Abaz Hoxha

Jeta dhe aktiviteti

Mbroj dashurine time

Nuk e kam fjalën për filmin Italian me të njëjtin titull por për atë dashuri që lindi dhe u kalit gradualisht në atë sallën e vogël të regjistrimit të zërit në Kinostudion shqiptare ku diskutoheshin në të gjithë përbërësit e tyre të gjitha kronikat, filmat dokumentarë dhe artistikë shqiptarë. Për atë sallë të vogël që u shndrrua në një auditor universiteti ku u përgatitën me dhjetra e qindra kineastë të rinj që gradualisht do të ngrinin një monument të ri në kulturën shqiptare që do të çelnin një dritare të dijes dhe emancipimit do të lindnin dhe rrisnin kinematografinë më të re në Evropë. E kam fjalën për atë dashuri që lindi dhe u rrit më tej gjatë periudhës që punova ne Arkivin Shtetëror të Filmit të cilit i kushtova gadi 20 vjet të jetës sime që e ngrita, ndërtova, organizova, pasurova dhe e shndrrova në një institucion të rëndësishëm shkencor dhe ai ma ktheu këtë në një dashuri të pakufishme për kinematografinë dhe kineastët shqiptarë por që sot fatkeqësisht është shndruar në një cerdhe militantësh të pa aftë të profileve krejtësisht në kundërshtim me institucionin deri në punonjës pyjesh dhe pa pasione intelektuale e shkencore.

E kam fjalën për atë dashuri të zjarrtë që do të rritesh edhe më tepër atje në atë sallën edhe më të vogël të sektorit të kinemasë ku për 7 vjet u njoha me disa qindra filma të huaj që do të më zgjeronin më tej horizontin kulturor dhe do të bënin që ti kushtoja gjithë jetën time kinemasë shqiptare, atë kinematografi që qëllimisht duan ta denigrojnë shumë “analistë” dhe “Opinionistë” sharlatanë që kujtojnë se mbrojnë parimet dhe idealet demokratike për tu dukur në sytë e nihilistëve ekstremë që duan të mohojnë plotësisht çdo traditë në çdo fushë në emër të luftës kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës. Të atyre nihilistëve që për të denigruar çdo arritje të asaj periudhe e justifikojnë se dënojnë regjimin dhe harrojnë se çdo gjë që u krijua në të kaluarën u bë me djersën e popullit dhe veçanërisht të rinisë dhe sajë mëndjes dhe aftësive krijuese të intelektualeve dhe artistëve shqiptarë që punuan me devocion për të ngritur lavdinë e Atdheut të tyre.

Janë këta nihilistë barbarë, që gjoja në luftën për çrrënjosjen e komunizmit, inkurajuan dhe morën pjesë edhe vetë duke e shpënë Shqipërinë në kuotën zero, që shkatërruan fabrikat, uzinat, kombinatet, shkollat, kinematë teatrot dhe estradat profesioniste dhe amatore, shtëpitë e kulturës, muzeumet, institucionet shkencore e deri tek platancionet  me agrume dhe ullinj që ngriti me shumë mund e djersë rinia shqiptare, fenomene këto të pa para në asnjë vend nga më të mbrapambeturit dhe më reaksionarët e botës.Për ata nihilistë vandalë e barbarë që duke dashur të denigrojnë Enver Hoxhën ranë kokë e këmbë në psikologjinë e tij se “Bota lindi kur ai erdhi në fuqi” duke lënë në harresë qindra intelektualë të shquar dhe shkatërruar e denigruar çdo traditë në çdo fushë që ishte krijuar në Shqipëri në të kaluarën.Harrojnë këta nihilistë se nga urrejtja e tyre /e justifikuar/ patologjike kundër E.Hoxhës u janë veshur sytë dhe harrojnë se fyejnë e denigrojnë qindra e mijra intelektualë të mirëfilltë edhe në fushën e kulturës dhe artit që e kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë brënda dhe jashtë kufijve të tij.Harrojnë këta vandalë që u janë errësuar sytë dhe ofendojnë përkushtimin deri në ekstrem të qindra intelektualëve dhe artistëve shqiptarë që ngritën dhe mbajtën gjallë me dhjetra e qindra institucione kulturore artistike, me dhjetra Teatro dhe Estrada, me dhjetra shtëpi kulture, me  dhjetra muzeume dhe qindra kinema në të gjitha skajet e vendit që tashti nuk u duken as gjurmët. Psikologjia e mohimit të traditës në çdo fushë dhe aqë më tepër e shkatërrimit të çdo gjëje të krijuar në të kaluarën është një psikologji reaksionare që të shpie në mohimin e vetvetes dhe të çdo gjëje të krijuar nga brezat paraardhës.Të mohosh traditën do të thotë të thuash se një ndërtesë ngrihet pa themele.

Zotërinj nihilistë që u janë errësuar sytë nga urrejtja për regjimin e kaluar mos e ngatërroni urrejtjen për regjimin me krijimtarinë e shquar të artistëve, regjisorëve, muzikantëve dhe të gjithë punonjësve të kulturës shqiptare. Mos harroni zotërinj mëndjeshkurtër dhe pse jo edhe injorantë se me arritjet e mëdha të këtyre artistëve e regjisorëve ne duhet të krenohemi se i kanë dhëna vlera të padiskutushme artit dhe kulturës shqiptare brenda vendit dhe janë nderuar dhe paraqitur me dinjitet edhe në evenimentet artistike ndërkombëtare brënda mundësive të kufizuara që u lejonte regjimi.

Të vjen keq që edhe ndonjë intelektual e injoron krejtësisht kinematografinë shqiptare veprën e regjisorëve të shquar Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Xhanfize Keko, Kristaq Dhamo, Ibrahim Muca, Kristaq Mitro, Kujtim Çashku,Vladimir Prifti, Esat Musliu  e shumë të tjerëve. Duke mos patur asnjë njohuri për veprimtarinë ndërkombëtare të filmit shqiptar arrijnë deri aty sa të thonë se ajo nuk ka patur asnjë vlerë .Harrojnë se të gjitha filmat shqiptarë, pa përjashtim, që janë paraqitur në Festivalet Ndërkombëtare janë nderuar vazhdimisht me çmime, diploma dhe deri me medalje të arta e Grand Prix. Harrojnë se shtypi i huaj ka folur me superlative për krijimtarinë dinjitoze të regjisorëve shqiptarë Dh.Anagnosti, K.Çashku, Xh.Keko, F.Hoshafi, H.Hakani etj.Harrojnë këta “Analistë” dhe “Opinionistë” se u janë errësuar aqë shumë sytë dhe kanë mbetur skllevër të asaj çensure dhe autoçensure të së kaluarës por tashmë jo nga frika e regjimit dhe diktaturës por për tu konformuar me mendimin që fatkeqësisht sundon tek njerëz të egër e vandalë që kërkojnë revansh të pa merituar duke mohuar çdo gjë të krijuar në të kaluarën.Bile, fatkeqësisht arrijnë deri aty sa të fyejnë, injorojnë dhe cenojnë dinjitetin e popullit të tyre me deklarata të tilla duke e quajtur atë injorant të egër e barbar dhe ku ka sunduar e sundon psikologjia e pushkës, topit dhe vrasjes /deklarata këto në një emission “Opinion” të Blendi Fevziut/.

E këtu le të ndalemi edhe tek një fenomen tjetër, për disa emisione televizive për kulturën përgjithësisht dhe kinematografinë veçanërisht. Merren në këto emisione edhe disa njerës jo kompetentë dhe me nivel të ulët intelektual duke u hequr si ekspertë për cdo gjë. Merret edhe ndonjë ish punonjës i kinematografisë që ka punuar atje për një kohë të shkurtër në ndonjë punë të rëndomtë, jashtë krijimtarisë, dhe tashmë hiqet ekspert për problemet e kinematografisë dhe të artit përgjithësisht dhe na thonë gjepura në ato emisione. Merren edhe njerëz që nuk e njohin fare kinematografinë dhe vetëm se janë në listën e zgjedhur të emisioneve televizive si “Analistë”, “Opinionistë” etj etj.Ç’janë këta “analistë” dhe “opinionistë” që flasin me kopetencë për çdo fushë, që nga rritja e preshit, problemet e shendetësisë, bujqësisë, artit e kulturës e deri te problemet më të mprehta politike kombëtare e botërore?. Kuptohet që këta janë njerëz të zgjedhur të gazetarëve që kanë krijuar një qark të mbyllur klientelist.

Kinematografia dhe kineastët shqiptarë jo vetëm që nuk duhet të ulin kokën për arritjet por të krenohen se kanë krijuar nga e para, në kushte shumë të vështira ekonomike kur paguheshin me paga qesharake që nuk u mjaftonte për të siguruar bukën e gojës të famijeve të tyre, dhe që paralelisht duhej të mbroheshin nga anatemimi i krijimtarisë së tyre nëpër hallkat e shumta të çensurës dhe autoçensurës. Kanë realizuar filma që mbajnë vulën e popullit të tyre ku jepet psikologjija, humori, skenografia, muzika, dialogu dhe çdo gjë që ka vulën e popullit të tyre.Janë këta kineastë të shquar që bënë që edhe filmi të flasë shqip. Mos harrojmë që janë realizuar mbi 300 filma artistikë, përveç qindra kronikave dhe filmave dokumentarë duke filluar nga zero, pa asnjë përvojë nga e kaluara dhe të izoluar pothuajse plotësisht nga arti dhe kultura botërore dhe jo vetëm që kanë përballuar çensurën shtetërore por kanë krijuar vlera të spikatura që është një bazament i rëndësishëm, një mbështetje e madhe për brezat më të rinj dhe shpënien më përpara të këtyre arritjeve.

Një Shqipëri e vogël dhe e varfër arriti të realizojë deri në 14 filma artistikë në vit dhe për këtë kritizerët ironizojne, e quajnë absurditet dhe se janë filma të rëndomtë. Cila është ajo kinematografi, nga vendet më me traditë që janë edhe nga themeluesit e artit të shtatë që të gjitha filmat që prodhon i ka të shkëlqyer? Franca, vendi ku lindi kinematografia, para disa vjetëve prodhonte mesatarisht 85 filma në vit /duke përfshirë edhe bashkprodhimet me shtetet e tjera/ kush mund të pohojë se të gjitha këto filma kanë qënë të shkëlqyer ose të pranueshëm për publikun e gjerë. Vetëm 7 ose 8 filma francezë në vit kanë patur jehonë!Mos ngatërroni urrejtjen për sistemin diktatorial që sundoi gadi 50 vjet në Shqipëri me veprën e madhe të popullit dhe intelektualëve shqiptarë, me veprën e aktorëve tanë të mëdhenj S.Prosi, N.Luca, K.Roshi, S.Pitarka, R.Ndrenika, R.Arbana, Marie  Logoreci, T.Kurti, M.Xhepa, V.Manushi, R.Anagnosti, R.Ljarja, M.Ljarja, P.Raidhi, S.Shkurti,  B.Asqeriu, S.Fanku, A.Verria, B.Lako, A.Qiriaqi, G.Radoja, T.Flloko, N.Xhepa, V.Furrxhi, M.Kabashi, R. Bulku, E.Alikaj, M.Makoci, L.Xhuvani, Y.Mujo e shumë të tjerëve të cilët jo vetëm që nuk duhet të ulin kokën por duhet të jenë krenarë për vlerat e mëdha interpretative që duhet tu ulen në gjunjë edhe shumë nga ata “yje” ndërkombëtarë që propaganda po kthen në idhuj.Mos harroni zotërinj nihilistë kompozitorët tanë të shquar që me muzikën e tyre të filmave bënë që të këndohet nëpër rrugë jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë deri në kontinentin aziatik.Mos harroni se kur u shfaq filmi “Dimri i fundit”/R:I.Muca, K.Mitro/ në Universitetin e Venecies/2005/, ndonse në variantin shqip por u gozhdua salla deri në fund dhe më vonë filluan edhe të këndoheshin motive nga muzika e tij e shkëlqyer/Kompozitor Aleksandër Lalo/.Le ti lëmë mënjanë vlerat e mëdha, regjisoriale, interpretative ,muzikore dhe skenografinë e filmave tanë dhe të kemi parasysh vetëm faktin se ata janë një pasqyrë e historisë shqiptare të atyre viteve, janë dokumenta autentike të kohës që kineastët shqiptarë, me rritjen e tyre arrijtën të denoncojnë edhe fenomene negative të asaj kohe duke vërtetuar që situata nuk ishte aqë rozë sic paraqitej nga propaganda, që “njeriu i ri” nuk ishte aqë ideal por po shfaqeshin përherë e më tepër fenomene të korrupsionit, të politikës të dosjeve të kuadrit, etj, me filma të tillë si: “Hijet mbeten pas”, “Të mos heshtësh”, “Dora e ngrohtë”,” Njeriu i mirë”, “Rrethimi i vogël”,”Telefoni i një mëngjezi”,”Ëndërr për një karrike”, “Tela për violinë”,”Apasionata”, “Duaje emrin tënd”, “Dhe vjen një ditë”e shumë të tjerë.

Për ata nihilisët që mohojnë vlerat e filmit shqiptar le të marrim disa të dhëna për jehonën që kanë patur ata jashtë shtetit ku janë lejuar të paraqiteshin në konkurim nga regjimi i atherëshëm.

Të gjitha filmat shqiptarë që kanë marrë pjesë ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmave për fëmijë e të rinj ne Gifone, Itali janë nderuar me cmime dhe konkretisht:

1.-Filmi “Debatik”/R: H.Hakani/ ndonse i xhiruar që në vitin 1961 u vlerësua si “Filmi më I mirë” në Festivalin e XV-të në Giffone dhe u nderua me një pllakë të veçantë nga Rotary Club në 1985. Mos harrojmë se në Festivalin e Giffones juria është e përbërë me rreth 1000 fëmijë.

2.-“Beni ecën vetë” nderuar me Çmim të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Beograd në vitin 1976 dhe po me Çmim të veçantë në Festivalin e Giffones 1978.

3.- “Lulëkuqet mbi mure”/R:Dh.Anagnosti/, mori Çmimin e madh “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Beogradit, 1980 dhe u nderua me Medaljen e Artë në Festivalin e Giffones, Itali.

4.- “Tomka dhe shokët e tij”/R:Xh. Keko/ u nderua me Çmim të veçantë ne Festivalin e VIII të Giffones, 1978.

5.- “Gjeneral Gramafoni”/R:V.Gjika/ ndonse jashtë konkursit por u nderua me Diplomë nderi në Festivalin e Tretë të Filmit Ballkanik që u zhvillua ne Stamboll,Turqi.

6.- “Pas gjurmëve”/R:Xh.Keko/ u nderua me Medaljen e Argjëndë në Festivalin e Giffone,1979.

7.-“Në shtëpinë tonë”/R:Dh.Anagnosti/ nderuar me Çmim të veçantë ne Giffone.

8.-“Një gjeneral kapet rob”/R:S.Pecani/ nderuar me Çmim të veçante ne Giffone, 1982.

9.- “Kur po xhirohej një film” /R:Xh. Keko/ nderuar me Medaljen e Argjëndë në Festivalin e Giffone, 1983.

10.-“Shoku ynë Tili” /R: F.Hoshafi/ nderuar me Çmim të veçantë në Giffone, 1982.

11.- “Përrallë nga e kaluara” /R:Dh.Anagnosti/, fitoi Çmimin e Dytë ex-aequa në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave të Evropës Lindore në Bondy-Francë,1990.

12.-“Balada e Kurbinit” /R:K.Cashku/ u nderua me diplomë nderi/Diplome d’honour/ në Festivalin e IV të Filmit historic në Rui-Malmezon, Paris,1990.

13.- “Kolonel bunker”/R:K.Cashku/,nderuar me Çmimin e Kritikës, në Mediterrenean Film-Fest në Bastia, Francë, me Çmim cpecial në Festivalin e Filmave në Izmir,Turqi dhe me “Grand Prix” në Festivalin e Saint Etien, Francë 1997.dhe “Syri magjik” I te njejtit autor I nderuar me shume vleresime dhe cmime ne disa veprimtari nderkombetare.

Pa përmendur këtu disa çmime të mëdhaja të fituara në festivalet e ndryshme ndërkombëtare nga regjisorët më të rinj të mëvonëshëm për filmat “Parullat”/R:Gj.Xhuvani /Grand Prix në Tokio/ filma të B.Bishës, A.Minerollit etj.

Pra, siç shikohet, në të gjitha Festivalet Ndërkombëtare që janë shfaqur filmat shqiptarë janë nderuar me çmime të ndryshme dhe kanë gjetur një jehonë të gjerë në shtypin e vendeve organizatorë dhe të vendeve pjesëmarrëse.

Shfaqja e filmave mjeshtërorë te Anagnostit, Çashkut, Priftit etj në Itali, Francë, Belgjikë e gjetkë krijoi një imazh të kinemasë shqiptare dhe të personaliteteve të saj dhe një kredo për të cilën kritika e huaj u shpreh se:  “…me regjisorë të tillë Shqipëria mund të prezantohet me dinjitet në ekranin e madh të kinemasë botërore..”.

Kinemaja shqiptare ka mundur të depërtojë edhe në Festivalet më të njohura Ndërkombëtare  si në Kann e deri në portat e Çmimit OSCAr.

Kur isha ende në punë, aty nga viti 1984 më erdhi një letër nga drejtori i një Festivali Ndërkombëtar që zhvillohesh në Ëashington dhe filmat zgjidheshin nga vetë ai. Më kërkoi që të dërgonim për konkurim filmat, “Lulëkuqet mbi mure”,”Beni ecën vetë” dhe “Radiostacioni”/R: R.Ljarja/ të cilët i kish parë në Berlin dhe i kishin pëlqyer duke i cilësuar si filma me shumë vlerë për konkurim.Ky ishte një vlerësim dhe nder i madh për ne dhe kineastët shqiptarë. Por ne nuk patëm mundësi të ja u dërgonim ato filma për arsye të meskinitetit të kuadrove drejtuese të Partisë-shtet të cilët e konsideronin këtë akt si “dorëzim para presionit amerikan”.Po kështu miku im i mëvonëshëm studjuesi anglez, John Holstrom, punonjës i BBC ku drejtonte departamentin e muzikës por njëkohësisht ishte edhe Antar i Institutit Britanik të Filmave dhe kish ndërmarrë një studim shumëvëllimësh për interpretimin e fëmijve në kinematografinë botërore dhe kishte parë disa filma shqiptarë ishte mahnitur me çiltërsinë e fëmijve tane duke u shprehur se: “..interpretimin e fëmijve tuaj duhet të ja u ketë zili edhe kinematografia amerikane që ka një përvojë të madhe në këtë drejtim..”.

Le të jetë kjo një përgjigje e “Analistëve”, “Opinionistëve” dhe nihilistëve që me mëndjemadhësi duan të injorojnë sukseset e padiskutushme të kinemasë shqiptare filmat e regjisorëve tanë të shquar që i ka pritur dhe vazhdon t’i presë me dashuri publiku dhe veçanërisht edhe rinia shqiptare mbasi në ato filma shef jetën dhe vendin e tij/gjithnjë në kontekstin e kohës kur janë realizuar/.Le të marrim edhe një fakt të thjeshtë si reagon publiku ynë për filmat e asaj periudhe:

Në Festivalin e X-të të Filmit shqiptar që u zhvillua në vitin 1995 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë kur u shfaq filmi “Fëmijët e saj” u ngrit salla në këmbë dhe buçiti nga duartrokitjet. Në atë sallë ishin intelektualë të gjithë fushave, ishin të rinj e të reja e të moshuar, një sallë plot me spektatorë .Dhe ky ishte filmi i parë dhe punë diplome i regjisorit Hysen Hakani realizuar në vitin 1957, dhe përgjithësisht filmi i parë artistik i metrazhit të shkurtër realizuar nga kinematografia shqiptare.Hidhni një sy zotërinj “analistë” dhe “Opinionistë” faqeve të shumta të internetit dhe aty do të gjëni vlerësimet që u bën publiku shqiptar që nga moshat më të reja dhe intelektualë të profileve të ndryshme që mbajnë përmendsh titujt, interpretuesit,subjektet bile edhe batutat e ndryshme të filmave shqiptarë.

Këto janë faktet, Zoti Fevziu, të cilat janë dhënë në mënyrë të hollësishme edhe në dy nga 20 librat e mia që ju i keni mbi tavolinë dhe nuk denjoni të përmendni as autorin nga i merrni të dhënat. Këto të dhëna ju duhet të ja u servirni paneleve tuaja dhe ti ndihmoni që të mos flasin pallavra për gjërat që nuk i dinë dhe i shikojnë me syzet e nihilistëve.

Ju bëj thirrje kineastëve tanë të talentuar, regjisorëve, skenaristëve, kompozitorëve, piktorëve, operatorëve dhe vecanërisht aktorëve tanë të shquar që ta lënë mënjanë modestinë që i ka karakterizuar kurdoherë dhe të përballen me këta mohus vlerash dhe kontributit të madh që ata kanë dhënë në kulturën shqiptare.

Ndoshta do të ishte e nevojëshme që të flisnim edhe më konkretisht për tematikën dhe filmat e veçantë, por le të ja lëmë këtë të ardhëshmes

Abaz Hoxha
Studiues dhe historian i kinemasë

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Comments are closed.