Abaz Hoxha

Jeta dhe aktiviteti

Judith Jacklin Belushi

Ne kujtim te Xhon Belushit

Në vitin 1988 u lidha me korespondencë me nënën e aktorit të madh Xhon Belushi dhe i kërkoja asaj materiale fotografike dhe të shkruara për djalin e saj. Bashkë me një album fotografik dhe me një jetëshkrim ajo me dërgoi edhe një kartolinë ku shkruhet:

“……My Dear People of Albania, I hop you Will all enjoy this album of my Son, John Belushi. America and all the World loved him, so I know Albania can be very proud of him as one of their own…”He gave the World laughter”…Sincerely Agnes Belushi /the Mom.

Së bashku me këto ajo më dërgoi edhe kujtime të bashkëshortes së aktorit të madh Judith Jacklin Belushi të cilat po i jap pjeserisht më poshtë:

Në kujtim të John Belushit

.”…..Xhoni po luante në skenë kur unë e pashë për herë të parë.Jepej një spetakël variete nga shkolla e lartë dhe Xhoni luante një monolog të cilin e kishte shkruajtur vetë dhe ku paraqiste një trajner i cili i fliste skuadrës së tij.Fjalët tashmë ka kohë që janë harruar, por imazhi i tij, jo. Me këmishë dhe pantallona të lagura nga djersa, një bilbil rreth qafës dhe një kasketë bejsbolli në kokë, ai imitonte dialogun jugor të njërit nga trajnerët e tij. Ai ishte i tensionuar, pa qënë fizik, ndërsa qepallat lëviznin dhe gishtrinjtë mundoheshin të kapnin diçka në ajër.


Ai ishte nga nxanësit më të rinj në shkollën e lartë, por në paraqitjen e tij kishte forcë dhe besim.Dhe kujtoj sesi më bëri të qesh. Për herë të dytë e pashë disa muaj më vonë. Ai i binte xhezit dhe këndonte me një grup muzikor.

……….  Vitin tjetër shkollor, në vjeshtë të 1966, ne u takuam. Xhoni më kërkoi që të isha partnerja e tij në një mbrëmje, një muaj përpara. Kjo ishte koha më e gjatë që më la për të vendosur diçka.

……….  Xhoni ishte atlet dhe dëshironte të bëhej futbollist.Ishte i gjatë 5’9” dhe peshonte 170 paund, por atë që i mungonte në përmasa, ai e plotësonte me vendosmëri. Ai drejtonte lidhjen e tij nga ana teknike dhe ishte kapiten i skuadrës së tij.

………   Vetëm në semestrin e fundit kaloi në dramatikë.Mësuesi i tij Dan Pejn, e zgjodhi atë si personazh kryesor në pjesën teatrale të shkollës “Ne nuk jemi Engjëj”. Akoma e kujtoj atë lojë si një nga gjërat më me humor që ka bërë.Mendoj se atëhere fillova të besoj se ai do të bëhej aktor.

Meqënëse viti i fundit po mbaronte dhe Xhoni luftonte me dilemat e bursës së kolegjit e futbollit, Z.Pejn sugjeroi që ai të kërkonte një vend në një theatër veror në Indiana.Për javë të tëra ai praktikohej me pasazhe nga Shekspiri.Mua më dukej se ishte shumë mirë.

Xhoni luajti dhe u bë aktori më i ri në theatrin veror të Shawnee me pagën më të lartë.Rroga ishte 40$ në javë, i dhanë një dhomë dhe ushqim dhe ishte i detyruar të lyente theatrin dhe të ndihmonte në punë të tjera. 6 javë më vonë ai u kthye në Whiton me një botë të re experience, dhe një ëndërr të re për vehten.

Ndërsa po qëndronim ulur në parkun përpara shtëpisë së prindërve të mi, ai më tha se do të bëhej aktor.

.”Tani ti duhet të më lesh” tha ai,”sepse do të jetë e vështirë.Unë mund të mos fitoj kurrë para, kështu që do të duhej ty që të na mbaje”.

Kur ne i kishim provuar njëri tjetrit një dashuri të përherëshme,ai premtoi:

“Nëqoftëse nuk do të mund të nxjerr jetesën deri sa të bëhem 30 vjeç, do të heq dorë dhe do kërkoj punë”!.

……….  Në fund të verës Zj.dhe Z Pejn na morën në qytet dhe na njohën me improvizimet në një kabare të njohur të Cikagos “The Second City”.Të gjithëve na pëlqeu shfaqja, por Xhoni gjeti diçka të veçantë atë natë. Ishte një stil i veçantë teatri që atë e eksitoi-ishte i mprehtë dhe sfidues.Më vonë më tha:

”Ja, këtë dua të bëj unë !Një ditë do të shkoj të punoj atje”.

Xhoni shkoi në një kolegj të vogël në Wisconsin për vitin e tij të parë. Në semestrin e dytë ai parashikoi që të kthehej në Chicago për të punuar për një grup improvizimi të njohur si Compass Players.Ai do të mblidhte biletat në derën e theatrit për 5$ në natë, vetëm që të shihte sesi punonin ata.Ndërkohë ai tregonte teknikën e improvizimit që ai e zbuloi rishtaz në orën e mësimit.Megjithëse ai ishte folësi i preferuar në klasë, ai gadi dështoi sepse “asnjëherë nuk përgatitej”!.

Vitin tjetër Xhoni kaloi në Kolegjin e Dypazhit afër Whitonit.Atij i duhej edhe të punonte një pjesë të kohës, kështu që së bashku me shokët e tij Tino Insana dhe Stiv Beshekas ndërmori një punë të vogël-një shërbim pastrimi restorantesh.Ata punonin natën vonë kur reatorantet ishin bosh, por më e shumta e kohës u kalonte duke improvizuar, kështu që ata i pushuan nga puna.

Por kjo i hapi rrugën një kariere të re.Ata organizuan grupin e tyre të improvizimit të cilin e quajtën West Compass Players.Një vit më vonë ata luajtën nëpër kolegje, kafeteri dhe kisha në atë rajon.Pastaj të tre, u transferuan në Universitetin e Illinoisit në Chicago dhe kaluan në një apartament aty afër në një lagje të vjetër italiane.Xhoni ishte i pari që gjeti një kafeteri në një qoshe, e cila kërkonte mënyra të reja për të bërë para..Më në fund West Compass Players e gjetën një vend.Në katër muajt që egzistoi kafeteria, grupi zhvilloi një matërial original prej 5 orësh. Ishte  një nga komeditë më të freskëta, më novatore që kam parë.Ishte koha e një pafajësie shpirtërore e lirie brenda të cilës Xhoni, duke punuar pa asnjë kufizim,u zhvillua si aktor dhe si shkrimtar.Grupi ishte i ri, i pjekur dhe inteligjent.Asnjë subjekt nuk ishte jashtë kufijve. Ishte një llojë shfaqjeje që të bënte të qeshje aqë fort sa të mbaje barkun me dorë.

Xhoni kishte një përzierje të rrallë karakteristikash.Kishte një bukuri klasike dhe një pamje qesharake (komike).Ai mund të ishte çapkën i ëmbël ose jashtëzakonisht qesharak.Ai mund të të frikësonte ose në çast mund të të shkrinte zëmrën me një buzëqeshje.Sytë e tij tregonin gjithçka.Ai mund të të bënte për të qeshur edhe duke ngritur një vetull.

Kafeteria u mbyll në Janar të 1971.Për fat xhonin një javë më vonë e telefonuan nga Second City.Ata kishin dëgjuar për grupin dhe u kërkuan që të shkonin atje për t’i dëgjuar.Në moshën 21 vjeç Xhoni u bë anëtar i grupit të shfaqjes së Second City.Aty ai perfeksionoi talentin e vet dhe u rrit si aktor improvizues.

Second City, National Lampoon dhe Saturday Night Live, të gjitha e shtynë Xhonin të kërkonte vazhdimisht për gjëra të reja.Ai kishte një forcë të veçantë ti bënte njerzit të mendonin,ti përzjente gjërat dhe të thoshte “Mos u nervozo kaq shumë”,ti ngatërronte gjërat dhe të thoshte “Nuk ka gjë,do ti vëmë përsëri në vendin e tyre”.Ai kishte energjinë për ti bërë gjërat eksituese.Ai kishte shpirtin për ti bërë gjërat të gëzueshme.Dhe shpërblimi i tij ishte të dëgjonte njerzit të qeshnin.

Xhoni rrallë i inkurajonte adhuruesit e tij që i thonin se donin të bëheshin aktorë.”Eshtë shumë e vështirë” thoshte,”Gjëj një punë tjetër!”Por kur takonte një njeri me ato cilësi të veçanta,ai bëhej serioz.”Duhet të punosh shumë”-thoshte ai.”Në jetën private do të vuash dhe do të duhet të jesh me fat”.

Kush është Judith Belushi ?

Judith Jacklin Belushi, Judith Belushi Pisano, lindi më 7 janar 1951. Eshtë shkrimtare, piktore dhe aktore. Fëmija e katërt e prindërvet Robert Leslie Jacklin dhe  Jean Buchanan. Kreu studimet e mesme në Wheaton Central School në Wheaton, Ilinois ku u njoh dhe forcoi lidhjet me Xhon Belushin. Mbaroi shkollën e mesme në vitin 1969.Në vitin 1973 së bashku me Xhonin kaluan në New York dhe  punuan për National Lampoon ku fillimisht ishte asistente e artit.Më vonë ajo punoi si bashkproducente në The National Lamponn Radio Hour.

Johny kishte kohë që ishte lidhur me Judith Jacklin, ata duheshin shumë me njëri tjetrin dhe bashkëjetonin por prindërit e saj nuk ishin dakort për këtë lidhje duke menduar se ai vinte  nga një familje emigrantësh dhe ishte pothuajse krejtësisht i pa-punë.Një ditë ata shkuan tek shtëpia e familjes Jacklin. Prindërit ishin duke parë televizor.Duket që pak më parë ishin grindur me vajzën e tyre dhe ajo ishte ulur në një kolltuk në dhomën e tyre të gjumit dhe po qante me të madhe.Johni, gadi me urdhër u tha prinderve të mbyllnin televizorin dhe iu drejtua të atit:

“…Judi dhe unë duam të jetojmë bashkë.Ne e duam njëri tjetrin.Unë tashmë kam një punë që paguhet mirë dhe kemi vendosur të jetojmë bashkë…”

“…Po përse nuk martoheni atëhere?-pyeti zoti Jacklin.Pse nuk bëni celebrimin?

“..-Nuk është koha e përshtatëshme-spjegoi Johny-dhe vazhdoi më tej:

“…Nuk na duhet një copë letër për të vërtetuar se e duam njëri tjetrin…dhe mori vajzën pas dore dhe u larguan…”

U celebruan më 31 dhjetor 1976 në Aspen/Colorado/ dhe jetuan bashkarisht deri me vdekjen e Xhonit në 5 mars 1982, por ajo vazhdoi të mbante mbiemrin Belushi edhe pas 8 vjetëve kur u rimartua me shkrimtarin dhe producentin Victor Pisano në 7 tetor 1990  dhe përsëri mbajti emrin e mesëm Belushi/Judit Belushi Pisano/.

Ish bashkëshortja, Judit  Jacklin Belushi, përgatiti për nder të tij më rastin e përvjetorit të vdekjes një film në video të titulluar “Qielli i Perëndimit”, i cili u shfaq në Televizion me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së tij.Në vitin 1984 ajo përgatiti përsëri një përmbledhje të interpretimeve të tij më të mira që i titulloi “The Best of John Belushi”/Pjesët më të mira të Xhon Belushit/.Kur ky film ne video u hodh në treg pati një jehonë shumë të madhe dhe u konsiderua si videokaseta më e suksesëshme e prodhuar deri atëherë që dëshmonte për talentin unik të Xhon Belushit.

Judith është autore e librit me kujtime për Xhonin të titulluar “Samurai Widow”/E veja e Samurait, mbasi Xhoni ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyshme rolin e Samurait/.Ështe gjithashtu bashkautore e “Titters”, “Titters 101”, “Blues Brothers”, “The Mom Book” dhe vecanërisht e librit të saj më të suksesëshëm “Belushi: Një biografi”.

Ka interpretuar gjithashtu përkrah tij në filmat “Animal House”/si partnere e kërcimit /dhe në filmin tjetër të suksesëshëm “The Blues Brothers”/si kameriere në restorantin Holliday Inn/.Ajo ka bërë ilustrimet e kopertinave të 4 albumeve muzikore “Briefcase Full of Blues”,”The Blues Brothers Original Motion Picture Soundtrack”, “Made In America” dhe “Best of Blues Brothers”.
Mbështetur në librin e saj “Belushi:A Biography” shoqëria Warner Bros dhe Todd Phillips është duke xhiruar këtë vit një film mbi jetën e Xhon Belushit të titulluar “Një natë si Luan” të adaptuar për kinema nga Steven Conrad ku Judith do të jetë ndoshta edhe producente ekzekutive.

Në verën e vitit 1982, Bob Woodward mori një telefonatë nga Pamela Jacklin, kunata e John Belushit dhe motra e Judit.Atë e shqetësonin disa çështje ende të pazgjidhura mbi vdekjen e Belushit, ndaj i sugjeroi të hetonte.John Belushi nuk ishte një temë e zakonëshme për Woodward;ai ishte përqëndruar më tepër për ngjarjet në Washington dhe e njihte shumë pak botën e aktorit, show business, televizionit dhe rock&rollit sikurse dhe jetën e Hollivudit.E megjithatë Woodward ishte kurioz.

Të ënjten më 15 korrik/1982/gazetari i njohur investigativ i Washington Post, Bob Woodward që ishte duke shkruar librin e tij për jetën e Xhon Belushit që e titulloi :”Wired”,u takua në New York me vejushën Judy Jacklin Belushi.Ja cilat janë shënimet për atë ditë:

….. “Shtëpia është e zymtë, një vend shumë i errët dhe Judy është një grua e imët, por plot energji.Ka një memorie mjaft precise, e riprodhon saktë atë çka di e atë çka dëgjuar.” Nuk e idealizonte figurën e tij, u përmbahej fakteve ashtu siç i njihte…..”.
Judith është pronare e Galerisë Belushi Pisano në Vineyard Haven, Martha’s Vineyard, Massachusetts dhe ajo mban lidhje te forta dhe të pandërprera me familjen Belushi
Të dy bashkëshortët Pisano ndihmojnë në programet artistike teatrore dhe muzikore në Hocking College ku ka rreth 5000 studentë në Nelsonville,Ohio.

Abaz T.Hoxha
Studiues dhe historian i kinemase

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Comments are closed.