë e Dalliut. Ky letërshkrues tani tund kartën e "të persekutuarit").

Ne synonim që gradualisht të shkonim te propozimi për "Mësues i Popullit" edhe për Hafiz Ibrahim Dalliun, mendim të cilin e shfaqëm që në atë kohë.

Po atë vit u botua edhe monografia "Mati Logoreci" por jo me titullin që ishte paraqitur: "Mati Logoreci për kombin shqiptar" duke e thjeshtësuar diçka punimin. Megjithatë libri doli dhe u shpërndanë 2.500 ekzemplarët, pa mbetur asnjë kopje në libraritë e vendit. Shtypi i kohës e priti shumë mirë, duke u bërë njoftime në rubrikat e botimeve të reja dhe, gazeta "Drita", atëherë me shumë autoritet, botoi një artikull të gjatë me fotografi të Matisë shkruar nga Xhezair Abazi, dhe shkrime nga personalitete të fushës. Edhe Dritëro Agolli, kryetari i Lidhjes, e vlerësoi si libër të mirë, mendim të cilin ma shfaqi edhe mua personalisht, si autor i punimit.

Ribotimi që i bëhet kësaj vepre, falë interesimit të nipit të Matisë, z.Pjerin Logoreci, më krijoi mundësinë të bëj ndonjë rishikim dhe sidomos plotësimin e disa çështjeve, pa e lëvizur kolonën vertebrale të librit, vendosjen e disa pjesë të reja, që atëherë ishin të pamundura, të tilla si marrëdhëniet e Logorecit me Gjergj Fishtën, etj.

Matia është një thesar i traditës shqiptare në shumë fusha, sidomos të arsimit e të shkollës, si didakt, tekstolog, organizator, polemizues për të evidentuar vlera shkencore, edukative, shoqërore. Themelorja: Matia dhe gjuhësia, mbeten përherë aktuale, sidomos idetë e tij për pasurimin e shqipes dhe në pastrimin e saj nga fjalët e huaja e të panevojshme (sa i rreptë do të ishte tani në shtyp në luftën kundër përfshirjes së fjalëve të huaja pa kufi ndaj atyre që nuk njohin gjuhën e tyre amtare).

Janë shumë aktuale disa ide të tijat për gjuhën letrare shqipe, për drejtshqiptimin e drejtshkrimin e saj.

Problemet didaktike që nxirren nga vepra e Mati Logorecit, kanë vlerë të padiskutueshme në historinë e mendimit didaktik shqiptar, mjaft prej të cilëve, sidomos vlerat edukative janë aktuale, duke u shtuar këtyre vlerave edhe disa tipare të personalitetit të mësuesit bashkëkohor, të mësuarit tradicional, në kuadër të metodave të mësuarit. Matia mbetet edhe një metodist me vlerë edhe për të sotmen e shkollës sonë.

Në problemet shoqërore, të trajtuara në ligjëratat publike dhe në shtyp, si dhe në mjaft biseda, ai ndeshi e u përball me sulme e presione fanatikësh, si dhe në afirmim të unitetit Veri-Jug, në dobi të çështjes kombëtare, ku vuri tërë veprimtarinë e tij komplekse në fushën shoqërore dhe profesionale.

Duke i shprehur mirënjohje botuesit Logoreci, shpreh bindjen se "Atdhetari i Kosovës" (siç e ka quajtur Matinë, Luigj Gurakuqi, në poezinë kushtuar atij) do të shkojë tashmë lirshëm përmes këtyre faqeve në të gjitha trevat shqiptare, për të cilat punoi gjatë gjithë jetës së tij, duke u ndalur anë e kënd hapësirave shqiptare, përfshirë edhe shkollën "Mati Logoreci" që kohët e fundit mori emrin e tij, në qytetin e dashur të Prizrenit në Kosovë.

Musa Kraja
Tiranë, Janar, 2001

 


Copyright © LOGORECI 2002