Logoreci > Anton Logoreci > Harry Hodgkinson

 

ANTON LOGORECI
 

 

MENU:
» Doreen Clements Logoreci
» Medalja " Pishtar i Demokracisë"
» Letra e E. Durham
» Anton Çefa
» Elisabeth Barker
» James Seroka
» Harry Hodgkinson
» Andrew Mango
» Arshi Pipa
» Albulena Stojaku
» Kopertina e librit "Rikthim i Nologus"
 
 
Harry Hodgkinson
 
Gazetar, shkrimtar, oficer i "Naval Intelligence"
dhe ekspert për Ballkanin.

 

Anton Logoreci

 

Grupi i vogël i mërgimtarëve në Angli ka humbur Anton Logorecin një nga anëtarët më besnikë dhe shumë të gjallë.

Ai i përkiste një familjeje katolike nga Shkodra e cila ka pasur një rol të dallueshëm në ringjalljen kombëtare që në fillim të shekullit. Xhaxhai i madh ka qenë Kryepeshkop i Shkupit (prindërit e Nënë Terezës ishin mes njerëzve të tij) dhe një xhaxha tjetër ka ndihmuar për të formuluar alfabetin për gjuhën shqipe të ndaluar deri atëherë.

Ishte ky xhaxha i cili e këshilloi që të transferohej nga Kolegji Jezuit i Shkodrës për në Kolegjin Teknik Amerikan në Tiranë. Midis dy luftrave ky kolegj nxori një grup të rinjsh me eksperiencë praktike dhe me një bazë idesh liberale të Perëndimit. Ishte një lloj elite shpresëdhënëse për të cilën një vend si Shqipëria kishte nevojë të domosdoshme.

Pasi punoi si mësues në një fshat malor, Logoreci u zgjodh si përkthyes për Gjeneralin Jocelyn Percy, te cilin Mbreti Zog si kundërpeshë të presionit italian, e angazhoi për të organizuar një xhandarmëri për të. Zogu respektonte Percy-n si një njeri të integritetit, sinqeritetit, një frymëmarrje të ndershme me ajër të pastër në korridoret otomane që ishin akoma në Tiranë. Duke qenë në bisedimet e tyre Logoreci pati një edukim të veçantë mbi nuancat e jetës politike.

Ai u dërgua të studiojë ekonomi në LSE (London School of Economis and Political Sience) ku i rezistoi këshillave të kota të Harold Laski që të bashkohej me komunistët si rruga më e mirë për të sjellë demokraci në Shqipëri.

Në kohën që Musolini pushtoi Shqipërinë Logoreci ishte në Londër dhe që nga ajo kohë ai nuk u kthye kurrë më në atdhe.

Ministria e Punëve të Jashtme të Britanisë e pranoi pushtimin italian kështu që kur Italia hyri në luftë shqiptarët në Britani ishin përcaktuar si aleatë të armiqve. Logoreci dhe të tjerët ishin në rrezik të menjëhershëm për internim, por ndërhyrja e Dervish Dumës sekretari i fundit i Legatës shqiptare në Londër, ishte e suksesshme. Logoreci u vu në krye të sektorit shqiptar të BBC-se. Kur ky sektor u mbyll ai u bë korrespondent për Evropën Qendrore ku ai udhëtoi gjatë. Edhe gjatë kohës që ishte në pension ai vazhdoi të punojë për BBC si analist i ngjarjeve në Shqipëri dhe të problemeve të të drejtave të njeriut në Evropën Lindore në përgjithësi.

Kudo gjatë kësaj periudhe Logoreci mbajti gjallë nëpërmjet lajmeve dhe komenteve, shpirtin e rrethuar të shqiptarëve, duke theksuar si një çështje vendimtare se e ardhmja e Shqipërisë duhet të shtrihet me Perëndimin liberal dhe jo me Lindjen në të cilin regjimi i Enver Hoxhës e kishte dënuar.

Me të njëjtin shpirt ai ndihmoi për të inkurajuar shumicën e shqiptarëve të shpronësuar në Kosovë, për të ruajtur vetrespektin dhe traditat e tyre të vetëdijshme dhe të dallueshme.

Ishte Logoreci ai që në një letër tek "Time and Tide" në vitin 1949 demaskoi idenë "naive dhe miope" të kërkimit për të destabilizuar regjimin e Hoxhës nga veprimtaritë e nxituara të marra nga Britania dhe Amerika, të cilat do të kishin dështuar edhe sikur të mos kishte tradhëtuar Philby; duke lënë pas një trashëgimi të panevojshme mosbesimi dhe dyshimi.

Përveç interesit të tij ndaj politikës dhe polemikave, besnikëria e parë dhe ndoshta ajo më e thella e Logorecit ishte letërsia. Një poet dhe shkrimtar që në rini, stili i prozës së tij në gjuhën amëtare ishte i admirueshëm për qartësinë e tij dhe për atë se si esetë e tij letrare paraqesnin shqiptarët tek shkrimtarët kryesorë evropianë në fillimet e shekullit të XX. Në vitin 1977 ai botoi "The Albanians" një udhëtim i përgjithshëm në horizontin e të kaluarës dhe të perspektivave të asaj ç’ka në nëntitull e quan "Europe’s forgotten survivors" (Të mbijetuarit e harruar të Evropës)

Logoreci u takua me bashkëshorten e tij Doreen kur ajo ishte zv/botuese në revistën "London Calling" tek BBC. Jeta e tyre ishte një partneritet i pasur dhe i devotshëm dhe ajo u bë mikpritëse në një sallon të miqve dhe kolegëve të Britanisë dhe Evropës Lindore, faktikisht gruaja e vetme mikpritëse për mërgimtarët në këtë vend.

Si një qytetar për një kohë të gjatë në Britani, Logoreci kishte forcën e karakterit për t’i rezistuar hidhërimit e për të qenë i ashpër siç duhet të ishte në shkrimet mbi vetkënaqësinë e ideologjive që po shkatërronin vendin e tij. Ai pati gëzimin e madh të jetonte për të dëgjuar goditjet e para sizmike nën themelet e regjimit "Stalinist" dhe mundësinë e përtëritjes së lidhjes së drejtpërdrejtë me familjen e tij në Shkodër pas më shumë se 40 viteve.

"The Independent"
26 shtator 1990

 


Copyright © LOGORECI 2000