Logoreci > Anton Logoreci > Anton Çefa

 

ANTON LOGORECI
 

 

MENU:
» Doreen Clements Logoreci
» Medalja " Pishtar i Demokracisë"
» Letra e E. Durham
» Anton Çefa
» Elisabeth Barker
» James Seroka
» Harry Hodgkinson
» Andrew Mango
» Arshi Pipa
» Albulena Stojaku
» Kopertina e librit "Rikthim i Nologus"
 

Anton Çefa

 

Anton Logoreci
(1910 - 1990)

Përfaqësues i denjë i kulturës së diasporës shqiptare

 

Dekadat e diktaturës i mohuan kulturës sonë kombëtare një mision veprues shumë të fuqishëm, atë të diasporës.
Një element me vlerë të kësaj hapësire kulturore që pret t’i pohohet sa më shpejt kulturës kombëtare dhe të vetëdijësohet sa më parë në ndërgjegjen popullore, sidomos në atë të rinisë, e përbën trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit.
Ky personalitet i fuqishëm i kulturës sonë i takon asaj radhe intelektualësh shqiptarë që, e kuptoi dëmin kombëtar të komunizmit dhe iu kundërvu atij me gjithë aftësinë intelektuale, vullnetin shpirtëror dhe zjarrminë e pasionit.
Lindi në Shkodër, në vitin 1910, në një familje me tradita të theksuara patriotike, që ka lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare të kulturës, që nga periudha e hershme e Rilindjes. Arkipeshkvi i Shkupit Ndre Logoreci, xhaxhai i Antonit, bën pjesë në grupin e klerikëve shqiptarë që u përpoqën për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe në shërbimet fetare. Krahas Dom Engjëll Radojës, Pader Pashko Babit etj., duke ndjekur traditën e letërsisë së vjetër fetare katolike, të kristalizuar jo vetëm në rrafshet atdhetare e gjuhësore, ai punoi pa rreshtur për ndërgjegjësimin kombëtar të besimtarëve të tij.
Është e njohur ndihmesa e Mati Logorecit, xhaxhait tjetër, në fushën e historisë kombëtare, të kulturës, arsimit, gjuhësisë, publicistikës, pedagogjisë, letërsisë etj. Qe mësuesi i parë i shkollës së parë shqipe në Prizren, që u hap nga At Ndre Logoreci në vitin 1889. Qe nismëtar i themelimit të klubit "Gjuha shqipe" në Shkodër, qe anëtar i zellshëm i shoqërisë "Agimi", delegat në Kongresin e Manastirit, anëtar e kryetar i "Komisisë Letrare", drejtues arsimi, pjestar në Këshillin e Epërm Arsimuer, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit. Drejtoi fletoren "Dashamiri" (Trieste), bashkëpunoi në "Albanian" e Konicës, në "Diturinë" e Lumo Skëndos, në "Hyllin e Dritës" të At Gjergj Fishtës, në "Lekën" e Etënve jezuitë, në të përkohëshmet e Ministrisë së Arsimit dhe, pothuajse, në të gjitha gazetat e revistat e kohës. Hartoi tekste për shkollën fillore e të mesme etj.
Antoni mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në shkollat e fretënve e të jezuitëve, ku u edukua për idealet humane, atdhetare e demokrate. Më vonë me nxitjen dhe ndërhyrjen e Mati Logorecit vazhdoi shkollën teknike amerikane, e cila i përvijoi më tej linjat e karakterit dhe e gatoi me një tharm me vlera tejet të mëdha, ku shkëlqenin të kristalizuara idealet më pozitive të inteligjencës së ardhshme shqiptare. Kur Antoni mori maturën në vitin 1927, kjo shkollë kishte si drejtor personalitetin e njohur amerikan, mikun e vendit tonë, z.Fulc, 6 profesorë, 7 mësues ndihmës dhe 211 nxënës.
Nxënësit që dolën nga bankat e kësaj shkolle u bënë elementi më i përgatitur i vendit tonë nga pikpamja teknike, por ajo që është më e rëndësishmja, ata qenë gjithnjë luftëtarë të një qytetërimi perëndimor evropian e të një demokracie të vërtetë.
...
Idealist i zjarrtë i një Shqipërie të lirë demokratike, Anton Logoreci do të fillojë të merret që në bankat e shkollës, me problemet më shqetësuese të shoqërisë shqiptare.
Që në revistën "Laboremus", e cila botohoj nga nxënësit e shkollës, një prej të cilëve ishte dhe Antoni, dëshmohet mprehtësia intelektuale, aftësia letrare, një ideal i lartë atdhetar dhe një pjekuri e parakohëshme e tij në kapjen e problemeve të aktualitetit shqiptar të kohës.
Më 1927, në moshën 17-vjeçare, vit në të cilin kreu shkollën, shkruan në "Laboremus":
"... me besim le të hidhemi na të grupit të 1927 për të plotësuar detyrat tona: besnikëri ndaj shkollës dhe idealeve të saj dhe besnikëri ndaj atdheut tonë."
Tre rreshta ku shkëlqejnë fuqishëm idealet e larta të këtyre të rinjve shqiptarë që po futeshin në jetë me transparencë të plotë për detyrat e tyre dhe me besim në vete se do t’ia dalin mbanë atyre.
Deviza e parë: besnikëria ndaj njëri tjetrit, si kusht i domosdoshëm për një jetë shoqërore e politike të pasur dhe vetëdija për detyrat që kanë ndaj popullit dhe Atdheut.
Besnikëria shoqërore ndërthuret në besnikërinë ndaj idealit edukativ që ka ushqyer shkolla në ndërgjegjen e nxënësve. Sa humane e sa sublime tingëllon kjo devizë e shkurtër në gazetë, në ato ditë kur zogjtë do të fillonin fluturimin e tyre, duke ikur nga foleja ku ishin ndezur për vite të tëra me dëshirën për fluturim.
Në dy rrafshe rëndësore janë njëmendësuar vijat kryesore të edukatës së shkollës amerikane: së pari të përgatisë njerëz praktikisht e teknikisht të aftë për ti shërbyer luftës kundër prapambetjes ekonomike të Shqipërisë së varfër, të brumosë në ndërgjegjen e të rinjve idealet njerëzore më të larta, humanizmin, atdhetarizmin, demokratizmin.
Antoni doli kështu nga shkolla me synimin dhe angazhimin e qartë se e vetmja rrugë e shpëtimit të Shqipërisë së tij të dashur ishte evropianizimi i saj, krijimi në vendin tonë i strukturave e superstrukturave të një jete liberale e demokratike perëndimore.
Kuptimplotë për të gjykuar për formimin e tij në moshën shkollore janë shkrimet e botuara në "Laboremus". Në njërin prej tyre, duke dhënë idenë e zhvillimit të pandërprerë e të përsosjes njerëzore nën ndikimin e kushteve jetësore, shkruan:
"A jam djalë i pesë viteve më parë? Po, por ekziston ligji i pamohueshëm i lëvizjes; asgja nuk qëndron në vend, gjithçka rritet, ose shkatërrohet, dhe kështu koha dhe unë dhe çdo gja i janë nënshtrue dhe kanë pësue ndryshime."
Një moment me peshë në jetën e Logorecit qe puna e tij si përkthyes pranë gjeneralit Jocelyn Percy, i cili më 29 shtator 1926 zëvendësoi si inspektor i përgjithshëm i xhandarmërisë shqiptare nënkolonelin anglez Sterling. Percy varej drejtpërdrejt nga Presidenti i Republikës Ahmet Zogu. Me emërimin e tij, si duket Zogu donte ti ikte mënyrave të prapambetura organizative otomane në jetën dhe strukturën e xhandarmërisë si dhe ndikimit politik të oficerëve italianë me synimet e tyre pushtuese, nga ana tjetër të modernizonte frymën e kësaj trupe ushtarake me aq rëndësi për jetën e vendit.
Duke punuar me Persin, Antoni u njoh me skenat e prapaskenat e politikës së lartë dhe fitoi një gjykim të mprehtë, individual e të pavarur, që do ta përpunojë në të ardhmen jashtë Atdheut.
Më vonë kur të forcohej ndikimi italian mbi vendin tonë, Musolini për të përgatitur terrenin e pushtimit fashist do ti kërkojë mbretit Zog që Percy dhe oficerët e tij të largoheshin e të zëvendësoheshin me instruktorë italianë. Antoni në vitet 1929-1930 punoi si mësues në Orosh. Gjurmët e vërteta të talentit dhe pasionit për letërsinë ai do ti lëri në "Illyria", revistë me vlera të mëdha për kulturën tonë kombëtare, që u botua në vitet 1934-1936.
Në këtë revistë që drejtohej nga Asim Jakova u grumbulluan disa nga figurat më të spikatura të kohës, që i bashkonte ideali atdhetar, forca intelektuale, përgatitja kulturore dhe talenti: Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Karl Gurakuqi, Stefan Shundi, etj. Këtu u botuan edhe shkrimet e para të Migjenit. Nën ndikimin e mendimtarëve filozofë e sociologë të njohur, të fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX si Emil Durkheimit, Ogyst Kontit, Anri Bergssonit etj., këto pena u orvatën të argumentojnë në planin filozofik nevojën e domosdoshme për reforma demokratike për t’ia afruar vendin tonë qytetërimit evropiano-perëndimor.
Në historinë e letërsisë sonë, "Illyria" zë vendin e vet të merituar. Në të u rrahën me një frymë moderniste e realiste çështjet më të rëndësishme shoqërore, kulturore e letrare të kohës. Edhe politikisht ajo qëndronte në një pozicion të sigurtë atdhetar.
Anton Logoreci fare i ri po shpërthente si talent i fuqishëm letrar me një të ardhme të padiskutueshme në letrat shqipe.
Antoni e vlerësonte denjësisht bashkëpunimin e tij si anëtar i kolegjumit redaktorial të kësaj reviste dhe ndihmesën e saj patriotike, kulturore e letrare.
Ja se çfarë shkruan më vonë, në vitet ’70, duke kujtuar e vlerësuar grupin botues "Illyria":
"Ismet Toto themelues i vërtetë i revistës, njeri i pajisur me inteligjencë paramune, shtyhej nga një forcë e brendëshme, e cila e çoi në vdekjen e tij tragjike në moshën 29 vjeç. Odise Paskali, artist i vërtetë..., Stefan Shundi, i cili vdiq në rrethana të errëta mbas Luftës së Dytë Botërore, kishte në atë kohë një elokuencë, energji dhe çiltërsi latine..."
Revista kishte drejtim të qartë perëndimor. Në fushën e letrave shqipe, ajo u përballoi prirjeve nihiliste e përçmuese, që po viheshin re këtu tek disa të rinj ndaj shkrimtarëve të një brezi më parë, brendisë, stilit dhe gjuhës së tyre. Grupi botues vlerësonte mbështetjen në traditën letrare dhe në të njëjtën kohë, dëshmonte me një zbulim të lartë artistik, novatorizmin. Një rrafsh të ndritur të së ardhmes së letërsisë shqipe, që u ndërpre e u dëmtua nga lufta dhe sidomos nga fati i idhët i vendit tonë mbas lufte.
Si kulme të këtij rrafshi modern e novator të letërsisë sonë, Antoni vlerësonte Koliqin dhe Poradecin, që i quante pionierë të letërsisë moderne shqipe, dy artistë që "me gjeninë dhe talentin e tyne treguan se shqipja zotnon fuqi krijuese e përtëritëse për të dalë nga hullia e traditës së vjetër që ishte dominue nga frymëzimi i nacionalizmit të shekullit të kaluem dhe i letërsisë gojore."
Në "Illyria" megjithëse në moshë të re 24-26 vjeçare u shfaqën tiparet kryesore të tharmit të ardhur letrar të A.Logorecit: një atdhetarizëm sa i zjarrtë aq i devoçëm, një drejtim i qartë, i saktësuar mirë, liberal e demokrat, një stil origjinal, i përvijuar nga një talent i fuqishëm, një vazhdues i denjë dhe njëherë novator i vërtetë i traditës letrare shkodrane.
Në këtë revistë Antoni botoi me pseudonimin Nologus, disa tregime të shkurtra që shquheshin për paraqitjen e mjediseve e të mendësive të qytetit të lindjes.
Para se të largohej për studime në Londër, Antoni afrohet edhe me shumë personalitete të tjera të kulturës shqiptare, të njohur më tepër si lëvrues të gjuhës e të letërsisë sonë e që do të formojnë më vonë Institutin e Studimeve Shqiptare, në krye të të cilit vihet Ernest Koliqi e ku bashkëpunojnë Mustafa Kruja, Karl Gurakuqi, Asdreni, Ismet Toto, Eqerem Çabej, Kolë Ashta, Lasgush Poradeci, Ali Asllani etj. Eshtë ky Institut që do të fillojë botimin e vëllimeve të mëdha e aq me vlerë "Studime e tekste", ku punuan linguistë, juristë e folkloristë në zë si P.Zef Valenti, P.Bernardin Palaj, Monsignor Ernesto Cozzi.
Duket se për një farë kohe Antoni i mbajti lidhjet me këtë Institut edhe nga Londra.
Ndoshta nën ndikimin e kësaj periudhe do të merret në Londër me studimin e autorëve të vjetër, siç na e pohon ai vetë në një letër që i shkruan axhës së tij Mati Logorecit, në janar të vitit 1940:
"M’erdh keq qi kujtove se do të më mërzitshe tue hy në bisedim gjuhe. Përkundrazi, kur ishe në Londër në kohët e fundit, kam kalue mjaft orë në British Museum, tue studjue tekste të vjetra shqipe: Budin, Bardhin, Bogdanin dhe al-banologët. Studim shumë interesant e i përfitimshëm".
Dhe më poshtë:
"Jam i bindun (e ktu i mas e i peshoj fjalët; flas si puntuer i gjuhës e jo si nip) se dashunija, entuziazmi e vetmohimi me të cilin ke punue pa rreshtun, nuk ka asnji shembull në të gjithë historinë e letërsis shqipe..."
Dëshmi e qartë e pohuar me gojën e tij se interesat e tij për gjuhën shqipe ishin interesat e një shkencëtari që punon në këtë lëmë e jo të një lexuesi të thjeshtë.
Nuk i njohim ende rezultatet në këtë fushë studimi gjithashtu nuk dimë a e realizoi premtimin që i jepte axhës në këtë letër: "Kur të lirohem prej detyrimeve të sotshme shpresoj me ba një studim, i cili të vejë në dukë se meriton veprën tande gjuhësore. Një peng i vogël, dashtunije e mirënjohje."
Nga fundi viteve ’30, Anton Logoreci shkoi për të ndjekur studimet e larta në Londër në fakultetin e ekonomisë e të shkencave politike, (London School of Economis and Political Sciene. L.S.E), me mendjen e mbushur dhe dëshirën e zjarrtë se shkolla e lartë do të ishte një mjet i fuqishëm për të vënë në jetë idealet patriotike.
Nuk kaloi shumë kohë dhe trupat e Musolinit pushtuan Shqipërinë. Deluzionit të idhët në idealet e studentit për fatet e atdheut iu shtua edhe prerja e bursës në shtator të vitit 1939. Jeton një periudhë të vështirë. Nga njëra anë Ministria e Arsimit në Shqipëri i pret bursën, në anën tjetër, kur Italia futet në luftë, Qeveria angleze i konsideron shqiptarët si aleatë të armiqve, prandaj fillojnë survejimet dhe ndjekjet.
Në Shqipëri nuk mund të kthehej. Si intelektual atdhetar e antifashist do ta priste burgu ose internimi. Nga ana tjetër moskthimi ishte formë e protestës së tij kundër pushtuesit italian.
Në mars të vitit 1940, mbas shtatë muajsh pa bursë, i shkruan axhës, aq të dashur e të respektuar prej tij, Mati Logorecit, të ndërhynte pranë Ministrisë së Arsimit për t’i rakorduar bursën dhe përfundon letrën: "E nëqoftëse kanë vendosë me i lamë duart me mue, ta dij të paktën, kështu që të largohem me kohë nga salat e universitetit për me mësue zanatin e ndershëm të kamarjerit."
Nuk dimë në çfarë rruge u zgjidh kjo punë, por dimë që Logoreci kreu studimet e u diplomua në fakultetin e shkencave politike. Në sajë të përpjekjeve të suksesshme që bëri Dervish Duma, Sekretari i fundit i Ambasadës Shqiptare në Londër, për të sqaruar pranë Qeverisë Angleze pozitën e Shqipërisë e të shqiptarëve nën robërimin fashist, Logoreci u emërua kryetar i Seksionit Shqiptar të Shërbimit të huaj Anglez, BBC-së (British Broadcasting Corporation - Korporata Britanike e Radiopërhapjes; shkurt radio Londra).
Në vitet e vështira të Luftës, kur fatet e popujve të mbarë botës kapërtheheshin dhe nuk dallohej qartë drita e shpëtimit të tyre, Anton Logoreci nga Radio Londra, me mprehtësinë logjike, nuhatjen e thellë politike dhe stilin e gjallë oratorik që e karakterizonte gjithnjë, i informonte bashkatdhetarët e vet, kudo që ishin, për luftën dhe rrjedhën e ngjarjeve lidhur me të, duke bërë edhe parashikime, shumë prej të cilëve u vërtetuan më vonë.
Kur Seksioni u mbyll me mbarimin e luftës, Antoni punoi si përpilues i programeve të Evropës Qendrore, dhe më vonë komentator dhe konsulent për ngjarjet në Shqipëri dhe në vendet e Evropës Lindore.
Për Antonin dhe intelektualët e tjerë patriotë ishte më se e qartë se e ardhmja e Shqipërisë synonte në lidhjen e saj me Evropën Perëndimore ekonomikisht e politikisht, me idealet e saj demokratike. Prandaj ai nuk u gënjye për asnjë moment nga platforma e përkohëshme e Horald Laskit që projektonte të ardhmen e demokracisë shqiptare nëpërmjet përkrahjes që u duhej dhënë komunistëve.
Po, kështu, qe A.Logoreci, siç shkruan "Albanica" në një numër të saj, që në një letër për "Time and Tide" në 1949 demaskoi idenë naive dhe jolargpamëse të kërkimit të destabilizimit të regjimit të Hoxhës me praktikën e nxituar të ndërmarrë nga Britania dhe Amerika, e cila do të kishte dështuar edhe po të mos kishte tradhëtuar Philby (Filbi) dhe që la prapa një trashëgimi të tërë të panevojshme mosbesimi dhe dyshimi.
Asnjë shqiptar i ndershëm këtu brenda telave me gjemba dhe të elektrizuar të Shqipërisë së mjerë, në vitet e para të mbas luftës, kur po bëhej gjithnjë e më e qartë fytyra gjakatare e bishës komuniste e kur gjaku më i vlershëm shqiptar po skuqte zajet pa anë e cak, nuk do ta harrojë se si dëgjonte pranë radios në shtëpitë e varfra me dritare të mbyllura me batanije, zërin e Anton Logorecit. Ishte zëri i tij që çonte peshë shpresat e nemitura në zemrat e shqiptarëve e mbante të kallur dritën e optimizmit për një jetë të lirë demokratike. Po ky zë, pa u lodhur i tregoi botës perëndimore për vite me radhë realitetin tragjik të vendeve të Lindjes e sidomos të Shqipërisë. Eshtë ky zë që tregon të vërtetën lakuriqe të "lirisë" e të "mirëqënies së vendeve që po ndërtonin jetën e re socialiste".
Shtëpia ku jetonte Antoni në Londër qe një shtëpi bujare e mikpritëse, me zemër e dyer të hapura për refugjatët shqiptarë. Atë e nderonte dhe e stimonte Doreen Logoreci, një grua e denjë për Antonin dhe që nga koha kur u njohën në redaksinë e revistës së Shërbimit të Huaj të BBC-së "London Calling" (Thirrja e Londrës), e konsideroi Shqipërinë si atdheun e saj të dytë.
Me emrin e A.Logorecit lidhet një veprimtari e gjerë e botuar në gazetat e revistat angleze e evropiane, e shkruar në gjuhën angleze. Megjithëse qe gjeografikisht larg nga qendrat kryesore evropiane e amerikane të emigracionit shqiptar, ai bëri përpjekje të mos shkëputej. Botoi në revistën me shumë autoritet në fushën e botimeve shqiptare "Shejzat", që drejtohej nga E.Koliqi e ku bashkëpunuan personalitete të fuqishme të kulturës shqiptare si: Martin Camaj, P.Zef Valentini, Maksimilian Lamberci, Karl Gurakuqi, Rosolino e Salvatore Petrolta, P.Daniel Gjeçaj, Zef Skiroi, Jak Marlekaj, Franc Babinger, Vasil Alarupi, A.Pipa. etj., etj.
A.Logoreci botoi (me sa dimë deri tani) disa poema në prozë. "Albanica" (revistë me vlera të mëdha albanologjike që botohet në SHBA) filloi punën pas këshillimit me të (Anton Logorecin) dhe pasi siguroi pjesmarrjen e tij, thotë kryeredaktori i saj A.Pipa.
Në vitin 1977 në Londër u botua libri "Shqiptarët - të mbijetuarit e harruar të Evropës" ("The Albanians - Europe’s Forgotten Survivors"), libër që si gjithë shkrimet e tjera publicistike i bën jehonë gjendjes së mjerë në të cilën e katandisi regjimi komunist vendin tonë, varfërisë ekonomike, privimit të të gjitha të drejtave njerëzore, duke filluar nga mungesa e plotë e lirisë, izolimit politik etj., dhe përsërit e ripërsërit se Shqipëria është vend evropian dhe syrin e dritës e të perspektivës e ka vetëm nga Perëndimi demokratik e i qytetëruar.
Në planin e tij për ta bërë të njohur problemin shqiptar në Evropë dhe në botë, shkrimtari ka zgjedhur një titull mëse sinjifikativ. Shqiptarët - të mbijetuarit e harruar të Evropës (The Albanias – Europe’s Forgotten Survivors). A nuk janë shqiptarët pasardhës të ilirëve, të një populli e të një kulture ndër më të parat e ndër më të vjetrat në Evropë? Sado që e nëpërkëmbi historia, edhe pse fati e vuri përballë provave të mëdha të kohrave: perandorive romake, bizantine e osmane, a nuk qe ky popull që mbijetoi e erdhi në shekullin tonë në trojet e veta, me gjuhën e vet të veçantë, me psikën e vet origjinale, me kanunin e vet të lashtë e në përgjithësi, me kulturën e vet?
E megjithëkëtë: i mbijetuar dhe në të njëjtën kohë, i harruar. Për më tepër i harruar në Evropë. Mund të harrohet një popull ndoshta, në tajgat e Siberisë, në xhunglat e Amazonës apo shkretëtirat e Saharasë. Po, shqiptarët janë populli i harruar në Evropë.
Së fundi, le të harrojë edhe Evropa. Ai ka mbijetuar dhe do të mbijetojë, se është një popull me vitalitet lëndor dhe shpirtëror.
Tragjedia vazhdon ende. Libri është shkruar dhe botuar, por nuk ka rënë ende në dorë të shqiptarëve, nuk është përkthyer, pra nuk është lexuar.
"Albanica" shkruan ndër të tjera: "Ajo që e dallonte këtë libër nga shumë të tjerë për Shqipërinë është mprehtësia politike e autorit, e gdhendur gjatë karrierës së tij të gjatë si shkrimtar politik, veçanërisht e interesuar në aspekte ideologjike, duke përfshirë të drejtat e njeriut. Një gjë tjetër dalluese e librit është stili i tij. Logoreci është mjeshtër në të shkruar"
Në prag të tetëdhjetave Antoni filloi të shkruante në gjuhën angleze një roman social-politik, të cilin nuk mundi ta përfundonte, sepse qe shumë pretendues dhe e dëshironte gjithsesi të përkryer.
Vdiq në Londër me 23 shtator 1990, mbasi pa të realizoheshin dëshirat dhe parashikimet e veta politike në Evropën Lindore, tronditjen në themele të komunizmit botëror, dhe fillimin e rrokullisjes që nuk do të ndërpritej deri sa të plandosej në humnerë. Pa të triumfojë logjika demokratike e shpirti humanitar kudo në Evropë. Për Atdheun e tij të dashur, për të cilin vuajti e aq punoi, por që nuk ju lejua as edhe t’i shkruante e të merrte një letër, përjetoi thellësisht në indet vegimore të pragvdekjes, një të ardhme të ndritur.
Vdiq duke na lënë si trashëgim shpirtin e tij të madh e të gjerë, amanetin e tij për vigjilencë transparente ndaj errësirave të ideologjive, politikave e praktikave komuniste totalitariste e pansllaviste, aq të dëmshme për Shqipërinë.
Dhe kulturës shqiptare i la një trashëgimi të pasur. Ai qe në radhë të parë shkrimtar, megjithëse pjesën më të madhe të jetës së tij u detyrua t’ia kushtonte politikës, që pak a shumë qe profesioni i tij.
Si publicist politikan, ai luajti një rol të rëndësishëm në përvijimin e politikës së diasporës shqiptare, politikë që i nënshtrohej qëllimit të jetës e të veprës së tij, luftës kundër komunizmit në mbarë Evropën dhe, patjetër, edhe në Shqipëri, luftës për të drejtat e njeriut. Dhe në këtë këndvështrim, kontributi i tij është mbarë evropian. Me korrespondecat, artikujt, reportazhet, pamfletët, fejtonët, portretet, skicat dhe llojet e tjera letrare të publicistikës u njoh si një publicist i mprehtë, i qartë energjik, me temperament thellësisht polemist, që flet e godet haptas, që ndërgjegjëson nëpërmjet parashtrimit bindës të logjikës së argumentit, por jo edhe pa ndihmën e ironisë e të sarkazmës.
Megjithëse rrethanat historike të vendit tonë dhe fati i tij e hodhën në prehërin e politikës dhe publicistikës kryesisht me ngjyra politike, interesi qendror dhe pasioni më i rëndësishëm jetësor për të mbetet letërsia, të cilën ai e quan "një tundim i fortë që më ka trazue që në fëmini".
Si punëtor i letrave, dallohet për stilin e tij orgjinal, të thjeshtë, të qartë e shumë elegant. Lëmi i veprimtarisë të tij letrare përfshin disa rrafshe: skica, tregime, poema, prozë e deri te romani. Ai është gjithashtu një eseist i talentuar. Në eset e tij i bëri të njohur publikut tonë shumë autorë të fillimit të këtij shekulli.
Në ceremoninë e varrimit të Ernest Koliqit në Romë në vitin 1975, shkruhet në "Shejzat": "Zonja Logoreci pati mirësinë të na dërgojë poemën e preferuar të burrit të saj, e cila u lexua në funeral."
Janë dëshmuar edhe interesa gjuhësore, por nuk njohim veprimtarinë konkrete në këtë fushë.
Si personalitet i fuqishëm i atdhetarizmës dhe i kulturës shqiptare Antoni u njoh dhe u vlerësua nga personalitete me peshë të diasporës.
Arshi Pipa, një figurë tjetër e fuqishme e kulturës sonë, flet me një ndjenjë e respekt të pakrahasueshëm: "Antoni ishte njeri i admirueshëm, si njeri me parime, ai ishte i pajisur me standarte të larta etike, duke përfshirë vendosmërinë, vërtetësinë, çiltërsinë... ai ishte gjithashtu një nga ata njerëz, shembulli i të cilëve frymëzonte guxim e angazhim".
Trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit nuk njihet fare nga populli ynë. Eshtë detyrë e menjëhershme e demokracisë së kulturuar dhe e kulturës demokratike ta mbledhë dhe ta botojë sa më parë.

 


Copyright © LOGORECI 2000