Abaz Hoxha

Jeta dhe aktiviteti

Kinemaja gjatë pushtimit fashist

Pjesë nga libri i autorit “Historia e kinemasë në Shqipëri” Vëll.I

“Kalorësi i Krujës” – një film që i bënte jehonë pushtimit -

Në vitin 1939 u shpall zyrtarisht se, përveç filmit “Skënderbeu”, do të xhirohej edhe një film tjetër me subjekt shqiptar, me skenar të Aldo Verganos dhe Karlo Malatestes. Ky film, sipas njoftimit, do të përqëndrohej në traditën e vëllamit të gjakut dhe subjekti do të zhvillohej mbi një sfond të zbarkimit të trupave italiane në Shqipëri. Mandej flitej edhe për dëshirën që në rolin kryesor të interpretonte aktori i njohur i kohës, Amadeo Nazari. Artikulli shoqërohej edhe me fotografinë e këtij aktori. Në fakt interpretuan aktorët e njohur Doris Duranti, Ledia Gloria, Antonio Centa e Guido Cellano.

Edhe realizimit të këtij filmi shtypi i bëri jehonë të gjerë, sidomos kur filloi xhirimi i tij nga mesi i vitit 1942.

Filmi u titullua “Kalorësi i Krujës” dhe ishte me regji të Karlo Kampogallianit dhe operator Aldo Tonti dhe u xhirua kryesisht në Krujë e Shkodër, si dhe në Stabilimentin Pisorno të Tirrenia-s, Itali. Ngjarjet e filmit zhvillohen mbi një sfond të zbarkimit të trupave italiane në Shqipëri dhe në qendër të tij është një gazetar italian, i cili shpëton një kalorës shqiptar/kryetar fisi/ që është plagosur për vdekje nga trupat qeveritare (ka parasysh xhandarmërinë zogiste – A.H.) dhe bëhet vëllam me kalorësin, madje pas disa ditësh peripecish, në kundërshtim me zakonet  e vendit, martohet me motrën e kalorësit shqiptar dhe për këtë i vjen në ndihmë kleri. /Simbas tyre të gjitha dyshimet zgjidhjen me ardhjen e trupave clirimtare italiane/

Aluzioni i filmit është më se i qartë. Kjo u shpreh edhe në shtypin e kohës. Një përkrahës  i fashizmit shkruante kështu:

“…Drejtoria e Përgjithshme e Shtypit, Propagandës dhe Turizmit me anën e këtij filmi i jep një shërbim tjetër këtij vendi dhe çështjes së Komunitetit Perandorak fashist …”3.

Edhe më qartë akoma e shpreh këtë Euxhenio Lekualie, konsulent për kinematografinë dhe teatrin, në    relacionin që i dërgonte drejtorit të përgjithshem të shtypit më 10 shtator 1940. Në këtë relacion thuhej:      “… Siç e dini, u realizua dhe programi për në manifestimin e dëgjuar kinematografik të Venecies, filmi me karakter shqiptar “Kalorësi i Krujës”, i cili duket se do të këtë një sukses të madh. Rëndësia e këtij filmi është që do të celebrojë aneksimin e Shqipërisë nga ana e Italisë dhe do të nxjerrë në dritë virtytin e popullit shqiptar…”4.

Regjisori Carlo Campogalliani

Krerët e fashizmit i dhanë një rëndësi të madhe shfaqjes së këtij filmi në Shqipëri, duke menduar se do t’ia arrinin qëllimit të tyre propagandistik. Për të krijuar idenë se ky ishte një film shqiptar dhe se do të mirëpritej nga opinioni i vendit, për demagogji, organizuan shfaqjen e tij në një kinema ku ishte pronar një shqiptar, pra, edhe shfaqja do të bëhej me “miratimin” e vetë shqiptarëve. Po kështu, i dhanë rëndësi organizimit të premierës, e cila duhej të bëhej pompoze dhe me pjesëmarrjen e autorëve dhe të interpretuesve që do të vinin nga Italia. Në shfaqje kërkohej të merrte pjesë edhe vetë Mëkëmbësi i Mbretit. Në relacionin e mësipërm E. Lekualie shkruante:

“… Do të ishte mirë që ky film të shfaqej para së gjithash në Shqipëri e kryesisht në Tiranë… Ai mund të shfaqet në kinema “Rex”, mbasi ajo administrohet nga një shqiptar… Mbrëmja premierë do të mund të nderohej me prezencën e Mëkëmbësit të Mbretit. Do të ishte mirë që të marrin pjesë në këtë manifestim interpretët kryesorë, si zonjusha Doris Duranti, Zonj. Ledia Gloria, aktori Guido Celano, sikurse edhe drejtori i prodhimit Dott. Euxhenio Fontana”1.

Leda Gloria

Për “Kalorësin e Krujës” u bë zhurmë se ishte film shqiptar e se mbështetej mbi traditat dhe zakonet tona etj., por përgjigjen për këtë e dha edhe vetë shtypi i kohës/gjate kohes se pushtimit nazist/, kur shkruante:

“… Një film i vetëm me “karakter shqiptar” (e jo, pra, shqiptar) është bërë prej italianëve. Ka dashur fati që… ndonëse lindur në tokën shqiptare, ky film në tokën tonë të mos jetë kthyer. E kam fjalën për “Kalorësin e Krujës”, të cilin një ngatërrim i tmerrshëm i çdo gjëje, një zhvillim i gabuar i lëndës dhe mungesa absolute e elementit shqiptar, natyrisht si element krijues e drejtues, e kanë bërë të jetë një çorbë derri, që të mos pëlqehet as jashtë dhe të mos sillet as ndër ne…”2.

Nga xhirimi i filmit Kaloresi i Krujes

Autori i këtij shkrimi ose nuk e dinte, ose nuk guxonte të thoshte në atë kohë se në të vërtetë filmi përfundoi dhe u shfaq njëherë, por që në shfaqjen e parë në Tiranë, ai u sabotua nga Rinia Antifashiste. Ky film ngjalli një revoltë të ligjshme dhe të hapur me përmbajtjen e tij, prandaj autoritetet fashiste nuk guxuan ta shfaqnin më në Shqipëri. Por edhe në Itali ky film u prit ftohtë nga mendimi përparimtar, si një film me tendenca të theksuara fashiste.

Kritika italiane e kohës: Michelangelo Antonioni, kritiku dhe regjisori i mirënjohur i viteve të mëvonëshme me titullin “Surpriza Veneciane”. Në “Cinema”,25 shtator,1940 shkruante:

“….Duke qënë filmi i parë mbi Shqipërinë,”Kalorësi i Krujës” po pritesh me interes në Venecia (Bienalen e Venecias) ndonse për oportunitetin e të cilit nuk dyshonte askush. Duke parë filmin mund të thuash për një diziluzionim, zhgënjim, për një fragmentarizëm dhe një kaos që të bën të mendosh se nuk kishte një tregim të qarte,histori. Thjeshtëzimi ekstrem i skenarit sikurse regjia dhe interpretimi bënë që të mos ketë sukses…..”

Edhe në një botim të Institutit “Luce”, në vitin 1975, thuhej:

“… Në kinematë u shfaqën një seri filmash më tepër se fashiste…” dhe përmendet shprehimisht filmi “Kalorësi i Krujës” i regjizorit Karlo Kampogaliani1./Vincere Vinceremo-La guerra faschista 1940-1943, botim i Institutit LUCE dhe Organizatës Fronti i Rezistencës/

Producent Eugenio Fontana/Distribucioni ENIC/,

Regjia: Carlo Campogalliani, Skenari: Carlo Malatesta, Gian Gaspare Napolitano, Aldo Vergano: Kamera: Aldo Tonti, M: Alberto Ghislanzoni,RM:Mario Bonotti. Interpretuesit: Doris Duranti (Eliana), Antonio Centa (Stefano Andriani), Guido Celano (Hasllan Hajdar), Leda Gloria, etj.

Sic shihet asnjëri nga autorët dhe interpretuesit qoftë edhe të roleve të dyta e të treta nuk ishte shqiptar. Metrazhi 2212m.

Në këtë periudhë Instituti “Luce” xhiroi edhe disa filma të tjerë dokumentarë nga Shqipëria, si p.sh., filmat “Shqipëria”, “Ari i zi” (mbi puset e vajgurit që shfrytëzoheshin nga shoqëritë italiane), “Ullishtat e Vlorës”, “Miniera e Selenicës” etj. Në shtypin e kohës përmenden edhe plane të tjera për xhirimin e disa filmave nga “Luce” me regjizurë të Mihallaq Mones, si “Gjahu në Karaburun, “Martesa në Nartë” etj.

Kush ishte ‘Ylli’ i filmit “Kalorësi i Krujës” Doris Duranti

Lindi më 15 prill 1917 në Livorno.Ajo e njohu suksesin e parë në kinema në moshën 19 vjecare dhe arrijti shumë shpejt suksesin duke filluar nga viti 1937.Publiku Italian e vlerësonte shumë  për bukurinë dhe elegancën duke e krahasuar me “yjet” hollivudiane Irene Dunne dhe Clodette Colbert.

Doris Duranti ishte një aktore e preferuar e vetë Musolinit duke e konsideruar atë si nje mundësi për depërtimin me lehtësi ne propagandën fashiste mbasi ajo ishte edhe e dashuruar me Ministrin e Kulturës Popullore, Alessandro Pavolini. Doris Duranti konsiderohej si “First Lady” e kinemasë fashiste dhe sebashku me Alessandro Pavolinin dhe ne prezence te Musolinit inaguroi qytetin e filmave “Cinecita” dhe vazhdoi te interpretoje si nje yll i kinemase italiane deri në kapitullimin e Italisë. Alessandro Pavolini u arrestua dhe u pushkatua pas luftës. E dëshpëruar nga pushkatimi i Pavolinit dhe duke u konsideruar si një kriminele lufte Doris Duranti tentoi të vriste veten, por shpëtoi vetëm me prerjen e damarëvet dhe emigroi fillimisht në Zvicër dhe më vonë në Amerikën e Jugut duke u maskuar se ishte e martuar me një polic i cili në fakt ishte i ngarkuar që ta ruante. Flitej që atje jetonte në luks  në një ndërtesë elegante.

Abaz T.Hoxha
Studiues dhe Historian i kinemase

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Comments are closed.