Abaz Hoxha

Jeta dhe aktiviteti

Agnes Samara Belushi

Pjesë nga libri i pa publikuar “Vëllezërit Belushi”

“….Ju pyesni për Belushin !

Po kush nuk e njeh Xhon Belushin?

Me të qeshi Amerika dhe gjithë bota,

Për të qau Amerika dhe e gjithë bota…”

Nga ai material që kisha siguruar për aktorin e madh Xhon Belushi, isha bindur për madhështinë e tij, por ende më duheshin burime më direkte për të dhënë sa më të plotë figurën e tij. U dashurova pas tij dhe në çdo cast më dilte përpara imazhi i Xhonit.

Një natë u ngrita rreth orës një pas mesnate, mora mikrofonin dhe fillova të regjistroj direkt përshtypjet e mija, përpiqesha të gjeja arsyen e tragjedisë së tij të parakohëshme, përse duhej të nxitohej kaq shumë për ta përfunduar karierën e tij të suksesëshme. Ja disa pjesë nga regjistrimi të cilin e kam të plotë në një kasetë:

… Belushi ishte një fenomen i kohës së tij, njëherazi edhe një tragjedi e saj. Ai i dha komedisë amerikane agresivitet, një frymë proteste. Kjo kish shkaqet e saj në shoqërinë amerikane të kohës të revolucionit në muzikën e rock&rollit, në revoltat e rinisë studenteske, në manifestimet kundër Luftës së Vietnamit, por edhe më larg akoma. Prandaj unë fillova të kërkoj edhe shkaqe personale të genit të tij. Iu drejtova shumë faktorëve dhe burimeve për të spjeguar këtë fenomen proteste dhe agresiviteti, iu drejtova thellësive të viteve, origjinës së tij, fshatit ku jetonin fisi dhe bashkëfshatarët ku ishin rritur dhe edukuar prindërit e tij, brengave dhe jetës së hidhur, traditave familjare dhe edukatës që kishte marrë nga prindërit e tij, si në atdhe ashtu edhe në mërgim. Iu drejtova edhe dokumentave dhe shtypit amerikan e botëror që kisha mundur të siguroja.Ai ishte një figurë kompleskse i dashur dhe i dhëmbsur por edhe i revoltuar dhe protestues kundër të keqes, një artist i lindur me një humor të veçantë, improvizues, i dashur dhe i ndjeshëm. Iu drejtova edhe familjes së tij që e edukuan dhe e rritën me karakteristika të veçanta të kombësisë së tyre……

Ndonse kjo atëhere ishte e vështirë se nuk mund të flisje e të shkruaje për shqiptarë të mërguar dhe në vecanti ne ShBA kisha arrijtur të  lidhesha me nënën e tij dhe të botoja një shkrim në gazetën “Përpara” të Korcës për djalin e saj të lavdishëm, Xhon Belushi.

Agnes Samara Belushi, nëna e vëllezërve Belushi, lindi dhe u rrit në Akron-Ohio, ShBA nga prindërit shqiptarë Dhimitër Samara nga Ziçishti dhe Ana Papa Samara nga Grapshi. Edhe prindërit e saj kishin emigruar atje që në vitet 30-të.

Rreth vitit 1946 ajo u martua me Adam Belushin dhe lindën njëri pas tjetrit 4 fëmijë: Marianën /1947/, Xhonin /1949/, Xhejmsin ose Xhimin / 1954/ e më vonë edhe Williamin, ose Billin. Ajo u rrit jo vetëm nën ndikimin e prindërve por edhe të një komuniteti shqiptar që kishin emigruar atje të cilët ruanin traditat shqiptare. U rrit me frymën e dashurisë për vëndlindjen e prindërve e, më vonë edhe nën ndikimin e familjes Belushi e veçanërisht vjehrës së saj, Vasilo Belushi, e cila i kishte jo vetëm të freskëta p or edhe të forta ndjenjat e dashurisë për atdheun e saj të lindjes, kujtime të ëmbëla dhe të hidhura e megjithatë i digjej zëmra dhe malli për vëndlindjen nga i cili ish larguar bashkë me familjen për një jetë më të mirë. Nga kujtimet e prindërve, bashkëshortit dhe nënës së saj edhe Agnes kish krijuar lidhje shpirtërore me Shqipërinë dhe në memorien e saj ishin regjistruar ngjarje të cilat nuk i harronte kurrë, i dukej sikur vinin nga ndonjë legjendë e lashtë dhe mezi priste çastin që t’a prekte vetë atë vend që ish futur thellë në ndërgjegjen e saj.

Me gjithë vështirësitë e mëdha të kohës dhe prapagandën e madhe që bëhesh për vendin tonë si një vend radikal komunist, sikurse edhe nga vështirësitë që krijonte regjimi ynë i atëherëshëm për të penguar çdo lidhje të shqiptarëve me vëndet e huaja, ajo me përpjekje këmbëngulëse siguroi një vizë për të vizituar Shqipërinë në kohën e një dhimbjeje të madhe që kishte plakosur atë dhe familjen Belushi shkaktuar nga humbja e djalit të saj, aktorit të shquar Xhon Belushi.

-          “… Gjatë udhëtimit t’im për në Shqipëri-tregon ajo- në ekranin e televizorit në bordin e avionit po jepesh një film ku interpretonte djali im, Xhoni. Ishte filmi “Animal House” që kishte pasur një sukses të madh gjatë shfaqjes së tij. Kjo më shkaktoi një dhimbje dhe gjatë gjithë kohës fillova të lotoja sa që rash në sy edhe të pasagjerëve të tjerë. Megjithatë pamja e tij më krijoi idenë se edhe ai po vinte të më shoqëronte mua në Shqipëri, dëshirë që e kish shprehur edhe më parë në familje e veçanërisht gjyshes së tij që e donte aqë shumë….”

-          Nga tregimet e prindërve ishin regjistruar në memorien e saj shtëpia e lindjes së nënës, një portë prej druri dhe një dardhë që qëndronte përballë shtëpisë ku nëna e saj, Ana, kish kaluar fëmijërinë dhe kishte kujtimet e vegjëlisë. Ajo mezi priste t’i shikonte ato vënde, që i kujtonin fëmijërinë e nënës së saj që tashmë nuk jetonte.

Kisha siguruar shumë fotografi dhe përshtypje nga nëna dhe bashkëshortja e tij Judit Belushi, por më  duheshin edhe materiale të gjalla, përshtypje dhe intervista në vendlindjen e prindërve të tij.

Por kur mora vesh se ajo kish qënë në Shqipëri dhe në përpjekje për të marrë sa më shumë të dhëna për familjen Belushi dhe origjinën e aktorit të madh më lindi ideja që të bënim një film së bashku me televizionin shqiptar për të ja u bërë të njohur edhe shqiptarëve këtë artist të madh. Prandaj së bashku me gazetarin Ilir Zherka dhe operatorin Engj<ll Strazimiri, shkuam në fshatrat ku kishin lindur prindërit e saj dhe të familjes Belushi, në Ziçisht, Grapsh dhe Qytezë në kërkim të dëshmive të bashkafshatrave për origjinën e aktorit të madh. Isha i interesuar jo vetëm për filmimin e banimeve të tyre të herëshme por në veçanti për dëshmitë e banorëve në kontaktet që kishin patur me zonjën Belushi. ./Ky film u realizua më vonë dhe unë e titullova “Një meteor shkëlqeu në ekran”/.

-          Atje u befasuam nga një numur i madh kujtimesh të burrave dhe grave të Ziçishtit, Grapshit dhe Qytezës për përshtypjen e madhe që u kishte bërë dashurija e pakufishme e saj për vëndlindjen e prindërve ndonse ajo vetë kishte lindur në Amerikë. Siç tregonin ata ajo dinte mirë gjuhën shqipe dhe herë herë përdorte edhe fjalë të rralla në dialektin e fshatrave të Korçës.

-          Morëm një numur të pambaruar intervistash, ishin kujtime mallëngjyese dhe rënqethëse që dëshmonin për një dashuri të jashtzakonëshme të saj për rrënjët e familjes, për farefisin dhe bashkfshatarët e tyre. Ajo ishte aqë e entusiazmuar dhe e prekur që kishte dëshirë të prekte, të puthte, të përkëdheljte dhe të merrte çdo gjë që kishin lidhje me familjen e saj duke i quajtur si të rralla dhe gjërat më të çmuara.

-          Intervistuam shumë burra dhe gra në Ziçisht, Grapsh dhe Qytezë dhe po citojmë vetëm një pjesë të vogël të këtyre intervistave. Fatkeqësisht nuk morëm emrat e të intervistuarve mbasi ata ishin aqë shumë dhe në grup miratonin deklarimet e bashkëfshatarëve të tyre, bile u ngacmonin edhe kujtesën për të thënë edhe këtë edhe atë ngjarje. Këto intervista të plota janë të regjistruara dhe të ruajtura në kasetat e mija të manjetofonit në arkivin t’im personal. Ja disa prej tyre:

-          Një burrë:

-          -“…Më ka mbetur në mend…erdhi këtu dhe kërkoi të takohej me të gjithë njerzit dhe sa takohesh me ta i përqafonte dhe i puthte e malluar dhe qante sikur të ishin pjesë të familjes së saj ndonse nuk i kishte parë asnjëherë. Në veçanti më kanë bërë përshtypje tre gjëra: I kujtoheshin tregimet e nënës së saj në veçanti për portën e drunjtë të hyrjes. Ndonse shtëpia ishte prishur ajo shkoi te porta e vjetër, kërkoi një gozhdë dhe gërvishi mbi të një zemër të shpuar me një shigjetë. Gjë që tregonte brengën, mallin dhe plagën e zëmrës së saj për largimin nga Shqipëria. Pastaj shkoi tek dardha, e përkëdhele dhe e shtërngoi fort me të dy duart dhe po e puthte e njëkohësisht lotonte sikur të kish takuar një njeri të dashur që nuk e kish parë prej vjetësh e njëkohësisht të çmallej me kujtimet e nënës së saj.Mbi at< dardh< b<ri disa fotografi.

-    Në takimet me Egnën, mbaj mend se sa herë bashkoheshim ne me njëri tjetrin fis e të afërt por edhe bashkëfshatarë, ajo na shikonte me zili e dashuri dhe fillonte të qante duke lotuar pa ndërprerje dhe kur e pyesnim pse qan ajo na përgjigjej: …shikoj me respekt e nostalgji këtë dashuri që keni ju në familje e në fis. Kjo është një traditë e shkëlqyer dhe e rrallë. Unë kam dy djem të cilët i shikoj vetëm në televizor ose videokasetë. Cdo vit ata më dërgojnë kasetat e reja që të çmallem dhe të jetoj në vazhdimësi me djemtë e mi…

-     …Casti i largimit ka qënë shumë mallëngjyes dhe më i ngarkuar emocionalisht. Ajo me një dhimbje në zemër dhe duke qarë mblidhte gurë, merrte dhe për t’i ruajtur si një kujtim të çmuar nga Shqipëria. Mbushi një çantë me gurë të marra rreth e qark shtëpisë së të ëmës….”

-  Një grua mezi priste të merrte fjalën. I drejtuam mikrofonin dhe ajo tregoi:

-    “….Unë e takova për herë të parë Egnën se ajo atë natë fjeti tek shtëpia e mamasë sime. Më ka lënë një përshtypje të madhe, ajo qante, qeshte, këndonte… Të nesërmen do të shkonte në Grapsh me një makinë. Nga makina shikonte për rreth  me dashuri dhe thoshte se ishte e mahnitur nga ky vend i bukur. Kur arritëm te shtëpia e nënës s ë saj ajo nuk ekzistonte, ishte rrafshuar. Një kushëri iparë e shpuri tek shtëpia. Ishin çastet më të dhimbëshme dhe na bëri edhe ne për të qarë. U ul në tokë, puthte dhenë dhe qante duke thënë: moj mamaçkë, këtu ke jetuar moj mamaçkë. Mblodhi disa gurë dhe i puthte. Nxori shaminë nga xhepi dhe e mbushi me gurë dhe tha se do t’i merrte me vehte në Amerikë, do t’ja u tregoj djemve dhe çupës sime, se këto janë gurët nga shtëpia e nënës sime… ç’farë u thoni ju këtyre, aliçe. Po i thamë, ashtu i quajmë, aliçe. Kur hymë Brenda në shtëpinë tonë ajo rrinte e i shikonte si një gjë të rrallë dhe i puthte duke thënë: … këto janë gurët e shtëpisë së mamasë sime …

-    …u nisëm në këmbë dhe e përcollëm deri te kisha e Grapshit.

-   Kur po largohej na përshëndeste me shaminë plot me gurë, qante dhe thoshte:….mirëupafshim fshati i mamasë sime…A vallë do kthehem edhe një herë këtu për t’a parë këtë fshat, shtëpitë, ç’bukuri e madhe, bukuri e rrallë….shqipen e dinte shumë mirë….

-   Në mbrëmje kur ishim në shtëpinë tonë më tha:  A moj bijë. Kur hipa në aeroplan, gjatë rrugës më shoqëroi filmi që kish interpretuar djali im, Xhoni……biri i nënës thashë me vehte…edhe këtu në aeroplan po më shoqëron….-dhe nuk pushova së qari gjithë rrugës…

-   …..nuk e di se si vdiq, por para dy orëve, para se të vinte lajmi i thashë:..hajde të më shikosh se më ka marrë malli dhe ai m’u përgjigj:…Kur të të marrë malli për mua, hap televizorin dhe shiko..atje do të jem… Pas dy orësh kur më erdhi lajmi sa nuk u çmënda, por njeriu qënka i fortë…..

-  …Vajti edhe në Qytezë, në vendlindjen e të shoqit, seç mori ca enë dhe gjëra të tjera karakteristike se donte të ja u tregonte fëmijve kur të kthehesh në Amerikë……”.

-  Kjo ishte Agnes Samara Belushi, nëna e dy artistëve të mëdhenj Xhon dhe Xhim Belushi, që ndonse ishte një amerikane, kish lindur dhe rritur në Amerikë ushqente një dashuri të rrallë për vendlindjen e prindërve të saj dhe këtë dashuri ajo dhe vjehra e saj, Vasilo Belushi, ua transmetuan edhe fëmijve të tyre.

-   I shkrova një tjetër letër zonjës Belushi por tashmë ishte tepër vonë mbasi ajo kish ndërruar jetë.

Abaz T.Hoxha

Studiues dhe historian i kinemasë

posted by admin in Artikuj and have Comments Off

Comments are closed.