Abaz Hoxha

Jeta dhe aktiviteti

Archive for the 'Artikuj' Category

Mbroj dashurine time

Nuk e kam fjalën për filmin Italian me të njëjtin titull por për atë dashuri që lindi dhe u kalit gradualisht në atë sallën e vogël të regjistrimit të zërit në Kinostudion shqiptare ku diskutoheshin në të gjithë përbërësit e tyre të gjitha kronikat, filmat dokumentarë dhe artistikë shqiptarë. Për atë sallë të vogël që u shndrrua në një auditor universiteti ku u përgatitën me dhjetra e qindra kineastë të rinj që gradualisht do të ngrinin një monument të ri në kulturën shqiptare që do të çelnin një dritare të dijes dhe emancipimit do të lindnin dhe rrisnin kinematografinë më të re në Evropë. E kam fjalën për atë dashuri që lindi dhe u rrit më tej gjatë periudhës që punova ne Arkivin Shtetëror të Filmit të cilit i kushtova gadi 20 vjet të jetës sime që e ngrita, ndërtova, organizova, pasurova dhe e shndrrova në një institucion të rëndësishëm shkencor dhe ai ma ktheu këtë në një dashuri të pakufishme për kinematografinë dhe kineastët shqiptarë por që sot fatkeqësisht është shndruar në një cerdhe militantësh të pa aftë të profileve krejtësisht në kundërshtim me institucionin deri në punonjës pyjesh dhe pa pasione intelektuale e shkencore.

E kam fjalën për atë dashuri të zjarrtë që do të rritesh edhe më tepër atje në atë sallën edhe më të vogël të sektorit të kinemasë ku për 7 vjet u njoha me disa qindra filma të huaj që do të më zgjeronin më tej horizontin kulturor dhe do të bënin që ti kushtoja gjithë jetën time kinemasë shqiptare, atë kinematografi që qëllimisht duan ta denigrojnë shumë “analistë” dhe “Opinionistë” sharlatanë që kujtojnë se mbrojnë parimet dhe idealet demokratike për tu dukur në sytë e nihilistëve ekstremë që duan të mohojnë plotësisht çdo traditë në çdo fushë në emër të luftës kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës. Të atyre nihilistëve që për të denigruar çdo arritje të asaj periudhe e justifikojnë se dënojnë regjimin dhe harrojnë se çdo gjë që u krijua në të kaluarën u bë me djersën e popullit dhe veçanërisht të rinisë dhe sajë mëndjes dhe aftësive krijuese të intelektualeve dhe artistëve shqiptarë që punuan me devocion për të ngritur lavdinë e Atdheut të tyre.

Janë këta nihilistë barbarë, që gjoja në luftën për çrrënjosjen e komunizmit, inkurajuan dhe morën pjesë edhe vetë duke e shpënë Shqipërinë në kuotën zero, që shkatërruan fabrikat, uzinat, kombinatet, shkollat, kinematë teatrot dhe estradat profesioniste dhe amatore, shtëpitë e kulturës, muzeumet, institucionet shkencore e deri tek platancionet  me agrume dhe ullinj që ngriti me shumë mund e djersë rinia shqiptare, fenomene këto të pa para në asnjë vend nga më të mbrapambeturit dhe më reaksionarët e botës.Për ata nihilistë vandalë e barbarë që duke dashur të denigrojnë Enver Hoxhën ranë kokë e këmbë në psikologjinë e tij se “Bota lindi kur ai erdhi në fuqi” duke lënë në harresë qindra intelektualë të shquar dhe shkatërruar e denigruar çdo traditë në çdo fushë që ishte krijuar në Shqipëri në të kaluarën.Harrojnë këta nihilistë se nga urrejtja e tyre /e justifikuar/ patologjike kundër E.Hoxhës u janë veshur sytë dhe harrojnë se fyejnë e denigrojnë qindra e mijra intelektualë të mirëfilltë edhe në fushën e kulturës dhe artit që e kanë nderuar dhe e nderojnë vendin tonë brënda dhe jashtë kufijve të tij.Harrojnë këta vandalë që u janë errësuar sytë dhe ofendojnë përkushtimin deri në ekstrem të qindra intelektualëve dhe artistëve shqiptarë që ngritën dhe mbajtën gjallë me dhjetra e qindra institucione kulturore artistike, me dhjetra Teatro dhe Estrada, me dhjetra shtëpi kulture, me  dhjetra muzeume dhe qindra kinema në të gjitha skajet e vendit që tashti nuk u duken as gjurmët. Psikologjia e mohimit të traditës në çdo fushë dhe aqë më tepër e shkatërrimit të çdo gjëje të krijuar në të kaluarën është një psikologji reaksionare që të shpie në mohimin e vetvetes dhe të çdo gjëje të krijuar nga brezat paraardhës.Të mohosh traditën do të thotë të thuash se një ndërtesë ngrihet pa themele.

Zotërinj nihilistë që u janë errësuar sytë nga urrejtja për regjimin e kaluar mos e ngatërroni urrejtjen për regjimin me krijimtarinë e shquar të artistëve, regjisorëve, muzikantëve dhe të gjithë punonjësve të kulturës shqiptare. Mos harroni zotërinj mëndjeshkurtër dhe pse jo edhe injorantë se me arritjet e mëdha të këtyre artistëve e regjisorëve ne duhet të krenohemi se i kanë dhëna vlera të padiskutushme artit dhe kulturës shqiptare brenda vendit dhe janë nderuar dhe paraqitur me dinjitet edhe në evenimentet artistike ndërkombëtare brënda mundësive të kufizuara që u lejonte regjimi.

Të vjen keq që edhe ndonjë intelektual e injoron krejtësisht kinematografinë shqiptare veprën e regjisorëve të shquar Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Xhanfize Keko, Kristaq Dhamo, Ibrahim Muca, Kristaq Mitro, Kujtim Çashku,Vladimir Prifti, Esat Musliu  e shumë të tjerëve. Duke mos patur asnjë njohuri për veprimtarinë ndërkombëtare të filmit shqiptar arrijnë deri aty sa të thonë se ajo nuk ka patur asnjë vlerë .Harrojnë se të gjitha filmat shqiptarë, pa përjashtim, që janë paraqitur në Festivalet Ndërkombëtare janë nderuar vazhdimisht me çmime, diploma dhe deri me medalje të arta e Grand Prix. Harrojnë se shtypi i huaj ka folur me superlative për krijimtarinë dinjitoze të regjisorëve shqiptarë Dh.Anagnosti, K.Çashku, Xh.Keko, F.Hoshafi, H.Hakani etj.Harrojnë këta “Analistë” dhe “Opinionistë” se u janë errësuar aqë shumë sytë dhe kanë mbetur skllevër të asaj çensure dhe autoçensure të së kaluarës por tashmë jo nga frika e regjimit dhe diktaturës por për tu konformuar me mendimin që fatkeqësisht sundon tek njerëz të egër e vandalë që kërkojnë revansh të pa merituar duke mohuar çdo gjë të krijuar në të kaluarën.Bile, fatkeqësisht arrijnë deri aty sa të fyejnë, injorojnë dhe cenojnë dinjitetin e popullit të tyre me deklarata të tilla duke e quajtur atë injorant të egër e barbar dhe ku ka sunduar e sundon psikologjia e pushkës, topit dhe vrasjes /deklarata këto në një emission “Opinion” të Blendi Fevziut/.

E këtu le të ndalemi edhe tek një fenomen tjetër, për disa emisione televizive për kulturën përgjithësisht dhe kinematografinë veçanërisht. Merren në këto emisione edhe disa njerës jo kompetentë dhe me nivel të ulët intelektual duke u hequr si ekspertë për cdo gjë. Merret edhe ndonjë ish punonjës i kinematografisë që ka punuar atje për një kohë të shkurtër në ndonjë punë të rëndomtë, jashtë krijimtarisë, dhe tashmë hiqet ekspert për problemet e kinematografisë dhe të artit përgjithësisht dhe na thonë gjepura në ato emisione. Merren edhe njerëz që nuk e njohin fare kinematografinë dhe vetëm se janë në listën e zgjedhur të emisioneve televizive si “Analistë”, “Opinionistë” etj etj.Ç’janë këta “analistë” dhe “opinionistë” që flasin me kopetencë për çdo fushë, që nga rritja e preshit, problemet e shendetësisë, bujqësisë, artit e kulturës e deri te problemet më të mprehta politike kombëtare e botërore?. Kuptohet që këta janë njerëz të zgjedhur të gazetarëve që kanë krijuar një qark të mbyllur klientelist.

Kinematografia dhe kineastët shqiptarë jo vetëm që nuk duhet të ulin kokën për arritjet por të krenohen se kanë krijuar nga e para, në kushte shumë të vështira ekonomike kur paguheshin me paga qesharake që nuk u mjaftonte për të siguruar bukën e gojës të famijeve të tyre, dhe që paralelisht duhej të mbroheshin nga anatemimi i krijimtarisë së tyre nëpër hallkat e shumta të çensurës dhe autoçensurës. Kanë realizuar filma që mbajnë vulën e popullit të tyre ku jepet psikologjija, humori, skenografia, muzika, dialogu dhe çdo gjë që ka vulën e popullit të tyre.Janë këta kineastë të shquar që bënë që edhe filmi të flasë shqip. Mos harrojmë që janë realizuar mbi 300 filma artistikë, përveç qindra kronikave dhe filmave dokumentarë duke filluar nga zero, pa asnjë përvojë nga e kaluara dhe të izoluar pothuajse plotësisht nga arti dhe kultura botërore dhe jo vetëm që kanë përballuar çensurën shtetërore por kanë krijuar vlera të spikatura që është një bazament i rëndësishëm, një mbështetje e madhe për brezat më të rinj dhe shpënien më përpara të këtyre arritjeve.

Një Shqipëri e vogël dhe e varfër arriti të realizojë deri në 14 filma artistikë në vit dhe për këtë kritizerët ironizojne, e quajnë absurditet dhe se janë filma të rëndomtë. Cila është ajo kinematografi, nga vendet më me traditë që janë edhe nga themeluesit e artit të shtatë që të gjitha filmat që prodhon i ka të shkëlqyer? Franca, vendi ku lindi kinematografia, para disa vjetëve prodhonte mesatarisht 85 filma në vit /duke përfshirë edhe bashkprodhimet me shtetet e tjera/ kush mund të pohojë se të gjitha këto filma kanë qënë të shkëlqyer ose të pranueshëm për publikun e gjerë. Vetëm 7 ose 8 filma francezë në vit kanë patur jehonë!Mos ngatërroni urrejtjen për sistemin diktatorial që sundoi gadi 50 vjet në Shqipëri me veprën e madhe të popullit dhe intelektualëve shqiptarë, me veprën e aktorëve tanë të mëdhenj S.Prosi, N.Luca, K.Roshi, S.Pitarka, R.Ndrenika, R.Arbana, Marie  Logoreci, T.Kurti, M.Xhepa, V.Manushi, R.Anagnosti, R.Ljarja, M.Ljarja, P.Raidhi, S.Shkurti,  B.Asqeriu, S.Fanku, A.Verria, B.Lako, A.Qiriaqi, G.Radoja, T.Flloko, N.Xhepa, V.Furrxhi, M.Kabashi, R. Bulku, E.Alikaj, M.Makoci, L.Xhuvani, Y.Mujo e shumë të tjerëve të cilët jo vetëm që nuk duhet të ulin kokën por duhet të jenë krenarë për vlerat e mëdha interpretative që duhet tu ulen në gjunjë edhe shumë nga ata “yje” ndërkombëtarë që propaganda po kthen në idhuj.Mos harroni zotërinj nihilistë kompozitorët tanë të shquar që me muzikën e tyre të filmave bënë që të këndohet nëpër rrugë jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë deri në kontinentin aziatik.Mos harroni se kur u shfaq filmi “Dimri i fundit”/R:I.Muca, K.Mitro/ në Universitetin e Venecies/2005/, ndonse në variantin shqip por u gozhdua salla deri në fund dhe më vonë filluan edhe të këndoheshin motive nga muzika e tij e shkëlqyer/Kompozitor Aleksandër Lalo/.Le ti lëmë mënjanë vlerat e mëdha, regjisoriale, interpretative ,muzikore dhe skenografinë e filmave tanë dhe të kemi parasysh vetëm faktin se ata janë një pasqyrë e historisë shqiptare të atyre viteve, janë dokumenta autentike të kohës që kineastët shqiptarë, me rritjen e tyre arrijtën të denoncojnë edhe fenomene negative të asaj kohe duke vërtetuar që situata nuk ishte aqë rozë sic paraqitej nga propaganda, që “njeriu i ri” nuk ishte aqë ideal por po shfaqeshin përherë e më tepër fenomene të korrupsionit, të politikës të dosjeve të kuadrit, etj, me filma të tillë si: “Hijet mbeten pas”, “Të mos heshtësh”, “Dora e ngrohtë”,” Njeriu i mirë”, “Rrethimi i vogël”,”Telefoni i një mëngjezi”,”Ëndërr për një karrike”, “Tela për violinë”,”Apasionata”, “Duaje emrin tënd”, “Dhe vjen një ditë”e shumë të tjerë.

Për ata nihilisët që mohojnë vlerat e filmit shqiptar le të marrim disa të dhëna për jehonën që kanë patur ata jashtë shtetit ku janë lejuar të paraqiteshin në konkurim nga regjimi i atherëshëm.

Të gjitha filmat shqiptarë që kanë marrë pjesë ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmave për fëmijë e të rinj ne Gifone, Itali janë nderuar me cmime dhe konkretisht:

1.-Filmi “Debatik”/R: H.Hakani/ ndonse i xhiruar që në vitin 1961 u vlerësua si “Filmi më I mirë” në Festivalin e XV-të në Giffone dhe u nderua me një pllakë të veçantë nga Rotary Club në 1985. Mos harrojmë se në Festivalin e Giffones juria është e përbërë me rreth 1000 fëmijë.

2.-“Beni ecën vetë” nderuar me Çmim të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Beograd në vitin 1976 dhe po me Çmim të veçantë në Festivalin e Giffones 1978.

3.- “Lulëkuqet mbi mure”/R:Dh.Anagnosti/, mori Çmimin e madh “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Beogradit, 1980 dhe u nderua me Medaljen e Artë në Festivalin e Giffones, Itali.

4.- “Tomka dhe shokët e tij”/R:Xh. Keko/ u nderua me Çmim të veçantë ne Festivalin e VIII të Giffones, 1978.

5.- “Gjeneral Gramafoni”/R:V.Gjika/ ndonse jashtë konkursit por u nderua me Diplomë nderi në Festivalin e Tretë të Filmit Ballkanik që u zhvillua ne Stamboll,Turqi.

6.- “Pas gjurmëve”/R:Xh.Keko/ u nderua me Medaljen e Argjëndë në Festivalin e Giffone,1979.

7.-“Në shtëpinë tonë”/R:Dh.Anagnosti/ nderuar me Çmim të veçantë ne Giffone.

8.-“Një gjeneral kapet rob”/R:S.Pecani/ nderuar me Çmim të veçante ne Giffone, 1982.

9.- “Kur po xhirohej një film” /R:Xh. Keko/ nderuar me Medaljen e Argjëndë në Festivalin e Giffone, 1983.

10.-“Shoku ynë Tili” /R: F.Hoshafi/ nderuar me Çmim të veçantë në Giffone, 1982.

11.- “Përrallë nga e kaluara” /R:Dh.Anagnosti/, fitoi Çmimin e Dytë ex-aequa në Festivalin Ndërkombëtar të Filmave të Evropës Lindore në Bondy-Francë,1990.

12.-“Balada e Kurbinit” /R:K.Cashku/ u nderua me diplomë nderi/Diplome d’honour/ në Festivalin e IV të Filmit historic në Rui-Malmezon, Paris,1990.

13.- “Kolonel bunker”/R:K.Cashku/,nderuar me Çmimin e Kritikës, në Mediterrenean Film-Fest në Bastia, Francë, me Çmim cpecial në Festivalin e Filmave në Izmir,Turqi dhe me “Grand Prix” në Festivalin e Saint Etien, Francë 1997.dhe “Syri magjik” I te njejtit autor I nderuar me shume vleresime dhe cmime ne disa veprimtari nderkombetare.

Pa përmendur këtu disa çmime të mëdhaja të fituara në festivalet e ndryshme ndërkombëtare nga regjisorët më të rinj të mëvonëshëm për filmat “Parullat”/R:Gj.Xhuvani /Grand Prix në Tokio/ filma të B.Bishës, A.Minerollit etj.

Pra, siç shikohet, në të gjitha Festivalet Ndërkombëtare që janë shfaqur filmat shqiptarë janë nderuar me çmime të ndryshme dhe kanë gjetur një jehonë të gjerë në shtypin e vendeve organizatorë dhe të vendeve pjesëmarrëse.

Shfaqja e filmave mjeshtërorë te Anagnostit, Çashkut, Priftit etj në Itali, Francë, Belgjikë e gjetkë krijoi një imazh të kinemasë shqiptare dhe të personaliteteve të saj dhe një kredo për të cilën kritika e huaj u shpreh se:  “…me regjisorë të tillë Shqipëria mund të prezantohet me dinjitet në ekranin e madh të kinemasë botërore..”.

Kinemaja shqiptare ka mundur të depërtojë edhe në Festivalet më të njohura Ndërkombëtare  si në Kann e deri në portat e Çmimit OSCAr.

Kur isha ende në punë, aty nga viti 1984 më erdhi një letër nga drejtori i një Festivali Ndërkombëtar që zhvillohesh në Ëashington dhe filmat zgjidheshin nga vetë ai. Më kërkoi që të dërgonim për konkurim filmat, “Lulëkuqet mbi mure”,”Beni ecën vetë” dhe “Radiostacioni”/R: R.Ljarja/ të cilët i kish parë në Berlin dhe i kishin pëlqyer duke i cilësuar si filma me shumë vlerë për konkurim.Ky ishte një vlerësim dhe nder i madh për ne dhe kineastët shqiptarë. Por ne nuk patëm mundësi të ja u dërgonim ato filma për arsye të meskinitetit të kuadrove drejtuese të Partisë-shtet të cilët e konsideronin këtë akt si “dorëzim para presionit amerikan”.Po kështu miku im i mëvonëshëm studjuesi anglez, John Holstrom, punonjës i BBC ku drejtonte departamentin e muzikës por njëkohësisht ishte edhe Antar i Institutit Britanik të Filmave dhe kish ndërmarrë një studim shumëvëllimësh për interpretimin e fëmijve në kinematografinë botërore dhe kishte parë disa filma shqiptarë ishte mahnitur me çiltërsinë e fëmijve tane duke u shprehur se: “..interpretimin e fëmijve tuaj duhet të ja u ketë zili edhe kinematografia amerikane që ka një përvojë të madhe në këtë drejtim..”.

Le të jetë kjo një përgjigje e “Analistëve”, “Opinionistëve” dhe nihilistëve që me mëndjemadhësi duan të injorojnë sukseset e padiskutushme të kinemasë shqiptare filmat e regjisorëve tanë të shquar që i ka pritur dhe vazhdon t’i presë me dashuri publiku dhe veçanërisht edhe rinia shqiptare mbasi në ato filma shef jetën dhe vendin e tij/gjithnjë në kontekstin e kohës kur janë realizuar/.Le të marrim edhe një fakt të thjeshtë si reagon publiku ynë për filmat e asaj periudhe:

Në Festivalin e X-të të Filmit shqiptar që u zhvillua në vitin 1995 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë kur u shfaq filmi “Fëmijët e saj” u ngrit salla në këmbë dhe buçiti nga duartrokitjet. Në atë sallë ishin intelektualë të gjithë fushave, ishin të rinj e të reja e të moshuar, një sallë plot me spektatorë .Dhe ky ishte filmi i parë dhe punë diplome i regjisorit Hysen Hakani realizuar në vitin 1957, dhe përgjithësisht filmi i parë artistik i metrazhit të shkurtër realizuar nga kinematografia shqiptare.Hidhni një sy zotërinj “analistë” dhe “Opinionistë” faqeve të shumta të internetit dhe aty do të gjëni vlerësimet që u bën publiku shqiptar që nga moshat më të reja dhe intelektualë të profileve të ndryshme që mbajnë përmendsh titujt, interpretuesit,subjektet bile edhe batutat e ndryshme të filmave shqiptarë.

Këto janë faktet, Zoti Fevziu, të cilat janë dhënë në mënyrë të hollësishme edhe në dy nga 20 librat e mia që ju i keni mbi tavolinë dhe nuk denjoni të përmendni as autorin nga i merrni të dhënat. Këto të dhëna ju duhet të ja u servirni paneleve tuaja dhe ti ndihmoni që të mos flasin pallavra për gjërat që nuk i dinë dhe i shikojnë me syzet e nihilistëve.

Ju bëj thirrje kineastëve tanë të talentuar, regjisorëve, skenaristëve, kompozitorëve, piktorëve, operatorëve dhe vecanërisht aktorëve tanë të shquar që ta lënë mënjanë modestinë që i ka karakterizuar kurdoherë dhe të përballen me këta mohus vlerash dhe kontributit të madh që ata kanë dhënë në kulturën shqiptare.

Ndoshta do të ishte e nevojëshme që të flisnim edhe më konkretisht për tematikën dhe filmat e veçantë, por le të ja lëmë këtë të ardhëshmes

Abaz Hoxha
Studiues dhe historian i kinemasë

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Një ndodhi në Festivalin e parë ballkanik 1965

Festivali i Parë i Filmit Ballkanik

45vjet me parë, në gusht 1965, kinematografia shqiptare u përfaqësua për herë tëparë në një veprimtari ndërkombëtare duke marrë pjesë me një delegacion prej tre vetësh në Festivalin e parë të Filmit Ballkanik që u zhvillua në qytetin e Varnës të Bullgarisë në brigjet e detit të Zi. Delegacioni përbëhej nga unë që n’atë kohë kryeja funksionin e Kryeinxhinerit të Kinostudios por u prezantova në funksionin e Zv/drejtorit të parë të saj, regjisorit Kristaq Dhamo që deri atëhere kish realizuar 4 filma dhe Viktor Gjikës që deri atëhere kishte realizuar disa filma dokumentarë të suksesëshëm dhe po xhironte, së bashku me DhimitërAnagnostin, filmin e tyre të pare artistik në funksionin e regjisorit, “Komisari i dritës”. Në Festival u përfaqësuan me filma, përvec nesh, edhe Jugosllavia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia. Ne u përfaqësuam me filmin e K.Dhamos “Vitet e para” si dhe me filmat dokumentarë të V.Gjikës “Kur vjen Nentori”, “Bistricë 63″ dhe “Heshtje që flet” /R: N.Cabej/.

Festivali bëhej nën patronazhin e UNESCO-s që përfaqësohesh nga italiani Enrico Fulchinioni dhe nuk kishte karakter konkurues por njohës dhe prandaj nuk kishte as cmime dhe bëhesh me qëllim kryesor që të shtensiononte marrdhëniet e diskutushme të vendeve ballkanike që ishin pasojë e ngjarjeve që po zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik me ardhjen në fuqi të N.Hrushovit dhe pasuesve të tij. Kjo ishte edhe një përpjekje për të marrë stafetën e hegjemonit të kulturës midis vendeve ballkanike pretendime këto që dukeshin qartë sidomos midis Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Rumanisë. Në Ballkan n’atë kohë kishte marrdhënie të acaruara përvec nesh që kishim prerë të gjitha marrdhëniet politike me kampin socialist, por edhe midis Rumanisë që nuk i ishte nënështruar plotësisht diktatit sovjetik dhe Bullgarisë që nën drejtimin e Teodor Zhivkovit ishte bërë plotësisht vasal i tyre.

Dy ditë para se të niseshim na erdhi një letër nga vendi organizator ku njoftoheshim se në kuadër të Festivalit do zhvillohesh edhe një simpozium me temën “Kinemaja që na bashkon” në thelbin e të cilit ishte natyra humane e kinematografisë në afrimin e popujve dhe shkëmbimin e vlerave kulturore. Edhe tema e simpoziumit kishte funksionin e afrimit midis vendeve ballkanike prandaj edhe në Statutin dhe rregulloren e Festivalit shprehesh kjartë se “në Festival nuk duhej të paraqitej asnjë film me përmbajtje që diskriminonte vendet pjesëmarrëse dhe përgjithësisht që cenonte mirëkuptimin midis popujve”.

Kjo letër na vuri në një pozitë të vështirë mbasi që të merrje pjesë në një simpozium të tillë duhet të diskutoje dhe, si rregull, atëhere cdo delegacion që merrte pjesë në veprimtari ndërkombëtare duhej të përgatitej me shkrim për atë që do diskutonte dhe ky diskutim duhej të kalonte për miratim në shumë hallka, deri në Komitetin Qëndror të Partisë. Një vajtje e papritur dhe pa një miratim zyrtar të subjektit të diskutimit ishte shumë me zarar mbasi për cdo fjalë të shprehuar atje duhej të ishte konform dhe në përputhje të plotë me politikën zyrtare. Këta shqetësim ia shprehëm edhe ministrit të kulturës Fadil Pacrami që na priti një ditë para se të niseshim, por ai na tha se ne kemi besim se ju e njihni politikën e partisë. Para një muaji një delegacion që kishte marrë pjesë në një veprimtari në Belgjikë dhe kryesohej nga shkrimtari Fatmir Gjata u dënua për qëndrim jo të rregullt dhe u morën masa ndëshkimore kundër tyre duke i dërguar për riedukim në disa fshatra të Beratit. Asnjëri nga ne nuk kishim përvojë në marrdhëniet ndërkombëtare dhe vecanërisht unë që e kryesoja delegacionin nuk dija as se c’ishte konferenca e shtypit.

Megjithatë ne shkuam atje në përbërje të plotë dhe me ndjenja të mira për një bashkëpunim midis vendeve të ballkanit në fushën e kinematografisë. Këtë frymë bashkëpunimi e shprehëm disa herë edhe në bisedat me kineastët e vendeve ballkanike si dhe në intervistat dhënë gazetarëve të ndryshëm që kishin ardhur me shumicë, përvec nga vendet ballkanike dhe ish vendet socialiste por nga e gjithë bota që nga Japonia deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës /rreth 100 gazetarë/.

Delegacioni ynë shoqërohej nga një regjisor bullgar dhe nga dy përkthyes, njëra që ishte vazhdimisht me ne, një ish studente që kish mësuar gjuhën tonë në Universitetin e Tiranës, dhe shkrimtari shqiptar me qëndrim të përherëshëm në Sofie, Thoma Kacorri, i cili kishte për detyrë përkthmin e filmave të Festivalit gjatë shfaqjes së tyre. Festivali drejtohesh nga një Komitet ku bënin pjesë kryetarët e delegacioneve të vendeve ballkanike dhe kryesohesh nga Ministri i Kulturës të vendit organizator Vutov me patronazhin e Z. E. Fulchinioni. Edhe drejtori iFestivalit që merresh me organizimin e veprimtarive të ndryshme, konferencat e shtypit takimet dhe botimin e një reviste ditore ishte bullgar. Në kuadrin e veprimtarive ishte edhe “dita e filmit për secilin vend pjesëmarrës” ku jepesh një drekë nga vendi organizator dhe bëhesh një konferencë shtypi me pjesëmarrës e gazetarë të ndryshëm të medias së shkruar dhe elektronike. Dita e filmit shqiptar ishte caktuar data 12 gusht, prapikërisht 45 vjet më parë si sot.

Në ditën e celjes së festivalit u mblodh komiteti nën drejtimin e ministrit Vutov por vazhdimisht pranë tij ishte edhe Drejtori i Përgjithëshën i kinematografisë sovjetike. Unë shkova në mbledhjen e Komitetit ndërsa dy shokët e mi. Kristaqi me Viktorin së bashku me Thoma Kacorrin u njohën me filmat që do përfaqësohej secila kinematografi dhe po atë ditë do takoheshim në një drekë që shtronte ministri Vutov për delegacionet pjesëmarrëse dhe ambasadorët e vendeve respektive. Ishte ftuar edhe ambasadori shqiptar në Sofie Delo Balili.

Në pushimin e drekës mora vesh nëpërmjet të Thoma Kacorrit se në kuadër të Festivalit ishte edhe filmi grek “Qielli” i cili midis të tjerave kishte si sfond Luftën Italo-greke dhe në një episod një ushtar grek shkruante një letër familjes së tij se “ne erdhëm në Epirin e Veriut” dhe jepeshin pamje nga Korca dhe në letrën e dytë shprehej me kjartë se “ne e morëm përsëri Epirin tonë të Veriut”. Ky film shfaqesh në të gjitha kinematë e Varnës. Ishte një hap i hapët provokues që cenonte frymën e festivalit, në kundërshtim me statutin dhe rregulloren e tij dhe acaronte marrdhëniet midis nesh, palës greke dhe vecanërisht palës bullgare si vend organizator që kishte lejuar marrjen dhe shfaqjen e filmit.Për këtë unë kërkova takim në mbrëmje me drejtorin e festivalit dhe i shprehja keqardhjen për një veprim të tillë dhe në mënyrë kategorike kërkuam të hiqesh nga kinematë filmi grek “Qielli”. Ai i shqetësuar na u lut që të mos e bënim problem dhe do bisedonte me ministrin Vutov për heqjen e filmit nga qarkullimi. Pritëm 24 orë dhe nuk ishte marrë asnjë masë, filmi grek vazhdonte të shfaqej. Protestuam përsëri në mënyrë energjike duke theksuar se nërast se filmi nuk hiqej këtë do ta bënim publike në një konferencë shtypi për mediat. Ambasadori D.Balili më këshilloi që përpara se të protestonim të merrnim një miratim nga Tirana.

Më12 gusht ishte dita e filmit shqiptar dhe pala organizatore na shtroi një drekësi dhe një vizitë në disa vende karakteristike në malet Ballkan. Gjatë drekës më mori në telefon ambasada dhe konfirmonte kërkesën tonë për të protestuarpublikisht për këtë akt provokues. Atë mesditë ishte organizuar edhe njëkonferencë shtypi që do të jepnim ne në prani të gjithë të ftuarve dhe gazetarëve. Kur shkuam në ndërtesën që do zhvillohej konferenca e shtypit pamë në fasadën e hyrjes postera të mëdha dhe programe të filmave që shfaqeshin në kinematë e Varnës ku përfshihesh edhe filmi grek “Qielli”. Pra deri atëhere nuk ishte marrë asnjë masë. Ky ishte një argument më i freskëtqë mund të ja u paraqisnim gazetarëve. Në konferencë kishte një pjesëmarrje shumëtë madhe ndoshta edhe për faktin e qëndrimit të vendit tonë në marrdhëniet meBashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera ish socialiste.

Unë fillimisht fola për historinë e kinemasë shqiptare. Këtë e kisha përgatitur me shkrim dhe përkthyesja e kishte përkthyer edhe në Bullgarisht. Fola vetëm pak fraza të fillimit dhe i thashë përkthyeses të vazhdonte. Kjo solli reagim të gazetarëve se donin ta dëgjonin direkt edhe shqip për arsye të mediave, por u thashë se do kem se c’farë të them edhe për ta.

Pas këtij ekspozimi të kinemasë shqiptare e mora fjalën dhe ju drejtova të pranishmëve me denoncimin e aktit të shfaqjes së filmit grek duke e quajtur atë si një akt provokues të qeverisë bullgare që mori dhe shfaqi një film të tillë me pretendime territoriale karshi Shqipërisë dhe megjithë kërkesat tona të përsëritura dhe premtimeve se do ta hiqnin filmin nga qarkullimi nuk kishin marrë asnjë masë deri në atë kohë. Thashë gjithashtu se duke denoncuar këtë akt të pa shëmbëllt provokues në kundërshtim me statutin dhe rregulloren e festivalit që cenonmarrdhëniet midis popujve, delegacioni shqiptar do të largohet nga festivali duke rezervuar të drejtën për të marrë pjesë në veprimtari të tjera të këtij lloji.

Salla u elektrizua. Drejtori i festivalit bëri pyetjen: “Pse e quani akt provokues të qeverisë bullgare”. U përgjigja se vendi organizator është bullgaria, kryetari i Komitetit të Festivalit është ministri bullgar Vutov dhe drejtor i festivalit jeni përsëri ju, pra një bullgar.

Një gazetar bullgar pyeti: A e ka parë kryetari i delegacionit shqiptar filmin dhe a e ka parë me përkthyes të kualifikuar? Pa u përgjigjur ende unë u përgjigj përkthyesja bullgare: Kryetari i delegacionit nuk e ka parë filmin.

I revoltuar iu drejtova asaj:

- Ku e dini ju në se e kam parë, mos kam fjetur me ju! Detyra e juaj është të përktheni fjalë për fjalë ato që them unë dhe nëqoftëse ju kanë ngarkuar detyra të tjera nuk kemi nevojë për ju, prandaj zhdukuni prej këtej.

Dhe i thashë Viktorit që të vazhdonte përkthimin në rusisht gjuhë të cilën ai e zotëronte se kishte studiuar në B.Sovjetik. Dhe vazhdova duke theksuar se ne e kemi parë filmin dhe me një përkthenjës shume të kualifiuar, pa dashur të permendja emrin e Th.Kacorit, i cili si qytetar bullgar mund të kishte pasoja.

Përfaqësonjësi i UNESCO-s Fulchinioni më bëri thirrje që të mos largoheshim nga festivali që kishte marrë një zhvillim të mirë por të mbanim qëndrim me qeverinë bullgaredhe palën greke. Na sulmuan gazetarët me pyetje por unë i ndërpreva se nuk duhej të shqetësoheshin mbasi deklaratën tonë do të ja u jepnim të shkruar. Por ata nuk na u ndanë dhe përfaqësues të palës bullgare edhe na kërcënuan.

Me Viktorin shkuam në hotel dhe hartuam tekstin e plotë të deklaratës të cilën e përkthyem edhe në rusisht. Aty na erdhi një gazetar rumun i organit qëndror të Partisë Komuniste Rumune në Bukuresht dhe na kërkoi tekstin e deklaratës dhe lejen për ta përkthyer edhe në fërngjisht. Gjë që ia aprovuam. Më vonë kërkuam që të përkthehesh teksti edhe në bullgarisht dhe të botohesh në revistën e festivalit sic ishte bërë edhe për delegacionet e tjera. Por pala bullgare nuk pranoi. Në mbrëmje u mblodh Komiteti i Festivalit dhe na kërkuan që i gjithë delegacioni ynë të shkonte atje. Nuk pranuam së pari mbasi ne denoncuam dhe deklaruam largimin nga festivali dhe pse duhet të marrë pjesë i gjithë delegacioni kur në Komitet është vetëm kryetari i tij. U pa kjartë se ata donin të na bënin gjyq dhe të bënin diversion midis antarëve të delegacionit. Kristaqi shkoi në aeroport për të na siguruar bileta për largimin tonë nga Varna për ne Sofie.

Të nesërmen kur po bëheshim gati për nisje, Kristaqi komunikoi me një gazetare hungareze dhe i tha nëse dëshironte deklaratën zyrtare. Ajo i tha se nuk ishte nevoja mbasi këtë deklaratë e kishte marrë mbasi një gazetar gjerman e kishte marrë me stenogram të gjithë deklaratën time në konferencën e shtypit dhe ja u kishte shpërndarë.

Në mbrëmje ambasada jonë në Sofie i transmetoi me shifër qeverisë shqiptare në Tiranë dhe në datën 14 gusht deklarata e jonë u botua e plotë në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit”. Po atë mbrëmje ambasada Koreane festonte përvjetorine Republikës dhe kishte ftuar edhe ambasadorin shqiptar, por meqënëse deklarata jonë ishte bërë objekt i të gjitha mediave të bullgarisë dhe të vendeve socialiste, Jugosllavisë, Hungarisë, Cekosllovakisë, Bashkimit Sovjetik etj na ftuan edhe ne. Atje, me ndihmën e ambasadës kineze, e shumfishuam deklaratën tonë dhe ja u shpërndamë të gjithë të pranishmeve gjë që shkaktoi reagim të menjëhershëm të Ministrisë së Jashtme bullgare duke thirrur ambasadorin D.Balili duke i thënë: Pse delegacioni shqiptar e shpërndau në territorin bullgar pa miratimin e tyre? Ndërsa ai iu përgjigj se delegacioni nuk varet nga amabasada por për mendimin e tij bëri një veprim të drejtë mbasi denoncoi një akt provokues që cënonte marrdhëniet midis dy popujve dhe se pala bullgare nuk kishte pranuar ta botonte në Buletinin e Festivalit që ishte një akt diskriminues mbasi në atë bulletin botoheshin deklaratat dhe intervista nga të gjitha delegacionet e vendeve tëtjera. Organet e ndryshme të shtypit të shkruar dhe televizionet e shumë vendeve si të Hungarisë, Cekosllovakisë, Bashkimit Sovjetik i bënë jehonë qëndrimit tonë duke na akuzuar si prishës të marrdhënieve midis vendeve ballkanike prandaj edhe shtypi shqiptar u përgatit të përgjigjej, por kërkonte skjarime të mëtejshme gojarisht nga ne, gjë që u vonua mbasi ne, me urdhër nga Tirana u porositëm të largoheshim menjëherë nga Sofia, por që fatkeqësisht u vonuam një javë në Budapest për mungesë avioni.

Qëndrimi ynë bëri jehonë edhe në Tiranë ku mbasi na përgëzuan për qëndrimin ministri Pacrami dhe Zv/kryeministri Myftiu u organizuan disa biseda me punonjës të kryeqytetit ku ne folëm për ngjarjen.

Filmi grek “Qielli” dëshmon edhe një herë se qarqet shoviniste greke e kanë trajtuar luftën italo-greke jo thjesht si një luftë patriotike për të përballuar okupacionin fashist Italian por edhe si një luftë për pushtim territoresh shqiptare nën pretekstin e të ashtuquajtuarve pretendime për “Epirin e Veriut”.
Abaz T.Hoxha
Filmhistorian

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Kinemaja gjatë pushtimit fashist

Pjesë nga libri i autorit “Historia e kinemasë në Shqipëri” Vëll.I

“Kalorësi i Krujës” – një film që i bënte jehonë pushtimit -

Në vitin 1939 u shpall zyrtarisht se, përveç filmit “Skënderbeu”, do të xhirohej edhe një film tjetër me subjekt shqiptar, me skenar të Aldo Verganos dhe Karlo Malatestes. Ky film, sipas njoftimit, do të përqëndrohej në traditën e vëllamit të gjakut dhe subjekti do të zhvillohej mbi një sfond të zbarkimit të trupave italiane në Shqipëri. Mandej flitej edhe për dëshirën që në rolin kryesor të interpretonte aktori i njohur i kohës, Amadeo Nazari. Artikulli shoqërohej edhe me fotografinë e këtij aktori. Në fakt interpretuan aktorët e njohur Doris Duranti, Ledia Gloria, Antonio Centa e Guido Cellano.

Edhe realizimit të këtij filmi shtypi i bëri jehonë të gjerë, sidomos kur filloi xhirimi i tij nga mesi i vitit 1942.

Filmi u titullua “Kalorësi i Krujës” dhe ishte me regji të Karlo Kampogallianit dhe operator Aldo Tonti dhe u xhirua kryesisht në Krujë e Shkodër, si dhe në Stabilimentin Pisorno të Tirrenia-s, Itali. Ngjarjet e filmit zhvillohen mbi një sfond të zbarkimit të trupave italiane në Shqipëri dhe në qendër të tij është një gazetar italian, i cili shpëton një kalorës shqiptar/kryetar fisi/ që është plagosur për vdekje nga trupat qeveritare (ka parasysh xhandarmërinë zogiste – A.H.) dhe bëhet vëllam me kalorësin, madje pas disa ditësh peripecish, në kundërshtim me zakonet  e vendit, martohet me motrën e kalorësit shqiptar dhe për këtë i vjen në ndihmë kleri. /Simbas tyre të gjitha dyshimet zgjidhjen me ardhjen e trupave clirimtare italiane/

Aluzioni i filmit është më se i qartë. Kjo u shpreh edhe në shtypin e kohës. Një përkrahës  i fashizmit shkruante kështu:

“…Drejtoria e Përgjithshme e Shtypit, Propagandës dhe Turizmit me anën e këtij filmi i jep një shërbim tjetër këtij vendi dhe çështjes së Komunitetit Perandorak fashist …”3.

Edhe më qartë akoma e shpreh këtë Euxhenio Lekualie, konsulent për kinematografinë dhe teatrin, në    relacionin që i dërgonte drejtorit të përgjithshem të shtypit më 10 shtator 1940. Në këtë relacion thuhej:      “… Siç e dini, u realizua dhe programi për në manifestimin e dëgjuar kinematografik të Venecies, filmi me karakter shqiptar “Kalorësi i Krujës”, i cili duket se do të këtë një sukses të madh. Rëndësia e këtij filmi është që do të celebrojë aneksimin e Shqipërisë nga ana e Italisë dhe do të nxjerrë në dritë virtytin e popullit shqiptar…”4.

Regjisori Carlo Campogalliani

Krerët e fashizmit i dhanë një rëndësi të madhe shfaqjes së këtij filmi në Shqipëri, duke menduar se do t’ia arrinin qëllimit të tyre propagandistik. Për të krijuar idenë se ky ishte një film shqiptar dhe se do të mirëpritej nga opinioni i vendit, për demagogji, organizuan shfaqjen e tij në një kinema ku ishte pronar një shqiptar, pra, edhe shfaqja do të bëhej me “miratimin” e vetë shqiptarëve. Po kështu, i dhanë rëndësi organizimit të premierës, e cila duhej të bëhej pompoze dhe me pjesëmarrjen e autorëve dhe të interpretuesve që do të vinin nga Italia. Në shfaqje kërkohej të merrte pjesë edhe vetë Mëkëmbësi i Mbretit. Në relacionin e mësipërm E. Lekualie shkruante:

“… Do të ishte mirë që ky film të shfaqej para së gjithash në Shqipëri e kryesisht në Tiranë… Ai mund të shfaqet në kinema “Rex”, mbasi ajo administrohet nga një shqiptar… Mbrëmja premierë do të mund të nderohej me prezencën e Mëkëmbësit të Mbretit. Do të ishte mirë që të marrin pjesë në këtë manifestim interpretët kryesorë, si zonjusha Doris Duranti, Zonj. Ledia Gloria, aktori Guido Celano, sikurse edhe drejtori i prodhimit Dott. Euxhenio Fontana”1.

Leda Gloria

Për “Kalorësin e Krujës” u bë zhurmë se ishte film shqiptar e se mbështetej mbi traditat dhe zakonet tona etj., por përgjigjen për këtë e dha edhe vetë shtypi i kohës/gjate kohes se pushtimit nazist/, kur shkruante:

“… Një film i vetëm me “karakter shqiptar” (e jo, pra, shqiptar) është bërë prej italianëve. Ka dashur fati që… ndonëse lindur në tokën shqiptare, ky film në tokën tonë të mos jetë kthyer. E kam fjalën për “Kalorësin e Krujës”, të cilin një ngatërrim i tmerrshëm i çdo gjëje, një zhvillim i gabuar i lëndës dhe mungesa absolute e elementit shqiptar, natyrisht si element krijues e drejtues, e kanë bërë të jetë një çorbë derri, që të mos pëlqehet as jashtë dhe të mos sillet as ndër ne…”2.

Nga xhirimi i filmit Kaloresi i Krujes

Autori i këtij shkrimi ose nuk e dinte, ose nuk guxonte të thoshte në atë kohë se në të vërtetë filmi përfundoi dhe u shfaq njëherë, por që në shfaqjen e parë në Tiranë, ai u sabotua nga Rinia Antifashiste. Ky film ngjalli një revoltë të ligjshme dhe të hapur me përmbajtjen e tij, prandaj autoritetet fashiste nuk guxuan ta shfaqnin më në Shqipëri. Por edhe në Itali ky film u prit ftohtë nga mendimi përparimtar, si një film me tendenca të theksuara fashiste.

Kritika italiane e kohës: Michelangelo Antonioni, kritiku dhe regjisori i mirënjohur i viteve të mëvonëshme me titullin “Surpriza Veneciane”. Në “Cinema”,25 shtator,1940 shkruante:

“….Duke qënë filmi i parë mbi Shqipërinë,”Kalorësi i Krujës” po pritesh me interes në Venecia (Bienalen e Venecias) ndonse për oportunitetin e të cilit nuk dyshonte askush. Duke parë filmin mund të thuash për një diziluzionim, zhgënjim, për një fragmentarizëm dhe një kaos që të bën të mendosh se nuk kishte një tregim të qarte,histori. Thjeshtëzimi ekstrem i skenarit sikurse regjia dhe interpretimi bënë që të mos ketë sukses…..”

Edhe në një botim të Institutit “Luce”, në vitin 1975, thuhej:

“… Në kinematë u shfaqën një seri filmash më tepër se fashiste…” dhe përmendet shprehimisht filmi “Kalorësi i Krujës” i regjizorit Karlo Kampogaliani1./Vincere Vinceremo-La guerra faschista 1940-1943, botim i Institutit LUCE dhe Organizatës Fronti i Rezistencës/

Producent Eugenio Fontana/Distribucioni ENIC/,

Regjia: Carlo Campogalliani, Skenari: Carlo Malatesta, Gian Gaspare Napolitano, Aldo Vergano: Kamera: Aldo Tonti, M: Alberto Ghislanzoni,RM:Mario Bonotti. Interpretuesit: Doris Duranti (Eliana), Antonio Centa (Stefano Andriani), Guido Celano (Hasllan Hajdar), Leda Gloria, etj.

Sic shihet asnjëri nga autorët dhe interpretuesit qoftë edhe të roleve të dyta e të treta nuk ishte shqiptar. Metrazhi 2212m.

Në këtë periudhë Instituti “Luce” xhiroi edhe disa filma të tjerë dokumentarë nga Shqipëria, si p.sh., filmat “Shqipëria”, “Ari i zi” (mbi puset e vajgurit që shfrytëzoheshin nga shoqëritë italiane), “Ullishtat e Vlorës”, “Miniera e Selenicës” etj. Në shtypin e kohës përmenden edhe plane të tjera për xhirimin e disa filmave nga “Luce” me regjizurë të Mihallaq Mones, si “Gjahu në Karaburun, “Martesa në Nartë” etj.

Kush ishte ‘Ylli’ i filmit “Kalorësi i Krujës” Doris Duranti

Lindi më 15 prill 1917 në Livorno.Ajo e njohu suksesin e parë në kinema në moshën 19 vjecare dhe arrijti shumë shpejt suksesin duke filluar nga viti 1937.Publiku Italian e vlerësonte shumë  për bukurinë dhe elegancën duke e krahasuar me “yjet” hollivudiane Irene Dunne dhe Clodette Colbert.

Doris Duranti ishte një aktore e preferuar e vetë Musolinit duke e konsideruar atë si nje mundësi për depërtimin me lehtësi ne propagandën fashiste mbasi ajo ishte edhe e dashuruar me Ministrin e Kulturës Popullore, Alessandro Pavolini. Doris Duranti konsiderohej si “First Lady” e kinemasë fashiste dhe sebashku me Alessandro Pavolinin dhe ne prezence te Musolinit inaguroi qytetin e filmave “Cinecita” dhe vazhdoi te interpretoje si nje yll i kinemase italiane deri në kapitullimin e Italisë. Alessandro Pavolini u arrestua dhe u pushkatua pas luftës. E dëshpëruar nga pushkatimi i Pavolinit dhe duke u konsideruar si një kriminele lufte Doris Duranti tentoi të vriste veten, por shpëtoi vetëm me prerjen e damarëvet dhe emigroi fillimisht në Zvicër dhe më vonë në Amerikën e Jugut duke u maskuar se ishte e martuar me një polic i cili në fakt ishte i ngarkuar që ta ruante. Flitej që atje jetonte në luks  në një ndërtesë elegante.

Abaz T.Hoxha
Studiues dhe Historian i kinemase

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Agnes Samara Belushi

Pjesë nga libri i pa publikuar “Vëllezërit Belushi”

“….Ju pyesni për Belushin !

Po kush nuk e njeh Xhon Belushin?

Me të qeshi Amerika dhe gjithë bota,

Për të qau Amerika dhe e gjithë bota…”

Nga ai material që kisha siguruar për aktorin e madh Xhon Belushi, isha bindur për madhështinë e tij, por ende më duheshin burime më direkte për të dhënë sa më të plotë figurën e tij. U dashurova pas tij dhe në çdo cast më dilte përpara imazhi i Xhonit.

Një natë u ngrita rreth orës një pas mesnate, mora mikrofonin dhe fillova të regjistroj direkt përshtypjet e mija, përpiqesha të gjeja arsyen e tragjedisë së tij të parakohëshme, përse duhej të nxitohej kaq shumë për ta përfunduar karierën e tij të suksesëshme. Ja disa pjesë nga regjistrimi të cilin e kam të plotë në një kasetë:

… Belushi ishte një fenomen i kohës së tij, njëherazi edhe një tragjedi e saj. Ai i dha komedisë amerikane agresivitet, një frymë proteste. Kjo kish shkaqet e saj në shoqërinë amerikane të kohës të revolucionit në muzikën e rock&rollit, në revoltat e rinisë studenteske, në manifestimet kundër Luftës së Vietnamit, por edhe më larg akoma. Prandaj unë fillova të kërkoj edhe shkaqe personale të genit të tij. Iu drejtova shumë faktorëve dhe burimeve për të spjeguar këtë fenomen proteste dhe agresiviteti, iu drejtova thellësive të viteve, origjinës së tij, fshatit ku jetonin fisi dhe bashkëfshatarët ku ishin rritur dhe edukuar prindërit e tij, brengave dhe jetës së hidhur, traditave familjare dhe edukatës që kishte marrë nga prindërit e tij, si në atdhe ashtu edhe në mërgim. Iu drejtova edhe dokumentave dhe shtypit amerikan e botëror që kisha mundur të siguroja.Ai ishte një figurë kompleskse i dashur dhe i dhëmbsur por edhe i revoltuar dhe protestues kundër të keqes, një artist i lindur me një humor të veçantë, improvizues, i dashur dhe i ndjeshëm. Iu drejtova edhe familjes së tij që e edukuan dhe e rritën me karakteristika të veçanta të kombësisë së tyre……

Ndonse kjo atëhere ishte e vështirë se nuk mund të flisje e të shkruaje për shqiptarë të mërguar dhe në vecanti ne ShBA kisha arrijtur të  lidhesha me nënën e tij dhe të botoja një shkrim në gazetën “Përpara” të Korcës për djalin e saj të lavdishëm, Xhon Belushi.

Agnes Samara Belushi, nëna e vëllezërve Belushi, lindi dhe u rrit në Akron-Ohio, ShBA nga prindërit shqiptarë Dhimitër Samara nga Ziçishti dhe Ana Papa Samara nga Grapshi. Edhe prindërit e saj kishin emigruar atje që në vitet 30-të.

Rreth vitit 1946 ajo u martua me Adam Belushin dhe lindën njëri pas tjetrit 4 fëmijë: Marianën /1947/, Xhonin /1949/, Xhejmsin ose Xhimin / 1954/ e më vonë edhe Williamin, ose Billin. Ajo u rrit jo vetëm nën ndikimin e prindërve por edhe të një komuniteti shqiptar që kishin emigruar atje të cilët ruanin traditat shqiptare. U rrit me frymën e dashurisë për vëndlindjen e prindërve e, më vonë edhe nën ndikimin e familjes Belushi e veçanërisht vjehrës së saj, Vasilo Belushi, e cila i kishte jo vetëm të freskëta p or edhe të forta ndjenjat e dashurisë për atdheun e saj të lindjes, kujtime të ëmbëla dhe të hidhura e megjithatë i digjej zëmra dhe malli për vëndlindjen nga i cili ish larguar bashkë me familjen për një jetë më të mirë. Nga kujtimet e prindërve, bashkëshortit dhe nënës së saj edhe Agnes kish krijuar lidhje shpirtërore me Shqipërinë dhe në memorien e saj ishin regjistruar ngjarje të cilat nuk i harronte kurrë, i dukej sikur vinin nga ndonjë legjendë e lashtë dhe mezi priste çastin që t’a prekte vetë atë vend që ish futur thellë në ndërgjegjen e saj.

Me gjithë vështirësitë e mëdha të kohës dhe prapagandën e madhe që bëhesh për vendin tonë si një vend radikal komunist, sikurse edhe nga vështirësitë që krijonte regjimi ynë i atëherëshëm për të penguar çdo lidhje të shqiptarëve me vëndet e huaja, ajo me përpjekje këmbëngulëse siguroi një vizë për të vizituar Shqipërinë në kohën e një dhimbjeje të madhe që kishte plakosur atë dhe familjen Belushi shkaktuar nga humbja e djalit të saj, aktorit të shquar Xhon Belushi.

-          “… Gjatë udhëtimit t’im për në Shqipëri-tregon ajo- në ekranin e televizorit në bordin e avionit po jepesh një film ku interpretonte djali im, Xhoni. Ishte filmi “Animal House” që kishte pasur një sukses të madh gjatë shfaqjes së tij. Kjo më shkaktoi një dhimbje dhe gjatë gjithë kohës fillova të lotoja sa që rash në sy edhe të pasagjerëve të tjerë. Megjithatë pamja e tij më krijoi idenë se edhe ai po vinte të më shoqëronte mua në Shqipëri, dëshirë që e kish shprehur edhe më parë në familje e veçanërisht gjyshes së tij që e donte aqë shumë….”

-          Nga tregimet e prindërve ishin regjistruar në memorien e saj shtëpia e lindjes së nënës, një portë prej druri dhe një dardhë që qëndronte përballë shtëpisë ku nëna e saj, Ana, kish kaluar fëmijërinë dhe kishte kujtimet e vegjëlisë. Ajo mezi priste t’i shikonte ato vënde, që i kujtonin fëmijërinë e nënës së saj që tashmë nuk jetonte.

Kisha siguruar shumë fotografi dhe përshtypje nga nëna dhe bashkëshortja e tij Judit Belushi, por më  duheshin edhe materiale të gjalla, përshtypje dhe intervista në vendlindjen e prindërve të tij.

Por kur mora vesh se ajo kish qënë në Shqipëri dhe në përpjekje për të marrë sa më shumë të dhëna për familjen Belushi dhe origjinën e aktorit të madh më lindi ideja që të bënim një film së bashku me televizionin shqiptar për të ja u bërë të njohur edhe shqiptarëve këtë artist të madh. Prandaj së bashku me gazetarin Ilir Zherka dhe operatorin Engj<ll Strazimiri, shkuam në fshatrat ku kishin lindur prindërit e saj dhe të familjes Belushi, në Ziçisht, Grapsh dhe Qytezë në kërkim të dëshmive të bashkafshatrave për origjinën e aktorit të madh. Isha i interesuar jo vetëm për filmimin e banimeve të tyre të herëshme por në veçanti për dëshmitë e banorëve në kontaktet që kishin patur me zonjën Belushi. ./Ky film u realizua më vonë dhe unë e titullova “Një meteor shkëlqeu në ekran”/.

-          Atje u befasuam nga një numur i madh kujtimesh të burrave dhe grave të Ziçishtit, Grapshit dhe Qytezës për përshtypjen e madhe që u kishte bërë dashurija e pakufishme e saj për vëndlindjen e prindërve ndonse ajo vetë kishte lindur në Amerikë. Siç tregonin ata ajo dinte mirë gjuhën shqipe dhe herë herë përdorte edhe fjalë të rralla në dialektin e fshatrave të Korçës.

-          Morëm një numur të pambaruar intervistash, ishin kujtime mallëngjyese dhe rënqethëse që dëshmonin për një dashuri të jashtzakonëshme të saj për rrënjët e familjes, për farefisin dhe bashkfshatarët e tyre. Ajo ishte aqë e entusiazmuar dhe e prekur që kishte dëshirë të prekte, të puthte, të përkëdheljte dhe të merrte çdo gjë që kishin lidhje me familjen e saj duke i quajtur si të rralla dhe gjërat më të çmuara.

-          Intervistuam shumë burra dhe gra në Ziçisht, Grapsh dhe Qytezë dhe po citojmë vetëm një pjesë të vogël të këtyre intervistave. Fatkeqësisht nuk morëm emrat e të intervistuarve mbasi ata ishin aqë shumë dhe në grup miratonin deklarimet e bashkëfshatarëve të tyre, bile u ngacmonin edhe kujtesën për të thënë edhe këtë edhe atë ngjarje. Këto intervista të plota janë të regjistruara dhe të ruajtura në kasetat e mija të manjetofonit në arkivin t’im personal. Ja disa prej tyre:

-          Një burrë:

-          -“…Më ka mbetur në mend…erdhi këtu dhe kërkoi të takohej me të gjithë njerzit dhe sa takohesh me ta i përqafonte dhe i puthte e malluar dhe qante sikur të ishin pjesë të familjes së saj ndonse nuk i kishte parë asnjëherë. Në veçanti më kanë bërë përshtypje tre gjëra: I kujtoheshin tregimet e nënës së saj në veçanti për portën e drunjtë të hyrjes. Ndonse shtëpia ishte prishur ajo shkoi te porta e vjetër, kërkoi një gozhdë dhe gërvishi mbi të një zemër të shpuar me një shigjetë. Gjë që tregonte brengën, mallin dhe plagën e zëmrës së saj për largimin nga Shqipëria. Pastaj shkoi tek dardha, e përkëdhele dhe e shtërngoi fort me të dy duart dhe po e puthte e njëkohësisht lotonte sikur të kish takuar një njeri të dashur që nuk e kish parë prej vjetësh e njëkohësisht të çmallej me kujtimet e nënës së saj.Mbi at< dardh< b<ri disa fotografi.

-    Në takimet me Egnën, mbaj mend se sa herë bashkoheshim ne me njëri tjetrin fis e të afërt por edhe bashkëfshatarë, ajo na shikonte me zili e dashuri dhe fillonte të qante duke lotuar pa ndërprerje dhe kur e pyesnim pse qan ajo na përgjigjej: …shikoj me respekt e nostalgji këtë dashuri që keni ju në familje e në fis. Kjo është një traditë e shkëlqyer dhe e rrallë. Unë kam dy djem të cilët i shikoj vetëm në televizor ose videokasetë. Cdo vit ata më dërgojnë kasetat e reja që të çmallem dhe të jetoj në vazhdimësi me djemtë e mi…

-     …Casti i largimit ka qënë shumë mallëngjyes dhe më i ngarkuar emocionalisht. Ajo me një dhimbje në zemër dhe duke qarë mblidhte gurë, merrte dhe për t’i ruajtur si një kujtim të çmuar nga Shqipëria. Mbushi një çantë me gurë të marra rreth e qark shtëpisë së të ëmës….”

-  Një grua mezi priste të merrte fjalën. I drejtuam mikrofonin dhe ajo tregoi:

-    “….Unë e takova për herë të parë Egnën se ajo atë natë fjeti tek shtëpia e mamasë sime. Më ka lënë një përshtypje të madhe, ajo qante, qeshte, këndonte… Të nesërmen do të shkonte në Grapsh me një makinë. Nga makina shikonte për rreth  me dashuri dhe thoshte se ishte e mahnitur nga ky vend i bukur. Kur arritëm te shtëpia e nënës s ë saj ajo nuk ekzistonte, ishte rrafshuar. Një kushëri iparë e shpuri tek shtëpia. Ishin çastet më të dhimbëshme dhe na bëri edhe ne për të qarë. U ul në tokë, puthte dhenë dhe qante duke thënë: moj mamaçkë, këtu ke jetuar moj mamaçkë. Mblodhi disa gurë dhe i puthte. Nxori shaminë nga xhepi dhe e mbushi me gurë dhe tha se do t’i merrte me vehte në Amerikë, do t’ja u tregoj djemve dhe çupës sime, se këto janë gurët nga shtëpia e nënës sime… ç’farë u thoni ju këtyre, aliçe. Po i thamë, ashtu i quajmë, aliçe. Kur hymë Brenda në shtëpinë tonë ajo rrinte e i shikonte si një gjë të rrallë dhe i puthte duke thënë: … këto janë gurët e shtëpisë së mamasë sime …

-    …u nisëm në këmbë dhe e përcollëm deri te kisha e Grapshit.

-   Kur po largohej na përshëndeste me shaminë plot me gurë, qante dhe thoshte:….mirëupafshim fshati i mamasë sime…A vallë do kthehem edhe një herë këtu për t’a parë këtë fshat, shtëpitë, ç’bukuri e madhe, bukuri e rrallë….shqipen e dinte shumë mirë….

-   Në mbrëmje kur ishim në shtëpinë tonë më tha:  A moj bijë. Kur hipa në aeroplan, gjatë rrugës më shoqëroi filmi që kish interpretuar djali im, Xhoni……biri i nënës thashë me vehte…edhe këtu në aeroplan po më shoqëron….-dhe nuk pushova së qari gjithë rrugës…

-   …..nuk e di se si vdiq, por para dy orëve, para se të vinte lajmi i thashë:..hajde të më shikosh se më ka marrë malli dhe ai m’u përgjigj:…Kur të të marrë malli për mua, hap televizorin dhe shiko..atje do të jem… Pas dy orësh kur më erdhi lajmi sa nuk u çmënda, por njeriu qënka i fortë…..

-  …Vajti edhe në Qytezë, në vendlindjen e të shoqit, seç mori ca enë dhe gjëra të tjera karakteristike se donte të ja u tregonte fëmijve kur të kthehesh në Amerikë……”.

-  Kjo ishte Agnes Samara Belushi, nëna e dy artistëve të mëdhenj Xhon dhe Xhim Belushi, që ndonse ishte një amerikane, kish lindur dhe rritur në Amerikë ushqente një dashuri të rrallë për vendlindjen e prindërve të saj dhe këtë dashuri ajo dhe vjehra e saj, Vasilo Belushi, ua transmetuan edhe fëmijve të tyre.

-   I shkrova një tjetër letër zonjës Belushi por tashmë ishte tepër vonë mbasi ajo kish ndërruar jetë.

Abaz T.Hoxha

Studiues dhe historian i kinemasë

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Judith Jacklin Belushi

Ne kujtim te Xhon Belushit

Në vitin 1988 u lidha me korespondencë me nënën e aktorit të madh Xhon Belushi dhe i kërkoja asaj materiale fotografike dhe të shkruara për djalin e saj. Bashkë me një album fotografik dhe me një jetëshkrim ajo me dërgoi edhe një kartolinë ku shkruhet:

“……My Dear People of Albania, I hop you Will all enjoy this album of my Son, John Belushi. America and all the World loved him, so I know Albania can be very proud of him as one of their own…”He gave the World laughter”…Sincerely Agnes Belushi /the Mom.

Së bashku me këto ajo më dërgoi edhe kujtime të bashkëshortes së aktorit të madh Judith Jacklin Belushi të cilat po i jap pjeserisht më poshtë:

Në kujtim të John Belushit

.”…..Xhoni po luante në skenë kur unë e pashë për herë të parë.Jepej një spetakël variete nga shkolla e lartë dhe Xhoni luante një monolog të cilin e kishte shkruajtur vetë dhe ku paraqiste një trajner i cili i fliste skuadrës së tij.Fjalët tashmë ka kohë që janë harruar, por imazhi i tij, jo. Me këmishë dhe pantallona të lagura nga djersa, një bilbil rreth qafës dhe një kasketë bejsbolli në kokë, ai imitonte dialogun jugor të njërit nga trajnerët e tij. Ai ishte i tensionuar, pa qënë fizik, ndërsa qepallat lëviznin dhe gishtrinjtë mundoheshin të kapnin diçka në ajër.


Ai ishte nga nxanësit më të rinj në shkollën e lartë, por në paraqitjen e tij kishte forcë dhe besim.Dhe kujtoj sesi më bëri të qesh. Për herë të dytë e pashë disa muaj më vonë. Ai i binte xhezit dhe këndonte me një grup muzikor.

……….  Vitin tjetër shkollor, në vjeshtë të 1966, ne u takuam. Xhoni më kërkoi që të isha partnerja e tij në një mbrëmje, një muaj përpara. Kjo ishte koha më e gjatë që më la për të vendosur diçka.

……….  Xhoni ishte atlet dhe dëshironte të bëhej futbollist.Ishte i gjatë 5’9” dhe peshonte 170 paund, por atë që i mungonte në përmasa, ai e plotësonte me vendosmëri. Ai drejtonte lidhjen e tij nga ana teknike dhe ishte kapiten i skuadrës së tij.

………   Vetëm në semestrin e fundit kaloi në dramatikë.Mësuesi i tij Dan Pejn, e zgjodhi atë si personazh kryesor në pjesën teatrale të shkollës “Ne nuk jemi Engjëj”. Akoma e kujtoj atë lojë si një nga gjërat më me humor që ka bërë.Mendoj se atëhere fillova të besoj se ai do të bëhej aktor.

Meqënëse viti i fundit po mbaronte dhe Xhoni luftonte me dilemat e bursës së kolegjit e futbollit, Z.Pejn sugjeroi që ai të kërkonte një vend në një theatër veror në Indiana.Për javë të tëra ai praktikohej me pasazhe nga Shekspiri.Mua më dukej se ishte shumë mirë.

Xhoni luajti dhe u bë aktori më i ri në theatrin veror të Shawnee me pagën më të lartë.Rroga ishte 40$ në javë, i dhanë një dhomë dhe ushqim dhe ishte i detyruar të lyente theatrin dhe të ndihmonte në punë të tjera. 6 javë më vonë ai u kthye në Whiton me një botë të re experience, dhe një ëndërr të re për vehten.

Ndërsa po qëndronim ulur në parkun përpara shtëpisë së prindërve të mi, ai më tha se do të bëhej aktor.

.”Tani ti duhet të më lesh” tha ai,”sepse do të jetë e vështirë.Unë mund të mos fitoj kurrë para, kështu që do të duhej ty që të na mbaje”.

Kur ne i kishim provuar njëri tjetrit një dashuri të përherëshme,ai premtoi:

“Nëqoftëse nuk do të mund të nxjerr jetesën deri sa të bëhem 30 vjeç, do të heq dorë dhe do kërkoj punë”!.

……….  Në fund të verës Zj.dhe Z Pejn na morën në qytet dhe na njohën me improvizimet në një kabare të njohur të Cikagos “The Second City”.Të gjithëve na pëlqeu shfaqja, por Xhoni gjeti diçka të veçantë atë natë. Ishte një stil i veçantë teatri që atë e eksitoi-ishte i mprehtë dhe sfidues.Më vonë më tha:

”Ja, këtë dua të bëj unë !Një ditë do të shkoj të punoj atje”.

Xhoni shkoi në një kolegj të vogël në Wisconsin për vitin e tij të parë. Në semestrin e dytë ai parashikoi që të kthehej në Chicago për të punuar për një grup improvizimi të njohur si Compass Players.Ai do të mblidhte biletat në derën e theatrit për 5$ në natë, vetëm që të shihte sesi punonin ata.Ndërkohë ai tregonte teknikën e improvizimit që ai e zbuloi rishtaz në orën e mësimit.Megjithëse ai ishte folësi i preferuar në klasë, ai gadi dështoi sepse “asnjëherë nuk përgatitej”!.

Vitin tjetër Xhoni kaloi në Kolegjin e Dypazhit afër Whitonit.Atij i duhej edhe të punonte një pjesë të kohës, kështu që së bashku me shokët e tij Tino Insana dhe Stiv Beshekas ndërmori një punë të vogël-një shërbim pastrimi restorantesh.Ata punonin natën vonë kur reatorantet ishin bosh, por më e shumta e kohës u kalonte duke improvizuar, kështu që ata i pushuan nga puna.

Por kjo i hapi rrugën një kariere të re.Ata organizuan grupin e tyre të improvizimit të cilin e quajtën West Compass Players.Një vit më vonë ata luajtën nëpër kolegje, kafeteri dhe kisha në atë rajon.Pastaj të tre, u transferuan në Universitetin e Illinoisit në Chicago dhe kaluan në një apartament aty afër në një lagje të vjetër italiane.Xhoni ishte i pari që gjeti një kafeteri në një qoshe, e cila kërkonte mënyra të reja për të bërë para..Më në fund West Compass Players e gjetën një vend.Në katër muajt që egzistoi kafeteria, grupi zhvilloi një matërial original prej 5 orësh. Ishte  një nga komeditë më të freskëta, më novatore që kam parë.Ishte koha e një pafajësie shpirtërore e lirie brenda të cilës Xhoni, duke punuar pa asnjë kufizim,u zhvillua si aktor dhe si shkrimtar.Grupi ishte i ri, i pjekur dhe inteligjent.Asnjë subjekt nuk ishte jashtë kufijve. Ishte një llojë shfaqjeje që të bënte të qeshje aqë fort sa të mbaje barkun me dorë.

Xhoni kishte një përzierje të rrallë karakteristikash.Kishte një bukuri klasike dhe një pamje qesharake (komike).Ai mund të ishte çapkën i ëmbël ose jashtëzakonisht qesharak.Ai mund të të frikësonte ose në çast mund të të shkrinte zëmrën me një buzëqeshje.Sytë e tij tregonin gjithçka.Ai mund të të bënte për të qeshur edhe duke ngritur një vetull.

Kafeteria u mbyll në Janar të 1971.Për fat xhonin një javë më vonë e telefonuan nga Second City.Ata kishin dëgjuar për grupin dhe u kërkuan që të shkonin atje për t’i dëgjuar.Në moshën 21 vjeç Xhoni u bë anëtar i grupit të shfaqjes së Second City.Aty ai perfeksionoi talentin e vet dhe u rrit si aktor improvizues.

Second City, National Lampoon dhe Saturday Night Live, të gjitha e shtynë Xhonin të kërkonte vazhdimisht për gjëra të reja.Ai kishte një forcë të veçantë ti bënte njerzit të mendonin,ti përzjente gjërat dhe të thoshte “Mos u nervozo kaq shumë”,ti ngatërronte gjërat dhe të thoshte “Nuk ka gjë,do ti vëmë përsëri në vendin e tyre”.Ai kishte energjinë për ti bërë gjërat eksituese.Ai kishte shpirtin për ti bërë gjërat të gëzueshme.Dhe shpërblimi i tij ishte të dëgjonte njerzit të qeshnin.

Xhoni rrallë i inkurajonte adhuruesit e tij që i thonin se donin të bëheshin aktorë.”Eshtë shumë e vështirë” thoshte,”Gjëj një punë tjetër!”Por kur takonte një njeri me ato cilësi të veçanta,ai bëhej serioz.”Duhet të punosh shumë”-thoshte ai.”Në jetën private do të vuash dhe do të duhet të jesh me fat”.

Kush është Judith Belushi ?

Judith Jacklin Belushi, Judith Belushi Pisano, lindi më 7 janar 1951. Eshtë shkrimtare, piktore dhe aktore. Fëmija e katërt e prindërvet Robert Leslie Jacklin dhe  Jean Buchanan. Kreu studimet e mesme në Wheaton Central School në Wheaton, Ilinois ku u njoh dhe forcoi lidhjet me Xhon Belushin. Mbaroi shkollën e mesme në vitin 1969.Në vitin 1973 së bashku me Xhonin kaluan në New York dhe  punuan për National Lampoon ku fillimisht ishte asistente e artit.Më vonë ajo punoi si bashkproducente në The National Lamponn Radio Hour.

Johny kishte kohë që ishte lidhur me Judith Jacklin, ata duheshin shumë me njëri tjetrin dhe bashkëjetonin por prindërit e saj nuk ishin dakort për këtë lidhje duke menduar se ai vinte  nga një familje emigrantësh dhe ishte pothuajse krejtësisht i pa-punë.Një ditë ata shkuan tek shtëpia e familjes Jacklin. Prindërit ishin duke parë televizor.Duket që pak më parë ishin grindur me vajzën e tyre dhe ajo ishte ulur në një kolltuk në dhomën e tyre të gjumit dhe po qante me të madhe.Johni, gadi me urdhër u tha prinderve të mbyllnin televizorin dhe iu drejtua të atit:

“…Judi dhe unë duam të jetojmë bashkë.Ne e duam njëri tjetrin.Unë tashmë kam një punë që paguhet mirë dhe kemi vendosur të jetojmë bashkë…”

“…Po përse nuk martoheni atëhere?-pyeti zoti Jacklin.Pse nuk bëni celebrimin?

“..-Nuk është koha e përshtatëshme-spjegoi Johny-dhe vazhdoi më tej:

“…Nuk na duhet një copë letër për të vërtetuar se e duam njëri tjetrin…dhe mori vajzën pas dore dhe u larguan…”

U celebruan më 31 dhjetor 1976 në Aspen/Colorado/ dhe jetuan bashkarisht deri me vdekjen e Xhonit në 5 mars 1982, por ajo vazhdoi të mbante mbiemrin Belushi edhe pas 8 vjetëve kur u rimartua me shkrimtarin dhe producentin Victor Pisano në 7 tetor 1990  dhe përsëri mbajti emrin e mesëm Belushi/Judit Belushi Pisano/.

Ish bashkëshortja, Judit  Jacklin Belushi, përgatiti për nder të tij më rastin e përvjetorit të vdekjes një film në video të titulluar “Qielli i Perëndimit”, i cili u shfaq në Televizion me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së tij.Në vitin 1984 ajo përgatiti përsëri një përmbledhje të interpretimeve të tij më të mira që i titulloi “The Best of John Belushi”/Pjesët më të mira të Xhon Belushit/.Kur ky film ne video u hodh në treg pati një jehonë shumë të madhe dhe u konsiderua si videokaseta më e suksesëshme e prodhuar deri atëherë që dëshmonte për talentin unik të Xhon Belushit.

Judith është autore e librit me kujtime për Xhonin të titulluar “Samurai Widow”/E veja e Samurait, mbasi Xhoni ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyshme rolin e Samurait/.Ështe gjithashtu bashkautore e “Titters”, “Titters 101”, “Blues Brothers”, “The Mom Book” dhe vecanërisht e librit të saj më të suksesëshëm “Belushi: Një biografi”.

Ka interpretuar gjithashtu përkrah tij në filmat “Animal House”/si partnere e kërcimit /dhe në filmin tjetër të suksesëshëm “The Blues Brothers”/si kameriere në restorantin Holliday Inn/.Ajo ka bërë ilustrimet e kopertinave të 4 albumeve muzikore “Briefcase Full of Blues”,”The Blues Brothers Original Motion Picture Soundtrack”, “Made In America” dhe “Best of Blues Brothers”.
Mbështetur në librin e saj “Belushi:A Biography” shoqëria Warner Bros dhe Todd Phillips është duke xhiruar këtë vit një film mbi jetën e Xhon Belushit të titulluar “Një natë si Luan” të adaptuar për kinema nga Steven Conrad ku Judith do të jetë ndoshta edhe producente ekzekutive.

Në verën e vitit 1982, Bob Woodward mori një telefonatë nga Pamela Jacklin, kunata e John Belushit dhe motra e Judit.Atë e shqetësonin disa çështje ende të pazgjidhura mbi vdekjen e Belushit, ndaj i sugjeroi të hetonte.John Belushi nuk ishte një temë e zakonëshme për Woodward;ai ishte përqëndruar më tepër për ngjarjet në Washington dhe e njihte shumë pak botën e aktorit, show business, televizionit dhe rock&rollit sikurse dhe jetën e Hollivudit.E megjithatë Woodward ishte kurioz.

Të ënjten më 15 korrik/1982/gazetari i njohur investigativ i Washington Post, Bob Woodward që ishte duke shkruar librin e tij për jetën e Xhon Belushit që e titulloi :”Wired”,u takua në New York me vejushën Judy Jacklin Belushi.Ja cilat janë shënimet për atë ditë:

….. “Shtëpia është e zymtë, një vend shumë i errët dhe Judy është një grua e imët, por plot energji.Ka një memorie mjaft precise, e riprodhon saktë atë çka di e atë çka dëgjuar.” Nuk e idealizonte figurën e tij, u përmbahej fakteve ashtu siç i njihte…..”.
Judith është pronare e Galerisë Belushi Pisano në Vineyard Haven, Martha’s Vineyard, Massachusetts dhe ajo mban lidhje te forta dhe të pandërprera me familjen Belushi
Të dy bashkëshortët Pisano ndihmojnë në programet artistike teatrore dhe muzikore në Hocking College ku ka rreth 5000 studentë në Nelsonville,Ohio.

Abaz T.Hoxha
Studiues dhe historian i kinemase

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Unë jam një Engjëll

Po, po. Më besoni, kjo është e vërtetë. Por nëqoftëse nuk më besoni mua drejtohuni në Gjykatën e Tiranës tek gjyqtari Asim Vokshi. Ai si njeri i ligjit do të ja  u vërtetojë katërcipërisht me kode e me nene se mua nuk më ka pjellë një nënë por kam zbritur nga qielli, jam përfaqësuesi i Perëndisë. Kështu që simbas vendimit të zotit Vokshi tashmë u bëmë tre përfaqësues të Perëndisë mbi tokë: Krishti, Muhameti dhe unë. Bile nuk duhet të jem shumë modest deri sa kjo është vërtetuar ligjerisht nga gjygjtari Vokshi, unë jam Perëndia vetë. Jam Fryma e shënjtë, se nuk më ka pjellë as një nënë ndërsa Krishtin e polli Zonja Marie e mbarsur me frymën e Shënjtë. Bazuar në këtë përfundim të gjykatësit, ndonse jam ateist, vendosa që të shkoj në kishë dhe të pagëzohem si i krishter dhe pas kësaj t’i drejtohem Papës së Romës të më shpallë Shënjtor. Po ndrrova mëndje dhe thashë me vete: Kush është Papa, kush janë Kardinalët, priftërinjtë, hoxhallarët, myftinjtë?. Ata janë përcjellësit e mësimeve të Perëndisë. Pse duhet t’u drejtohem atyre kur unë jam vetë Perëndia sipas njeriut tw lkigjit, gjygjtarit Vokshi.

Por megjithatë nuk bindesha që edhe unë të mos kisha një nënë që më kishte pjellë ashtu sikurse Krishti. Prandaj fillova maratonën e gjatë nëpër univers në kërkim të nënës. Por pa dobi. Vendosa që më në fund të zbres në tokë ku banojnë njerzit dhe të gjurmoj duke pyetur njerëz, pjellë të Perëndisë. Iu drejtova edhe dokumentave zyrtare të regjistrimit të popullsisë në kërkim të nënës. Ishte e kotë. Vajta në vendlindjen që mendoja se kishte dokumente në Bashkinë e Orikumit, asgjë, në Komunën e Bratajt ku ishin regjistruar gjithë njerzit e krahinës së Mesaplikut dhe lumit te Vlorës nga e kishte origjinën nëna ime sipas të thënave.Vajta edhe në Zyrën e gjëndjes civile te Vlorës. Ishte e kotë, nuk gjëje asnjë dokument.Sic duket po vërtetohej vendimi që do të jepte më vonë gjykatësi Vokshi se unë nuk kisha nënë por vija nga qielli.Megjithatë, si kokëfortë që jam, vazhdova kërkimet duke pyetur njerëz të afërt e fis, bashkëfshatarë etj për të gjetur të paktën varrin e nënës sime që më kishte lënë të mitur dhe unë isha larguar nga vënd lindja prej 66 vjetësh. Edhe këtë nuk e gjeta. Në fillim të viteve 90 të, si këmbëngulës që jam dhe i bindur se do ta kisha pasur edhe unë një nënë, bëra një përkushtim në hyrje të librit t’im dy gjuhësh “Kinematografia Shqiptare 1985/2005” si vijon:

O nëna ime e dashur,

O brenga ime e madhe,

Ti më njohe pak

por unë s’të njoha fare.

Isha shumë i vogël dhe s’më ndihmoi njeri,

u mundova shumë

por as varrin nuk ta di……..

Dhe kështu ishte historia. Nëna na vdiq në vitin 1936 duke na lënë të mitur mua dhe vëllain t’im më të vogël. Ai u rrit derisa u bë 13 vjec në familjen e vëllait të nënës,Lavdosh Zotaj, në Ramicë, ndërsa unë me disa shkëputje u largova përfundimisht në Tiranë që në moshën 14 vjec. Koha më bindi se unë isha një njeri si gjithë të tjerët prandaj duhet ta kisha një nënë dhe gjëja më e vogël që mund të bëja ishte të vërtetohej ekzistenca e saj në dokumentet zyrtare që një herë e një kohë ajo ka jetuar dhe ka lënë edhe dy fëmijë.Më këshilluan që të filloja përpjekjet për vërtetimin e faktit juridik të lindjes dhe të vdekjes së nënës sime dhe regjistrimin e saj në librat e gjëndjes civile dhe për këtë duhej t’i drejtohesha Gjykatës. Në mungesë të dokumentave mora një certifikatë negative në Zyrën e Gjëndjes Civile të Vlorës.Së bashku me certifikatat personale timen dhe vëllait tim ku thuhesh se nëna jonë kish egzistuar dhe quhesh Edie. I plotësova këto edhe me një certifikatë të trungut familjar ku figuronte edhe babai ynë.Por kjo certifikatë ishte e vitit 1944 (para kësaj date nuk kishte asnjë dokument tjetër në Vlorë) kur babai ishte rimartuar, pra nëna jonë nuk figuronte por ishte e dokumentuar se ne dy vëllezërit ishim djemtë e nënës sonë Edijes.Theksoj se certifikatën negative  e kishte marrë në Vlorë kushëriri im (djali i dajos, pra vëllait të nënës) dhe emri  i tij, Petrit Zotaj, jepesh edhe në dokumentin e noterizuar që iu paraqit gjykatës, gjë që vërtetonte se nëna ime rridhte nga ai trung familjar. Mbështetur në këto dokumente i bëra një kërkesë Gjykatës Tiranës për Vërtetimin e faktit juridik të lindjes dhe vdekjes të nënës sime. Dhe përfundova te gjykatësi Asim Vokshi. Kisha marrë me vete edhe tre dëshmitarë, më i riu prej tyre ishte 70 vjec dhe të tre me lidhje familjare me nënën time nga ana gjyshit t’im të nënës. Njëri ishte kushëriri i saj, ndërsa dy të tjerët ishin djemtë e kushërirës së parë të nënës sime, pra edhe kushërinjtë e dytë të mitë nga ana e nënës.

Pyetja e parë e gjykatësit:

- Ku ke qënë kaq vjet që interesohesh sot për nënën?

- Në maratonë disa vjecare për të gjetur dokumente dhe pasi nuk i gjeta ato iu drejtova gjykatës.

- Kur ka lindur nëna?

- Më kanë thënë se ka lindur në vitin 1905 ndërsa vdekjen e di, ajo ka vdekur në vitin 1936 pas një hemoragjije gjatë lindjes së një fëmije që edhe ajo vdiq më vonë.

- Si mund t’i dokumentosh këto:

Ju thashë se më ka lënë të mitur dhe të dy me vëllain tim jemi rritur pa prindër se edhe babain në vitin 1944 e burgosën në Burrel si kundërshtar të regjimit.Ndërsa për egzistencën e saj vërtetojnë dokumentet që ju kam paraqitur. Përsa i përket origjinës së saj familjare kur ishte vajzë kam tre dëshmitarë (njëri prej tyre me mbiemrin e saj të vajzërisë ishte 77 vjec) të cilët mund të vërtetojnë se rrjedh nga trungu i tyre familjar.Ata na njohin shumë mirë mua dhe vëllain t’im se unë vija shpesh tek dajua im ndërsa vëllai është rritur deri 13 vjec në familjen e vëllait të saj, Lavdosh Zotaj.

- Keni dëshmitarë të moshës së nënës sate?

- Dëshmitarë të asaj moshe nuk egzistojnë se kanë kaluar 105 vjet dhe të gjithë kanë vdekur.Unë që jam djali i saj jam 80 vjec.

- Ata dëshmitarë që ke prurë nuk mund të jenë të besushëm.Prandaj nuk i pranoj. – Dhe nuk i mori fare në pyetje.

Dhe megjithë kërkesën time për t’i marrë në pyetje nuk pranoi. Ata do vërtetonin se nëna ime rridhte nga trungu i tyre familjar, emrin dhe mbiemrin e babait dhe nënës së saj. Pra donte dëshmitarë mbi 100 vjecarë. Merreni me mënd sikur të kisha kërkuar vërtetimin e faktit juridik që gjyshi ose stërgjyshi im kanë egzistuar se do të më kërkonte dëshmitarë të gjallë 200 apo 300 vjecarë. Dhe ndoshta kishte të drejtë se gjatë punës sime të gjatë kërkimore në shtypin e shekullit të kaluar gjeta një rast unik ku vërtetohesh se një kinez kish jetuar 250 vjet dhe emri i tij përmendej në disa dinasti kineze . Kush e di sa do jenë munduar gjykatësit kinezë për të vërtetuar këtë fakt mbasi kanë kërkuar dëshmitarë të gjalle 300 ose 500 vjecarë.

- Prit përjashta, – tha gjygjtari, sa të marrim vendimin

Më thirri pas pak dhe më njoftoi se gjykata vendosi që unë nuk kam nënë. Kështu u dokumentua sipas gjykatësit Asim Vokshi se unë jam një Engjëll. Nëna ime nuk ka egzistuar.Gjykatësi vendosi se unë jam vetë “Fryma e shënjtë”.

Dy ditë më vonë vajta tek gjyqtari Vokshi për të marrë numurin e vendimit për t’u ankuar në Apel. Trokita në derë dhe cuditërisht dëgjova një bërtitje duke më thirrur: Dil Përjashta. Duket se dikush e kish njoftuar per shkrim tim ne gazette dhe ky dikushi sigurisht qe eshte redaksia mbasi vetem ata e dinin. S’ke c”bën kjo është prepotenca e gjykatësve tanë që sillen me nevojtarët si padronë. Ishalla nuk janë të gjithë si Z. Vokshi se pastaj vaj halli për drejtësinë tonë.

Abaz Hoxha

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Çdo njeri kalonte në filtrin politik

Pjesë nga libri në proces: “Na ishte një here një kinostudio !- kujtime dhe mbresa

Ishin vitet më të vështira dhe më të ngarkuara të jetës sime. Nga kryeinxhiner i kinostudios u emërova Kryetar i degës së kinemave. Ky kalim ishte tepër i diskutueshëm dhe mund të ishte një objekt i një shkrimi të veçantë. Një ditë prej ditësh, në mënyrë të pa-pritur u lajmëruam se kemi mbledhjen e përgjithëshme të kolektivit të kinostudios. Në mbledhje u referua se kishte personel të tepërt dhe se duheshin bërë shkurtime. U ngrit Endri Keko dhe propozoi të shkurtohesh posti i kryeinxhinerit. Një paradoks i vërtetë kur dihet botërisht se kinematografija është 80% teknikë dhe për më tepër se duhej të shkarkohesha unë-kuadri i pare i lartë me arsim profesional dhe duhej të mbahesh N/drejtori me tre klasë fillore ose shumë të tjerë me nivel të ulët arsimor dhe profesional. Por le ta lëmë këtë histori për një here tjetër. Unë u ngrita i pari dhe e miratova këtë propozim dhe për tre muaj mora saldatorin e punova si teknik në ofiçinën e riparimit të aparateve.

Pas tre muajve më thirrën dhe më emëruan si kryetar i degës së kinemave ndërsa si kryeinxhiner u emërua një tjetër. Në atë kohë ky sektor ishte sikur të të shpinin drejt gijotinës. Çdo ditë ecje si mbi mina dhe asnjëherë nuk të dihesh fati. Megjithatë urdhëri nuk diskutohesh. Pashë që ky ishte një mjet drejt sakrifikimit por asnjëherë nuk u jam shmangur sfidavet dhe fillova me përkushtim dhe nën një presion të dendur psikologjik për të kryer detyrën dhe për të mos shkelur në dërrasë të kalbur që të mos u jepja rast mjeteve persekutuese. Ishin kohë të vështira “Politika në plan të pare”!

Por sikur nuk mjaftoi kjo një ditë më thërret drejtori dhe më njofton se më kërkonte ministri i arsim-kulturës,Thoma Deliana. U çudita kur ai më ngarkoi të drejtoja grupin e projektimit për hartimin e programit, projektin teknologjik dhe ndërtimin e kinostudios të filmave artistikë (atelierët e xhirimit, tonatelietë, laboratorin e përpunimit të filmave dhe repartet e tjera ndihmëse). I thashë në se do shkëputesha nga sektori i kinemave dhe ai më tha se do ti kryeja të dyja njëkohësisht. M’u duk e çuditëshme, por s’kisha seç bëja. Duhej zbatuar një urdhër.

Pra, në vitin 1966 u ngarkova të drejtoja sektorin e kinemave ku zinte një vend të madh ngarkesa e furnizimit me filma të rreth 450 qëndrave kinematografike (stacionare e lëvizëse) që vepronin në të gjithë Republikën, me mungesat e shumta të lëndës së parë dhe kopjet e filmave 35 e 16m/m, me mungesën e premierave, me gjendjen e rëndë teknike të shumë kinemave dhe mungesën e fondeve për porositjen e pjesëve të ndërrimit për to, me procesin e përkthimit dhe subtitrimit e redaktimit të filmave që ishte një punë e vështirë e gjithmonë me rreziqe.

Mbingarkesa dhe mungesa e përvojës në këtë sektor të ri për mua u rëndua nga shumë faktorë të tjerë politikë, ideologjikë, ekonomikë e shoqërorë. U vështirësua shumë procesi i furnizimit me filma të kinemave mbasi çdo gjë duhej të kontrollohej me imtësi se ndryshe të merrte lumi. Numuri i premierave që blenim jashtë po paksohej në mënyrë drastike. Prerja e marrdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik dhe gradualisht edhe me vendet e tjera ish aleate, bënë që premierat të ulen nga rreth 100 në vit më 1960 në rreth 15-20 në vit. Fondi i filmave në qarkullim ishte i vjetëruar teknikisht, i coptuar dhe amortizuar nga ana e përmbajtjes. Filmat qarkullonin në kinema disa vjet me radhë në vizione të pesta, gjashta, të dhjeta e më tej duke u bërë të mërzitëshme skajimisht për spektatorin. Shkeleshin kontratat e blerjes së filmave me të huajt, nuk raportohesh ose raportohesh fallco asgjësimi i kopjeve të blera mbasi u skadonte afati i përcaktuar në kontratat. Përveç kësaj mbyllja e vazhdueshme e Shqipërisë karshi botës, masat drastike të izolimit nën pretekstet e ndikimit të propagandës dhe presionit borgjezo-revizionist, prishja e disa aleancave politike e shtetërore dhe afrimet e përkohëshme me shtetet e tjera etj, etj bënë që fondi i filmave në qarkullim të ngushtohej përherë e më tepër.

Në vitin 1966, kur e mora unë sektorin e kinemave, ishin hequr nga qarkullimi mbi 480 filma Perëndimorë e Lindorë dhe numuri i premierave kish rënë në 15-20 në vit. Në qarkullim ishin shumica e filmave kinezë, vietnamezë, koreanë, kryesisht filma kronikalë e dokumentarë politikë ose që dënonin imperializmin amerikan dhe social-imperializmin sovjetik. Nga Perëndimi merreshin vetëm pak filma francezë e italianë dhe tek tuk nga vendet ameriko-latine ose të ashtuquajtura të botës së tretë (Egjypt, Algjeri, Indi e ndonjë japonez). Blerja e filmave amerikanë nuk diskutohesh, edhe ndonjë film i prodhimit amerikan që qarkullonte ose i ndërrohesh titulli dhe blihesh nëpërmjet shoqërive kinematografike franceze ose italiane. Nga vendet e Lindjes filmat rusë nuk diskutoheshin fare, por më vonë edhe nga vendet e tjera se ishin filma “revizionistë” ose që “ishin të përshkuara nga libertizmi erotik”. Për një kohë bliheshin pak filma rumunë dhe ndonjë film bullgar dhe kryesisht filma të Lindjes së largët (kinezë, vietnamezë etj)

Problemi i furnizimit me filma të kinemave u bë një çështje tepër serioze dhe e vështirë sidomos për arsye të gjendjes politike në vend. Fushatës së spastrimeve politike, arrestimeve dhe dënimeve të ndryshme që nga bashkëpuntorët më të afërt të E.Hoxhës, antarë të byrosë politike dhe të komitetit qëndror të partisë e qeverrisë e deri te njerëz të thjeshtë në bazë, solli vështirësi dhe rreziqe të mëdha për personelin e sektorit të kinefikimit e sidomos për mua që e drejtoja atë sektor. Më i vështirë u bë xhirimi dhe sidomos qarkullimi i kronikave dhe filmave dokumentarë të cilat duhej të kontrolloheshin pa-ndërprerje që të “spastroheshin” nga personat që ishin dënuar, shkarkuar nga detyra ose arrestuar. Programimi dhe qarkullimi i tyre sillte vazhdimisht viktima në qendër e bazë. Kinooperatorët e kinoditarëve, kronikave dhe filmave dokumentarë duhej detyrimisht të merrnin miratimin e drejtuesve të pushtetit dhe partisë në fshat, kooperativë, shkollë e kudo për çdo njeri që xhirohej në film që të ishte “i pastër” politikisht. Pa miratimin e sekretarit të partisë, kryetarit të Këshillit ose kooperativës nuk mund të xhirohej askush mbasi i vinte prapa operatorit ankesa drejtuar Komitetit të Partisë. Çdo njeri që xhirohej në film duhej të kalonte në filtrin politik.

Por me kaq kinooperatorët dhe më vonë edhe redaksitë, Këshilli artistik dhe drejtoria e kinostudios, i mbaronin detyrat e tyre, pra i shpëtonin përgjegjësisë. Kur filmi i gatshëm na dorëzohej ne për qarkullim atëhere fillonte përgjegjësia jonë. Në kohën midis xhirimit dhe shfaqjes së filmave ndodhnin jo pak raste kur njerzit e “filtruar” gjatë xhirimit të ishin dënuar dhe përfunduar në pranga. Shfaqja e këtyre kronikave me këta persona “armiq të Partisë dhe të Popullit” ishte tepër me zarar. Menjëherë njoftoheshin Komitetet e Partisë dhe ata nga ana e tyre njoftonin për “skandalin” urgjentisht Komitetin Qëndror duke iu ankuar se Kinostudio shfaq filma me persona armiq, dhe atëhere të gjeje vend ku të futeshe.

Kishte ardhur një delegacion Kamboxhian të cilin në disa rrethe e shoqëronte Fadil Paçrami, atëhere me funksione të larta Partie. Por pas xhirimit Fadili u dënua, iu hoq me mjete barbare (edhe duke e rrahur) mandati i deputetit dhe u dënua e u shpall si “Armik i Partisë dhe i Popullit”. Ne kishim shumë pak filma në qarkullim. Në repertorin e kinemave, sidomos të autokinemave dhe shfaqjet në fshat e përbënin filmat kronikalë e dokumentarë e në veçanti vizitat e delegacioneve të huaja në Shqipëri, me anën e të cilave duhej të mbahej lart morali se Shqipëria “ishte qëndra e botës” dhe kishte miq të shumtë. Meti, që merrej me programacionin e filmave për gjithë kinematë e Shqipërisë, më pruri planin e qarkullimit të filmave. E pashë me shumë vemëndje dhe m’u kujtua që në njërën nga kronikat F.Paçrami ishte xhiruar duke shoqëruar delegacionin. Fadilin e njihja mirë, që nga viti 1945 në Komitetin Qëndror të Rinisë Antifashiste (ku sot ndodhet Universiteti). Ai  ishte veteran lufte dhe njëri  nga krerët e BRASH-it e më vonë shkrimtar dhe personalitet politik dhe i kulturës. Një kohë kishte qënë edhe Ministër i  Kulturës dhe së fundi Sekretar i  Komitetit të Partisë për Tiranën. Prandaj m’u kujtua, dhe në planin e filmave që do të qarkullonte nëpër kinematë e rretheve, i vura një shënim me laps të kuq, që kronika me delegacion e Kamboxhës të mos qarkullonte. Por Meti nuk e kish vënë re dhe magazina, sipas planit, e nisi filmin në rrethe. Unë vetë kisha shkuar me shërbim jashtë Tiranës. Më morën në telefon të kthehem urgjent. Kur hyra në kinostudio në mëngjez takova te porta Endri Kekon, që n’atë kohë ishte sekretari i Byrosë të Partisë. Nuk di nëse më priste apostafat ose ishte një takim i rastësishëm.

- E verifikuam, më tha, Ti këtë radhë e hodhe. Pamë shënimin tënd që filmi të mos qarkullonte.

Nuk dija përse flitesh. Vetëm sa e përshëndeta dhe shkova drejt në sektorin e programacionit. Mora vesh se flitesh për kronikën e Kamboxhianëve që ishte shfaqur në Tepelenë dhe ish bërë problem deri në Komitetin Qëndror të Partisë. Unë u përpoqa ta lehtësoja Metin, jo thjesht se ishte vartësi im, por në morinë e kronikave që qarkullonin edhe ai e kishte të vështirë ti kontrollonte një për një. Por u mprefën shpatat e “vigjilentëve” dhe ai u dënua me një vrejtje me paralajmërim, por edhe unë nuk shpëtova pa gjë, u çukita si “fajtori kryesor ” nga njerzit që donin të tregonin se ishin përkrahës të vendosur të vijës së Partisë. Kjo ngjarje kaloi me disa mbledhje që bënin thirrje për forcimin e vigjilencës karshi armikut të klasës..

Sektori ynë ishte vazhdimisht nën “kontrollin e përherëshëm të masave” se kinostudio xhironte vazhdimisht kronika e filma dokumentarë dhe ato kronika për të cilat autorët lavdëroheshin, për ne të sektorit të kinemave ishin një ankth i përherëshëm dhe nuk na zinte gjumi asnjëherë rehat. Në çdo çast prisnim se mund të kishte ndodhur diçka.

Në një rast tjetër operatorët xhiruan punimet e Kongresit të Partisë dhe ishte orientimi që ajo që xhirohesh në mëngjez duhej të shfaqej mbasdite në kinematë e Tiranës dhe brënda natës të shpërndahej në të gjithë Shqipërinë për tu bërë jehonë punimeve të Kongresit. Dhe kështu ndodhi. U përgatit, u shfaq dhe u shpërnda në gjithë kinematë e rretheve kronika e ditës së parë. Ditën e dytë të Kongresit vjen urdhër urgjent nga lart që kronikat e djeshme të hiqeshin nga qarkllimi se njëri nga delegatët e Kongresit ishte “armik i Partisë”. U nisëm urgjent tre grupe në të gjithë Shqipërinë që jo vetëm të ndalonim shfaqjen, se për këtë i njoftuam të gjithë rrethet me telefon dhe telegram urgjent, por të grumbullonim menjëherë të gjitha kopjet sipas porosisë.Unë u nisa në Veri të Shqipërisë. Brënda 24 orëve shkova në Kukës, Tropojë, Pukë, Burrel e Rrëshen e i grumbullova kopjet e filmave. Edhe sot nuk e kam të qartë për cilin “armik të Partisë” bëhesh fjalë.

Një ditë tjetër, sapo fillova punën në mëngjez, më njoftoi sekretarja se më kërkonte urgjent zv/ministri Mantho Bala. E kuptova se përsëri do kishte ndodhur diçka. Ai më priti me këmbët e para. Iku nga tavolina dhe m’u afrua duke thirrur:

-Ç’farë bëni ju atje. Ç’janë ata filma që shfaqni nëpër kinematë me armiq të Partisë.

Nuk më befasoi, mbasi  e prisja atë reagim.Tashmë isha mësuar, prandaj e dëgjova i qetë deri në fund dhe po përpiqesha të grumbulloja mendimet për përgjigjen. Mora vesh se në kinemanë e Beratit ishte shfaqur një kronikë ku dilte një ish kolonel i ushtrisë dhe historian, të cilin ditët e fundit e kishin arrestuar. Gjithnjë si armik të Partisë dhe të popullit.

U përqëndrova dhe i thashë:

-  A e njihni Ju, sh.Mantho gjithë Shqipërinë. Ku e di unë kush është ky person. Sot e dëgjoj për herë të parë emrin e tij. Përveç kësaj ai është xhiruar mbasi  kinooperatorët janë bindur. Kujt i shkon mëndja se një kolonel nesër do të arrestohet. Në rast se Komiteti i Partisë të Beratit shqetësohet, përse nuk i shef vetë më parë filmat që dërgon kinostudio. Kronikat janë një mjet i  propagandës. Për këtë ata kanë edhe një instruktor të posaçëm. Përpara se të njoftojnë Komitetin Qëndror dhe të na akuzojnë ne, të mbajnë vetë përgjegjësi që nuk shikojnë repertorin e filmave që shfaqen në rrethin e tyre.. Përse ata ose Ministria e Mbrojtjes nuk njoftojnë Kinostudion se ky person është arrestuar. Ku ta dinë operatorët se mbasi ata kanë kthyer krahët atij i janë hedhur prangat..

Debati vazhdoi duke më kërcënuar se do shihej puna ime, se ne nuk jemi njerës politikë etj, etj. Edhe unë e ngrita zërin. Mendova me vehte: në dreq të vejë kjo punë. Unë mund të përgjigjesha shumë-shumë për personalitetet e larta shtetërore e publike, por jo për çdo njeri në çdo qoshe të Shqipërisë që merrej në film. Duke qënë i nxehur dhe i përqëndruar te bashkëbiseduesi nuk vura re se në qoshen e dhomës ishte ulur në një kolltuk antari i Komitetit Qëndror të Partisë, Piro Kondi, i cili kishte sjellë lajmin. Ai, i prekur ndoshta nga revolta ime, m’u vu në krah. Ndësa unë vazhdova i  revoltuar.

- Në rast se doni që këto gjera të mos ndodhin- këtë radhë iu drejtova P. Kondit-atëhere urdhëroni  Komitetet e Partisë në Rrethe që ti shofin filmat më parë. Ne i dërgojmë atje disa ditë para se të shfaqen. Dhe përsëri iu drejtova Manthos:

- Ose, po të doni, unë e zgjidh menjëherë këtë punë, që edhe ju edhe unë të flemë rehat.

Mantho menjëherë ndërhyri:

Si do ta zgjidhësh? Zgjidhe.

Sa të kthehem në kinostudio i grumblloj të gjitha kronikat dhe filmat dokumentarë dhe i fut në çelës, e nuk qarkulloj asnjërin prej tyre. Por edhe ju urdhëroni që të mos bëjmë shpenzime kot, të mos xhirojmë filma kronikalë se bëjmë propagandë armiqësore.Dhe dola jashtë gjithë nerva duke marrë parasysh pasojat.

Abaz T.Hoxha

Studiues dhe Historian i Kinemasë

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Tre muaj peng i Lin Biaos

Pjesë nga libri “Na ishte një here një kinostudio !- kujtime dhe mbresa

Rektori i Universitetit të Tiranës, Agim Mero, kish bërë një vizitë në R.P.të Kinës. Në këtë vizitë ai shoqërohej edhe nga Bujar Koloneci, ish punonjës i kinostudios dhe miku im. Siç ishte bërë traditë, të gjithë delegacionet që ktheheshin nga Kina bënin takime me kategori të ndryshme dëgjuesish ku ata jepnin përshtypjet e tyre. Kjo kishte si synim kryesor që të ekzaltoheshin marrdhëniet me Kinën dhe të forcohesh besimi në popull se Shqipëria kish një mik të madh në mbrojtje. Edhe këtë radhë rektorati i Universitetit organizoi një takim  ku do të jepte përshtypjet  për vizitën atje rektori A.Mero. Në këtë takim ishte ftuar edhe ambasadori kinez në Tiranë,dhe vetëkuptohet edhe personalitete të larta shtetërore e partiake shqiptare. Për ta bërë më tërheqës takimin u duhesh të shfaqnin edhe një film kinez të pranishmëvet.

Ishte pranvera e vitit 1972. Unë kisha dalë nga një betejë shumëvjeçare. Ndonse fitimtar por që më kish shkaktuar shumë strese dhe më kishte tronditur personalisht dhe familjarisht. Fundi ishte një mbledhje e madhe e gjithë kolektivit të kinostudios ku morën pjesë edhe nga personalitetet më të larta të partisë dhe që zgjati 7 ditë. Rezultatet e kësaj mbledhjeje u botuan edhe në gazetën “Zëri i Popullit” por që nuk përmëndesh asnjëhere figura qëndrore e asaj mbledhjeje, që kishte marrë përsipër gjithë ato riske, por persona të tjerë që kur panë balancën kthyen pllakën ditën e fundit dhe u rreshtuan në forcat fituese. Ky shkrim nuk ka për objekt këtë mbledhje, ndonse do të hidhte dritë mbi shumë ngjarje që do të zhvilloheshin më vonë. E përmënda për të treguar se si në çdo betejë ka edhe të humbur por edhe të fituar dhe se të humburit kërkojnë gjithmonë revansh prandaj i mbajnë shpatat ngrehur kur të gjejnë rastin.

Ku e dija unë se ky rast do tu vinte shumë shpejt dhe për më tepër se do tu jepte shansin Lin Biao disa mijra kilometra larg Shqipërisë.

Bujar Koloneci më dërgoi një letër me anën e të cilës më kërkonte që tu jepja një film për ta shfaqur në takimin e mësipërm. Unë kisha marrë çantën dhe isha bërë gadi për të shkuar me shërbim në Pukë. Letërprurësit i dhashë shpejt një shënim për ndihmësin tim që tu jepte një film dokumentar kinez që e kisha parë kohët e fundit dhe më kish bërë shumë përshtypje, dhe vetë u nisa menjëherë.

Në mbrëmjen e asaj dite më morën në telefon në Pukë dhe më thanë që të kthehem urgjentisht në Tiranë. Me këto urgjenca tashmë isha mësuar dhe pak a shumë e mora vesh se do kishte ndodhur diçka, por nuk më shkonte fare ndër mend se kjo diçka do të ishte filmi kinez. Siç përmenda këtë film e kisha parë. Ishte filmi dokumentar “Kanali vaditës Flamuri i kuq” që bënte fjalë për çeljen e një kanali gjigand vaditës që lidhesh me lumin Janse në Kinë dhe ku binte në sy puna masive vetmohuese e puntorëve dhe fshatarëve kinezë që transportonin me trasta dhe dhe gurë. Nga ana e xhirimit të linte shumë mbresa dhe dëshmonte për një punë të lavdërueshme të dokumentalistëve kinezë. Kjo ishte edhe arsyeja që unë dhashë porosinë për shfaqjen e atij filmi në universitet dhe nuk mund ta parashikoja se ai film do të bëhesh shkak i shumë shqetësimeve për mua dhe do të më shkaktonte tre muaj tronditje të mëdha nervore që do të linin shumë pasoja tek unë dhe familja ime.

Që në mëngjez kur u ktheva, byroja e Partisë së institucionit kish dhënë porosi që të bëhesh mbledhja e drejtorisë dhe e kolegjiumit dhe të mbante qëndrim të ashpër karshi fajtorëve (dm.th kundër meje).

Çfarë kishte ndodhur ?

Filmi ishte shfaqur dhe ambasadori kinez ish larguar nga salla e më vonë kish protestuar. Në film, teksti i të cilit ishte në gjuhën kineze, jepeshin disa banderola, pllakate e parulla që kishin të bënin me citate të Lin Biaos, ish N/kryetar i P.Komuniste kineze, bashkëpuntor i afërt i Mao Ce Dunit dhe ai që kish udhëhequr  t’ashtuquajturin Revolucion Kulturor në Kinë. Muajin e fundit Lin Biao nuk ish dëgjuar më. Por nuk kish asnjë njoftim zyrtar për të dhe se ç’kishte ndodhur në Kinë muajin e fundit. Si rregull kinezët njoftonin me shkrim për filmat që duhej të hiqeshin nga arkullimi dhe ky film ne na kishte ardhur vetëm një muaj më parë. As Ministria e Arsim-Kulturës, nga vareshim, nuk na kishte njoftuar dhe po kështu as Drejtoria e Shtypit e Komitetit Qëndror e cila bënte rregullisht informimet përkatëse për të skjaruar ngjarjet politike të fundit me punonjësit e ndryshëm të shtypit dhe të propagandës ku bënte pjesë edhe kinematografia. Megjithatë unë e pranova fajin.

Në fakt, në versionin që u dha më vonë, ai na paskesh qënë armik i Kryetarit Mao dhe ishte eleminuar fizikisht gjatë një përpjekje për tu arratisur me avion për në Bashkimin Sovjetik. Avioni ishte qëlluar me raketa dhe ishte rrëzuar në territorin kinez. Ku ta dija unë i shkreti që rrëzimi i tij do të më shkaktonte aqë telashe.

Në mbledhjen e kolegjiumit u zhveshën shpatat e atyre që përmenda më lart, ndonse pati rreagime nga disa që u përpoqën të më mbronin. Konkluzioni ishte se duhej të shkarkohesha nga detyra dhe të largohesha nga kinostudio. Pastaj e kishte radhën Partia. U mblodh byroja e institucionit dhe mbasi e fryu dhe egzagjeroi se gjoja ishte bërë shkak për ftohjen e marrdhënieve midis Shqipërisë e Kinës së madhe të Mao Ce Dunit, përfundoi me vendimin që të përjashtohesha nga partia dhe të flakesha nga kinostudio. Në byro dominonin ata që kishin dalë të humbur në mbledhjen 7 ditore që përmenda. Propozimi i tyre iu dha si rekomandim organizatës së partisë ku unë bëja pjesë. Por organizata ime e refuzoi propozimin e byrosë, e konsideroi si një masë ekstreme dhe e quajti si një aksident në veprimtarinë time rezultative shumëvjeçare, prandaj propozoi të më hiqesh një vrejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit. Të dy këto propozime i kaluan për miratim Komitetit të Partisë të Rajonit Nr.1 të Tiranës për vendimin përfundimtar.

Rajoni Nr.1 mbulonte të gjitha institucionet Kulturore-artistike dhe administratën e lartë shtetërore. Sekretarin e Parë të Rajonit J.P. e kisha patur “mik për kokë”. Ai kishte përkrahur dhe vazhdonte të përkrahte ata persona që në mbledhjen e fundit kishin dalë të humbur. Kisha patur me të shumë konflikte, pra edhe atij i erdhi rasti i volitshëm për të më hequr qafe. Por në mbledhjen e Komitetit ku unë isha thirrur për të dhënë llogari ngjarjet morën një kthesë të pa-pritur. Sekretari i Parë bëri një gabim fatal të cilin unë e shfrytëzova. Duke e humbur durimin dhe duke dashur të më rëndojë fajin ai më bëri përgjegjës për të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur në kinostudio dhe harroi se ato kishin përfunduar në disfavor të tij dhe pasuesve të tij që po bënin çmos për revansh duke krijuar një gjendje shumë të rëndë për gjithë kolektivin e kinostudios. Duke e denoncuar këtë tendencë të sekretarit të parë unë këmbëngula se kisha ardhur aty për të dhënë llogari për ngjarjen me filmin kinez dhe jo për gjendjen e kinostudios për të cilën ai ishte fajtor vetë se nxiste në prapaskenë grindjet. Revolta ime u përkrah nga disa intelektualë që bënin pjesë në Komitetin e Partisë si G.Q, H.B.etj.

Ky gabim i Sekretarit të parë më shpëtoi mua dhe familjen time nga dënimi ekstrem që do të na hidhte në rrugë e madhe e ndoshta edhe nën pranga. Komiteti la në fuqi vendimin e organizatës sime të partisë për një “vrejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Por sekretari i parë nuk m’u nda dhe gafat e mëtejshme të tij krijuan një gjendje shumë të tensionuar në kinostudio, për të cilën organizata reagoi dhe organet më të larta u detyruan që ta transferonin atë si sekretar në rrethin e Sarandës.

Megjithatë kjo ngjarje mua më kushtoi shumë shtrenjtë. Tre muaj të tëra në ankth, pa gjumë. Tre muaj që familja ime nga dita në ditë priste që ti ngriheshin plaçkat për tu internuar. Përjashtimi nga partia donte të thonte se ishe “armik i partisë dhe i popullit”, dhe nëqoftëse nuk të hidheshin prangat, dënimi më i vogël ishte të merrje kazmën dhe të punoje diku në një krahinë të largët në internim.

Abaz T.Hoxha

Studiues dhe Historian i Kinemasë

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Lufta Italo-Greke në kronikat e kohës dhe ne filmin grek

Në tetor të vitit 1940 trupat fashiste italiane sulmuan Greqinë. Një nga kronikat e para të Institutit “Luce” që pasqyroi këtë sulm ishte kronika 89/1940, me titull “Marshimi i trupave italiane drejt Greqisë”, si edhe filma të tjerë propagandistikë e mashtrues që falsifikonin qëndrimin e popullit tonë përballë agresionit fashist kundër Greqisë. Për të përligjur këtë agresion para opinionit dhe për të mashtruar popullin shqiptar se gjoja mbronin interesat e tij, ata gjetën pretekstin banal për sajimin e një vrasjeje nga ushtarët grek në kufirin shqiptaro-grek të një farë Daut Hoxhe. Por populli shqiptar nuk u mashtrua nga ky provokacion, ai nuk e aprovoi këtë sulm fashist dhe nuk u mashtrua nga teksti demagogjik i filmave që trajtonin këtë temë dhe jo vetëm që nuk u ngrit kundër popullit grek që luftonte për mbrojtjen e lirisë së tij, por edhe kundërshtoi të rekrutohesh në ushtrinë fashiste. Shumë nga ata që ishin nën armë dezertuan në mënyrë të organizuar nga radhët e ushtrisë. Demagogjinë bajate dhe të rëndomtë të shprehur nëpërmjet kronikave të “Luce-s” e hodhi poshte vetë lufta e vendosur e popullit shqiptar kundër fashizmit italian, e cila bëri që në Shqipëri të gozhdoheshin disa divizione që u goditën pa ndërprerje nga forcat e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare. Kjo luftë qe një ndihmë e madhe për popullin vëlla grek, i cili i dha një përgjigje të merituar agresionit fashist italian.

Vetë Musolini u detyrua që më 2 nëntor 1940, në letrën e njohur dërguar Hitlerit, të pohonte se një nga shkaqet e disfatave të ushtrive italiane në frontin grek ishte “tradhtia” (siç i pëlqente atij ta quante), pothuajse e përgjithshme e forcave shqiptare, të cilat “ngritën krye kundër trupave tona”1.(Les letres secret change par Mussolini et Hitler,Edition Pavois).

Sulmi italian kundër Greqisë është trajtuar edhe në disa kronika angleze, siç janë, për shembull, British News Nr. 22 e 28 tetorit 1940, me titull “Trupat italiane sulmojnë Greqinë nga territori shqiptar”, në të cilën jepen këto trupa me biçikleta, motoçikleta dhe forca të koracuara që shkojnë drejt frontit, pamje nga mobilizimi ushtarak dhe përgatitjet në Greqi për t’i bërë ballë këtij sulmi nga ana e trupave greke të komanduara nga gjenerali Metaksa. Në kronikat e mëvonshme jepeshin aspekte nga luftimet italo-greke në territorin shqiptar, disa refugjatë shqiptarë, sulmi dhe marrja e qytetit të Korçës nga ana e trupave greke, si dhe luftime, ndërtime urash kalimi prej druri për të zëvendësuar ato të gurit që ishin shkatërruar nga italianët në tërheqje, kapje materialesh luftarake etj.2. Kronikat angleze (British News) kanë fiksuar edhe ndeshje ajrore midis aviacionit të trupave ndërluftuese gjatë luftës italo-greke, sidomos në fillim të vitit 1941.

Luftimet italo-greke janë pasqyruar në shumë kronika jo vetëm të institutit “Luce”, por edhe të shoqërive të tjera kinematografike italiane. Në një dokument të Mëkëmbësisë së Përgjithshme që i dërgohej Ministrisë së Kulturës Popullore, nga kjo e fundit kërkohej që t’i krijoheshin mundësitë kinoregjizorit Amadeo Kastellani, përfaqësues i firmës “Tirrenia – Film”, i cili ndodhej atëherë në Tiranë, për të xhiruar një film të metrazhit të shkurtër në kuotën “731″ (afër Qafës së Gllavës).

Të shqetësuar nga gjendja, vetë Musolini vizitoi frontin grek prej 2-21 mars 1941. Megjithëse ai erdhi i maskuar në Shqipëri, “Luce” i kushtoi një kronikë të posaçme kinematografike të destinuar për t’u shfaqur në ekranet italiane. Kjo vizitë kishte për qëllim të tregonte “trimërinë” e udhëheqësit fashist dhe për të ngritur moralin e trupave që ishin dekurajuar e rraskapitur nga sulmet e pandërprera të forcave patriotike greke, nga sabotimet e furnizimeve dhe nga goditjet që po pësonin ato nga ana e popullit tonë që ishte ngritur në luftë.

Po në këtë kohë (më 11 maj 1941) bëri një vizitë në Shqipëri Mbreti i Italisë, i vetëquajturi Mbret dhe i Shqipërisë, Viktor Emanueli III, i cili synonte ta afirmonte veten si i tille. Kësaj vizite fashistët i dhanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe bënë përgatitje të mëdha për ta pritur me pompozitet, gjoja në emër të popullit shqiptar. Mobilizuan të gjithë përkrahësit e tyre, të hapur e të fshehtë, të armatosur dhe të paarmatosur, por me gjithë këto masa, siç dihet, populli shqiptar e priti mbretin italian me plumba. Heroi i Popullit Vasil Laçi, i bëri atij atentat duke depërtuar midis morisë së përkrahësve dhe mbrojtësve të mbretit italian. Vizitës së Viktor Emanuelit në Shqipëri “Luce” i bëri jehonë me anën e kinokronikave 145 dhe 146 të viti 1941, si dhe në një film të veçantë kronikal, natyrisht duke e fshirë aktin heroik të Vasil Laçit. Filmi pasqyron pritjen e Viktori Emanuelit nga Kryeministri kukull Vërlaci, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe autoritetet e tjera, vizitat e tij në kishën ortodokse, në xhaminë e Tiranës si dhe vizitat që bëri në Krujë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Elbasan dhe Shkodër.Gazetat fashiste u mbushën me lajmet pompoze dhe supertitujt: “Shqipëria përshëndet Mbretin e saj”, me premtimet dhe lëmoshat që u dha ai hierarkëve fashistë dhe me të ashtuquajturat ndihma për të dëmtuarit nga lufta, të cilat, sigurisht, përfunduan në xhepat e kuislingëve. Si gjithnjë para ngjarjeve të mëdha, erdhi në Tiranë konti Çiano. Ai mbërriti në Shqipëri më 9 maj 1941, d.m.th., dy ditë para se të vinte Perandori italian. Kjo vizitë u xhirua edhe në film.

(Marrë nga libri i autorit  “Arti i 7 në Shqipëri”,botim ALBIN, 1994)

Si është trajtuar ky problem nga qarqet shoviniste në kinemanë greke

(filmi artistik grek “Qielli”)

Në Gusht 1965 u zhvillua në Varna të Bullgarisë Festivali i I i Filmit Ballkanik,ku merrnin pjesë të gjitha vendet Ballkanike si dhe të ftuar edhe nga shumë vende të tjera kryesisht të Lindjes si Hungaria,çekosllovakia,Polonia,B.Sovjetik etj.Festivali bëhesh nën patronazhin e UNESCO-s që përfaqësohesh nga italiani Enrico Fulchinioni.Në krye të Festivalit u zgjodh një Komitet Drejtues që përbëhesh nga kryetarët e delegacioneve të të gjitha vëndeve Ballkanike.Ky Komitet drejtohesh nga vendi organizator(Bullgaria) e përfaqësuar nga Ministri i Kulturës,Videnov.Në statutin dhe rregulloren e Festivalit ishte e përcaktuar qartë se nuk pranohesh dhe nuk lejohesh asnjë film që cënonte dinjitetin kombëtar të vendeve pjesëmarrëse ose vendeve të tjera.Festivali kishte zgjuar interes të veçantë në shkallë botërore për arsye të ngjarjeve që po zhvilloheshin në kampin socialist, kontradiktat e ndryshme si për tu çliruar nga tutela sovjetike ashtu edhe tendencat hegjemoniste që kërkonte të kishte seicili vend ballkanik.Për këto arsye kishte një pjesëmarrje shumë të gjerë të përfaqësonjësve të shtypit të shkruar dhe elektronik me rreth 150 gazetarë që nga Japonia deri në Sh.B.A.

Delegacioni shqiptar shoqërohej nga një regjisor bullgar dhe kishte si përkthyes shkrimtarin shqiptar me banim të përhershëm në Bullgari,Thoma Kacori.Në atmosferin festive të Festivalit ishin organizuar disa veprimtari të ndryshme që nga konferencat e shtypit për seicilin vend pjesëmarrës që ishin të organizuara mirë dhe merrnin pjesë të gjithë gazetarët dhe të ftuarit,sesione shkencore si p.sh ai me temën “Kinemaja që na bashkon”(mbi rolin human të kinemasë), etj.Cdo vendi pjesëmarrës i ishte rezervuar një ditë e posaçme ku shfaqeshin filmat në publik me pjesëmarrjen edhe të autoriteteve më të larta të shtetit bullgar etj.Gjithë kinematë e Varnas në ditët e Festivalit shfaqnin filma të vendeve ballkanike në kuadrin e Festivalit.

Vetë Festivali nuk kishte si qëllim konkurimin, por njohjen e kinematografisë ballkanike dhe kjo, siç duket, ishte bërë me qëllim që të mos kishte qejf mbetje dhe mospajtime në rastin e dhënies së çmimeve.Pra si të thuash si filmat e programuar si pjesëmarrës në Festival ashtu edhe ato që ishin jashtë tij por shfaqeshin ato ditë në kinematë e Varnas kishin funksione të barabarta me synimin e afrimit dhe bashkëpunimit midis kinematografive të vendeve Ballkanike që ishte edhe synimi i UNESCO-s.Veçanërisht shtypi bullgar i kushtoi një vemëndje të veçantë Festivalit si ai lokal,i Varnas ashtu edhe shtypi qëndror(Sofie).Botoheshin intervista të shumta me kineastë të vendeve të ndryshme,etj.

Delegacioni shqiptar pati kontakte të shumta me kineastë të vendeve ballkanike e më gjerë dhe veçanërisht u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë e miqësore me kineastët e vendit organizator, Bullgarisë.Këtë e dëshmuan edhe prononcimet zyrtare në shtypin bullgar.

Por delegacioni ynë u ndodh në mënyrë të befasishme para dy incidenteve nga të cilat njëra kishte të bënte me përfaqësuesit e shtypit bullgar dhe tjetra pati karakter të theksuar politik që kishte të bënte me qeverrinë Bullgare.

Në një intervistë që u dha gazetarëve bullgarë kryetari i delegacionit shqiptar jepte një vështrim të shkurtër të rrugëve që kishte ndjekur kinematografia shqiptare nga lindja e saj si dhe lidhjet e saj fillestare me përfaqësues të ndryshëm të kinematografisë sovjetike, jugosllave, Bullgare dhe çeke dhe ndihmën që i kishin dhënë ato që në hapat e para të saj, duke theksuar edhe ndihmën e kinemasë bullgare.Fatkeqësisht deklarata e kryetarit të delegacionit shqiptar ishte transformuar duke vënë theksin sikur kinemaja bullgare ishte një nga themelueset e kinemasë shqiptare.

Në këtë kohë po bëheshin shumë deklarata në shtyp, radio dhe televizionet e vendeve të ndryshme ku në veçanti kinematografia Jugosllave dhe sovjetike quheshin si themelueset e kinemasë shqiptare dhe fatkeqësisht edhe individë të caktuar që kishin bërë ndonjë kurs specializimi në B.Sovjetik i mbanin avazin kësaj teorie, sigurisht për të nxjerrë në pah se ata vetë ishin themeluesit e saj.Kinemaja bullgare, në kohën e prerjes të marrdhënieve me Jugosllavinë kishin bërë të mundur montimin e një ose dy filmave dokumentarë ose kronikalë shqiptarë në Sofje,dhe për këtë ne u ishim mirënjohës, për ndihmën e dhënë por kjo nuk mund të identifikohej me themelimin e kinemasë shqiptare nga bullgaria.Prandaj kryetari i delegacionit shqiptar kërkoi takim me gazetarin respektiv dhe këmbënguli që kjo të përgënjeshtrohej dhe në shtypin e ditës tjetër të vihesh e plotë deklarata e delegacionit shqiptar.Në fakt përgënjeshtrimi nuk u bë por një ditë më vonë u dha ekzaktësisht deklarata e kryetarit të delegacionit shqiptar.

Incidenti i dytë dhe më i rëndësishmi ishte fakti se në kinematë e Varnas,në kuadrin e veprimtarive të Festivalit, po shfaqesh filmi grek “Qielli” në të cilin kishte pretendime të hapta territoriale karshi Shqipërisë .Filmi kishte si sfond Luftën Italo-Greke dhe në një sekuencë jepte pamje të Korçës të pushtuar nga forcat greke dhe një ushtar grek i shkruante dy herë letra familjes së tij.Në të parën i thoshte se “ne erdhëm në Epirin e Veriut” dhe në të dytën preçizonte se “e morëm përsëri Epirin tonë të Veriut”.

Për këtë kërkuam menjëherë takim me drejtorin e Festivalit të cilit i kërkuam që të hiqesh menjëherë nga qarkullimi ky film që ishte krejtësisht në kundërshtim me frymën,statutin dhe rregulloren e Festivalet dhe cënonte traditat e lashta miqësore midis dy vendeve tona(Shqipërisë dhe Bullgarisë).Ai na tha se do bisedonte për këtë me Kryetarine Komitetit, Ministrin e Kulturës Videnov, dhe do të merrnin masa prandaj të mos shqetësoheshim dhe mundësisht të mos e bënim problem këtë çështje.Por filmi grek nuk po hiqesh nga qarkullimi edhe dy ditë më vonë, bile edhe më datën 12 gusht kur delegacioni ynë do jepte një konferencë shtypi.Në hyrjen e ndërtesës të Ministrisë së Komunikacionit ku zhvillohesh konferenca e shtypit ishte programi i shfaqjeve ku përfshihesh edhe filmi grek “Qielli”.Në këtë mënyrë objekti i konferencës së shtypit ndryshoi komplet dhe në qëndrën e saj, që tërhoqi më shumë vemëndjen e gazetarëve,u vu protesta publike e delegacionit tonë i cili e quajti këtë incident si një akt provokues të qeverrisë bullgare(mbasi Kryetar i Komitetit të Festivalit ishte një anëtar i qeverrisë bullgare,ministri i Kulturës,Videnov) që kishte lejuar shfaqjen e këtij filmi që binte ndesh me frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit reciprok midis vendeve ballkanike,cenonte miqësinë me Bullgarinë u shërbente qarqeve shoviniste greke me pretendimet e tyre absurde për “Epirin e Veriut”, prishte vetë atmosferën e krijuar gjatë Festivalit dhe ishte direkt në kundërshtim me statutin dhe rregulloren e tij.

Delegacioni ynë kishte treguar durim duke njoftuar disa herë për heqjen e filmit nga qarkullimi por këto përpjekje ishin bërë pa vlerë prandaj ne denoncuam aktin,deklaruam largimin nga Festivali duke rezervuar të drejtën për të marrë pjesë në Festivale të tjera.Këtu shpërthyen pyetjet e gazetarëve, interpretimet e pabazuara të palës bullgare.Deklarata jonë u përkthye në fërngjisht dhe rusisht, por me kërkesën e disa gazetarëve rumunë që na erdhën më vonë në dhomën e hotelit, u përkthye edhe në rumanisht dhe iu shpërnda të gjitha delegacioneve.Ne kërkuam me këmbëngulje që deklarata jonë të botohesh të nesërmen edhe në Buletinin e Festivalit, gjë që nuk u realizua.Por atë që bëmë ne me përkthimet e kishte bërë më mirë se ne një gazetar gjerman që e kishte marrë me stenogram gjatë konferencës dhe ua kishte shpërndarë gjithë gazetarëve.Ditët e mëvonëshme stacionet e ndryshme të radios dhe televizionit të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik,Hungarisë etj i bënë jehonë të gjerë kësaj deklarate duke e trajtuar në konceptet e tyre si institucione zyrtare,kur Shqipëria pothuajse kishte prerë çdo marrdhënie politike, diplomatike,kulturore etj jo vetëm me Bashkimin Sovjetik por edhe me vendet e tjera socialiste.Deklarata e delagacionit tonë u botua në datën 14 gusht 1965 edhe në faqen e parë të “Zërit të Popullit”.

E përmenda këtë ngjarje konkrete në fushën e kinematografisë për të dokumentuar si e kanë trajtuar qarqet shoviniste edhe nëpërmjet filmit Luftën Italo-Greke duke e deklaruar hapur se ajo u shndrrua nga një luftë patriotike për të përballur agresionin fashist në një luftë pushtuese territoresh të huaja me pretendimet dhe rivendikimet e tyre absurde të çlirimit të tokave të tyre “Epirit të Veriut”.Kjo politikë ka vazhduar dhe vazhdon të bëhet edhe sot nga qarqe të caktuara shoviniste që kërkojnë të ngrënë edhe disa varreza të ushtarëve të tyre, të ngrenë lapidare e përkujtimore, të ngrenë edhe flamurin grek në tokat shqiptare me pretekstin se ku ka rënë një ushtar grek, është tokë greke”.Akoma më skandaloze është provokimi i zbuluar kohët e fundit me një video ku jepen ushtarët grekë në stërvitje të cilët shprehin një urrejtje patologjike kundër popullit shqiptar e cila është akoma më e rëndë se nuk ka të bëjë thjesht me ndonjë qark shovinist por një institucion shtetëror, me urrejtjen që propagandojnë forcat e armatosura kundër një vendi fqinj, pra shovinizmi nuk është i rastit por në themel të politikës të qarqeve sunduese greke.

Abaz T.Hoxha

Studiues dhe Historian i Kinemasë

*        *        *

Delegacioni shqiptar largohet nga Festivali i Parë i Filmit Ballkanik për shkak të një provokacioni antishqiptar

Sikurse është njoftuar ditët e fundit u çel në Varna të Bullgarisë Festivali i parë i Filmit Ballkanik.Për t’i shërbyer qëllimit të Festivalit,mirëkuptimit e miqësisë midis popujve ballkanikë,Republika Popullore e Shqipërisë mori pjesë me një delegacion dhe me një numur filmash për t’u çfaqur në Festival.

Për fat të keq,nga ana e autoriteve bullgare,të cilët ishin organizatorët dhe mikpritësit e festivalit,ky rast u shfrytëzua për të kryer një provokacion ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë.

Në këto kushte,pas protestave të tij energjike pranë Komitetit Drejtues të festivalit,më 12 gusht 1965, delegacioni shqiptar u detyrua të mbajë qëndrim me një konferencë shtypi në Varna,kundër këtij provokacioni antishqiptar dhe për këtë shkak të largohet nga festivali.

Të njëjtën ditë,delegacioni shqiptar u drejtoi pjesëmarrësve të Festivalit të filmit ballkanik një deklaratë me shkrim me përmbajtjen që vijon:

“Delegacioni shqiptar në Festivalin e parë të Filmit Ballkanik erdhi në kohë dhe në përbërje të plotë me njoftimin zyrtar bërë Komitetit të Festivalit.Ai erdhi me vullnet të mirë për të kontribuar në realizimin e qëllimeve të caktuara nga statuti i Festivalit të filmit ballkanik,gjë që vërtetohet nga pjesëmarrja aktive e delegacionit në të gjitha aktivitetet e ushtruara sipas programit dhe nga të gjitha intervistat e dhëna gazetarëve të ndryshëm për shtypin dhe radion.

Gjatë bisedave krijuese me kineastët e vendeve të ndryshme dhe veçanërisht me kineastët bullgarë,anëtarët e delegacionit shqiptar shkëmbyen mendime dhe eksperiencë lidhur me çështje krijuese të artit kinematografik.Ky shkëmbim u cilësua reciprokisht i vlefshëm dhe frytdhënës.

Por ne konstatuam se në ekranet e kinoteatrove të Varnës në kohën e çfaqjeve të festivalit,është projektuar filmi artistik grek “Qielli”,ku pasqyrohen rivendikimet tokësore, shoviniste greke mbi të ashquajturn “Epir të Veriut”,siç e quajnë shovinistët grekë pjesën jug-lindore të Shqipërisë,që përbën një territor të gjerë të Republikës Popullore të Shqipërisë.Në film ky territor paraqitet si “tokë amtare greke”.

Ky është një provokacion i hapur nga qeverria bullgare,vendi organizator i Festivalit të parë,i cili ka marrë dhe çfaqur këtë film pikërisht në Varna në kohën e Festivalit të filmit ballkanik.

Delegacioni shqiptar,vuri menjëherë në dijeni Komitetin drejtues të Festivalit.24 orë pas kësaj,Komiteti në fjalë nuk kishte marrë akoma masa konkrete për mënjanimin e incidentit.Delegacioni shqiptar proteston përsëri në mënyrë të vendosur pranë Kryetarit të Komitetit Drejtues.Megjithëse pala bullgare kërkoi ndjesë dhe premtoi se do të marrë masat e nevojëshme,akoma edhe sot,ditën e kinematografisë shqiptare,filmi grek “Qielli” figuron në të gjitha reklamat e filmave të festivalit,të vendosura në të gjitha anët e qytetit,prandaj pala bullgare mban përgjegjësi të plotë dhe të rëndë për vetë aktin dhe për rrjedhimet që mund të ketë ky provokacion.

Ky është një provokacion i bërë me qëllim dhe drejtohet kundër frymës së vetë festivalit,kundër miqësisë shqiptaro-bullgare dhe i shërben politikës antishqiptare të qarqeve shoviniste greke dhe të imperializmit amerikan,politikës së përçarjes midis popujve ballkanikë,dhe jo miqësisë e mirëkuptimit,që janë qëllim i festivalit.

Në këto rrethana,delegacioni i kinematografisë shqiptare e konsideron të pamundur qëndrimin e tij të mëtejshëm në Festivalin e parë të filmit ballkanik dhe proteston energjikisht kundër këtij akti të shëmtuar.

Përpara largimit të tij të detyrueshëm,përgjegjësinë për të cilin e mban plotësisht pala bullgare,delegacioni deklaron edhe një herë se ai përkrah qëllimet e mira të Festivalit të filmit ballkanik.Delegacioni shqiptar shpreh keqardhjen për faktin që qysh në Festivalin e parë pati vend një provokacion kaq i ulët që drejtohet kundër tërësisë tokësore të Republikës Popullore të Shqipërisë.Megjithatë delegacioni rezervon të drejtën për të marrë pjesë në Festivalet e tjera të këtij lloji.

Delegacioni shqiptar  në Festivalin e parë të Filmit Ballkanik

(ATSH)

Botuar në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit”,e shtunë,14 gusht,1965

Delegacioni përbëhej nga:

1.Abaz Hoxha-Kryeinxhiner i Kinostudios “Shqipëria e re”(prezantuar si ZV/Drejtor)- Kryetar i delegacionit.

2.-Kristaq Dhamo-regjisor-anëtar delegacioni

3.-Viktor Gjika-operator-regjisor-anëtar delegacioni



posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Odisea e një libri

Paralelisht po punoja për botimin e dy librave. Librin e parë e kisha bërë gati për shtyp. Sigurisht që nuk mund të filloja me botime për të kaluarën, d.m.th para çlirimit për arsyet që kam përmendur disa here. Duhej te shkruhej kryesisht për arritjet në “Kohën e Partisë”. Kisha kohë që e kisha filluar përgatitjen e këtij libri që kishte të bënte me historinë e kinematografisë shqiptare por që isha përqëndruar kryesisht në filmin artistik shqiptar.Kishte disa vjet (1965) që, me nisiativën time,u krijua një grup, ose redaksi, për hartimin e tekstit të plotë të historisë së kinematografisë shqiptare. Në krye të këtij grupi qëndronte regjisori Kristaq Dhamo që atëhere kryente funksionin e udhëheqsit artistik të kinostudios. Në këtë redaksi bënin pjesë përveç Kristaqit e meje edhe Viktor Gjika, Piro Milkani, Todi Bozo e mesa më kujtohet edhe Dhimitër Anagnosti e Niko Koleka (ky i fundit në atë kohë punonte në redaksi). Bëra disa here përpjekje që kjo redaksi të mblidhesh dhe të fillonte nga puna dhe në fakt u mblodhëm disa here por bëheshin vetëm diskutime parimore dhe nuk u bë asgjë konkrete. Atëhere unë fillova të shkruaja vetë. Grumbullova informacionin e nevojëshëm për filmin artistik si dhe matërialet që kishin të bënin me krijimin e Ndërmarrjes Kinematografike Shqiptare, Kinostudios “Shqipëria e re” si dhe me një punë shumë të lodhëshme në shtypin e kohës për të grumbulluar jehonën e filmit shqiptar deri në atë kohë nëpërmjet shtypit të asaj periudhe.

Në vitin 1980 e kisha përfunduar librin me titullin “Filmi Artistik Shqiptar” i cili përveç një filmografie të plotë kishte edhe një vështrim të shkurtër mbi fillimet e kinematografisë shqiptare deri në atë periudhë. Aty përfaqësoheshin të gjitha filmat e xhiruara nga viti 1953 (Skënderbeu) e deri në vitin 1980. Një kopje të daktilografuar të librit ia dorëzova drejtorit të kinostudios për të marrë edhe mendimet e tyre. Ai ia dorëzoi ish udhëheqsit artistik. Prisja të më thërrisnin për mendimet e tyre dhe vrejtjet. Pashë që punimi im shkaktoi një reagim të heshtur dhe një zili. Justifikimet koridoreve ishin se historinë e kinemasë do ta bënte grupi që ishte ngritur i cili siç permënda prej disa vjetësh nuk kish funksionuar fare. Pas një vit e gjysëm më thirri udhëheqësi artistik e më dorëzoi kopjen në pamje me fjalë të mira por që më përsëriti se historinë duhej ta bënte një grup më i gjërë, se duhej të ishte bërë kështu dhe ashtu por pa asnjë mendim konkret.Atëhere iu drejtova përsëri drejtorit të kinostudios duke i kërkuar ta dërgonin zyrtarisht librin tim në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” si një botim të kinematografisë,ndërsa redaksia e krijuar të vazhdonte punën për të bërë një botim më të gjerë. Mendimi im u miratua prej tij dhe libri u nis zyrtarisht në Shtëpinë Botuese me kërkesën për tu botuar.

Por nuk ishte e lehtë të botoje një libër.Vepronte censura. Dhe një ditë më vonë më vjen një redaktor i Shtëpisë Botuese me një sëri vrejtjesh të cilat duhej të koregjoheshin pa tjetër ndryshe libri nuk botohej. Këto vrejtje ishin:

1.- Të hiqen nga libri filmat “Skënderbeu” dhe “Furtuna” që ishin bashkëprodhime me kinematografinë sovjetike me të cilët në atë kohë ishin marrdhënie të acaruara shtetërore dhe partiake dhe konsideroheshin nga ne “revisionistë”

2.- Drejtoria e kinostudios të bënte një prononcim me shkrim se të gjitha filmat e vendosur në libër ishin në qarkullim në rrjetin e kinemave dhe se duhej të mbahej përgjegjësi nga ana e saj në rast të kundërt.

3. Të mbahej përgjegjësi e plotë në se në libër kishte persona të “padëshëruar” aktorë, regjisorë, skenaristë etj të cilët ishin dënuar ose internuar nga regjimi- dhe të tillë kishte.

Redaktori J.T.erdhi tek unë. U përpoqa ta bindja se unë nuk shfaq filmat në kinema por po bëj një libër që të evidentoj gjithë krijimtarinë në fushën e filmit artistik të prodhuar deri atëhere dhe se këto ishin të dhëna të domosdoshme për një libër të tillë ku të përfaqësoheshin filmat me autorë e interpretues ashtu siç jepen në kopertinat e filmave. Ishte e kotë. Ai ishte i vendosur dhe i prerë se filmat e prodhuar në bashkëpunim me kinematografinë sovjetike nuk duhej të vendoseshin se autorët dhe interpretuesit ruse ishin revizionistë dhe ne nuk kemi marrdhënie me Bashkimin Sovjetik. Kjo ishte kërkesë e prerë. Po kështu duhej të hiqeshin nga libri filmat: “Detyrë e posaçme”,”Vitet e para”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Prita”, “Përse bie kjo daulle”, “Gjurma”, etj se në këta filma interpretonin ose ishin në kopertina e tyre si autorë: Xhemal Broja, Halim Xhelo, Xhevat Alibali, Edi Luarasi, Lluk Kaçaj, etj të cilët ishin dënuar, burgosur ose internuar si “armiq të Partisë dhe të popullit”.

Libri m’u kthye që ti bëheshin koregjimet përkatëse. Drejtoria e kinostudios nuk pranoi të jape përgjigje me shkrim se në libër nuk ishin përfaqësuar dhe më kërkuan mua po me shkrim që i kam bërë këto koregjime. U përpoqa disa here për ti bindur se në libër duhej të përfaqësohej krijimtaria kinematografike e gjithë dhe ashtu siç jepesh në titujt e filmave mbasi kjo kishte të bënte me historinë e filmit. Por me që nuk po çaja dot u detyrova të hiqja filmat “Skënderbeu” dhe “Furtuna” dhe emrat e autorëve dhe interpretuesve që ishin të dënuar dhe e dorëzova përsëri librin.

Pas disa ditëve më thirrën përsëri dhe me tone të ngritura më kërcënuan se do tu drejtoheshin Ministrisë dhe Komitetit Qëndror të Partisë se unë doja të propagandoja armiq.Unë u thashë që emrat e tyre i kam hequr. Më kërkuan që të hiqja edhe filmat sepse njerzit e dinë që në ato filma ata kanë interpretuar dhe prunë si shëmbëll aktoren Edi Luarasi e cila kishte interpretuar në “Ngadhnjim mbi vdekjen” dhe disa filma të tjerë. U thashë se E.Luarasi nuk është në burg ajo punon në një qëndër pune së bashku me puntorë të tjerë që nuk janë armiq.Si mund të konsiderohet armik kur punon me të tjerë puntorë të pararojës.Mbas përpjekjeve gjashtë muaj më në fund i binda që këto filma të mos hiqeshin dhe e paraqita përsëri librin.

Po atë ditë më morën përsëri në telefon dhe më kërcënuan se në libër ishte emri i Bashkim Shehut dhe Lirim Pullumbit të cilët ishin në kopertinat e filmave si skenarist ose bashkautor skenari në filmat “Skëterrë ‘43” dhe “Një ndodhi në port”, filma që ishin prodhuar në vitin 1980. Përsëri m’a kthyen librin. Pas gjashtë muajve u detyrova ti heq këto të dy filma dhe e paraqita përsëri librin për botim. Fillimisht më këshilluan që librin ta botoja si katallog me fotografi dhe me një hyrje të shkurtër gjë të cilën nuk e pranova. Më në fund, aty nga viti 1985 libri u fut në procesin e redaktimit për tu bërë gadi për shtyp i plotësuar tashmë edhe me filmat e viteve 1981-1984. Por nuk zgjati shumë dhe më thirrën përsëri këtë radhë me tone shumë të ashpra se në libër ishin emrat e Petro Markos dhe të Lirim Dedes të cilët kishin bërë nga një shkrim për filmin shqiptar dhe ishin të dënuar (për ta bërë të plotë librin dhe për tu shërbyer studjuesve unë në libër kisha vendosur edhe bibliografinë e shtypit për filmin dhe kinematografinë).

Këtë radhë librin jo vetëm që e kthyen përfundimisht por me anën e një letre prej pesë faqesh të daktilografuara ju drejtuan Drejtorisë së Shtypit të Komitetit Qëndror, Komitetit të Partisë së Tiranës, Ministrisë Arsimit dhe Kulturës dhe Drejtorisë së Kinostudjos me anën e të cilës më akuzonin me termat më të ashpëra si mos njohës së vijës së partisë dhe mbështetës të elementëve të pa dëshëruar armiq të Partisë dhe të Popullit. Të ishin marrë seriozisht terminologjija e asaj letre proteste mua duhej të më kishin varur në mes të Tiranës (letra gjëndet pranë arkivit administrativ të kinostudios). Drejtori i Kinostudios më thirri menjëherë në një mbledhje urgjente ku ishte edhe sekretari i Partisë, shefi i propagandës dhe zv/drejtori që drejtonte propagandën e filmit në Kinostudio.Drejtori i shqetësuar dhe i trembur sa që kur lexonte i dridheshin duart, mbasi e lexoi deri në fund letrën m’u drejtua:

-Ç’është ky libër, unë nuk jam në dijeni??

E shikova me vëmëndje dhe me keqardhje për frikën që i kishte hyrë deri në palcë dhe iu përgjigja:

-   Ti je në dijeni, shoku drejtor, se ke firmosur edhe shkresën përcjellëse për Shtëpinë Botuese dhe unë ju kam vënë në dijeni për protestat e mija. Megjithatë ti nuk ke pse të shqetësohesh, librin e kam shkruar unë dhe jo ti, prandaj mos kij merak. Unë përgjigjem për të. Por me që më thirrët unë nuk i heq më asnjë presje librit se unë dua ta shkruaj historinë e kinematografisë jo të deformuar dhe të cunguar por ashtu siç është. Kjo është edhe në nderin tuaj.

Dhe u ngrita të largohesha i revoltuar. Në koridor ai më ndoqi nga pas dhe filloi të më bënte thirrje që ta tërhiqja librin dhe të mos hapja telashe se edhe po të botohesh libri po të dilte ndonjë emër i padëshëruar do ta digjnin në kaldajë.

I thashë se kur libri të botohet, le të digjet, por kopjet e Bibliotekës Kombëtare do të mbeten dhe historia e kinemasë shqiptare do të jetë atje.Mos u preokuponi për një libër qe edhe po të digjet kushton rreth 500.000 lekë por shifni mos bëni ndonjë film me probleme i cili nuk koston kaq por mbi 15 milion lekë.

Më tha se ti je kokëshkretë dhe do thyhesh kokën.

Mbas shumë peripecish dhe përpjekjet këmbëngulëse të mijat,sikurse edhe nga një shprehje e një revolte të hapur në mbledhjen e përgjithshme të Kinostudios për analizën vjetore ku kish ardhur edhe ministrja e Arsimit dhe Kulturës dhe Zv/ministri,dhe me ndihmën e Z.S.Çela që në atë kohë ishte zv/minister i kulturës libri u shtyp në vitin 1987 në variantin shqip dhe u fut për shtyp edhe në anglisht për tu shërbyer edhe të huajve.

Por maratona nuk mbaroi me kaq. Mbasi libri ishte shtypur, siç ishte rregull, një kopje iu dërgua edhe Sekretarit të Parë të K.Q. të Partisë Ramiz Alia. Ai sa e mori në dorë dhe e flaku në dysheme duke thenë:

- Ç’është ky libër lluksoz më i mire se veprat e shokut Enver!?(mbasi libri kishte kopertinë të forte dhe disa tregues në letër me ngjyra në fund).

Kjo mjaftoi që të shpallesh alarmi në administratën shtetërore, të pezullohesh varianti anglisht dhe unë të trajtohesha si njeri i dyshimtë. Kulmi ishte kur gazeta “Zëri i Popullit” bëri një njoftim ku jepte edhe përmbajtjen e librit dhe ndonjë vlerësim duke e cilësuar si librin e pare të kinematografisë shqiptare. Më thirrën në ministri dhe më kërcënuan pse unë të propagandoja një libër që ishte kritikuar. Unë iu përgjigja se shkrimin nuk e kam bërë unë dhe se “Zëri i Popullit” nuk varet nga unë por nga Komiteti Qëndror i Partisë. Por unë nuk di asgjë që libri është kritikuar dhe përse është kritikuar.

Megjithatë harrijta të tërheq nga shtypshkronja variantin anglisht të librit i cili kishte filluar botimin por po përdorej nga puntorët për mbështjelljen e bukës ose si ambalazh.

Para se libri të dilte në qarkullim shkoi një delegacion në Panairin e Librit në Leipcig. Në këtë delegacion bënte pjesë edhe një punonjës i Drejtorisë së Shtypit të Komitetit Qëndror. Meqënëse ky ishte i pari libër për kinematografinë, që atëhere kishte marrë zhvillim dhe konsiderohej një nga arritjet më të mëdha të periudhës së socializmit në fushën e kulturës, dhe libri kishte një paraqitje të mire nga jashtë ata morën rreth 200 kopje me vehte. Atje libri kishte patur jehonë dhe ata erdhën të entusiazmuar për suksesin e panairit shqiptar duke mos dijtur se këtej kishte rënë rrufeja nga kreu i shtetit. Megjithatë libri, që u botua në 3000 kopje u lejua të hidhesh në qarkullim dhe në publik bëri jehonë si libri i parë për kinematografinë shqiptare dhe brënda muajit u shitën rreth 2000 kopje. Një paradoks i vërtetë. Ndërsa shumë kineastë, kritikë dhe dashamirës më përgëzonin për këtë botim të plotë për filmin artistik shqiptar, shtypi, radio, televizioni heshtëte. Kritiku Xh.Abazi kur e pa librin më tha në një bisedë intime:

- Deri tashti ne kritikët nuk kemi shkruar për filmin duke u justifikuar se nuk kemi informacionin e nevojshëm ku të mbështetemi. Tashmë na e ke hequr këtë armë me këtë libër që ka informacion të plotë.

Pati edhe njerëz që e pritën me zili dhe që në një fare mënyre iu bë qejfi për heshtjen. Këtë zili dikush e shprehte me hedhjen e mendimit pse të shkruajë një inxhiner për kinemtografinë, studimet për artin duhet ti bëjnë kineastët etj, etj. Këta ziliqarë mezi prisnin që libri të shkaktonte ndonjë problem, që të dilte ndonjë njeri i pa deshëruar dhe bashkë me librin të fluturoja edhe unë.

Por këtë heshtje të plotë e theu shoku dhe miku im Luan Rama, në atë kohë udhëheqës artistik i kinostudios, i cili bëri një shkrim të gjatë në gazetën “Drita”-organ i Lidhjes së shkrimtarëve dhe e vlerësonte librin. Kjo ishte një kurajo e madhe për të, por L.Rama është dalluar për njeri kurajoz se ishte një intelektual dhe studjues i mirëfilltë vetë, ishte edhe një nga skenaristët dhe kritikët me krijimtari më të madhe. Për ta vërtetuar këtë nuk mund të rri pa përmendur faktin që kur unë u përjashtova nga Partia dhe Luani punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, ai ishte i pari dhe i vetmi që më erdhi në shtëpi për të më dhënë kurajo. Dhe kjo përbënte një rrezik të madh për atë dhe familjen e tij, mbasi siç dihet kush përjashtohesh nga Partia konsiderohesh “Armik i Partisë dhe i Popullit”.

E botova pas një pune shumë të lodhëshme, por në vend që të isha i gëzuar kisha një trishtim, një fare ndjenje faji që më ndiqte në çdo hap. Dhe kjo vazhdoi gjatë.

Një ditë më vjen Piro Milkani në arkivin e filmit ku punoja dhe më propozon që të më bënte një intervistë direkt në studion e televizionit në një spetakël që ai do të fillonte bashkë me Elvira Liçaj (Dones). Ky spetakël prej shumë puntatash titullohej “Mrekullia e artit të shtatë”, ku do të merrnin pjesë kryesisht të rinjtë dhe do të organizohesh edhe një fare “kuizi”për kinematografinë dhe filmin shqiptar dhe si bazë ata do të përdornin librin tim “Filmi Artistik Shqiptar”, prandaj edhe në emisionin e pare duhej të flisja unë si autor i librit. Ndonse Piro ishte një njeri shumë dashamirës, m’u duk naïve nga ana e tij prandaj e shikova me shumë dyshim dhe i thashë:

Piro. Nuk e shef opinionin. Nuk do të lejojnë që të më intervistosh mua kur ka një opinion dyshues që në krye të pyramidës.

Më tha se atë punë do ta zgjidhte ai por nuk mund të zhvillohesh një konkurim i tillë pa qënë prezent burimi kryesor i informacionit ku do të mbështeteshin të rinjte- pra autori i librit.

- Hezitova shumë, i thashë se edhe në rast se do të më intervistosh, intervista ime do të pritet dhe nuk do transmetohet.

Megjithatë ai ma mbushi mëndjen dhe vajta në emisionin e pare dhe dhashë intervistën. Por doli ashtu siç e kisha parashikuar.Intervista ime nuk u transmetua.Tashmë kisha hyrë në radhët e të dyshimtëve dhe ata që drejtonin median nuk kishin kurajo të bënin një veprim që mund tu kushtonte karriken.Ishte opinioni i kreut të pyramidës, ndonse me sa di unë, ai nuk kritikoi librin, por tha vetëm se është një libër lluksoz, ndërsa një tjetër poshtë tij, për të qënë në unizon dhe për të forcuar karriken e quajti librin si një “listë gjellësh”.

Megjithatë publiku nuk e përfilli opinionin zyrtar. Të tremijë kopjet e librit u shitën brenda një periudhe shumë të shkurtër, ndonse kishte një kosto shumë të lartë për mundësitë financiare të lexuesve në atë kohë. Ishte një ngjarje e veçantë, libri i pare për kinematografinë shqiptare që atëhere kishte filluar të krijonte një mendim shumë të mire në publikun shqiptar.

Kur u qetësuan gjakrat unë tërhoqa 150 kopje dhe ja u dërgova shumicës së Instituteve dhe arkivave filmike botërore që nga Argjentina në Australi. Libri bëri edhe jashtë jehonë dhe mora disa letra përgëzimi nga Anglia, Gjermania, Franca etj. Pati edhe ndonjë studiues që kërkonte edhe kopje personale.Ndër vrejtjet e tyre ishte e dallueshme që kërkonin të botohesh edhe në ndonjë gjuhë të huaj. Siç përmënda më lart libri ishte përkthyer në anglisht dhe kish kaluar në shtyp por reagimet e kreut të shtetit bënë që të pezullohesh botime dhe ta merrnin puntorët të mbështillnin bukën me atë pjesë që u shtyp.Fatmirësisht unë munda të tërheq origjinalin edhe me diapozitivat e fotografive.

Studjuesi anglez John Holstrom ndër të tjera më shkruante:

-“Ju uroj gjithë të mirat për progresin në punën tuaj kërkimore në fushën e historisë së kinemasë shqiptare. Do të ishte një punë me shumë vlerë,dhe unë shpresoj se do të botohet edhe në anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër të njohur gjerësisht

Ndërsa Eberhard Spies, zëvëndësdrejtor i Institutit gjermanoperëndimor i artit filmik me qëndër në Frnakfurt më shkruante:

-“Libri i mbrekullushëm mbi filmin shqiptar që më dërguat nuk ishte vetëm për mua një surprizë e këndëshme ndonse ishte botuar vetëm në gjuhën shqipe… Po pati mundësi të shpenzonit edhe një kopje tjetër për bibliotekën time personale, dhe në se do të ishte e mundur të ma dërgonit edhe me dedikim tuaj personal do të ju isha shumë i obliguar”.



posted by admin in Artikuj and have Comments Off