Logoreci > Anton Logoreci > Publicistike > Skandali

 

ANTON LOGORECI - Publicistike
 

 

MENU:
» Skandali i shkeljes së të drejtave njerëzore në Shqipëri
» Shqiptarët e Jugosllavisë
» Harry Fultz
» Dialogu i shkrimit modern shqiptar
» Nacionalizmi i egër në shërbim të tiranisë
 

Skandali i shkeljes së të drejtave

njerëzore në Shqipëri

(fragment)

...njëkohësisht ekziston një vend tjetër ku persekutime të egra vazhdojnë të bëjnë kërdinë për më tepër se tridhjetë vjet pa asnjë publicitet. Ky vend është Shqipëria.

...

Në 1948, Asamblea e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara shpalli Deklaratën Universale të të Drejtave Njerëzore. Kjo deklaratë u nënshkrua dhe u ratifikua në 1966. Pikat kryesore të Deklaratës janë këto:

1) të gjithë njerëzit gëzojnë barazi para ligjit;

2) asnjeri nuk mund të arrestohet në mënyrë arbitrare;

3) të gjithë kanë të drejtë të gjykohen paanësisht dhe pa vënien në zbatim të ligjeve të aprovuara më vonë;

4) liri mendimi, ndërgjegje dhe besimi; liri opinioni dhe shprehje; liri mbledhjeje dhe shoqërimi paqësor.

Qeveritë Amerikane, Kanadeze dhe ato të Evropës (me përjashtim të Shqipërisë) firmuan në 1975 Aktin Final të Konferencës së Helsinkit. Në mes çështjeve të tjera, këto morën përsipër të respektojnë të drejtat dhe liritë themeltare, si dhe të venë në zbatim parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave Njerëzore.

Në 1975 Asamblea e Kombeve të Bashkuara aprovoi një dokument tjetër me rëndësi. Ky mban titullin: "Deklarata mbi mbrojtjen e të gjithë njerëzve nga torturat dhe nga masat ose ndëshkimet e tjera mizore e çnjerëzore". Një nen i saj thotë se çdo torturë ose ndëshkim çnjerëzor tjetër formon një fyerje dhe cënim të dinjitetit të njeriut dhe prandaj lypset të dënohet si një mohim i qëllimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave Njerëzore. Një tjetër nen thotë se asnjë shtet nuk lejohet të përdori tortura dhe mjete mizore të tjera.

Nuk është aspak e nevojshme të theksoj se të gjithë këto dokumente fisnikë ndërkombëtarë merren nëpër këmbë natë e ditë në shumë vende të botës. Por fakti është se po shtohet dita ditës numri i njerëzve në mbarë botën të cilët përkrahin me gjithë zemër këto dokumente, që konsiderohen si një masë e vërtetë e shkallës së qytetërimit të një shteti. Regjimi komunist i Shqipërisë, i cili ndodhet në fuqi për më tepër se 30 vjet, ka një rekord skandaloz në fushën e të drejtave njerëzore. Le të marrim shembull një masë politike mbi të cilën është folur deri diku kohët e fundit: zhdukja e plotë e lirisë fetare. Kur vuri në zbatim këtë masë në 1967 regjimi i Tiranës shkeli nenin 18 të Kushtetutës së Shqipërisë të vitit 1946. Ky nen u garantonte nënshtetasve lirinë e ndërgjegjes e të besimit dhe komunitetet fetare, të drejtat e ushtrimit të besimeve të tyre. Masa shkel njëkohësisht edhe Deklaratën Universale të të Drejtave Njerëzore e cila, si thashë garanton lirinë fetare.

Në 1977, regjimi i Tiranës shpalli një kushtetutë të re. Neni 37 i saj thotë se shteti shqiptar nuk njeh asnjë besim. Prandaj Shqipëria është sot i vetmi vend në botë ku shtypja e plotë e fesë është bërë politikë shtetërore. Dihet se shumica e regjimeve komuniste persekutojnë fenë në një mënyrë ose një tjetër. Por të gjithë këta regjime (duke përfshirë Bashkimin Sovjetik dhe Kinën) kanë në fuqi kushtetuta që garantojnë liri fetare. Prandaj mund të themi se liria fetare njihet sot si masë universale e shkallës së qytetërimit të një shteti. Nga kjo pikëpamje, regjimi shqiptar ka zbritur në një nivel shumë të ulët.

Por në Shqipëri janë shkelur vite me radhë edhe të drejta themeltare të tjera si barazia para ligjit, mbrojtja nga arrestimi arbitrar dhe e drejta e gjykimit të paanshëm. Për shembull, gjatë periudhës 1973-1976 janë arrestuar për arsye politike të ndryshme, shtatë anëtarë të lartë të partisë e të qeverisë bashkë me shumë pjestarë të familjeve të tyre dhe dhjetra njerëz të tjerë të konsideruar përkrahës të tyre. Besohet se disa nga këta janë ekzekutuar dhe se të tjerë janë burgosur. Por të gjithë të pandehurit nuk janë paditur para gjyqit publik dhe deri më sot qeveria nuk ka bërë asnjë shpallje të qartë mbi fajësinë ose dënimet e tyre. Prandaj duket se këta janë ndëshkuar me një vendim të udhëheqjes së partisë që është marrë prapa skenës.

...

Deri më tash kam folur për masat që janë marrë kundër shefave dhe zyrtarëve të partisë. Por dihet se një numër më i madh njerëzish të zakonshëm, ata që demaskohen nga regjimi si kulakë, pjestarë të klasave shfrytëzuese të mëparëshme, reaksionare e të tjera - kanë pësuar padrejtësira të tilla ose më të mëdha. Organizata Amnesty International bën këto vërejtje mbi Shqipërinë në raportin e vitit 1977:

"Megjithëse Neni 53 i Kushtetutës së re garanton lirinë e fjalës, të shtypit, të organizimit, të mbledhjes e të demonstratave publike, këto të drejta nuk respektohen në praktikë. Neni 73 i Kodit Penal Shqiptar parashikon dënimin me 10 vjet burg ( ose vdekje në raste të veçanta) për agjitacion dhe propagandë antishtetërore".

Megjithëse masat për burgimin e të miturve dhe grave në Shqipëri kanë shënuar përmirësim të vogël mbas 1960-tës, janë bërë akuza se fëmijë mbi moshën 10 vjeç shpesh herë detyrohen të kryejnë punë korrektive ose dërgohen në kampe përqëndrimi bashkë me prindërit e tyre të cilët janë burgosur për arsye politike. Kodi Penal i vitit 1952 cakton 12 vjeç si moshë minimale për burgim. Kodi Penali i modifikuar i vitit 1958 cakton moshën 14 vjeç si moshë minimale. Paragrafet e artikullit 6 parashikojnë se fëmijët nën moshën 14 vjeç mund të pësojnë ndëshkime korrektive, megjithëse këto nuk përcaktohen. Por nga faktet që dihen nuk është e mundur të vërtetohet se sa fëmijë dhe gra si të burgosur politikë ndodhen në burg. Sipas vlerësimeve të ndryshme, numri i tyre kap disa qindra vetë.

Organizata Amnesty International harton raporte të bazuar mbi prova të gjalla, prandaj konkluzionet e saj janë shumë të matura. Raporti i saj shton dy pika të tjera: 1) se gjatë periudhës 1976-1977 janë bërë akuza se janë përdorur tortura kundër njerëzve që ndodhen në kampe përqëndrimi në Shqipëri, sidomos në Shkodër, Durrës, Tiranë dhe Lushnjë, por se nuk ka qenë e mundur të vërtetohen këto akuza; 2) simbas Nenit 255 të Kodit Penal, çdo përpjekje që bëhet për t’u arratisur nga Shqipëria ndëshkohet me deri 10 vjet burg.

Por mjerisht dhunimet e të drejtave njerëzore në Shqipëri kanë qenë më serioze se lë të kuptojë Amnesty International. Sipas disa informatave, Shqipëria sot ka 18 kampe përqëndrimi ose pune për të burgosurit politikë. Këto janë vendosur afër minierave, qendrave industriale, kantiereve të ndërtimit, projekteve bujqësore e vaditës. Numri i përgjithshëm i të burgosurve politikë besohet se arrin në 12 000. Nga këta, afër 10 000 janë shpërndarë nëpër kampet e punës, të tjerë ndodhen në shtatë burgje kryesore.

Fletorja Britanike "Sunday Times" pati botuar me 7 korrik 1974 një artikull në të cilin një djalosh grek (Yousef Valyrakis) përshkruante vuajtjet e tij në Shqipëri, ku hyri ilegalisht në 1972 mbasi kishte marrë pjesë në lëvizjen e rezistencës kundër regjimit ushtarak të vendit të tij. Këtu u dënua me tre vjet burg. Ai kaloi një dimër në kampin e Burrelit, ku pësoi keq, bashkë me shumë të burgosur të tjerë, nga të ftohtit e madh dhe nga uria. Pastaj u transferua në Ballsh. Kampi i atjeshëm, i cili përmbante 1 000 të burgosur politikë, ishte i rrethuar me një gardh të elektrifikuar. Gardhi ishte pajisur me projektorë dhe kulla të mbrojtura nga ushtarë të armatosur me mitraloz. Gjëja e parë që i bëri përshtypjen më të thellë në kampin e Ballshit (shkruan djaloshi grek) ishte prezenca e shumë njerëzve krejt të raskapitur, nga trupi dhe nga mendja, si pasojë e burgosjes së gjatë.

Në shtator 1975, një punëtor bujqësie u arratis në Itali mbas 12 vjetësh burgim në Shqipëri. Ai u dënua sepse kishte kritikuar politikën e kolektivizimit të bujqësisë. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ai u shtrëngua me anë të torturave të pohojë fajsinë e tij. Kur u dërgua në gjyq, autoritetet nuk e lejuan të mbrohej nga një avokat ose të gëzonte ndihmë ligjore tjetër.

Pas gjyqit punoi katër vjet në një kantier ndërtimi në Tiranë, pastaj kaloi gjashtë vjet të tjerë në një kamp pune në Spaç, në Shqipërinë e Veriut. Bujku i arratisur i deklaroi një përfaqësuesi të Amnesty International në Itali se një pjesë e madhe e të burgosurve, veçanërisht ata me periudhë burgimi të gjatë, vuanin nga sëmundje mendore. Shpesh herë këta njerëz të mjerë vërtiteshin mbi gardhin e kampit, ku pushkatoheshin nga ushtarët e rojes. I arratisuri shtoi se në Majin e vitit 1973 ndodhi një kryengritje në kampin e Spaçit e cila u shkaktua nga ushqimi i dobët dhe i pamjaftueshëm. Kryengritja u shtyp menjëherë nga ushtria. Katër organizatorë të saj u ekzekutuan pa ndonjë gjyq. Mbas një kryengritje tjetër po në këtë kamp, u shtuan dënimet e 170 të burgosurve.

Pyetja që shtrohet është se çfarë veprimi mund të bëhet kur ndodhemi para një gjendje kaq të tmerrshme? Dihet se të gjithë tiranët adhurojnë fuqinë absolute më shumë se çdo gjë tjetër. Mbas fuqisë absolute lakmojnë me pasion fshehtësinë absolute. Megjithëse mund të mos jemi në gjendje të kufizojmë fuqinë e tiranëve, ne mund të grisim perden e zezë që mbulon veprat e fëlliqura të tyre. Këtë mund ta bëjmë duke i dhënë publicitetin më të madh shkeljes së vazhdueshme të të drejtave njerëzore. Vetë populli shqiptar nuk është në gjendje të bëjë një gjë të tillë, mbasi atij i është mbyllë goja për vite me radhë.

...

Mbi rreziqet që rrjedhin nga indiferenca dhe heshtja në rrethana të tilla na flet drejtpërdrejt shkrimtari politikan anglez Edmund Burke. Ky shkruan: "Poshtërsia ngadhnjen atëherë kur njerëzit e ndershëm rrijnë duarkryq"

 


Copyright © LOGORECI 2000